Kur u paraqit nevoja për ta ndihmuar Greqinë shumë shtete ishin skeptike, madje edhe e kundërshtuan një gjë të tillë. Disa të tjerë edhe pse në dyshime të mëdha thonin se ndihma është e pa shmangur sepse të gjithë jemi në të njëjtën varkë dhe po i ndodhi gjë Greqisë fundosemi të gjithë. Kuptohet me pasoja katastrofale.
Në fakt nuk duhet harruar se kur u pranua Greqia në Bashkimin Evropian nuk i kishte të plotësuara të gjitha kriteret. Politikanët dhe shtetet sa duket u ngutën. Ata kur ishte në pyetje Greqia shikuan vetëm me një sy. Me shpresë se me kalimin e kohës do të bëheshin përmirësime dhe përparime dhe akti i inkuadrimit të Greqisë në BE do ta justifikonte vetvehten. Ekonomistët perëndimor me skepticizëm po e kujtojnë dhe po e rikujtojnë kohën kur qeveritar ishte Kosta Simitisi dhe përpjekjet e tij të mëdha për t`i paguar borgjet. Kjo i shtyri ata që të lëshojnë pe para Greqisë. Ky është arsyetimi. Por ndodhi e kundërta. Me të tilla pretendime u lëshua pe edhe kur ishte në pyetje Italia. Prandaj, nga ky kënd mund të konkludojmë se vendimet e ngutshme politike po shkaktojnë kriza shqetësuese dhe serioze për të ardhmen.
Varka e përbashkët u mbingarkua me inkuadrimin e Qipros e cila përkundër pranimit të Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga akterët kryesorë evropian Gjermania, Franca, Anglia ... , apo më mirë të themi arkitektët e ndërtimit të BE-së, ajo edhe më tej është e prerë dhe shumë joproduktive në politikën e jashtme evropiane duke mos e pranuar Shtetin e Kosovës dhe duke u radhitur në pesëshen “joevropiane” me të kaluar hegjemoniste dhe me pasoja të papara në strategjinë e përbashkët politike në ndryshimet e mëdha botërore.
Sado e madhe të jetë Varka Evropiane ajo përfundimisht u rëndua me pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në BE. Ajo nuk mund të mbajë më. Euro është në pyetje e me këtë edhe vetë Bashkimi Evropian. Jo rastësisht unë personalisht e pata kundërshtuar inkuadrimin e këtyre dy shteteve në kuadër të shtetetve të Shengenit me rastin e referendumit popullor në Zvicër, ku këtyre dy shteteve do t`u mundësohej lëvizja e lirë në këtë shtet. Duke mos hyrë në ndjenjat nacionaliste apo edhe hakmarrëse se Rumania edhe më tej nuk e njeh shtetin e Kosovës, se Bullgaria gjatë LDB ka bërë këtë e këtë, por vetëm nga fakti se e ardhmja do të jetë shqetësuese nuk i votova. Dhe ashtu doli.
Në këtë drejtim nga vullneti i mirë për lëvizje të lirë, vitin e kaluar dhe këtë vit kemi lëvizje të qëndrimeve të shteteve evropiane sa i përket qëndrimeve të tyre për keqpërdoruesit Rumun dhe të tjerë. Vitin e kaluar Franca nxorri nga shteti i saj disa mijëra Rumun. Ua shkatërroi kampingjet që kishin marrë formën e një qyteti indian. Aty natën festohej, këndohej, ahengjohej dhe të nesërmen përsëri me avazin e vjetër e tërë familja shpërndahej, duke u kthyer në mbrëmje t`i shpenzonin ato gjëra që i kishin siguruar gjatë ditës. Shtet është ky? Ende më kujtohen ato fotografi. Reagimi i shtetit francez u kritikua nga shumë organizata ndërkombëtare dhe nga vetë shteti Rumun. Me sa të drejtë. Pa fije turpi.
Në këtë drejtim edhe Danimarka ka filluar të bëjë kontroll në kufinjtë e saj, nga rreziku i lëvizjes së lirë. Prandaj, shtetet e falimantuara si Greqia, nëse dëshirojnë të ndihmohen, duhet që edhe në planin politik të pajtohen dhe të ndjekin një vijë evropiane me trende të reja e jo atë sllavo-ruse se ajo heret a vonë do t`ju hakmerret.
Mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete mbrenda BE-së vetvetiu është një krizë e mbrendshme politike e inkorporuar me interesa tjera jashtë Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim dhënia Serbisë të drejtën si shtet kandidat për në BE që pritet të ndodhë do të ishte gabimi i radhës.
Për sa kohë që kriza politike vazhdon, kriza e saj financiare do të vazhdojë të mbjellë destabilizim ku si synim është siguria e Euros dhe me të edhe BE-ja. Për këtë kërkohet një unifikim i plotë politik. Standarde të njëjta evropiane për të gjitha shtetet gjatë integrimeve, liberalizimi i vizave – lëvizja e lirë me të njëjtat kritere, duke mos e përjashtuar Kosovën nga rrjedhat e ndryshimeve dhe perspektivat e rendit të ri botëror që po shfaqen.
Dhe në fund, po i përmendim fjalët e një ekonomisti dhe politikani gjerman në pyetjen: A mund të shpëtohet Evropa? Ai thotë: Evropa mund të shpëtohet - nëse Evropa mbetet Evropë. Që d.t.th., me treg, ekonomi dhe politikë të përbashkët ashtu siç e patën paraparë themeluesit e saj. Unioni Evropian është fuqia më e madhe ekonomike në botë. Së bashku do të ishim shumë të fortë për të mirën tonë dhe të rendit botëror. Të shkapërderdhur do të bëhemi një top futbolli për fuqitë e mëdha të shekullit 21.