Medhhebet në Islam novatori apo domosdoshmëri -3

H Y R J E 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Salavati dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhammedin a.s., mbi as’habët e ndershëm dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin udhëzimin e tij deri në Ditën e gjykimit.

Shkas i drejtpërdrejtë për shkrimin tim të kësaj broshure NAMAZI I PEJGAMBERIT A.S NË DRITËN E IXHTIHADIT TË MEDHHEBIT HANEFIJ, është dukuria që disa njerëz të cilët hiqen se janë mirë të udhëzuar në shkencën e “Hadithit” thonë: “Medhhebi hanefij në një numër të madh të mes’eleve të tij vjen në kundërshtim me hadithet e Pejgamberit a.s. dhe në të i jepet përparësi kijasit (analogjisë) ndaj hadithit”.

Sidomos kanë drejtuar gjithfarë akuzash në llogari të fikhut të imamit Ebu Hanife r.a. Nu’man ibn Thabit. Kështu kam dashur që me shkrimin e kësaj broshure, të sqaroj se ajo që kanë thënë dhe që konsiderojnë për medhhebin hanefij është e pavërtetë dhe e pa bazë. Pikërisht, është e kundërta në shumëçka nga ajo që flitet për medhhebin hanefij. Si p.sh. hanefijtë madje i japin prioritet hadithit të dobët (daif) ndaj kijasit. Edhe hanefijtë sikur edhe medhhebet tjera si bazë dhe themel për medhhebin e tyre e marrin hadithi-sherifin. Allahu xh.sh. i ka shquar me dhunti të veçantë për të zbuluar si të vihet deri te zgjidhja nga situatat gati pa rrugëdalje. Veçanërisht është interesante situata kur kemi më tepër hadithe të vërteta sa për dukje kontradiktore rreth një çështjeje, nga e cila pak kush prej dijetarëve mund të dalë me ndonjë zgjidhje të përshtatshme, Ebu Hanifja në situata të tilla, s’e kishte shoqin. Me shkathtësi e ka zbuluar të ashtuquajturën kontradiktë (tearud) iluzore. Përfaqësuesit e medhhebeve të tjera nganjëherë për shkak të situatës së tillë të paqartë i kanë hedhur poshtë hadithet, që nuk është rasti me medhhebin hanefij. Lirisht mund të thuhet për hanefijtë, se madje, më tepër nga dijetarët tjerë e kanë përdorur hadithin.

E lus Allahun xh.sh. që këtë vepër të ma bëjë të sinqertë në emër të Tij dhe t’ua ndriçojë rrugën atyre që e kanë humbur ate. Amin!

Abdul-Wehhab El-Meshhedaniî

 

 

 

 

IMAM EBU HANIFE – NU’MAN IBN THABIT ( 80 – 150 h.)

Ebu Hanifja – tabiîn:

Te shumica e muhaddithëve, tabiîj konsiderohet ai i cili e ka parë dhe është takuar së paku me një sahabij. Nuk kushtëzohet që dikush të jetë shoqëruar me të apo të ketë përcjellur ndonjë transmetim (hadith, haber etj.).

Imam Ebu Hanifja pa dyshim i takon gjeneratës së tabiînëve, kështu që mund të thuhet se edhe ndaj tij vlen mesazhi i Allahut xh.sh. në ajetin:

وَ السَّابِقُونَ اْلأَوَّلُونَ مِنَ الْمُهاَجِرِينَ وَ اْلأَنْصاَرِ وَ الَّذِينَ اتَّبَعُوهُمْ بِإِحْساَنٍ رَضِىَ اللهُ عَنْهُمْ وَ رَضُوا عَنْهُ …

Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij…”. (Et-Tevbe, 100).

Imam Ali El-Kari’ në veprën e tij “Tabekat” ka thënë: “Është vërtetuar se Ebu Hanifja i ka parë disa as’habë, ndërsa për faktin e transmetimit të tij të haditheve prej tyre është çështje për të cilën dijetarët kanë mendime të ndryshme. Dominon mendimi (raxhih) se ai prej disa as’habëve drejtpërdrejt ka dëgjuar hadithe”.

Transmeton Abdullah ibn Xhafer Err-Rrazi Ebu Ali El-Imami nga Ebu Jusufi: “E kam dëgjuar Ebu Hanifen ka thënë: “E kam kryer haxhxhin me babain tim vitin 96-të. Unë kisha atëherë 16 vjet. E kam parë një plak rreth të cilit ishin tubuar njerëzit. E pyeta babain: “Kush është ky plaku?” Babai tha: “Ai është njeriu që është shoqëruar me Pejgamberin a.s. – quhet Abdullah ibn Harith ibn Xheziî. Pyeta më tutje: “Çka ka tek ai që rreth tij janë mbledhur njerëzit?” Babai u përgjigj: “Ai di hadithe të cilat i ka dëgjuar nga Pejgamberi a.s.”. Iu luta babait të më afrojë të dëgjoj. Më afroi tek ai, kurse babai m’i largonte njerëzit ashtu që munda të shoh dhe të dëgjoj mirë. Thoshte: “I dërguari i Allahut ka thënë: “Kush në fe e mëson fikhun, Allahu xh.sh. do t’ia largojë çdo brengë dhe do ta furnizojë prej nga nuk shpreson”.

Havarizmi ka thënë: “Prej cilësive dhe virtyteve të cilat e kanë stolisur Ebu Hanifen, në të cilat asnjëri nga themeluesit e medhhebeve nuk është barazuar me të, është fakti se drejtpërdrejt ka transmetuar hadithe nga as’habët e Pejgamberit a.s. Të gjithë dijetarët në këtë aspekt pajtohen edhe pse ekzistojnë mendime të ndryshme se prej sa as’habëve ka transmetuar”.

Nëse dikush edhe pas kësaj e mohon faktin e përkatësisë së tij gjeneratës së tabiînëve, atëherë ai, ose është injorant i madh, ose kundërshtar zemrak kokëfortë.

 

EBU HANIFJA – DIJETARI MË I MADH I KOHËS SË TIJ

Mekiî ibn Ibrahimi me një rast e ka përmendur Ebu Hanifen dhe ka thënë: “ Ebu Hanifja ka qenë dijetari më i madh i kohës së tij”.

Ky Mekiî ibn Ibrahim ka qenë dijetari i njohur para të cilit ka mësuar shkencëtari më i madh i hadithit imam Buhariu r.a. Shumica e haditheve në të cilat përmenden tre ravij (transmetues) janë transmetime në të cilat përmendet emri i Mekiî ibn Ibrahimit.

