Për nënshtrim ndaj armikut nuk na mëson as tradita kombëtare e as ajo fetare

 

Nexhat Ibrahimi, u lind në fshatin Zgatar të Opojës. Shkollën fillore e kreu në Opojë e Prizren, dhe medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës. Studimet i vazhdoi në Fakultetin Teologjik të Sarajevës, ku u diplomua më 1984.  Që nga viti 1987 u punësua në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit në detyrën e sekretarit, ku krahas detyrave të tjera u angazhua edhe në fushën e fjalës së shkruar islame. Ka qenë delegat i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, pastaj anëtar i Rijasetit të BI të ish-RSFJ-së dhe kryetar i Shoqatës së Ulemave të Kosovës. Në këto funksione arrestohet më 1992 dhe dënohet me 8 vjet burg. Në fund të vitit të kaluar pasi kishte vuajtur dënimin e shqiptuar nga gjykata serbe e Prizrenit, u lirua. Kjo është intervista e tij e parë që e jep z. Nexhat Ibrahimi për mjetet e informimit.  Në intervistën ekskluzive dhënë “Diturisë Islame”, ai, pos të tjerash, flet edhe për të ashtuquajturën “aferë të armëve të hoxhallarëve”, për shkaqet dhe arsyet që e shtynë të vepronte për vetëmbrojtje, për arrestimin e tij, maltretimet gjatë hetuesisë, peripecitë nëpër burgjet serbe, për të burgosurit shqiptarë, daljen në skenë të UاK-së, për fillimin e bombardimeve të NATO-s, për aktivitetin e tij shkencor në lëmin e fjalës së shkruar, për Prof. Ukshin Hotin dhe për shumë gjëra të tjera...

 

 

 

Dituria Islame: Z. Ibrahimi, në vitin 1992 u arrestuat dhe për shkak të së ashtuquajturës “afera e armëve e hoxhallarëve” nga gjykata serbe u dënuat me 8 vjet burg. A mund të na thoni se si rrodhi kjo?

 

Nexhat Ibrahimi: Ngjarjet në fillim të viteve ‘90 që kishin përfshirë Jugosllavinë Avnojiste, e cila shkonte drejt shpartallimit të saj definitiv, dhe shfaqja në skenë e nacionalizmit të tërbuar primitiv serb, me elemente mesjetare, pati si rrjedhojë fillimin e luftës në Slloveni, pastaj në Kroaci e sidomos gjenocidi serbosllav mbi popullatën e pambrojtur boshnjake, më shtynë që të paktën si individ të mendoj për një përgatitje për t’u mbrojtur nga i njëjti armik. Të gjitha proceset e atëhershme çonin në  përfundimin se një tragjedi e tillë si ajo e popullit boshnjak, deshëm s’deshëm, do të ndodhë edhe në Kosovë, në mos me pasoja edhe më të mëdha. Kur shihja tragjedinë e Srebrenicës, Foçës, Bijelinës, rrethimin e hekurt të Sarajevës etj., si qytetar i thjeshtë, nuk mund të qëndroja indiferent. Vazdimisht pyesja veten: PSE po ndodh kjo? Këtë e kam thënë edhe gjatë hetuesisë.

 

Dituria Islame:  Z. Ibrahimi, jeni burgosur edhe në vitin 1981, por në mungesë të provave, pas 60 e ca ditësh jenë liruar. Për çfarë akuzoheshit atëbotë?

 

Nexhat Ibrahimi: Jam akuzuar për 5 vepra: përkrahja e Demonstratave të studentëve të Prishtinës më 1981; organizimi i protestave me të njëjtën moto në Sarajevë, heqja e fotografisë së Titos; për parullën “Trepça radi-Beograd se gradi” (Trepça punon - Beogradi ndërtohet), dhe për irredentizëm shqiptaromadh, kleronacionalizëm, agjitacion për separatizëm, për mbjellje të urrejtjes nacionale e fetare e akuza të tjera, por në mungesë të provave pas 53 ditësh ky proces u mbyll. Mirëpo, me një vendim tjetër kinse për prishje të rendit publik, gjykata më dënoi me 60 ditë burg. Gjithashtu jam arrestuar edhe në vitin 1983 me akuzën se kam përkrahur e ndihmuar grupin e Alija Izetbegoviçit dhe Omer Behmenit me shokë, dhe jam liruar pas 9 ditëve. Në biseda informative kam qenë me dhjetëra herë dhe me orë të tëra jam shtruar një presioni psikik. Shërbimit sekret të UDB-së më së shumti i interesonte për rrjedhat   dhe veprimtarinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, aktivitetin e studentëve tanë që st-udionin në Botën Islame, aktivitetin e nxënësve të medresesë etj. Por, për mungesë të provave të drejtpërdrejta, nuk arritën të më dënonin. Ishte ky një presion i sinkronizuar i UDB-së jugosllave ndaj organeve dhe punëtorëve të Bashkësisë Islame.

 

 

 

 

 

 

 

Islami është fe aktive dhe e do aktivitetin

 

Dituria Islame: Pse ky presion ishte i drejtuar  pikërisht nga ju?

 

Nexhat Ibrahimi: Nën presionin e UDB-së jugosllave, siç dihet, ishin të gjithë intelektualët shqiptarë që nuk i shkonin për shtati sistemit komunist, hiç më mirë nuk kaloi as Bashkësia Islame e Kosovës, por fakti që si thoni ju, pikërisht unë isha në shënjestër të tyre, mendoj se ka të bëjë me studimet e mia në Sarajevë dhe me raportet e lidhjet e mira me Alija Izetbegoviçin , Omer Behmenin etj., të cilët si ish - të burgosur politikë ishin halë në sy të UDB-së jugosllave. Pastaj funksionet e mia në strukturat udhëheqëse të Bashkësisë Islame në ish-Jugosllavinë, dhe publikimet e mia në shtypin shqiptar e boshnjak që nga koha kur isha student në FTI të Sarajevës.

 

Dituria Islame:: Mjetet serbe të informimit grupin tuaj e cilësuan si fundamentalist, terrorist, etj., ndërkaq ato në gjuhën shqipe thuajse e anashkaluan në heshtje, ndërsa kishte prej atyre që veprimin tuaj e quanin të ngutshëm, sepse mbretëronte bindja se në Kosovë nuk do të ketë luftë, pra nuk duheshin as armët, po koha e dëshmoi të kundërtën?

 

Nexhat Ibrahimi: Fundi i pyetjes suaj tregon se kemi pasur të drejtë, sepse çdo gjë shkonte në drejtim të luftës, vinte era luftë. Rezistencën paqësore të shqiptarëve ndaj Serbisë fillimisht e kishim përkrahur, por vazhdimin e saj me atë që quhej “gandizëm”, nuk e kam parë të arsyeshëm dhe efikas, ashtu siç nuk e kam parë të arsyeshëm që të rrija duarkryq, aq më tepër kur për nënshtrim ndaj armikut nuk na mëson as tradita kombëtare e as ajo fetare. Islami është fe aktive dhe e do aktivitetin. Në Kur’an shumë ajete flasin për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, nderit, identitetit, fesë etj. Lëvizjet pacifiste mbase kanë të drejtë që dëshirojnë t’i shmangen luftës, sepse as ne nuk jemi për luftë, por përgatitja për luftë kundër pushtuesit sllav ka qenë domosdoshmëri  dhe veprim kombëtar e fetar, prandaj veprimi ynë nuk ka qenë i ngutshëm e as naiv, aq më parë kur kishim të bënim me një popull që e udhëheq edhe sot e kësaj dite kryekrimineli Milosheviç. Ne e kemi ditur shumë mirë se kush janë Shesheli, Arkani, Karaxhiçi, Mladiçi, kapetan Dragani dhe soji i tyre, të cilët njohin dhe i binden vetëm  gjuhës së  forcës, gjë që  u dëshmua në Bosnjë dhe në Kosovë. E çmoj mendimin e shumicës, por nuk e pranoj heqjen e së drejtës për vetëmbrojtje dhe përgatitjen për luftë. Faktori politik dhe jopolitik kosovar është dashur të bënte më tepër rreth përgatitjes për luftë, e jo këtë ta linte në duar të individëve.  Pasiviteti i partive politike dhe i subjekteve të tjera ka qenë i papranueshëm.

 

Dituria Islame: Z. Ibrahimi, a kanë qenë të informuar për aktivitetin e grupit tuaj faktori i atëhershëm politik dhe jopolitik i Kosovës?

 

Nexhat Ibrahimi: Po, për aktivitetin tonë kishim informuar disa individë që në atë kohë mbanin poste të larta në hierarkinë e LDK-së.

 

Dituria Islame:  اfarë ishte qëndrimi i këtyre subjekteve?

 

Nexhat Ibrahimi: Ishin të rezervuar dhe skeptikë, ngase kishin krijuar iluzione se  problemi i Kosovës do të zgjidhej në mënyrë paqësore

 

Dituria Islame: Me rastin e arrestimit të grupit tuaj, propaganda serbe, luftës së popullit të Kosovës për pavarësi, karshi opinionit botëror, deshi t’i jepte karakter fetar të ndikuar nga i a.q. fundamentalizëm islamik?

 

Nexhat Ibrahimi: Është e vërtetë se propaganda serbe këtë rast u mundua ta shfrytëzonte për qëllime të saj duke spekuluar faktin se në krye të këtij grupi ishte një teolog islam. Këtë ma ka thënë në hetuesi edhe inspektori nga Beogradi i dërguar enkas për këtë proces nga ish-ministri i punëve të brendshme Zoran Sokoloviçi, Dragan Zariçi, i cili thoshte se edhe po të mos ndodhte ky rast, Shërbimi sekret serb do ta inskenonte. Ata insistonin me çdo kusht, madje duke përdorur edhe dhunën, që grupit tonë t’i jepej karakter fetar dhe të pranonin se pas kësaj qëndrojnë Bashkësia Islame, Irani, Arabia Saudite etj. Mirëpo, ne me ndihmën e disa gardianëve shqiptarë, kemi arritur t’i unifikonim mendimet tona dhe para hetuesisë të deklaronim në mënyrë unike se kishim të bënim vetëm me stërshitje të armëve dhe asgjë tjetër, në mënyrë që ta zbusnim sado pak vrazhdësinë e akuzave.

 

Na thoshin: ja ku po qajnë fëmijët tuaj

 

Dituria Islame: A mund të na thoni në pika të shkurtra momentin e arrestimit tuaj?

 

Nexhat Ibrahimi: N.I.: Arrestimin tim e kam pritur, ngase me vetëdije të plotë jam angazhuar në përgatitjen për mbrojtje nga pushteti serb, veçse nuk e kam ditur se kur. Sa i përket arrestimit, nuk mendoj se them diçka të re, ngase dihen metodat dhe sjelljet shtazarake të pushtetit serb ndaj shqiptarëve. Ishte një intervenim mafioz. Policia serbe, e armatosur deri në dhëmbë, gjatë arrestimit nuk kurseu nga maltretimet as gratë e fëmijët, demoloi çdo gjë. Ndërsa ndaj meje që nga kontakti i parë me ta, filluan të ushtronin dhunën që vetëm ata dinë ta bëjnë.

 

Dituria Islame: Po gjatë hetuesisë?

 

Nexhat Ibrahimi: Në hetuesi inspektorët serb së bashku me disa shqipfolës nuk zgjidhnin mjete e metoda për të arritur atë që dëshironin. Përveç dhunës brutale fizike, ata përdorën edhe format më perfide të shantazhit, duke na thënë se na kishin burgosur tërë familjen, bile edhe gratë e fëmijët, vllezërit, shokët, madje kishin sjellë në burg fëmijë, të ku ta di se kujt, të cilët qanin, derisa ne ishim në “tretman” nga inspektorët e Sigurimit serb. Ata vazhdimisht na thoshin se po na qanin fëmijët dhe familjet tona. Por, megjithatë, ne u përmbajtëm dhe qëndruam stoikë, duke mos rënë në grackat e tyre. Për shkak të dhunës së përdorur me lloj-lloj mjetesh, si: shkopinj të bejzbollit, shufra të hekurit, shkopinj elektrikë, goditje me karrige të metaltë etj. ndaj meje, kam përjetuar sulm në zemër. Vetëm falë Allahut xh.sh. kam shpëtuar.

 

Dituria Islame: Megjithatë, ju u dënuat ndonëse procesi gjyqësor më tepër pati karakter politik dhe propagandistik?

 

Nexhat Ibrahimi: Po, madje me dënimin maksimal, sepse gjatë hetuesisë  me tytën e revoles të futur në gojë dhe me “rambothikën” nën qafë kemi nënshkruar aktakuzat që i kishin përpiluar vetë ata, madje duke na marrë dorën me dhunë na kanë detyruar t’i nënshkruanim ato. Të gjitha këto i thamë para gjyqit, por procesi ynë kishte karakter politik.

 

Një ditë në burg është sa një shekull

 

Dituria Islame: Në cilat burgje e keni vuajtur dënimin?

 

Nexhat Ibrahimi: N.I.: Në Prizren kam qëndruar 16 muaj, pastaj mbi 4 vjet në burgun e Dubravës së Istogut dhe 18 muajt e fundit në Zajeçar.

 

Dituria Islame: Si dukej një ditë burgu në burgjet e Serbisë dhe si dukeshin 7 vjet në to?

 

Nexhat Ibrahimi: Një ditë në burg është sa një shekull. ثshtë monotone, e zymtë, shumë e rëndë, sepse ke të bësh me të gjitha kategoritë e njerëzve, prej kriminelëve ordinerë deri tek njerëzit më të ndershëm. Brenda grilave dhe respektimit strikt të rendit shtëpiak duhet krijuar atmosferë për biseda me të burgosurit, që t’u ndihmohet atyre, që sado pak t’u lehtësohen vuajtjet, t’u flitet për Islamin etj., e kjo është shumë e vështirë dhe tëpër e mundishme. Unë, personalisht, kohën më të madhe, afro katër vjet (jo në kontinuitet), e kam kaluar në izolim total në karantinë, ku mundësitë për lexim dhe aktivitete të tjera janë plotësisht të pamundshme.

 

Dituria Islame: S’ka dyshim se ju keni pasur një armë shumë të fortë-durimin, sa keni arritur që me këtë t’i pajisnit edhe shokët tuaj?

 

Nexhat Ibrahimi: Besimi në Allahun xh.sh. vërtet më ka ndihmuar  shumë gjatë vuajtjes së dënimit. Atë që dikur e kam predikuar nëpër xhami dhe vende të tjera rreth sabrit etj., erdhi koha ta praktikoja edhe vetë dhe t’ua ofroja edhe të tjerëve. Mjaft të burgosur të tjerë pranonin me dëshirë këshillat dhe mësimet islame.

 

Dituria Islame: Cili ajet kuranor dhe cila sure e Kur’anit u binte më së shumti ndërmend?

 

Nexhat Ibrahimi: Prej ajeteve më së shumti më kujtohej “Ajeti Kursija”, pastaj ata që flasin rreth njëshmërisë së Allahut xh.sh., ajeti që thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ai nuk e ndryshon gjendjen e tij” (Err-Rra’d,11), dhe ajete të tjera, ndërsa prej sureve, “El-Asër”, “El-Ihlas”.

 

Dituria Islame: Po cili personalitet nga historia islame më së shumti ju bënte “shoqëri”?

Nexhat Ibrahimi: Më së shumti më kujtohej Jusufi a.s. dhe “medreseja jusufiste”,  bojkoti që idhujtarët mekas ia kishin bërë Muhammedit a.s., pastaj Ebu Hanifja, Ibn Tejmie, Afganiu, Abduhuja, Husejn Xhozo dhe shumë hoxhallarë nga radhët e popullit tonë.

 

Dituria Islame: Meqë e përmendët Jusufin a.s., sa keni arritur dhe sa jeni munduar ta kryenit misionin e tij?

 

Nexhat Ibrahimi: Përpjekje kam bërë, madje maksimalisht, qoftë gojarisht, qoftë duke u huazuar literaturë islame, dhe, ç’është e drejta, edhe rezultatet nuk kanë munguar. Gjatë kohës sa isha në burgun e Dubravës, nëpër dhomat e të burgosurve shqiptarë kanë defiluar mbi 400 libra shqip dhe boshnjakisht. Shumë të burgosur kanë filluar të falnin pesë kohët e namazit, të agjëronin etj.

 

Unë i jam lutur vetëm Allahut xh.sh. dhe askujt tjetër

 

Dituria Islame: Jusufi a.s., sipas Kur’anit, i lutet një të burgosuri që, kur të lirohej t’ia kujtonte mbretit se në burg gjendej një i pafajshëm? A keni bërë një gjë të tillë edhe ju? A e keni lutur pushtetin serb apo vetëm Allahun xh.sh.?

 

Nexhat Ibrahimi: Jo, kurrë nuk i jam lutur pushtetit serb për falje, sepse nuk e kam ndier veten fajtor që t’i lutesha atij, edhe pse më është sugjeruar nga shokët. Ai më ka burgosur mua pa kurrfarë faji. Unë i jam lutur vetëm Allahut xh.sh., vetëm Atij dhe askujt tjetër.

 

Dituria Islame: Jeni aktiv edhe në shkrime, keni botuar 6 vepra autoriale, 32 vepra të përkthyera dhe mbi 21 të tjera i keni dorëshkrim, pa i llogaritur këtu edhe një numër të madh të punimeve brenda dhe jashtë vendit. Ju keni shkruar edhe gjatë qëndrimit tuaj në burg. Si keni arritur të shkruanit në burg dhe si keni arritur t’i nxirrnit dorëshkrimet?

 

Nexhat Ibrahimi: Edhe para burgut kam pasur si  parim që pakënaqësitë që i kam vërejtur gjatë punës në mënyrë direkte ose indirekte, t’i manifestoja me punë e jo me vajtim. Edhe gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Dubravës, ku kushtet për punë në këtë drejtim ishin më të mira se në burgjet e tjera, kërkesa kryesore imja ishte ajo drejtuar familjes që të më dërgonin libra për lexim. Natyrisht, libra që mund të merrnin vizën nga drejtoria e burgut. Autoritetet e burgut në fillim e pritën me befasi interesimin tim për libra, ngase ata ishin mësuar që të burgosurve t’u vinin vetëm letra, dhe, kohë pas kohe, edhe ndonjë libër e jo një numër kaq i madh i librave, kështu që pata hasur në probleme në fillim me autoritetet e burgut, me edukatorët dhe personelin e uniformuar të burgut. Më vonë edhe ata u pajtuan me faktin, sepse librat grumbulloheshin mbi tavolinat e tyre dhe meqë nuk ishin libra politikë disa prej tyre m’i lejonin. Sepse kishim mjaft kohë të lirë, jam munduar ta shfrytëzoja maksimalisht për thellimin e njohurive të mia, të shkruaja dhe të përktheja. Kjo është edhe urdhër kuranor.

 

Më janë konfiskuar edhe dorëshkrimet

 

Dituria Islame: Kush ju ka ndihmuar që librat të binin në duart tuaja?

 

Nexhat Ibrahimi: Pos familjes që ka qenë më e ngarkuara për furnizimin tim me literaturë nga biblioteka ime personale e gjetkë, ndihmë kam gjetur edhe prej disa edukatorëve të burgut, si Halil Blakaj nga Vrella,  Bedri Kukleci etj., shfrytëzoj nga rasti t’i falënderoj botërisht, me ndihmën e të cilëve shumë shkrime i kam nxjerrë jashtë burgut, pasi dorëshkrimet kanë qenë të ndaluara. Para autoriteteve të burgut gjithherë arsyetohesha se po shkruaja letër për familjen, po plotësoja fjalëkryqin apo po mësoja anglisht. Ka ndodhur që të më konfiskohen edhe dorëshkrime të tëra.

 

Dituria Islame: Në burg keni takuar edhe shumë intelektualë shqiptarë me ideologji të ndryshme. Si është pritur një hoxhë intelektual në një mes të tillë?

 

Nexhat Ibrahimi: Në fillim shumica e tyre kanë mbajtur një qëndrim indiferent e të rezervuar duke më llogaritur si një hoxhë primitiv dhe më shikonin me një aversion që ishte si rrjedhojë e ish-sistemit. Por me kalimin e kohës çdo gjë është kuptuar drejt, sepse ishim të burgosur për të njëjtat ideale, kështu që kemi pasur mirëkuptim, kemi shkëmbyer mendime, literaturë dhe kemi komentuar momentet nëpër të cilat po kalonte populli ynë. Por, dorën në zemër, për sa i përket Islamit, 85% e tyre në fillim kanë pasur bindje jo të mira, e pra edhe ndaj hoxhallarëve.

 

Paraqitja e UÇK-së - grusht i rëndë për serbët

 

Dituria Islame: Sa keni qenë në burgun e Dubravës, aty është sjellë edhe Ukshin Hoti. Ai në letrat e tij të botuara ne “Gazetën Shqiptare”, pa jua përmendur emrin, thotë se ka huazuar në mënyrë jo të drejpërdrejtë literaturë islame nga një teolog, në veçanti nga filozofia islame. Pastaj, po aty shkruan se mezi kishte pritur të takohej me ju për t’i thelluar njohuritë e tij rreth Islamit. Një gjë e tillë, shkruan ai, nuk ndodhi, sepse është transferuar në burgun e Nishit. A keni qenë në dijeni se kush jua kërkonte librat dhe a jeni takuar me të?

 

Nexhat Ibrahimi: Kemi pasur takime për disa minuta gjatë vizitave, kemi pasur tri korrespondenca ilegale nëpërmjet të burgosurve të tjerë, të cilat, fatkeqësisht, më kanë mbetur në burgun e Dubravës. Më ka kërkuar literaturë, në veçanti nga filozofia islame, sidomos ka qenë i interesuar për aspektin politik të Islamit. Ia kam dërguar disa vepra që i kam pasur, dhe edhe ai m’i ka dërguar dy vepra që kishte. Kontakte të tjera më të afërta dhe debate nuk kemi pasur për shkak të trajtimit që kishim. Ai ka qenë në  izolim, sepse ishte i burgosur më i ri se unë, ndërsa unë tashmë gjendesha në tipin e mbyllur. Më vonë ai është transferuar në burgun e Nishit, e unë mbeta në Dubravë.

 

Dituria Islame: Me paraqitjen në skenë të UاK-së mori fund politika pasive e rezistencës shqiptare dhe filloi një etapë e re - filloi lufta. اfarë ishte qëndrimi dhe sjelljet e gardianëve e të udhëheqjes së burgut ndaj të burgosurve?

 

Nexhat Ibrahimi: Me paraqitjen e UاK-së dhe me fillimin e luftës pozita e të burgosurve shqiptarë, edhe ashtu e rëndë, u vështirësua edhe më shumë. Presioni ndaj nesh ishte shumë më i madh . Autoritetet serbe paraqitjen e UاK-së e përjetuan si një grusht të rëndë. Në fillim, ç’është e drejta, edhe në radhët tona kishte divergjenca rreth UاK-së dhe politikës së saj aktive, por me kohë çdo gjë u qartësua, sidomos pas daljes publike të saj.

 

Dituria Islame: Z. Ibrahimi, deshi Allahu xh.sh. dhe ju u liruat, cilat janë planet tuaja në Kosovën e lirë?

 

Nexhat Ibrahimi: Këto ditë jam kthyer në vendin tim të punës në detyrën që kam ushtruar edhe para burgosjes sime. Plane kam, sidomos për shkrime, do të merrem me plotësime të disa veprave të mia të botuara më parë, pastaj do të rishikoj disa përkthime që kam bërë gjatë qëndrimit tim në burg, dhe do të bashkëpunoj me shtypin islam në trojet shqiptare dhe në Bosnjë prej nga kemi oferta të vazhdueshme, etj.

 

Dituria Islame: Ju falemnderit për bisedën!

 

Nexhat Ibrahimi: Me nder qofshi!

 

 

Intervistuan:

Sadik MEHMETI

Ramadan SHKODRA

Prishtinë, mars 2000

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme