
Pamjet e ofruara ishin lebetitëse, me të vrarë e të plagosur, me humbje e dëme të rënda të jetëve njerëzore, të natyrës e gjithçkaje që njerëzimi ka krijuar. Patëm rastin të shohim njerëz që ia mbathnin nga sytë këmbët për të shpëtuar kokën nga tmerri i bombave dhe shkrepjeve të plumbave, ku guxohet madje edhe të thuhet se ishin “të lehtë’, sikur të kishim të bënim me lojëra fëmijësh me plumbça të padëmshëm.
Patëm lexuar edhe në mënyrë të njëtrajtshme mënyrën se si shtypi italian e publikoi atentatin, duke e hedhur barrën e përgjegjësisë mbi shpinën e besimit Islam. Kështu vepruan të gjitha organet e shtypit italian, që nga “Il Manifesto”, gazetë komuniste, e deri tek “Libero”, gazetë e ekstremit të djathtë; e duke shkuar më tej te “Il Giornale”, “Il Fatto”, “La Repubblica”, “Il Corriere della sera”, “L'Unità”, “La Stampa”. Të më ndjeni nëse më ka dalë nga mendja ndonjë tjetër.
“Sociologë”, “psikologë”, “intelektualë” (vendosini vetë thonjëzat e duhura nëse vini në pikëpyetje cilësimet përkatëse) me ofiqe e hierarki nga më të ndryshmet u lëshuan në analiza të serta e njëdrejtimshe, duke filluar nga Fiamma Nirenstein te “Il Giornale”, sipas së cilës, “Rëndësi ka fakti që lufta e islamikëve kundër qytetërimit tonë, nëse do të konfirmohet edhe më tutje versioni i publikuar, po bëhet gjthnjë e më e fuqishme, mizore dhe agresive”, e duke përfunduar te profesori Renzo Guolo, që te “L’Unita” vlerësohet si një nga qëmtuesit më me sqimë të Islamit radikal, e sipas të cilit, “Ka shumë arsye që e bëjnë Norvegjinë një shënjestër në sytë e xhihadistëve” dhe bashkë me Evropën “mund të jetë shndërruar në shënjestrën e kaedistëve për shkak edhe të angazhimit të saj përkrah amerikanëve, apo në kuadër të operacioneve të NATO-s në pikat e nxehta që nga Afganistani deri në Libi”.
Një mori komentesh, analizash e hipotezash të ngritura me “në qoftë se”, të përdorura në mënyrë të tillë për ta pasur më pas më të lehtë për të përgënjeshtruar vetveten, në rastin kur hipoteza e dëshmuar me patetizëm të shfaqej si e pabazë.
Gjithçka merr shkas nga një hakmarrje e mistershme e një grupimi islamik që askush nuk ia ka haberin se kush janë, por që prej tyre furnizohen me lajme të bollshme, me gjasa të shprehura nga ndokush që ka interes të përçojë të pavërteta me qëllim që askush të mos kuptojë se si qëndron e vërteta. Por, edhe kjo bën pjesë te gjithçka e paraparë, e paralexuar dhe për t’u kundërshtuar nga ana jonë. Është një lojë e thjeshtë: dikush kryen një atentat ku ka të vrarë, të plagosur dhe rrënime ngrehinash. Në çast mbërrin në redaksitë e gazetave “hakmarrja prej një grupi islamik” të panjohur, por që prej tyre gazetat furnizohen me lajme të paverifikueshme; lajmi i ‘hakmarrjes islamike” përfundon tek të gjitha masmediat, dhe më pas ‘intelektualët” e përmendur më lart janë ata që përfundojnë lojën e nisur.
Në lojë vihet Islami, në rastin tonë, por e njëjta skemë është përdorur edhe për besime të tjera fetare që vihen në bankën e të akuzuarve, e më pas gjithçka mund të bëjë vaki, nisur nga fakti që në botë janë shumë vepruese grupime të tilla, qoftë me stampë politike e qoftë fetare, apo edhe egërsisht anti-islamike. Më të dalldisurit e ndjejnë veten si të autorizuar për t’i dalë krah rrahjeve apo përdorimit të dhunës ndaj myslimanëve te porta përkarshi, dhe kështu lufta gjen benzinën e re për të shkuar përpara.
Është mjaft domethënëse në këtë kuptim përfundimi që del në artikullin e tij Carlo Panella, një prej “intelektualëve” të thekur anti-islamikë(thonjëzat këtu janë të nevojshme) të së përditshmes “Libero”. Panella e përmbyll artikullin e tij me shprehjen, “Lufta vazhdon”. Edhe kjo bën pjesë në të paraparën, në të paralexuarën e të parakundërshtuarën nga ana jonë. Atentatet i shkojnë shumë për shtat luftënxitësve, ushtarakëve të çdo lloj devize e grade, industrive të prodhimit të armëve që qarkullojnë mijëra e miliarda financime shtetërore që ushqejnë luftërat e gëzojnë aq pushtet sa për të kushtëzuar karrierën e figurave politike, mediave, madje edhe të krerëve të objekteve të kultit. Kështu, me komentet dhe analizat e tyre “sociologët, “politologët” dhe “intelektualët” nuk bëjnë gjë tjetër veçse shndërrohen në bashkëfajtorë të luftërave, mjete në duart e atyre që nxjerrin përfitime e pasurohen në dëm të njerëzisë.
Janë kuptimplotë edhe shprehjet 'që kanë rrjedhur' nga mjediset zyrtare të ambasadës amerikane në Oslo që e përshkruanin Norvegjinë si të papërgatitur për t’i bërë ballë veprimeve terroriste(sipas dokumenteve të Wikileaks-it të publikuara vetëm disa muaj më parë). Edhe ky është një rast klasik, ku kemi të bëjmë më një deja-vu, me një zhvillim të paralexuar nga politika ndërkombëtare në këto dhjetë vitet e fundit: përzgjedh vendin me liri më të plotë, sa më pak të militarizuar, sa më pak të kapluar nga ankthi e frika ndaj të ndryshmit e të huajit, për ta goditur për vdekje me qëllim që të zgjohet e përshkallëzohet dhuna jo vetëm në rrafsh vendor, por edhe në rrafsh global.
“Tashmë partitë e ekstremit të djathtë – u shpreh pak pasi ndodhi sulmi shkrimtarja norvegjeze, Holt , në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane “La Repubblica” – do të hedhin hapa përpara në arrogancën e tyre të shprehive anti-islamike. Fakti që Norvegjia është një vend paqësor dhe me shkallë të ulët të kriminalitetit, e bën një shënjestër të lehtë për t’u sulmuar nga terroristët”. Por nuk mund të anashkalohen edhe frikësimet e përçuara nga këtu, ku e përditshmja “Libero” shprehet se “tani rrezikon edhe Italia”, ngaqë, “Nga 'Muhammed Game' në 'Times Square', për vite të tëra fondamentalistët janë përpjekur dhe do të përpiqen përsëri”. Do të kisha dëshirë t’i shihja këta “gazetarë” të thirrur në prokurori për të dëshmuar si “persona të informuar për gjithçka” kur i sheh se me sa siguri i lëshojnë fjalët nga goja, duke përçuar në masë frikë, urrejtje, vetëm e vetëm që t’u dalin në mbrojtje pronarëve të tyre.
Kundërshtia me të cilën kemi nisur këtë përsiatje lidhet si me luftën, dhunën, militarizmin dhe armët e të gjitha llojeve, ashtu edhe me llojin e gazetarisë së përshkruar deri më tani. Një gazetari që në tërësinë e saj, nga ekstremi i majtë në atë të djathtë, ka shkruar faqet më të turpshme të historisë së saj, ngaqë Islami nuk kishte kurrfarë lidhjeje me sulmet në Norvegji.
Kjo për shkak se tashmë në të gjitha faqet elektronike të të përditshmeve italiane lexojmë se autori i sulmeve në Norvegji është një “fondamentalist i krishterë”, i lidhur me partitë e ekstremit të djathtë, e për më tepër, një anti-islamik i mllefosur. Pikërisht krejt e kundërta e asaj çka së sotmi u shpreh në faqet elektronike, së djeshmi u tha si e vërteta e vetë.
Në këto rrethana, ne shprehim kundërshtinë për atë lloj gazetarie që shkruan artikuj e kronika mbështetur në lidhëzat kushtore “nëse, në qoftë se”, në vend që të bazohet në fakte të sigurta e të papërgënjeshtrueshme, madje duke u përkushtuar në kërkimet e tyre edhe atje ku autoritetet përkatëse mund t’ua mohojnë. Kundërshtojmë këtë lloj gazetarie që duke u mbështetur te “nëse”-të lartëson analiza e komente nga më të ashprat e të dhunshmet, si mjete të mirëfillta të cytjes së urrejtjes racore dhe dhunës. Shprehim kundërshtinë tonë ndaj gazetarisë që nuk respekton parimin e vërtetësisë, që mbështetet në fakte të treguara dhe që i shndërron shkrehjet mendore të dikujt në fakte a komente, në të dhëna të pabaza.
Një gazetari serioze pikësëpari duhej të vriste mendjen të kuptonte e verifikonte mbi të gjitha dinamikën e ngjarjeve. Duhej të kishte vrarë mendjen për të kuptuar se a kishte bazë logjike hipoteza e autobombës(nga pamjet e ofruara nga mediat vizive nuk shquhej gjurmë e ndonjë krateri përgjatë rrugës, që në rast autobombe, diçka e tillë është mese normale, ndërkohë që ofroheshin pamje të flakëve të zjarrit në katin e pestë të ngrehinës), duhej të kishte renditur dëmet e shkaktuara prej lëndës shpërthyese, e kështu me radhë. Ndërkohë, jemi ndeshur me leximin e një turre lajmesh të rëndomta, të pavlera, bashkë me opinionet plot mllef kundër Islamit.
Nëse gazetaria italiane do të kishte pasur qoftë edhe një grimcë serioziteti, do të duhej t’u kërkonte ndjesë dhe me germa të mëdha madje të gjithë myslimanëve italianë dhe atyre në botë për faqet e turpshme të mbushura plot me urrejtje.
Vështirë të mendohej se kjo mund të ndodhte. Sakaq, për ne të tjerët ky është një konstatim i hidhur se si dashuria për të vërtetën nuk bën pjesë në barrën morale të të gjithë atyre që ushtrojnë zanatin e gazetarit si profesionistë të mirëfilltë.
Por ka edhe të tjerë si ne që e ushtrojnë këtë zanat për hir të pasionit, e ndoshta këtu qëndron edhe arsyeja e indinjatës sonë.
Epo atëherë, na falni motra e vëllezër myslimanë, nuk do të jetë gjithmonë kështu, jemi të bindur për këtë, së paku kështu shpresojmë dhe për këtë qëllim jemi të përkushtuar.
Shqipëroi për "Start": Zamir Gjurgji