Transmetohet se ibn Mubareku ka thënë: “E kam parë Hasan ibn Ammareh se si e ka kapë Ebu Hanifen për krahu dhe i ka thënë: “Pasha Allahun, nuk e kemi pritur (takuar) askë që flet në mënyrë më të përkryer mbi fikhun se sa ty, e as që jep përgjigje më precize se ti. Ti je personaliteti kulminant për të cilin kanë folur në kohën tënde e që nuk je mbrojtur. Për ty kanë mundur të flasin vetëm nga xhelozia”.

Transmeton El-Hatibi nga Muhammed ibn Seiîd el-Katibi se ka thënë: “E kam dëgjuar Abdullah ibn Davud el-Hurejbij duke thënë: “Pjesëtarët e Islamit do të duhej t’i bëjnë dua Ebu Hanifes në namazet e tyre”. Pastaj ka thënë: “E ka njohur fikhun dhe hadithin si pakkush”. Këtë e ka shënuar Sujutiu në veprën “Tebjidu Suhufijje”, fq. 17-25. U mor nga pjesa hyrëse e veprës I’lau Sunen).

 

LAVDATAT E MUHADDITHINËVE PËR EBU HANIFEN R.A.

Transmeton El-Hatibi nga Muhammed ibn Bishri, e ky te muhaddithët është i besueshëm (thika) hafidh. Nga ai ka transmetuar Ali ibn El-Medini dhe Is’hak ibn Ravejh, Ebu Davudi ka thënë: “Ebu Hanifja është më i njohuri në Kufe për nga fuqia e të mbajturit në mend”

Këtë e ka theksuar edhe Hafidhi në “Tehdhib”. Ka qenë edhe nxënës te Ebu Hanifja. Ka thënë: “Kam shkuar në ligjërata te Ebu Hanifja dhe Sufjani. Kur vinte Ebu Hanifja më pyeste: “Prej nga po vjen?” I thoja: “Prej Sufjanit”. Atëherë tha: “Ke ardhur nga njeriu, sikur të paraqiteshin Alkame dhe El-Esvedi, do të kishin nevojë për njeriun me dituri i rangut të tij. Kur shkoja te Sufjani më pyeste: “Prej nga po vjen?” I thoja: “Prej Ebu Hanifes r.a.”. Ai ma kthente: “Ke ardhur nga fakihu më i dijshëm në rruzullin tokësor”. (Tebjidus-sahife nga Sujutiu, fq. 16-17)

Muhammed ibn Muzahimi ka thënë: “E kam dëgjuar Ibn Mubarekun duke thënë: “Po të mos më ndihmonte Allahu xh.sh. me Ebu Hanifen dhe Sufjanin, do të isha si njerësit tjerë të rëndomtë”. (Ibid)

Transmeton Rebia se imam Shafiu ka thënë:“Njerëzit kanë nevojë për fikhun e Ebu Hanifes r.a.”. (Tehdhibu - tehdhib)

 

Ebu Neim ka thënë: “Ebu Hanifja është mjaftë i thellë në çështjet e fikhut”.  (Ebu Neimi ka qenë mësues i Buhariut)

Jahja ibn Muajen ka thënë: “E kam dëgjuar Jahja ibn Seid el-Kattanin duke thënë: “Betohemi në Allahun se nuk kemi dëgjuar që dikush flet më bukur dhe më drejtë se Ebu Hanifja r.a. I kemi pranuar shumicën e mendimeve të tij”. (Tehdhibu – tehdhib, 10/450)

  

NAMAZI I PEJGAMBERIT A.S. SIPAS MEDHHEBIT HANEFIJ

بسم الله الرحمن الرحيم

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

صَلُّوا كَمَا رَأَيْتُمُونِي أُصَلِّي

Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur!”

(Hadith)

I dërguari i Allahut Muhammedi a.s., kur hynte në namaz, së pari e bënte nijjet (vendoste), cilin namaz do ta falë. Pastaj së pari i ngriste duart, të kthyera me shuplaka kah kibla dhe e shqiptonte Allahu ekber. E prekte me maje të gishtrinjëve të mëdhenj, me pjesën e brendshme, pjesën e butë të veshëve. Me rastin e ngritjes së duarve, gishtat e duarve pak i hapte por jo plotësisht. As nuk i ka hapur plotësisht e as nuk i ka shtrënguar njëri për tjetrin. I ka mbajtur në gjendjen normale. Shuplakat e duarve i kthente në drejtim të kiblës.

Pastaj e lidhte dorën e tij të djathtë mbi nyjen e dorës së majtë, duke i mbështetur në pjesën e përparme të trupit, nën kërthizë. Brendinë e shuplakës së djathtë e mbështette në pjesën e jashtme të dorës së majtë, ashtu që e mbështillte nyellin e dorës së majtë me shuplakën e djathtë, duke e lidhur me gishtin e vogël dhe të madh. Pastaj lexonte: “Subhanekell-llahumme ve bi hamdike ve tebareke smuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke.” Atëherë poashtu në vetvete do ta lexonte eudhubil-lahin dhe bismil-lahin. Pastaj Fatiha-në dhe pas saj një sure ose tri ajete nga sureja që ka dëshiruar. Pas leximit të Fatiha-së në vetvete (jo me zë) thonte amin. Pastaj  shqiptonte tekbirin dhe bënte ruku’ (përkuljen). Me shuplaka i kapte kapakët e gjunjve ashtu që gishtat pak i mbante të hapur. E rrafshonte shpinën duke mos lëshuar as ngritur kokën. Tri herë thoshte: “Subhane rabbijel-adhim” – ky është numri më i vogël të cilin e shqiptonte. Pastaj duke u drejtuar në pozitën në këmbë thoshte: “Semiall-llahu limen hamideh”, vetëm këtë. Kur të drejtohej në pozitën në këmbë shqiptonte: Rabbena lekel-hamdu” dhe tekbir dhe pastaj do të bënte sexhde. Nuk i ka ngritur duart. Së pari i ka lëshuar gjunjtë në tokë, pastaj duart, pastaj ballin, dhe atë në tokë ndërmjet shuplakave të tij. E çitte shpinën dhe e ndante stomakun prej kofshave. Në sexhde i shqiptonte së paku tri herë: “Subhane rabbijel-e’ala”. Pastaj e ngrinte kokën nga sexhdeja e parë, ulej në pozitë të drejtë dhe nganjëherë në këtë qëndrim të shkurtër ndërmjet dy sexhdeve lexonte : “Rabbi gfir verhamni vexhburni verfe’ni verzukni vehdini”. Ulej në këmbën e majtë, kurse të djathtën e drejtonte. Kur qetësohej në atë pozitë dhe kur të qetësohej secili organ i trupit të tij, e shqiptonte tekbirin dhe e bënte sexhden e dytë. Pasi ta kryente sexhden e dytë, ngritej me maje të këmbëve (shputave), nuk ulej e as nuk mbështetej me duar në tokë gjatë ngritjes, vetëm mbështetej në gjunjë.

Në atë mënyrë vepronte edhe për rekatin e dytë, me fjalë dhe vepra, por duke mos i ngritur duart me rastin e tekbirit, as nuk e ka lexuar eudhubil-lahin. Duart i ngritte vetëm gjatë tekbirit fillestar.

Kur e ngriste kokën nga sexhdeja e dytë në rekatin e dytë, e shtrinte këmbën e majtë dhe ulej në të. Shputën e këmbës së djathtë e drejtonte në majë të gishtrinjëve, të kthyer kah kibla. Duart i vinte në gjunjë (kofsha) dhe lexonte “Ettehijjatu lil-lahi vessalavatu ve ttajjibatu esselamu alejke ejjuhennebijju ve rahmetull-llahi ve berekatuhu, esselamu alejna ve ala ibadil-lahis-salihin. Eshhehu en la ilahe il-lallahu ve eshhedu enne muhammeden abduhu ve resuluhu”. Në uljen e parë Muhammedi a.s. në këtë lexim nuk shtonte asgjë.

Muhammedi a.s. kur e lexonte Ettehijjatu dhe vinte deri te Eshhehu en la ilahe , e shtrëngonte grushtin e dorës së djathtë dhe e shtrinte gishtin tregues, kurse gishtin e mesëm e ngjitte me të madhin. Gishtin tregues e ngriste lartë te fjalët en la ilahe (dhe dëshmoj se nuk ka zot) – kurse e lëshonte te shqiptimi i fjalëve il-lallahu (përveç Allahut).

Muhammedi a.s e ka mbajtur gishtin tregues në pozitën e drejtë dhe nuk e kthente në rreth. Shiqimi nuk i tejkalonte përtej gishtit tregues.

Muhammedi a.s asgjë nuk i shtonte kësaj që u theksua për uljen e parë, kur e përfundonte teshehhudin në mes të namazit, ngritej në rekatin e tretë. Me duar nuk është mbështetur për toke gjatë ngritjes. Në dy rekatet e fundit (në namazet katërrekatëshe) e lexonte vetëm Fatiha-në.

 

Kur ulej në fund të namazit Alejhisselami ulej sikur që ulet në uljen e parë, i lexonte salavatet , kërkonte falje (istigfar) për vete, për prindërit e tij, për besimtarët e besimtaret dhe pastaj do të lexonte lutjet që janë përfshirë në Kitab dhe Sunnet. Lexonte duatë që i përngjajnë përmbajtjes kur’anore, e nuk lutej me fjalë që i përngjajnë të folurit të njerëzve.

I Dërguari i Allahut kur të përfundonte me leximin e lutjeve pas teshehhudit, jepte selam në anën e djathtë me këto fjalë:  Esselamu alejkum ve rahmetull-llahi, e po kështu ka vepruar edhe duke dhënë selam në anën e majtë.

 

(Përkthim i veprës: “Kejfijjetu salatin-nebijji ala dav ixhtihadi medhhebil-hanefijj”, Abdul-Wehhab el-Meshhedani, fq. 15-19).

  

PËRGATITJET PËR NAMAZ

Para se të fillohet me faljen e namazit nevojitet të kryhen përgatitjet vijuese:

1. Të jetë i pastër trupi, petkat dhe vendi ku do të falemi.

Këtu para së gjithash nënkuptohet se në trup, në petka apo në vendin ku do të falemi, nuk guxon të ketë kurrfarë lloji të ndytësisë. Në ndytësira numërohen: alkooli, gjaku, produktet e derrit etj. Nëse diçka nga të përmendurat gjendet në trup, në petka apo në vendin e faljes, atëherë me ato raste nuk mund të falet namazi. P.sh. nëse dikush parfumoset me aromë që përmban alkool, ai si i tillë nuk mund të falet, sepse në vete ka papastërti

2. Të merret abdest dhe sipas nevojës të pastrohemi (të lahemi)

Abdesti është pastrim ritual fetar i cili merret para faljes së namazit, leximit të Kur’anit dhe sjelljes rreth Qabes (tavaf).

Abdesti ka katër farze:

1. Larja e fytyrës një herë.

2. Larja e duarve deri pas bërrylave.

3. Mes’hi (fërkimi me dorë të lagur) mbi kokë.

4. Larja e këmbëve deri te zokthi.

 Të gjitha të përmendurat farz është të lahen nga një herë. Të tjerat që kryhen si pjesë përbërëse të abdestit janë sunnete. Dhe ato kryhen me këtë renditje:

Larja e duarve deri te nyjet (e shuplakave) tri herë. Pastaj lahet goja dhe hunda nga tri herë. Pastaj lahet fytyra tri herë, duart deri pas bërrylave tri herë, mes’h mbi kokë një herë, fërkimi i qafës deri pas veshëve një herë dhe larja e këmbëve deri te zokthi tri herë. Mirë është që pas marrjes së abdestit të lexohet sureja Kadr. (Inna enzelnahu fi lejletil-kadri).

Abdesti merret me ujë të pastër. Në rastet kur nuk ka ujë, atëherë merret tejemum. Ç’është tejemumi? Tejemumi është pastrim simbolik me dhé të pastër të terur apo edhe me lëndë a sende të ndërtuara prej dheu.

Tejemumi ka tri sharte:

1.       Nijjeti (vendosja).

2.       Fërkuarja e fytyrës me shuplaka pasi të kemi fërkuar dheun e terur e të pastër apo objektin nga dheu.

3.       Fërkuarja e duarve deri pas bërrylave pasi të kemi fërkuar me shuplaka dheun e terur e të pastër apo objektin nga dheu.

Tejemumi e zëvëndëson abdestin dhe larjen.

Sa i përket larjes fetare, ajo është e detyrueshme në situatat vijuese:

Pas marrëdhënies intime të burrit dhe gruas.

Pas polucionit në ëndërr.

Pas kalimit të larjes mujore te gratë – menstruacioni (hajd).

Pas lindjes së gruas (nifas).

Këto janë situatat në të cilat parashihet larja e detyrueshme (gusl). Që larja fetare të jetë e vlefshme duhet të plotësohen këto kushte-sharte:

1  Larja e gojës dhe e fytit.

2. Larja e brendisë së hundës.

3. Larja e tërë trupit që askund të mos mbetët i terur.

Muslimani dhe muslimanja duhet gjithmonë të jenë të pastër që të mund të bëjnë ibadet.

3. Veshja sipas dispozitave dhe në mënyrë të hieshme.

Meshkujt janë të detyruar ta mbulojnë trupin prej belit deri nën gjunjë. Pjesa e trupit prej nënbelit deri nën gjunjë konsiderohet avret. Mirë është që të jenë të veshur në rregull dhe si ka hije. Mirëpo, namazi do të jetë i rregullt nëse dikush në namaz e mbulon atë pjesë që quhet avret. Gruaja muslimane është e detyruar ta mbulojë tërë trupin përveç fytyrës dhe shuplakave. Vetëm me veshje të këtillë ajo është e gatshme për namaz. Kjo është veshje e obligueshme për gruan muslimane edhe jashtë namazit nëse paraqitet para njerëzve, të cilët nuk i ka të familjes së ngushtë. Rrobat nuk guxojnë të jenë të ngushta, të tejdukshme, të papastërta. Posaçërisht, për namaz duhet zgjedhur rrobat më të bukura që janë në dispozicion.

 

4. Njohja e kohëve të namazit dhe falja e namazit me kohë.

Secili namaz e ka kohën e tij të caktuar nga ana e Allahut xh.sh.. Ja pasqyra e kohëve të namazit:

SABAHU: Nga agimi deri në lindje të diellit.

DREKA: Kur dielli e kalon mesin e qiellit.

IKINDIA: Kur hija e një objekti rritet për dy herë në krahasim me madhësinë e saj kur dielli ka qenë në zenit.

AKSHAMI: Kur të perëndojë dielli.

JACIA: Kur të bjerë plotësishtë errësira në tokë.

Asnjë namaz nuk mund të falet para hyrjes së kohës së tij. Nëse dikujt i kalon koha e namazit, ai është i obliguar atë namaz ta falë më vonë.

 

5. Të kthyerit kah kibla- Qabeja.

6. Nijjeti – të vendosurit me zemër se cili namaz falet.

Është obligim-farz që nijjeti të bëhet me zemër, ndërsa shqiptimi i nijetit me fjalë është mustehab (e rekomanduar) te shumica e dijetarëve përveç malikijve dhe selefijve të cilët “shqiptimin e nijjetit me gjuhë e konsiderojnë bid’at – novatori.” Shkencëtarët e medhhebit hanefij thonë se shqiptimi me gjuhë i nijjetit nuk është praktikë e Muhammedit a.s., por është praktikë e shkencëtarëve të mëvonshëm, dhe kjo konsiderohet mustehab – veprim i rekomanduar, sepse kur dikush edhe me gjuhë e konfirmon nijjetin e zemrës më lehtë do t’i largojë vesveset e shejtanit (mendimet e këqija). Autori i veprës hanefite “El-Ihtijar” thekson se shqiptimi i nijjetit me fjalë është sunnet dhe mustehab. Gjithashtu për këtë thekson dr. Wehbe Zuhejli në Fikhul-islamij, fq. II-613, si dhe autori i veprës “Fikh ala medhahibil-erbeati”, I, fq. 190. Nëse dikush e lë nijjetin me gjuhë e këtë e ka bërë me zemër namazi do të jetë i vlefshëm por është më mirë që nëse nijjetin e zemrës e vërteton edhe me gjuhë.

Nëse lëshohet cilado nga përgatitjet e obligueshme të namazit të cilat i theksuam dhe nëse e falë namazin, namazi i tillë do të jetë i prishur dhe duhet falur përsëri me kompensimin e asaj që është lëshuar. Andaj besimtarët dhe besimtaret duhet të kenë kujdes që t’i kryejnë të gjitha përgatitjet e theksuara para se të hyjnë në namaz.

 

PESË NAMAZET E OBLIGUARA

Allahu xh.sh. ummetin e Muhammedit a.s. e ka obliguar me 50 namaze të domosdoshme gjatë ditës dhe natës. Sipas këshillës së Musait a.s. drejtuar Pejgamberit tonë se ummeti i tij nuk mund të përballojnë këtë, Muhammedi a.s. kërkon lehtësim nga Allahu xh.sh. Allahu xh.sh. i jep lehtësim ummetit të Muhammedit a.s. dhe ia zbret prej 50 në 5 namaze. Me gjithë premtimin se Allahu xh.sh. atyre që do t’i kryejnë 5 namazet do t’u japë shpërblim si t’i ketë falur 50. Kjo na është e ditur nga hadithi mbi miraxhin e Muhammedit a.s., me ç’rast dhe është urdhëruar obligueshmëria e namazit. Namazi i parë i obliguar të cilin e ka falur Pejgamberi a.s. pas miraxhit është namazi i drekës.

Pesë namazet të cilat duhen falur gjatë ditës dhe natës janë:

Salatul- fexhri – NAMAZI I SABAHUT.

Salatudh-dhuhri – NAMAZI I DREKËS.

Salatul- asri – NAMAZI I IKINDISË.

Salatul- magribi – NAMAZI I AKSHAMIT.

Salatul- ishai – NAMAZI I JACISË.

 

Tabela 1.

 

Namazi

Nr. i

rekateve

 

Farzet

 

Sunnetet

Sunnet i

mbramë

 

Vitri

SABAHU

4

2

2

/

/

DREKA

10

4

4

2

/

IKINDIA

8

4

4

/

/

AKSHAMI

5

3

2

/

/

JACIA

13

4

4

2

3

REKATET FARZE

Rekatet farze janë të detyrueshme. Për to secili njeri do të japë llogari para Allahut xh.sh. Ato janë si vijon:

Farzi i sabahut, 2 rekate.

Farzi i drekës, 4 rekate.

Farzi i ikindisë, 4 rekate.

Farzi i akshamit, 3 rekate.

Farzi i jacisë, 4 rekate.

Këto gjithsej janë 17 rekate farz gjatë ditës dhe natës.

REKATET SUNNETE

Këto janë rekate nafile, vullnetare të namazit, të cilat nëse dikush i falë do të ketë shpërblim të posaçëm nga Allahu xh.sh. Këto janë rekatet të cilat Pejgamberi a.s. i ka falë dhe pjesëtarëve të tij ua ka rekomanduar që t’i falin. Ata të cilët e duan dhe e ndjekin Pejgamberin a.s., ata me dashuri i falin rekatet sunnete të secilit namaz.

Këto rekate vullnetare (nafile) të namazit në medhhebin hanefij ndahen në dy grupe:

1.         Sunnete dhe

2.         Mendube.

 

SUNNETET E PËRFORCUARA

Me sunnet nënkuptohen ato rekate nafile të cilat Pejgamberi a.s. i ka falur rregullisht dhe gati kurrë nuk i ka lënë.

Ato janë:

1.  Dy rekate të namazit të sabahut para farzit. Muhammedi a.s. ka thënë: “Dy rekate të sunnetit të sabahut janë më të vlefshme se e gjithë dunjaja dhe çka ka në te.” (Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu)

2. Katër rekate para farzit të drekës.

Transmeton h. Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk i ka lëshuar 4 rekate para farzit të drekës si dhe dy rekate para farzit të sabahut. (Buhariu)

 

 

 

 

 

Tabela  2.

 

NAMAZI I SABAHUT

SUNNETI

FARZI

Rekati i parë: Subhaneke, E udhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sureja.

Rekati i dytë:Bismil-lahi, Fatiha, sureja.

Rekati i parë: Subhaneke, E udhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i dytë:Bismil-lahi, Fatiha, sure.

 

NAMAZI I DREKËS

SUNNETI

FARZI

Rekati i parë: Subhaneke, E udhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i dytë:Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i tretë:Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i katërt:Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i parë: Subh., E udhu bil., Bism., Fat., sure.

R. II: Bism., Fat., sure.

R. III: Bism., Fatiha,

R. IV: Bism., Fatiha.

SUNNETI I MBRAMË

Rekati I: Subh., E udhu bil., Bism., Fat., sure.

Rekati i  II: Bism., Fatiha., sure.

 

 

 

 

NAMAZI I IKINDISË

SUNNETI

FARZI

Rekati i parë:

Subhaneke, E udhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i dytë:

Bismil-lahi, Fatiha, sure. Rekati i tretë: Subh. Eudhu, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i katërt: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i parë:

Subh., E udhu bil., Bism., Fat., sure.

Rekati i dytë:

Bism., Fatiha., sure.

Rekati i tretë: Bismil-lah, Fatiha,

Rekati i katërt:

Bismil-lah, Fatiha,

 

 

NAMAZI I AKSHAMIT

 

FARZI

 

SUNNETI

Rekati i parë:

Subhaneke, E udhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i dytë:

Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i tretë: Bismil-lahi, Fatiha.

Rekati i parë:

Subhaneke, E udhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i dytë:

Bismil-lahi, Fatiha, sure.

 

 

 

 

 

 

 

 

NAMAZI I JACISË

 

 

SUNNETI

 

FARZI

Rekati i parë:

Subhaneke, E udhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i dytë:

Bismil-lahi, Fatiha, sure. Rekati i tretë: Subh. Eudhu, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i katërt: Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati i parë:

Subh., E udhu bil., Bism., Fat., sure.

Rekati i dytë:

Bism., Fatiha., sure.

Rekati i tretë: Bismil-lah, Fatiha,

Rekati i katërt:

Bismil-lah, Fatiha,

 

 

SUNNETI I MBRAMË

 

VITRI

Rekati I: Subh., E udhu bil., Bism., Fat., sure.

Rekati i  II: Bism., Fatiha., sure.

 

Rekati i parë: Subhaneke, E udhu bil-lahi, Bismil-lahi, Fatiha, sure.

Rekati II: Bism., Fatiha, sure.

Rekati III: Bism., Fatiha, sure, duaja e kunutit.

3.       Dy rekate pas farzit të drekës (sunnet i mbramë).

4.       Dy rekate pas farzit të akshamit.

5.       Dy rekate pas farzit të jacisë.

Muhammedi a.s. ka thënë: “Kush i falë 12 rekate (namaze vullnetare) gjatë ditës dhe natës, Allahu xh.sh. do t’i ndërtojë shtëpi në xhennet; katër rekate para farzit të drekës, dy pas farzit, dy rekate pas farzit të akshamit, dy pas farzit të jacisë dhe dy para farzit të sabahut.” (Tirmidhiu)

 

 

 

SUNNETET E PAPËRFORCUARA (GAJRU MUEKKEDE) OSE MENDUBET

Këto sunnete Pejgamberi a.s.më shumë i ka falur, por nganjëherë edhe i ka lëshuar. Ato janë:

1.       Katër rekate para farzit të ikindisë.

Muhammedi a.s. ka thënë: “Do ta mëshirojë Allahu xh.sh. atë njeri i cili i falë katër rekate para farzit të ikindisë.” (Ahmedi, Ebu Davudi dheTirmidhiu)

2.       katër rekate para farzit të jacisë.

Transmeton h. Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. i ka lëshuar 4 rekate para farzit të jacisë. (Ahmedi, Ebu Davudi dhe En-Nesaiu)

FARZET E NAMAZIT

SIPAS MEDHHEBIT HANEFIJ

Ato janë gjashtë dhe atë:

1.      Iftitah tekbir – duke qenë në këmbë të shqiptohet tekbiri fillestar në namaz.

2.      Kijam – qëndrimi në këmbë.

3.      Kiraet – leximi i Kur’anit në namaz.

4.      Rukuu – përkulja-kërrusja e shpinës në namaz.

5.      Suxhud – sexhdja.

6.      Ka’dei ehire – qëndrimi ulur në namaz.

Për të qenë namazi i vlefshëm, patjetër duhet të kryhen këto gjashtë farze. Nëqoftëse ndonjëri prej këtyre farzeve lëshohet, namazi është i prishur. (Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, fq. 1/623)

 

VAXHIBET E NAMAZIT SIPAS MEDHHEBIT HANEFIJ

Ato janë 18. Nëse lëshohet ndonjë vaxhib, ai mund të kompensohet me kryerjen e sehvi sexhdes, nëse dikush e ka lëshuar vaxhibin me harresë, ndërsa nëse vaxhibi është lëshuar me qëllim, atëherë namazi është i prishur dhe duhet të përseritet.

Vaxhibet e namazit janë:

1. Të fillohet namazi me fjalët “Allahu ekber”.

2.   Leximi i Fatihas në secilin rekat.

3.    Leximi i sures pas Fatihas ose leximi i ajetit i cili përmban së paku 30 shkronja.

4.    Leximi i sures pas Fatihas në rekatin e parë dhe të dytë të namazit farz.

5.    Që Fatiha të lexohet para sures.

6.      Të vehet hunda dhe balli në sexhde.

7.       Të kihet kujdes në renditjen e veprimeve që kryhen në namaz.

8.      Qetësimi në disa pjesë të namazit siç është rukuja, sexhdeja, ulja etj.

9.      Ulja e parë në namazet prej tri dhe katër rekatëshe.

10.     Leximi i ettehijjatit në uljen e parë deri te shehadeti.

11.    Leximi i ettehijjatit në uljen e fundit në namaz.

12.    Ngritja në rekatin e tretë menjëherë pas teshehudit, e nëse dikush e vazhdon leximin e salavatit duhet të bëjë sehvi sexhde.

13.     Shqiptimi i fjalës “selam” gjatë dhënies së selamit, pa “alejkum ve rahmetullahi”, e cila është sunnet.

14.     Leximi i imamit me zë në namazet; farz të sabahut, dy rekatet e para të farzit të akshamit dhe jacisë (qoftë edhe nëse i falë namaze të kaluara), pastaj në xhuma, në bajram, në teravih dhe në namaz të vitrit (në Ramazan), sepse këtë Pejgamberi a.s. këtë rregullisht e ka bërë.

15.     Leximi i imamit në vetvete në farze të namazit të drekës dhe të ikindisë.

16.     Duaja e kunutit në namazin e vitrit.

17.     Tekbirët në namazin e bajramit (gjashtë tekbire).

18.     Që muktedijtë të heshtin dhe ta ndjekin imamin në namazet me xhemat.

 

VEPRIMET QË E PRISHIN NAMAZIN

1.        Çfarëdo të folur në namaz.

2.        Të qeshurit ose të vajtuarit me zë në namaz.

3.        Ngrënia e diçkahit në namaz.

4.        Të kthehet gjoksi (në drejtim tjetër e jo) nga kibla në namaz.

5.        Të bëhen veprime të pazakonshme në namaz, ashtuqë nëse dikush nga anash shiqon, do të mendojë se personi në fjalë nuk është në namaz (p.sh. nëse kruhemi tri herë pandërprerë në një vend).

6.        Prishja e abdestit.

7.        Para hohe me qëllim nëse jepet selam.

8.        Të shkohet përpara sa janë dy safë.

9.       Qëndrimi baras me gruan në një saf.

10.    Lëshimi i cilitdo rukën (farz) të namazit.

 

SUNNETET E NAMAZIT SIPAS MEDHHEBIT HANEFIJ

1.         Ngritja e duarve gjatë tekbirit fillestar për meshkujt deri te veshët, kurse për femrat deri në lartësi të supëve (krahëve).

2.         Mbajtja e gishtave në gjendje normale, as të shtrënguar e as shumë të hapur.

3.         Që muktediu ta harmonizojë tekbirin fillestar me atë të imamit.

4.         Vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën nën kërthizë – për meshkujt, kurse në gjaks për femrat.

5.         Leximi i subhanekes.

6.         Leximi i Eudhubil-lahit.

7.         Leximi i Bismil-lahit.

8.         Të thuhet Amin.

9.         Të thuhet “Rabbena lekel-hamd”.

10.      Subhanekja, Eudhubil-lahi, Bismil-lahi dhe Amin-i – të lexohen në vetvete (pa zë).

11.      Të mirret qëndrim gatitu me rastin e fillimit të namazit, sidomos të mos tundet koka.

12.      Që imami me zë ta shqiptojë tekbirin, “semiallahu limen hamideh” dhe selamin.

13.      Të ndahen shputat e këmbës njëra prej tjetrës në largësi prej katër gishtave.

14.      Në namazin e sabahut dhe të drekës në farz të lexohet pas Fatihas sure më e gjatë, ndërsa në ikindi dhe jaci sure të mesme, kurse në aksham sure më e shkurtë.

15.      Sureja më e gjatë të lexohet në rekatin e parë.

16.      Shqiptimi i tekbirit në secilin kalim prej kijamit në ruku dhe sexhde.

17.      Tri herë në ruku’ të thuhet “subhane rabbijel-adhim” dhe në sexhde tri herë “subhane rabbijel-a’la”.

18.      Në ruku’ të kapet me duar kapaku i gjurit .

19.      Në ruku’ meshkujt pak t’i hapin gishtat e duarve, kurse femrat jo.

20.      Të rrafshohet shpina në ruku’.

21.      Në rast mosmundësie (sëmundjeje) të përkulet koka.

22.      Të drejtuarit i qetë, ndërmjet rukus dhe sexhdes dhe ndërmjet sexhdeve.

23.      Të lëshohen në sexhde së pari gjunjtë, duart e pastaj fytyra dhe renditja e kundërt bëhet me rastin e ngritjes nga sexhdja.

24.      Të bëhet sexhdja ndërmjet dy duarve.

25.      Burrat t’i ndajnë stomakun nga kofshat dhe bërrylat e llërat nga toka me rastin e bërjes së sexhdes.

26.      Që gratë t’i mbështesin stomakun për kofsha në sexhde.

27.      Të ulurit pak ndërmjet dy sexhdeve.

28.      Të mbahen duart në gjunj gjatë uljes ndërmjet dy sexhdeve.

29.      Që mashkulli ta shtrijë këmbën e majtë gjatë uljes në teshehud; ndërmjet dy sexhdeve, të djathtën e vendos ashtu që e mbështet në gishta të kthyer kah kibla.

30.      Gruaja ulet në mënyrë që të dy këmbët çiten nga ana e djathtë.

31.      Ngritja e gishtit tregues vetëm te teshehudi – ngritet te la ilahe, kurse gishti lëshohet te il-lallah.

32.      Leximi i Fatihas në rekatin e dytë dhe të tretë.

33.      Leximi i salavateve në uljen e mesme.

34.      Leximi duas kur’anore “Allahumme rabbena atina fiddunja… pas salavatit.

35.      Kthimi gjatë selamit nga ana e djathtë pastaj nga e majta.

36.       Që imami ta bëjë nijjet dhënien e selamit të gjithëve pas tij, nga njerëzit, engjejt dhe xhinët.

37.      Që muktedijtë të bëjnë nijjet kthimin e selamit imamit.

38Kur dikush falet vetëm të bëjë nijjet dhënien (selam) vetëm engjejve, sepse nuk ka askë tjetër.

 

MEKRUHET E NAMAZIT

SIPAS MEDHHEBIT HANEFIJ

1. Mekruh tahrimen (çështje e qortuar rreptë) është nëse me qëllim lëshohet ndonjë vaxhib i namazit, si p.sh. leximi i Fatihas, ose leximi i sures pas Fatihas, ose leximi me zë në namazet ku duhet të lexohet pa zë (dreka dhe ikindia) ose e kundërta, nëse lexohet pa zë (akshami, jacia dhe sabahu). Për këto lëshime duhet përsëritur namazin, nëse lëshimi është bërë me qëllim.

2.  Ngritja e duarve para shkuarjes në ruku dhe pas kthimit nga rukuja.

3.  Lëshimi me qëllim i ndonjë sunneti në namaz, si p.sh. leximi i subhanekes, leximi në ruku’ i subhane rabbijel-adhim ose i leximit në sexhde i subhane rabbijel-a’la, ose semiallahu limen hamideh, ose rabbena lekel-hamd. Si dhe lëshimi i kthimit të gishtave të duarve dhe të këmbëve kah kibla.

4.  Leximi i sures më të shkurtër ose i numrit më të madh të ajeteve në rekatin e dytë në krahasim me të parin.

5.  Që dikush t’i caktojë vetes vetëm një sure dhe atë ta lexojë gjithmonë në namaz.

6.    Leximi i sureve ose ajeteve të Kur’anit në anën e kundërt të renditjes që kanë në mus’haf. Si p.sh. në rekatin e parë të lexohet sureja Ihlas, kurse në të dytin Tebbet jeda ebi leheb, etj.

7.      Përfundimi i leximit të sures apo i ajetit në ruku’.

8.      Bërja e lëvizjeve me dorë çfarë nuk kanë hije në namaz (abeth), si p.sh. luajtje me rrobat, prekja me dorë nëpër trup, prekja e mjekrës, vënia e dorës në gojë, zënia e hundës, ose luajtja me kokrra të tesbihve, ose krisja e gishtave në namaz.

9.       Mekruh është gruaja ta mbulojë fytyrën në namaz (me nikab) sepse fytyra e femrës nuk është avret.

10.     Mekruh është lidhja e gishtave të njërës dorë me gishtat e dorës tjetër dhe vënia e duarve në ije. Kjo e fundit është e qortuar edhe jashtë namazit.

11.     Rregullimi i rrobave në trup në namaz apo rregullimi i flokëve.

12.     Mbyllja e syve në namaz.

13.     Shikimi rreth e rrotull pa nevojë.

14.     Ngritja e shikimit kah qielli.

15.     Qëndrimi në një këmbë në kijam ose ngritja me radhë e këmbëve, pa nevojë.

16.     Falja e namazit duke e duruar nevojën e madhe ose të vogël, ose mbajtja e erërave në namaz. Si dhe të falurit në prani të ushqimit të gatshëm.

17.     Pështymja në namaz para vetes ose në anën e djathtë – kjo është e qortuar edhe jashtë namazit.

18.     Gogësimi në namaz.

19.     Mbështetja në duar me rastin e uljes në namaz.

20.     Kthimi i selamit me gjest të dorës ose kokës, ose në teshje të përgjigjurit me elhamduli-lah.

21.     Leximi i sures në dy rekatet e fundit të namazeve farze katërrekatëshe pas Fatihas.

22.     Mbetja pas safit – duke patur vend në safin më përpara.

23.     Mekruh është që imami të falet në vend më të lartë se muktediu.

24.     Ngjitja e trupit për tokë gjatë sexhdes.

25.     Të falurit me petka të papëlqyeshme; si petkat e punës, pixhamat nëse falemi në shtëpi.

26.     Të falurit pa kapuq.

27.     Të falurit me petka ku ka fotografi të qenieve të gjalla.

28.    Të falurit në lokal ku ka statuja ose fotografi.

29.     Të falurit në vendin ku njerëzit bisedojnë, bëjnë diçka apo flejnë, për të mos dëgjuar falësi diç që do ta bënte të qeshë.

30.     Të falurit në drejtim të zjarrit të ndezur.

31.     Shqiptimi i leximit të paraparë (të tekbirit, tahmidit dhe tesmi’it) në vendin ku nuk është paraparë për të, p.sh. leximi i tekbirit për ruku’ pasi të bëhet rukuja, ose të thuhet semiallahu limen hamideh pasi të jemi drejtuar në kijam. Sepse sunnet është që ky lexim të bëhet në fillim të kalimit prej një pozite në tjetrën.

32.     Mos vendosja e perdes (sutra), ai që falet jashtë (në fushë).

 

HADITHE MBI NAMAZIN

1. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vepra më të dashura tek Allahu janë:

Falja e namazit me kohë, bamirësia ndaj prindërve, lufta në rrugën e Allahut”.(Transmeton Muslimi)

2. “Çka mendoni (i kishte pyetur Alejhisselami as’habët), sikur dikush prej jush ta kishte lumin para derës, dhe në të, të lahej pesë herë në çdo ditë, a do të mbetej në të papastërti? Të pranishmit i përgjigjen: “Nuk do të mbetej, o i Dërguar i Allahut”. Atëherë Alejhisselami shton: “Ashtu është edhe me pesë namazet e ditës, Allahu me te ua pastron mëkatet”.(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

3. Muhammedi a.s. ka thënë: “Çështja e parë për të cilën njeriu në Ditën e gjykimit do të japë llogari, është namazi, andaj, nëse namazi është i mirë, do të jenë të mira edhe veprat tjera, e nëse namazi nuk do të jetë i mirë, nuk do të jenë të mira edhe veprat tjera.”(Transmeton Taberani)

  

 

FETVAJA E REISUL-ULEMASË

Sarajevë,     

29, xhumadel-uhra, 1414  h.     

13, dhjetor 1993 vit.

 

بسم الله الرحمن الرحيم

(Bismil-lahi rrahmani rrahim)

  Duke patur parasysh faktin historik se muslimanët në Bosnje që nga ardhja e Islamit në këto troje janë sunnij të (shkollës juridike) medhhebit hanefij, të cilët përkatësinë e tyre këtij medhhebi asnjëherë nuk e kanë vënë në pyetje, duke ditur për dukuritë jo të rralla të shmangjes nga medhhebi hanefij në kryerjen e disa riteve fetare, veçmas në kohët e fundit, shkak i së cilës është ardhja në kontakt e muslimanëve tonë me vëllezërit – pjesëtarë të medhebeve tjera- si në vend ashtu edhe në mërgatë (muhaxhirlluk), duke ndjekur rregullin e sheriatit se medhhebet e pranuara janë të barabarta dhe se nuk lejohet që me vetiniciativë të përzihen dispozitat e tyre në lëminë e ibadetit dhe më në fund, duke u nisur nga dispozitat e vendimit kushtetues të BI në RBeH, naibu reisi i Bashkësisë Islame në RBeH dr. Mustafa ef. Ceriq lëshon këtë:

 

F E T V A

Mbi detyrueshmërinë e ndjekjes së dispozitave të medhhebit hanefij në mënyrën e kryerjes së riteve fetare në xhami, mesxhide, teqe dhe në të gjitha llojet e tubimeve islame.

1.       Muftitë, imamët, eprorët e tarikatit dhe të gjithë nëpunësit fetarë në muftini, në këshilla, institucione dhe ente të Bashkësisë Islame në vend, në botën e jashtme dhe në mërgatë janë të obliguar që me përpikëri t’u përmbahen dispozitave të medhhebit hanefij në kryerjen e riteve fetare në xhami, mesxhide, teqe dhe në të gjitha llojet e tubimeve islame.

2.       Muftitë, imamët, eprorët e tarikatit dhe të gjithë nëpunësit fetarë janë të obliguar ta mësojnë masën se nuk është e lejuar që në lëminë e ibadatit me vetiniciativë të përzihen dispozitat e medhhebeve të pranuara, dmth. në disa raste të veprohet sipas dispozitave të një medhhebi, kurse në rastet tjera me dispozitat e medhhebit tjetër.

3.       Gjatë hartimit të teksteve nga lëmia e ibadatit t’i kushtohet kujdes që mos të shkilen parimet e medhhebit hanefij.

Reisul-ulema,

Prof. Dr. Mustafa Ceriq.

 

 

 

INDEKSI I SHPREHJEVE

Abdest – pastrim ritual fetar para namazit.

Ahiret – bota e ardhme.

Ahkam – dispozita.

Akideh – besimi islam.

Amin – pranoje o Zot!

Arefat – vend jo larg Mekkes ku kryhet ceremonia e haxhxhit (vukuf).

As’habë – shokë të Muhammedit a.s.

Bid’at – novatori, risi.

Daif – i dobët.

Delil – argument, dëshmi.

Dirajet – degë e shkencës së hadithit, e cila merret me tekstin e hadithit.

Ezan – thirrje për namaz

Farz – urdhër i rreptë i Allahut xh.sh.

Fetva – qëndrimi islam për ndonjë çështje.

Fikh – shkenca mbi dispozitat islame.

Gusul – larja e obligueshme islame.

Hafidh – ai që e di Kur’anin përmendsh.

Hajd – cikli mujor te femrat.

Halif – sundimtari islam.

Haram – ndalim kategorik i Allahut xh.sh.

Hedije – dhuratë.

Haxhxh – kushti i pestë i Islamit, vizita e Qabes.

Hukm – dispozitë islame.

Ikamet – lajmërimi i namazit farz (me fjalë të ngjashme me ezanin)

Imam – personi që prinë në namaz.

Istigfar – kërkim i faljes për mëkate.

Istihsan – kur muxhtehidi për të ardhur deri te pyetja vepron në kundërshtim me kijasin.

Ixhma’ – konsenzusi i dijetarëve për një çështje.

Ixhtihad – dhënia e angazhimit për të ardhur deri te nxjerrja e dispozitës.

Kadi – gjykatës.

Kijas – analogji.

Kiraet – lexim i Kur’anit.

Medhheb – rrugë, drejtim ose metodë.

Mejjit – i vdekur.

Mekruh – e qortuar, e keqe.

Merfu’ – hadithi që e ka zingjirin e transmetuesve të pandërprerë prej transmetuesit deri te Muhammedi a.s.

Mes’ele – pyetje, çështje, dukuri në të cilën duhet dhënë qëndrimin e sheriatit.

Mesbuk – personi që vonohet në ndonjë pjesë të namazit.

Metn – teksti i hadithit.

Metruk – hadithi i cili lëhet, i parregullt.

Mevdu’ – hadith i rrejshëm.

Mubah – e lejuar.

Mubtedii – novator (personi i cili çpikë risi në fe).

Muderris – mësues.

Mufti – person fetar i cili jep përgjigje në pyetjet dhe problemet e shtruara.

Munker – hadith i rrejshëm, i trilluar.

Musafir – udhëtar.

Mustehab – e mirë, e lavdëruar.

Mustekil – i pavarur.

Mut’a – martesë për kohë të caktuar (e pranuar te shiijtë si legjitime, kurse te sunnijtë e ndaluar).

Mutevatir – transmetimi që e transmeton numër mjaft i madh njerëzish dhe nuk ekziston dyshim për autentitetin e tij.

Muxhtehid – shkencëtar i cili nxjerr dispozita në bazë të Kur’anit, Sunnetit dhe burimeve tjera islame.

Muzdelife – vend ndërmjet Arefatit dhe Mekkes.

 Nafile – namaz vullnetar.

Nifas – periudha te femrat pas lindjes.

Nijjet – qëllimi, vendosja.

Ramazan – muaji i zgjedhur, i bekuar i agjërimit.

Rivajet – transmetim.

Saff – rresht në namaz.

Salih – e mirë, e vlefshme.

Selef – i mëparshëm.

Selimeh – e drejt, e shëndoshë.

Sened – zingjir i transmetuesve.

Softa – nxënës i medresesë.

Sunen – përmbledhje e haditheve.

Sunnet – ajo që ka vepruar Pejgamberi a.s.

Shart – kusht.

Shehid – dëshmor që ka dhënë jetën në rrugë të Allahut.

Shejh – udhëheqës, plak, prijës.

Sherh – komentim.

Sheriat – ligji islam.

Tabiîn – gjeneratë që vjen pas as’habëve.

Tahmid – shqiptimi në namaz i elhamdu lil-lahi dhe rabbena lekel-hamd.

Talak – shkurorëzim

Ta’lik – hadithet që gjenden në përmbledhjet e haditheve por që nuk kanë senedet e tyre.

Tehexhud – namazi vullnetar i natës.

Tejemum – pastrim simbolik fetar.

Tekbir – madhërim i Allahut me fjalën Allahu ekber (Allahu është më i madhi).

Teravih – namazi nafile që falet netëve të ramazanit.

Terxhih – mbizotërim, epërsi.

Tesmiî – shqiptim i fjalëve semiallahu limen hamideh.

Thika – i besueshëm, i verifikuar.

Ulema – dijetarët

Ummet – popull, komb.

Usuli fikh – shkenca mbi metodologjinë e fikhut.

Vaxhib – obligim, detyrë.

Xhem’i – bashkim i namazeve.

Xhema’at – bashkësi.

Xhenaze – namazi që i falet personit të vdekur.

  

 LITERATURA:

1. Fikhul-islamijj ve edil-letuhu, dr. Wehbe Zuhejli, botimi dytë, 1987, Darul-kalem.

2. Ebu Hanifa En-Nu’man, Wehbi Sulejman Gavoxhi, botimi IV, 1987, Darul-kalem.

3.  I’lau sunen, Dhafer Ahmed Osmani Et-Tehanevijj, Idaretul-Kur’ani vel-ulumil-islamijje.

4. Mukarenetul-medhahib fil-fikh, Shejh Mahmud Muhammed Sheltut dhe Shejh Muhammed Es-Sajis, 1986, Darul-mearif.

5.  El-la medhhebijjetu, dr. Seid Ramadan El-Buti, 1987, Mektebetul-furkan.

6. Tarihul-fikhil-islamijj, dr. Omer Sulejman El-Eshkar.

7. El-Vexhiz fi usuli teshriil-islamijj, dr. Muhammed Husein Hito.

8. Kejfijjetu salatin-nebijji ‘ala dav ixhtihadi medhhebil-hanefijj, Abdul-Wehhab El-Meshedani.

 

Perktheu: Miftar Ajdini

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme