Kryqi i Breivikut

Megjithatë, nuk mund të mbetemi indiferentë ndaj disa rrethanave të këtij krimi terrorist, të cilat lidhen drejtpërdrejt sa me raportet midis europiano-perëndimorëve dhe imigrantëve, aq edhe me marrëdhëniet midis Krishterimit si fe dhe fanatizmit paranoid të Breivik-ut vetë.

Myslimanët shqiptarë, të cilët kanë vite që e vuajnë stigmën e përkatësisë në të njëjtën bashkësi fetare me Bin Ladenin dhe terroristët e tjerë “islamikë” që i kanë shkaktuar kaq kokëçarje dhe kriza Perëndimit, reaguan me të drejtë, duke vënë në dukje pasojat e rënda të histerisë anti-myslimane, që ushqehet nga disa qarqe të caktuara mediatike në Europë, në ShBA dhe në Shqipëri.

Ky reagim kuptohet edhe më mirë përballë pretendimit, të ofruar nga shumë anë, se Breivik-u nuk është i krishterë i mirëfilltë, por diçka tjetër – antimysliman, i çmendur, mason, sionist, nacionalist, anti-imigrant, etj.; meqë etika e krishterë e përjashton, me përkufizim, terrorizmin dhe vrasjen e të pafajshmëve.

Në ShBA, Andrew Sullivan, një nga opinion makers më autoritarë, iu kthye në këtë kontekst një dallimi të tij të dikurshëm midis Krishterimit dhe Kristianizmit, duke e përkufizuar këtë të dytin si një doktrinë për të kontrolluar politikisht të tjerët. Sullivan bën të njëjtin dallim edhe mes Islamit dhe Islamizmit, duke përftuar kështu një simetri intelektualisht të admirueshme. Sipas tij, edhe Kristianizmi, edhe Islamizmi nuk burojnë nga ndonjë besim fetar i mirëfilltë, por nga neuroza e shkaktuar prej mungesës së këtij besimi.

Të tjerë analistë kanë vënë në dukje marrëdhëniet mes ideologjisë kaotike të Breivik-ut dhe dominionizmit, të përkufizuar si prirja e disa qarqeve të krishtera politikisht aktive për të siguruar ndikim dhe kontroll mbi qeveritë shekullare nëpërmjet veprimit politik. I përkufizuar kështu, dominionizmi është krejt i ngjashëm me Kristianizmin e Sullivan-it.

Taktika e të krishterëve, përballë ngjarjeve të Norvegjisë, është e vetëkuptueshme: distancim nga akti i Breivik-ut jo vetëm duke e dënuar, por edhe duke e cilësuar, në thelb, si “jo të krishterë”. Megjithatë, kur e dëgjon këtë argument nga po ato autoritete të cilat, dje, nuk ngurronin të vinin shenjën e barazimit mes terrorizmit të Al Qaeda-s dhe Islamit, vështirë të mos rrudhësh buzët.

Alex Pareene, në salon.com, e shpjegon qartë pse Breivik-u dhe motivet e tij nuk mund të ndahen prej Krishterimit si fe dhe si mënyrë e të kuptimit të sendeve dhe si doktrinë e frymëzimit për veprim. Më e arsyeshme do të ishte që krishterimi i këtij nordiku të interpretohej si përçudnim i asaj feje me të cilën identifikohen sot shumica e besimtarëve në Krisht.

Lidhjet e ndërsjellta të fesë me politikën, aq më tepër kur ndërlikohen edhe me akte të mirëfillta terrori ndaj të pafajshmëve, janë tepër të koklavitura për t’u ftilluar në mënyrë racionale. Dihet se terroristi tipik nxitet për të vepruar nga ndonjë frymëzim “hyjnor” – që mund të ketë natyrë fetare, sikurse mund të ketë natyrë ideologjike (p.sh. marksizëm-leninizmi, ose trockizmi për terroristët e majtë; ose nazizmi dhe nacionalizmi për të djathtët).

Breivik-u e shihte veten si kryqtar, misioni i të cilit ishte të luftonte, qoftë edhe duke u sakrifikuar, për të mbrojtur Europën e Krishterë nga rreziku mysliman. Nuk është aspak i rastit admirimi i tij për Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, të cilin ai e përmend si “kryqtar” në manifestin e vet; duke e parë Kryezotin e Arbrit njëlloj si disa ideologë të sotëm të krishterimit shqiptar.

Në të vërtetë, megjithëse Shqipëria nuk i përjeton problemet dhe kontekstet në të cilat është përftuar Breivik-u, figura e terroristit norvegjez do të zërë vend pa dyshim të qëndrueshëm në debatet mes myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë nga njëra anë, laikëve dhe fetarëve shqiptarë nga ana tjetër; veçanërisht në lidhje me statusin e shqiptarëve myslimanë në Europë.

E djathta e krishterë në Shqipëri, së bashku me disa personazhe folklorike, herë haptazi e herë dinakërisht, prej kohësh e kanë bërë të vetën tezën se myslimanët shqiptarë përbëjnë një aksident historik dhe një pengesë për “europianizimin” e shqiptarëve, jo vetëm duke u identifikuar me atë rrymë konservatore të mendimit europian që e sheh Krishterimin si themel të Europës së Bashkuar sot; por edhe duke e paraqitur këtë tezë si të vërtetë të amshuar.

Mirëpo disa tipare thelbësore të kësaj Europe të sotme, tek e cila i kemi shpresat, nuk kanë shumë të bëjnë me Krishterimin: demokracia, republikanizmi, pluralizmi, toleranca, hedonizmi, progresi teknologjik dhe material, barazia mes gjinive janë vetëm disa prej këtyre tipareve; pa përmendur multikulturalizmin, aq të urryer prej Breivik-ut.

Tek e fundit, edhe bufi e di se shqiptarët do t’i bashkohen, kur t’i bashkohen, Europës shekullare dhe laike, jo Europës së krishterë.

Prandaj shoqëria civile në Shqipëri duket sikur e humbi, edhe këtë herë, mundësinë për të hapur një debat rreth rolit të feve në modernizimin e kombit dhe në ndërtimin e konsolidimin e institucioneve, pikërisht kur masakra terroriste në Norvegji i dëshmoi, botës mbarë, se fanatizmi fetar nuk është prerogativë e ndonjë kulture ose feje të caktuar; por i ka rrënjët në natyrën në thelb ekskluzive madje totalitare të çdo feje monoteiste.

Nga ky këndvështrim, Krishterimi nuk ka ndonjë imunitet ndaj Kristianizmit (dominionist), sikurse nuk ka pasur Islami ndaj Islamizmit; dhe zgjidhja do kërkuar jo në homologime dhe konvertime, por në krijimin e një hapësire publike shekullare të shëndoshë për institucionet republikane.

Çfarë i ka dhënë Krishterimit epërsi në shekuj, nuk ka qenë vetëm aftësia për të evoluar në pajtim me kohët dhe për të mësuar prej gabimeve; por edhe vendi që ka ditur t’u hapë këtyre institucioneve shekullare, veçanërisht në Europën Perëndimore. Me fjalë të tjera, kemi të drejtë të shpresojmë se, edhe ndaj përçudnimit të kryqtarit Breivik dhe urrejtjes së tij genocidale ndaj Tjetrit, të krishterët do të arrijnë të reflektojnë ndaj kësaj katastrofe brenda kontekstit të ri europian, të përftuar pikërisht prej saj.

Lejla Selaci akoma e zhdukur në masakrën e Norvegjisë

Lejla Selaci akoma e zhdukur në masakrën e Norvegjisë

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme