Ju tregoj si i përktheva Firdeusiun dhe Saadiun

Si ia la në mes përkthimin e Shah-Name-së në vitin 1966 ndërmarrja e botimeve. Pak fjalë dhe për letërsinë orientale

 

Pavarësisht se për Vexhi Buharanë (1920-1987) është shkruar jo pak, prapë dalin në dritë pamje të reja shikimi të profilit të tij të spikatur si poet, orientalist, studiues, shqipërues i dorës së parë, i mirënjohur sidomos për përkthimet nga letërsia perse, si: “Gjylistani dhe Bostani” të Saadiut, “Shah-Name-ja” të Firdeusiut, apo edhe mjaft vepra të tjera. Vexhi Buharaja ka qenë një poliglot i vërtetë: njihte gjuhët anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht, rusisht, persisht, turqisht dhe arabisht. Buharaja gjendet edhe “i shpërndarë” në formë letërkëmbimesh jo të thjeshta, ku gjithkujt që kishte interesa kulturorë, ai i ofronte dijet, kulturën dhe mendimin e tij, qofshin këto interesime të fushës letrare, apo të asaj shkencore historike. Midis tyre është dhe një “intervistë” e marrë V.Buharasë 33 vjet më parë nga publicisti Simon Vrusho, por që në ato vite nuk gjeti dot dritën e botimit. Vrusho do të pohonte: “Në shtator të vitit 1975, ndërsa punoja si mësues në fshatin e largët të Beratit, Velçan, i porsadiplomuar për gjuhë-letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, duke përfituar nga rasti se në fshatin fqinj, akoma më të largët, në skajin jugor të rrethit të Beratit, në Osmënzezë, punonte si mësuese Muzina,(tani drejtoreshë në shkollën e mesme artistike “A.Xhindole” Berat), e bija e eruditit V.Buharaja (poet, përkthyes i shquar, orientalist i njohur, studiues; i burgosur, i dënuar e i denigruar nga sistemi komunist, aq sa në kulmin e talentit të tij krijues e degdisën në një zgëq berberhanesh të priste bileta për të rruar e për të qethur), i dërgova atij, nëpërmjet asaj, disa pyetje për autorë të letërsisë orientale, përgjigjet e të cilave përbëjnë një vlerësim që mendoj se paraqet interes për këndvështrimin e V. Buharasë për vlerat e asaj letërsie, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë te poeti i madh iranian, Firdeusiu dhe kryevepra e tij, “Shah-Name-ja”. Më duket më shumë se një “letërkëmbim”, është një “intervistë” që ia vlen të botohet, pas 33 vjetësh.“-thotë publicisti i njohur Simon Vrusho, tani kryeinspektor në Drejtorinë Arsimore Rajonale Berat. Në arkivin e publicistit Simon Vrusho gjenden edhe shënime të tjera nga kontaktet e tij me figurën e mirënjohur të Vexhi Buharasë. Këtu mund të përmendim vështrimin sintetik për bibliotekat e qytetit të Beratit, midis të cilave vlerësohet veçanërisht biblioteka pranë teqesë së helvetinjve në vitet ’80-ë të shek të 18-të, ku shumë prej librave të fondit të saj ishin në dorëshkrime, disa prej të cilave të shkruara në pergamenë me një kaligrafi shumë të bukur dhe të stolisura me ornamente. Mjerisht, kjo bibliotekë u dogj në vitin 1914. ndërkohë pas 33 vjetësh do të “ringjallim” Buharanë në një intervsitë e cila nuk e pa kurrë dritën e botimit në sistemin monist..


1-Pse nuk është përkthyer në shqip dhe nuk është botuar “Shahnameja”?


Ç’është e vërteta disa pjesë nga Shahnameja janë përkthyer (6500 vargje). Këto u dorëzuan në fund të vitit 1963, brenda afatit të kontraktuar. Përkthyesi (V.Buharaja –S.V.) u vlerësua në maksimalen. Andrea Varfi, që qe ngarkuar me redaktimin e këtyre pjesëve dhe që e kishte lexuar të gjithë Shahnamenë nëpërmjet përkthimit italisht, tha se nuk ishte mirë që një poet aq i madh të përfaqësohej në shqip vetëm me 6500 vargje. Prandaj, Ndërmarrja e botimeve më 1966 bëri një kontratë të re me përkthyesin për 4500-5000 vargje të tjera. Mirëpo, mu në këtë kohë Ndërmarrjes iu njoftuan kritere të reja lidhur me botimet. Me këto kritere bëhej një përmbysje në raportin midis autorëve të huaj dhe shqiptarë në favor të këtyre të dytëve. Me një fjalë, do të botoheshin shumë pak autorë të huaj, edhe këta duhej të ishin sa më aktualë. Për fatin e atyre 6500 vargjeve nuk di gjë. Dhe as u interesova më, mbasi mendimi që pata shfaqur mbi vlerat e mëdha artistike-ideore të Shahnamesë, edhe pse nuk qe hedhur poshtë, nuk qe miratuar.


Për përkthimet e Shahnamesë në gjuhë të tjera?


Pjesë të zgjedhura nga Shahnameja janë përkthyer kohë mbas kohe (duke filluar nga mesi i shekullit të kaluar) në anglisht, gjermanisht, frëngjisht (në prozë, siç e kanë francezët) dhe në rusisht. Sidomos në rusisht ka disa botime të Shahnamesë. Në kohët e fundit filloi botimi në rusisht i gjithë veprës së përkthyer në rusisht. Përkthimi iu besua një kolegjiumi prej 5-6 vetash. Gjer në vitin 1961 qenë botuar dy vëllime. (Që të dy këta ndodhen pranë bibliotekës shkencore të Universitetit Shtetëror të Tiranës). Po në këtë kohë fillon edhe botimi i tekstit integral kritik të origjinalit të Shahnamesë. Me sa di unë, botimi ka marrë fund, në gjithsej 10 vëllime. Një përkthim integral të Shahnamesë është ai i Italo Pizzit në italisht (ndodhet në Bibliotekën Kombëtare). S’e kam parë, por Andrea Varfi që e ka lexuar të gjithë (kjo punë i pat marrë 3 vjet) më ka thënë se është përkthyer mjaft mirë.


Diçka më gjerë për vitet e fundit të jetës së Firdeusiut?


Firdeusiu natyrisht kaloi në vetmi vitet e fundit të jetës së tij (gjithsej nja 6-7 vjet). Gjatë kësaj kohe ai shkroi veprën tjetër madhe “Jusufi dhe Zelihaja” ku trajtohet dashuria e Josefit legjendar biblik me Zolejkën e bukur. Kjo temë u rimuarr më vonë nga një varg poetësh të vendeve të Lindjes, por asnjëri nga këta nuk e arriti dot nivelin e poemës së Firdeusiut. Vetëm duhet pasur parasysh edhe kjo se kritika dhe shkenca e sotme e kanë vënë në dyshim autorësinë e Firdeusiut mbi poemën “Jusufi e Zelihaja”(disa orientalistë rusë dhe gjermanë).


4-Cilat janë figurat kryesore të Shahnamesë?


Në Shahname kemi një galeri të tërë figurash letrare, secila me individualitetin e vet. Mbi të gjithë është kryekreshniku Rustem, i cili është “sivëllai” tipologjik i Prometeut. Figurë thellësisht njerëzore. Interesante janë edhe figurat femërore (Rudabeja, Sijabeja, Tanimeja, Bizheni). Mund të thuhet se Rustemi është një nga arritjet më të larta artistike në të gjithë letërsinë botërore. Tek ai është gdhendur me mjeshtëri të rrallë artistike figura e heroit që lufton kundër forcave të këqija njerëzore (pushtuesit dhe agresorët) dhe jonjerëzve (divat).


Ç’ ndryshim ka në trajtimin e figurës së mbretërve midis Firdeusiut dhe Shekspirit?


Tjetër është funksioni i mbretërve te Shekspiri dhe tjetër te Firdeisiu. Titani anglez i trajton në plan psikologjik, kurse titani iranian në planin moral. Misioni historik i mbretërve në Shahname është vendosja e drejtësisë dhe sigurimi i lumturisë dhe i begatisë së popullit. Pra, Firdeusiu kërkon “mbretin-filozof” të Platonit. Duhet pasur parasysh edhe një gjë: megjithëse kryevepra firdeusiane mban titullin “Shahname”, që do të thotë: “Poema mbi mbretërit” (pra, përkthimi “Libri i mbretërve”, që është bërë zakon të përdoret gjithandej s’është i saktë); roli i mbretërve në Shahname është shumë i kufizuar. Ata futen në poemë më tepër si hallka lidhëse të tregimit, si elementë arkitektonikë të poemës. Rolin më të madh e kanë heronjtë, kreshnikët (bahadirët) të afërt me bogatirët e legjendave ruse. (Edhe fjala ruse bogatir duhet të jetë një shtrajtim i fjalës persiane bahadir). Idenë qendrore të poemës e përbën lufta e njerëzve kundër pushtuesve dhe për drejtësi. Kjo luftë trajtohet në Shahname si luftë midis forcave të këqija, që përfaqësohen nga Ahrimani (perëndia e errësirës dhe e së ligës) dhe forcave pozitive, që përfaqësohen nga Ormuzdi (perëndia e dritës dhe e së mirës). Më në fund është drita ajo që fiton mbi errësirën. Këtu qëndron edhe përmbajtja optimiste e morale e Shahnamesë. Pra, Shahnameja është ndërtuar mbi dualizmin antagonist: e mirë- e keqe, dritë-errësirë, drejtësi-dhunë, liri-robëri.


Ku mbështet Firedusiu për këtë poemë?


Në hartimin e Shahnamesë, Firdeusiu u mbështet edhe në traditën letrare të shkruar (kronikat mbi mbretërit, gjithsej nja katër kësosh), edhe në folklor. Vetëm se mbajti qëndrim kritik ndaj materialit burimor dhe i bëri atij një përpunim rrënjësor artistik në përputhje me planin e krijimtarisë së vet dhe me synimet e tija ideore.


Në ç’lloj vargu është shkruar Shahnameja dhe ç’forcë vargu ka?


Shahnameja (që ngërthen rreth 120 mijë vargje) është e shkruar e gjitha në distikë. Çdo distik formon një njësi kuptimore të veçantë. Si varg është përdorur dymbëdhjetërrokëshi me theksa tonikë që bien në rrokjen e dytë, të pestë, të tetë dhe të njëmbëdhjetë. Ja, psh: një distik nga një monolog i Rustemit, i cili në një rast ankohet kundër fatit për mjerimet që po i sjell vijimisht kryekreshnikut: Sot ndeshem me t’ujit demonë-skëterrë

Dhe nesër për vdekje me t’egrën panterë.


Ja edhe një distik tjetër: Rustemi ka arritur tanimë në moshë që të bëhet kreshnik. Atij i duhet një kalë, që do të jetë i vetmi kalë i denjë për kryekreshnikun. Prandaj Rustemi, gjer atëhere i panjohur, del në kërkim të tij. Një ditë në një fushë të madhe sheh disa qindra kuajsh të racës, të cilët kullosin nën mbikëqyrjen e një bariu plak. Të gjithë kuajt kanë në kofshë nga një damkë që tregon prejardhjen e tyre të vjetër. Vetëm një mëz është pa damkë: një mëz sa i bukur, aq i egër dhe i panënshtrueshëm. Rustemi i vë synë këtij mëzi dhe provon t’i hedhë lakun që ta kapë, por mëzi harbohet. Bariu i thërret nga larg, po Rustemi vazhdon të hedhë lakun e gjatë ( lëvaren ). Afrohet bariu, i cili domosdo nuk e njeh Rustemin, por ia ka dëgjuar emrin. Kur mëson qëllimin e kreshnikut, e këshillon këtë që që zgjedhë e të blejë një kalë tjetër, se “nuk ka ç’i duhet përbindëshi”. Bariu vazhdon: ne këtij mëzi i thërrasim “Rrakshi i Rustemit” (Vetëtima zharritëse e Rustemit), por, kush është Rustemi, asnjëri nuk e di. Ndërkaq Rustemi e ka kapur “Rrakshin”, i cili në fillim bën kijametin, turfullon e shkumbëzon, por dalëngadalë, nga takti që përdori Rustemi, fillon të zbutet e të nënshtrohet. Kur kreshniku u bind se Rrakshi ishte “miqësuar” me kreshnikun, i kërceu menjëherë sipër dhe që nga maja e kalit, i cili tanimë ishte nënshtruar plotësisht, e pyet bariun se sa duhej të paguante për kalin që po blinte. Dëgjoni si përgjigjet bariu: Kur qenke Rustemi, nuk dua asgjë, Mjafton që Iranin të mbrosh ti mbi të.


Unë mendoj se vetëm një poet i madh mund të japë me dy vargje njëherësh edhe zgjuarsinë (e kuptoi që ishte Rustemi), edhe patriotizmin , ( mjafton të mbrojë Iranin), e një njeriu të thjeshtë, siç ishte ruajtësi plak i kuajve në rastin e dhënë.


Ç’përmban Elegjia e Saadiut për Bagdadin dhe pse nuk e keni përfshirë te botimi i “Gjylistani dhe Bostani-t” në shqip?


Elegjia e Saadiut për Bagdadin e rrënuar gjer në themel nga mongolët e Hulag-khanit (poeti ishte gjallë atëherë) dhe poezia vajtuese e poetit Hakani (shek. i 12-të ), që poeti shkroi kur pa gërmadhat e Ktesifanit dikur të madh e të lulëzuar, janë më të mirat e llojit të tyre në të gjithë poezinë orientale. Saadiu, i cili nuk mungon të japë edhe me këtë rast mendimin e tij mbi jetën, e mbyll elegjinë me dy vargje në të cilët qielli sipër dhe toka poshtë krahasohen me dy mokrrat e mullirit, kurse njerëzit me kokrrat e misrit që shtypen e bluhen nga mokrrat.


Mjerisht elegjia na ra në dorë vonë dhe nuk pati mundësi të përkthehej dhe të hynte në atë përmbledhje të vogël shqip të veprave të Saadiut, që u botua më 1960. Them “përmbledhje e vogël” sepse, sipas kërkesave dhe planit të botimeve të Ndërmarrjes, u zgjodhën vetëm disa pjesë nga “Gjylistani” e “Bostani”, që janë të dyja të vëllimshme dhe disa nga gazelet e shumta të poetit.


Ç’trajtohet në lirikat e Hafiz Shiraziut?


Në lirikat e Hafizit (Hafiz Shiraziut), tek i cili gazelet (oda lirike) arrin kulmin e përsosmërisë, si formë e si përmbajtje, i këndohet dashurisë, verës (si nxitës moral), gëzimit të jetës tokësore, personalitetit të lirë të njeriut. Demaskohet hipokrizia dhe paradizohen morali fetar, ngushtësia dogmatike dhe asketizmi. Me të drejtë kritikët dhe orientalistët kanë mundur të vënë re me mprehtësi se nëpërmjet tronditjes së brendshme të lirikut të madh iranian, jepen tronditjet e epokës në të cilën ai jetoi dhe krijoi. Të njëjtën gjë vë re kritiku letrar dhe shkencëtari iranian Bahar edhe në gazelet e Saadiut. Sipas këtij, te Saadiu dhe te Shiraziu motivet erotike-bakike-epikuriane të gazeleve mbulojnë dhe fshehin përmajtjen politike të tyren. Këtë e pranon edhe orientalisti i shquar çek Jan Ripka, i cili ka shkruar një histori të letërsisë persiane, që për vlerën e saj të madhe shkencore, është përkthyer edhe në rusisht.


Shtator 1975


Biografi e shkurtër


Kush është Vexhi Buharaja?


Vexhi Buharaj i lindur në 12 maj të vitit 1920 në qytetin e Beratit, ka qenë një ndër figurat e njohura në historiografinë e kulturës kombëtare si poet, orientalist e përkthyes, ka merita të shquara për veprat që ka lënë në fushën letrare dhe shkencore historike, veçanërisht në fushën e krijimeve poetike origjinale të tij, të studimeve dhe përkthimeve nga osmanishtja. Ai shquhet si njohës i dhjetë gjuhëve të huaja nëpërmjet të cilëve zgjeroi horizontin e dijes së tij si personalitet i nivelit të lartë në dobi të kombit. Si njohës i botës orientale dhe i kulturës së këtyre popujve, i çmuar edhe nga orientalistët të huaj, ai dha një kontribut të veçantë në përkthimin e transkriptimin e shumë dokumenteve turko-arabe me vlera të mëdha studimi për ndriçimin e ngjarjeve të periudhës mesjetare në vendin tonë. Si shqipërues i veprave poetike madhore, kontributi i tij i veçantë ka qenë në fushën e shqipërimeve nga letërsia orientuese persiane, arabe dhe ajo turke, ku ndër të tjera mund të përmenden shqipërimi i veprës poetike të Saadiut “Gjylistani e Bostani” botuar më 1960 dhe ribotuar në 1988, shqipërimi i kryeveprës së letërsisë persiane “Shahnameja”, shqipërimi i përmbledhjes poetike “Tahayyulat” (Ëndërrimet) si dhe “Katër Stinët” të poetit Naim Frashëri, drama “Besa” e Sami Frashërit etj.


Studiuesit
Dy fjalë për veprën e Vehxhi Buaharasë


Dr. Shaban Sinani në parathënien e botimit të një nga perlat e letërsisë persiane “Shah-Name-ja”, të poetit të madh iranian Firdusiu që u përkthye nga orientalisti Vehxhi Buharaja, thotë se ky i fundit i solli lexuesit shqiptar perlën e vërtet persiane. Në këtë parathënie dr. Sinani pohon se “kam pasur fatin që nëpërmjet mikut tim beratas Avdyl Pilafi të më bjerë në dorë një kopje në makinë shkrimi të tekstit të shqipëruar të “Shah-Name-së” së Firdeusiut, një prej përmendoreve të kulturës botërore që bashkërenditet për nga fuqia shprehëse me eposin homerik helenik “Iliada”, dhe “Odiseja”, me “Vedat” sanskrite, me “Ramajana-n” dhe “Mahaba-harata-n” hindue, me “Gilgameshin” e shumesrve dhe “Qedash-in” e egjiptianëve të vjetër, me “Torah-n armaike dhe “Eneida-n romake, përkthimi i orientalistit të njohur Vehxhi Buharaja, mu duk diçka gati e pabesueshme”. Ndaj sapo u njoha me ekzistencën e përkthimit shqip “Shah-Name-së” prej orientalistit të famshëm beratas, Buharas dhe me lejen prej të birit Ibrahim Buharaja. Fillova të shfletoja për të bërë përzgjedhjen që në fakt ishte një “machine-scriptum”. Për më tepër shtypshkrimi i cili ishte bërë në letër të zezë që qarkullonte në vitet 80-të në Shqipëri dhe në makinë shkrimi. Teksti që mundet të shërbente si dorëshkrim për botuesin është ndarë nga vetë përkthyesi në dy pjesë në pjesën e parë shqipëruesi ka shënuar në krye “pjesë të zgjedhura”, që janë 164 faqe dhe që përkthyesi ua ka gjetur vetë vendin njëra pas tjetrës. Duke pasur parasysh se “Shah-Nahme-ja” ka në origjinal rreth 30 mijë distihë, përkthyesi ka zgjedhur 4.5 mijë dhe ka pajisur pjesën më të madh të tekstit me shënimet shqipëruese, ka përfunduar Dr Sinani Shabani.

 

http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=54386 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme