
Sikur dituria të mos kishte kurrfarë vlere tjetër pos respektfrikës dhe dashurisë së injorantëve, sikur edhe dashurisë dhe respektit të dijetarëve ndaj atij që posedon dije, do të ishte edhe ky shkak i mjaftueshëm që të kërkohet kjo. E që mos të flasim për virtytet e tij të tjera në këtë dhe në atë botë. Në anën tjetër, se padija nuk ka kurrfarë mangësi tjetër pos urrejtjes së injorantit dhe të ngjashmit ndaj diturisë, do të ishte edhe ky shkak i mjaftueshëm që domosdoshmërisht dhe vendosmërisht të shmanget. E çka të thuhet kur kihen parasysh edhe mangësitë e tij të tjera në këtë dhe në botën tjetër.
Sikur prej diturisë dhe preokupimit me dituri nuk do të kishte kurrfarë dobie tjetër, pos që atë që merret me të e ruan nga halucinacioni, që i largon prej tij shpresat e kota të cilat sjellin brengë sikur edhe mendimet që e ngulfasin shpirtin, do të ishte ky shkaku më i madh që të përpiqet ta arrijë. E çka të thuhet për virtytet e saj të tjera numërimi i të cilave do të zgjaste shumë gjatë dhe prej të cilave më pak e rëndësishme është ajo që e cekëm në lidhje me atë që gjurmon për dituri e të ngjashme me te.
Në vend që të preokupohen me këtë që e thamë, sunduesit e ligë kërkojnë argëtim në lojën e shahut, bixhozit, verës, këngës, vrapimeve me kuaj, gjueti dhe në argëtimet tjera, prej të cilave kanë vetëm dëm edhe në këtë edhe në atë botë.
Kur i dituri të mendojë mirë për të kaluarën e vet kur okja e tij e ka shpëtuar nga përçmimi nga ana e të paditurve kur ta grabisin pushtetin, dhe nga shqetësimet për shkak të mosnjohjes së të vërtetave sikur edhe kënaqësia që i janë zbuluar disa nga gjërat e fshehta, ai sigurisht edhe më shumë do t’i falënderonte All-llahut xh.sh. dhe do t’i kënaqej diturisë që e ka, duke synuar që atë edhe më tej ta thellojë.
Ai që merret me dituritë më të ulëta duke i lënë ato më të lartat, me të cilat po ashtu është kompetent të merret, është sikur ai që mbjell misër në tokën ku rritet mirrë drithi, ose sikur ai që i mbjell kumbullat në visin ku lulëzojnë palmat dhe fiku.
Përhapja e dijes në mesin e atyre që nuk janë të denjë, sjell vetëm dëm. Kjo është sikur t’i jepet mjalti dhe embëlsirat atij që ka temperaturë, apo sikur t’i jepet të marrë erë të myshkut atij që ndien kokëdhembje nga kollja e vrerit.
Ai që është dorështrënguar në dije është më i keq se ai që është dorështrënguar në pasuri, sepse koprraci në pasuri është i kujdesshëm që mos të shkatërrohet ajo që e ka arritur, kurse koprraci në dije është dorështrënguar për atë që nuk shkatërrohet nëse ndahet, e as që e humbë nëse i dëftohet tjetrit.
Ai që ka prirje ndaj ndonjë dijeje, qoftë ajo të jetë edhe më e ulët ndonjë dije tjetër, mos të preokupohet me asnj nga ë tjetër, sepse në atë rast do të ishte sikur ai që mbjell arra kokosi në Endelus ose ullinj në Indi, kurse ato atje nuk kanë sukses.
Dituritë më të larta janë ato që të ofrojnë te Zotëriu dhe Krijuesi i Lartë dhe të cilat të ndihmojnë që ta fitosh kënaqësinë e Tij.
Krahasoje pasurinë dhe shëndetin tënd me atë i cili me këtë është pas teje, kurse krahasoje besimin, dijen dhe virtytet tua me atë i cili në to është para teje.
Dituritë misterioze janë sikur helmi i fortë; ai i sjell dobi trupit të fuqishëm e të fortë, kurse e shkatërron trupin e dobësuar. Dijet aq misterioze e rrisin cilësinë e vetëm asaj mendjeje që është e fuqishme duke e pastruar nga mangësitë, derisa njëkohësisht e shkatërrojnë atë, mendja e të cilit është e dobët.
Ka njerëz që futen në marrëzi me aq zell që sikur të futeshin me aq zell në atë që është e arsyeshme, do të ishin më të mençur se Hasan Basriu, Platoni nga Athina dhe Buzerxhumhuri nga Persia.
Arsyeja është e padobishme nëse nuk është e mbështetur qoftë me fe ose fat në këtë botë, kurse dija pushon te mosnjohja e cilësive të All-llahut xh.sh.
Nuk ka fatkeqësi më të madhe për dijen dhe protagonistët e saj nga ata, që merren me të, kurse nuk janë të denjë, sepse ata nuk dinë, kurse mendojnë se dinë dhe e prishin rendin, ndërkaq mendojnë se po e vendosin.
Kush dëshiron të mirën e asaj bote dhe urtësinë e kësaj, mirësjellje korrekte, moral të mirëfilltë dhe të gjitha virtytet, le të marrë shembull Të Dërguarin e All-llahut, Muhammedin s.a.v.s., le t’i marrë vetes për shembull moralin e tij, mirësjelljen e tij dhe rrugën e tij jetësore sedo që të mundet më shumë. Edhe neve na ndihmoftë All-llahu xh.sh. që të shkojmë pas tij dhe të mirave të tij! (Amin!).
Injorantët dy herë më kanë zemëruar në jetë: për herë të parë duke folur për atë që nuk e kanë ditur, e derisa unë kam qenë injorant, dhe herën tjetër kur janë strukur nga të folurit në praninë time, sepse ata gjithnjë heshtin ku do të ishte më e dobishme të flasin, kurse flasin kur do të ishte më mirë të heshtin.
Të diturit dy herë më kanë gëzuar në jetë: një herë kur më kanë mësuar kur nuk kam ditur dhe herën tjetër duke më dëftuar, kur kam filluar të njoh, rëndësinë e dijes dhe ibadetit në këtë botë. Sepse këto të dyja All-llahu xh.sh. u dhuron vetëm atyre që janë të denjë dhe i meritojnë me të drejtë. Mangësia e kësaj bote përbëhet edhe në atë që pasuria dhe zëri i bukur më së shpeshti gjenden tek ata që nuk janë të denjë për to e as që i meritojnë. Kush gjurmon pas vlerave do të shoqërohet vetëm me ata të cilët ato i stolisin. Në atë rrugë do të jetë bashkudhëtar vetëm i atij që ka natyrë më fisnike, pastaj të i shkëlqyeshmëve, mirëbërësve, vërtetdashurve, atyre me prejardhje fisnike, të durueshmëve, të besueshmëve dhe besnikëve, të butëve dhe atyre me ndërgjegje të pastër dhe dashuri të sinqertë. E ai që kërkon autoritet, pasuri dhe kënaqësi do të shoqërohet me ata që në këtë u ngjasojnë qenve ose dhelprave. Në atë rrugë ai do të jetë bashkudhëtar i çdo armiku të fesë së vërtetë e të çorodituri. Dobia prej dijes në aplikim është virtyt i madh, kurse përbëhet në atë që me anë të saj mund të dallohen virtytet nga veset, prandaj të parat të pranohen qoftë kjo edhe rrallë të jetë, kurse të tjerave po ashtu t’u shmangemi. Pastaj të dëgjojë lavdatë të bukur dhe të synojë për të, po ashtu edhe gjykimin (për shkak të të metave) dhe që t’u shmanget.
Në themel të këtyre premisave medoemos del se dija ka pjesëmarrje në çdo virtyt, kurse padituria në çdo të keqe. Së këndejmi virtyte nuk mund të posedojë askush derisa nuk i mëson, pos atij natyra e të cilit është si kristali i pastër dhe i cili ka orientim të mirë. Kurse kjo, përsëri, është shkalla e pejgamberëve s.a.v.s., sepse ata All-llahu xh.sh. i ka mësuar në çdo të mirë, pa nevojë që këtë të mirë ta mësojnë nga njerëzit.