Pyetje: A pranohet agjërimi i personit që nuk fal namaz? Apo ibadetet janë të shoqëruara njëra me tjetrën dhe nuk pranohet njëra prej tyre nëse lëshohet tjetra?
Përgjigje :
Falënderimi qoftë për Allahun, ndërsa salavati, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë deri në Ditën e gjykimit.
Muslimanit i kërkohet kryerja e të gjitha ibadeteve (adhurimeve): falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit, kryerja e haxhit – vizita e Qabes kur të ketë mundësi udhëtimi.
Andaj, kush e lëshon ndonjërën prej këtyre ibadeteve pa arsye, Allahu i Madhërishëm e merr në llogari. Rreth kësaj çështjeje, dijetarët muslimanë kanë pikëpamje të ndryshme:
- disa thonë se ai person është pabesimtar nëse e lëshon cilëndo njërën prej këtyre ibadeteve;
- disa të tjerë e konsiderojnë pabesimtar personin që nuk e fal namazin dhe nuk e jep zekatin;
- ka të atillë që e konsiderojnë pabesimtar vetëm personin që nuk e fal namazin, për shkak të statusit të tij që ka në fenë e Allahut, si dhe në bazë të hadithit të Pejgamberit a.s. ku thuhet: “Robin (e Allahut, besimtarin) prej kufrit (mosbesimit) e ndanë namazi.” (Transmeton Muslimi);
- një grup e konsiderojnë pabesimtar personin që me qëllim nuk e fal namazin, andaj këta nuk mendojnë se agjërimi i tij pranohet, sepse në fakt, nga pabesimtari nuk pranohet asnjë ibadet;
- disa e konsiderojnë se ai është besimtar musliman për sa kohë beson Allahun, të Dërguarin dhe Shpalljen dhe nuk i lufton ato as nuk i vë në dyshim. Ky grup dijetarësh këtë person e cilësojnë si mëkatar ndaj urdhërave të Allahut (fasik).
Ndoshta ky mendim - Allahu e di më së miri - është më i drejtë dhe më i afërm. Prandaj, nëse e lëshon zbatimin e ndonjë ibadeti (farzi) për shkak të përtacisë apo këndjes – duke mos e mohuar as duke mos u tallur – kurse ndonjë tjetër (ibadet) e kryen, ai e ka Islamin të mangët, besimin e dobët, dhe është frikë për besimin e tij, nëse vazhdon me lëshime. Ndërkaq, Allahu askujt nuk ia humb shpërblimin e veprës së mirë. Por ai tek Allahu sipas sasisë së veprës: do të ketë shpërblim për atë që ka kryer, ndërsa do të ndëshkohet për atë që ka lëshuar.
وكل صغير وكبير مستطر. - “Dhe çdo vepër, qoftë e vogël dhe qoftë e madhe është rradhitur (evidentuar në Lehvi Mahfudh)”. (El-Kamer, 53) [2]
- "فمن يعمل مثقال ذرة خيراً يره ومن يعمل مثقال ذرة شراً يره . “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Ez-Zilzal, 7-8).
Përkthim dhe përshtatje nga gjuha arabe:
Miftar Ajdini
[1] Burimi:http://qaradawi.net/site/topics/article.asp?cu_no=2&item_no=8579&version=1&template_id=197&parent_id=196
[2] ) Përkthimi i ajeteve kur’anore është marrë nga përkthimi i h. Sherif Ahmetit, Allahu e mëshiroftë!