Kjo domethënë të mos kihet kujdes për të folurit e njerëzve por t’i përkushtohemi të folurit të All-llahut xh.sh. Në këtë është tërë arsyeshmëria dhe tërë rehatia.
Kush mendon se mund të shpëtojë nga sulmi i njerëzve tjerë dhe qortimi i tyre - është i marrë. E kush e orienton shikimin e vet dhe e ushtron shpirtin e vet që të kërkojë qetësinë në arritjen e të vërtetës, ndonëse në fillim kjo i shkakton dhembje, gëzimi i tij për shkak të qortimit të tyre do të jetë më i madh dhe më i fortë se sa ta lavdërojnë. Sepse, ai e di që lavdërimi i tyre, edhe qoftë me vend, kur të arrijë deri tek ai e bënë mendjemadh dhe ashtu i shkatërron virtytet e tij. E nëse këtë lavdërim nuk e meriton dhe ai përsëri kësaj i gëzohet, ai atëherë kënaqet dhe i gëzohet gënjeshtrës, që është mangësi e madhe.
E sa i përket qortimit të tij nga ana e të tjerëve, dhe nëse ai do të jetë me vend dhe arrin deri tek ai, mbase ky do të jetë shkak që të fillojë t’i shmanget asaj për çka po qortohet, që është fat i madh të cilin mund të mos e dëshirojë vetëm ai që është i mangët. E nëse ky qortim i tyre nuk është i arsyeshëm, por ai duron, atëherë, përbri butësisë dhe durimit, do të ketë virtyt shtojcë, kurse do të jetë në fitim edhe më të madh sepse i mbledh të mirat që rrjedhin nga ajo që qortohet pa të drejtë. Për këto të mira do të shpërblehet në Ditën e llogarisë përfundimtare, kur kjo më së tepërmi do t’i nevojitet, sidomos sepse për këtë nuk është angazhuar e as s’e ka ngarkuar shpirtin e vet. Ky është fat i madh të cilin vetëm i çmenduri mund të mos e dëshirojë.
Mirëpo, nëse deri tek ai nuk do të arrijë ajo që të tjerët e lavdërojnë, atëherë është e njëjtë për të folën ata apo heshtën. Por nuk është ashtu kur është fjala për qortimin, sepse ai është në fitim në atë rast pa marrë parasysh se a ka arritur qortimi i tyre te ai apo jo. Sikur Pejgamberi i Zotit, s.a.v.s., mos të kishte thënë për lëvdatën e mirë; “Ky është gëzim i shpejtë i besimtarit”, do të duhej që i arsyeshmi më shumë të anojë që të qortohet paarsyeshëm se sa me arsye të lavdërohet. Por thënia e cekur e Pejgamberit thotë se gëzimi duhet të jetë për shkak të të vërtetës, e jo për shkak të të pavërtetës dhe për këtë është e nevojshme t’i gëzohemi asaj për çka lavdërohemi e assesi për vetë aktin e lavdërimit. Virtytet, mangësitë, nënshtrimet dhe gabimi: çdo shpirt ose refuzon ose ndihet mirë në shoqëri me to. Është i lumtur ai, shpirti i të cilit ndien gëzim në shoqërim me virtytet dhe nënshtrimet duke iu shmangur poshtërsive dhe gabimeve. E i pafatshëm është ai, shpirti i të cilit ëmbëlsohet në shoqërim me mangësitë dhe mëkatet duke u larguar nga virtytet dhe dëgjueshmëritë.
Kurse në tërë këtë manifestohet vetëm vepra dhe ruajtja e All-llahut xh.sh. Ai që kërkon atë botë u është i ngjashëm engjëjve, derisa ai që kërkon të keqen është i ngjashëm me shejtanët. Ai që kërkon lavdi dhe pushtet u ngjason bishave, derisa ai që kërkon dëfrime u ngjason shtazëve. Ai që kërkon pasurinë për vetë pasurinë, e jo që ta shpenzojë në hajratet e urdhëruara dhe vullnetare, ka rënë mjaft poshtë ashtu që as me kafshën nuk mund të krahasohet. Ai më parë u ngjason larvave në shpella në vendet e papërshtatshme nga të cilat asnjë kafshë nuk ka dobi. I arsyeshmi kurrë nuk gëzohet për cilësinë në të cilën ia tejkalon ndonjë bishë ose kafshë tjetër ose ajo që nuk ka shpirt. Sepse ai i gëzohet vetëm prestigjit në virtyt me të cilin All-llahu xh.sh. e ka bërë të dallueshëm nga bishat, kafshët dhe gjërat tjera, dmth. ia ka dhuruar arsyeshmërinë sipas të cilës ai i bashkohet engjëjve.
Ai që i gëzohet guximit të vet që nuk e shpenzon në atë çka ka urdhëruar All-llahu, do të duhej të dijë se tigri është më i guximshëm se ai, dhe se luani, ujku dhe elefanti janë më të guximshëm se ai. Ai që krenohet me fuqinë e vet trupore le të dijë se mushka, kau dhe elefanti sipas fuqisë trupore janë më të fortë se ai. Ai që krenohet me aftësinë e vet të ngrejë barra të rënda, le të dijë se gomari në këtë është më i aftë se ai. Ai që lëvdohet me shpejtësinë vetjake, le të dijë se qeni dhe lepuri janë më të shpejtë se ai. Ai që krenohet me bukurinë e zërit të vet, do të duhej të dijë se ka mjaft shpendë që kanë zë më të bukur se zëri i tij dhe se zërat e fyellit janë më të këndshëm e më të dashur nga zëri i tij. Përse atëherë ajo lavdi dhe ai gëzim për atë në të cilën ia tejkalojnë kafshët tjera.
Ai, intelekti i të cilit është i fortë, dija e madhe dhe vepra e mirë, le t’i gëzohet kësaj! Sepse, në këtë e tejkalojnë vetëm engjëjt dhe më të mirët nga njerëzit. Fjalët e All-llahut xh.sh.: “Kurse atij që para dinjitetit të Krijuesit të vet ka pasur drojë dhe shpirtin e vet nga kënaqësitë e ka përmbajtur, Xhenneti do t’i jetë sigurisht vendqëndrim”, përmbajnë në vete të gjitha virtytet. Sepse, ta kufizosh epshin nga i cili synon shpirti dtth., ta refuzosh nga natyra e tij zemrake dhe epsharake, të cilat që të dyja bëjnë pjesë nën epshet. Së këndejmi, është e nevojshme të përdoret shpirti ashtu që ta shprehë atë që ai në të vërtetë është, e me çka dallohet njeriu nga kafshët, insektet dhe bishat tjera.
Fjalët e Pejgamberit të Zotit s.a.v.s., të drejtuara si përgjigje atij që e ka pyetur për këshillë: “Mos u zemëro!” sikur edhe kërkesa e tij shprehimore që tjetrit t’i dëshirohet ajo që i dëshirohet vetvetes, përmbajnë po ashtu të gjitha virtytet: t’i shkurtohet shpirtit, i cili posedon aftësinë e zemërimit, atë epshin e tij, deri sa kërkesa e tij që tjetrit t’i dëshirohet ajo çka i dëshirohet vetvetestjetrit dmth. në realitet: të zbutet në shpirt instinkti i tij epshor, nga njëra anë, dhe të përforcohet në të drejtësia që është qëllimi themeltar i shpirtit inorganik, nga ana tjetër.