
Kur brengat grumbullohen çdo gjë bëhet e parëndësishme. I pabesi e kryen atë çka i kufizohet, kurse besniku është mashtruar nëse diçka i kufizohet.
Mirëfillësisht është i lumtur në këtë botë ai të cilin koha nuk e ka detyruar t’i sprovojë miqtë e vet. Mos mendo për atë që të shqetëson, sepse nëse ti përparon, ai shkatërrohet dhe atëherë vetë fati yt të mjafton. E nëse humb, atëherë edhe ashtu çdo gjë të shqetëson.
Qoftë i bekuar ai që mangësitë vetjake i ka mësuar më mirë se që të tjerët ia kanë mësuar.
Durimi i vrazhdësisë ndahet në tri lloje:
- durimi i atij që ka pushtet mbi ty, kurse ti nuk ke pushtet mbi të;
- durimi i atij mbi të cilin ti ke pushtet, kurse ai nuk ka kurrfarë pushteti mbi ty, dhe;
- durimi i atij mbi të cilin ti nuk ke kurrfarë pushteti e as që ai ka pushtet mbi ty.
Në rastin e parë, fjala është për nënçmimin dhe përçmimin dhe kjo nuk bën pjesë në virtyt. Është korrekte të bëhet e të lëshohet çdo gjë prej çka frikësohet dhe çka nuk mund të durohet.
Në rastin e dytë, fjala është për virtytin dhe bamirësinë; kjo në të vërtetë është butësi që bën pjesë në virtyte dhe i stolisë vetëm të shkëlqyeshmit.
Durimi në rastin e tretë ndahet më dysh:
- durimi i vrazhdësisë që është rezultat i gabimit dhe kur bërësi është i vetëdijshëm për shëmtinë e saj dhe sinqerisht pendohet për këtë. Në këtë rast është më mirë të durohet, për më tepër është detyrë. Në realitet edhe këtu është fjala për butësinë, dhe
- durimi i vrazhdësisë së atij që mjaft nuk e njeh veten dhe mendon se kjo është e drejtë e tij dhe për këtë nuk pendohet për atë çka ka bërë ose bën. Është përulje të durohet kjo e para për atë që këtë e duron, kurse shkatërrim për atë për çka durohet. Sepse ai me këtë rritet. Kurse do të ishte marrëzi për këtë të kundërshtohet. E vetmja që është e drejtë është t’i bëhet me dije bërësit të kësaj se ka mundur me sukses t’i kundërvihet, por se kësaj nuk i është lëshuar vetëm nga shkaku se është konsideruar tepër shumë e ulët, dhe asgjë më tepër. Përgjigjja e të thjeshtit do të ishte që t’i rreket hakmarrjes dhe ndëshkimit përkatës. Kush ulet në shoqëri me të tjerët nuk mund ta kapërcejë as brenga që ia djeg zemrën, për çka do të pendohet në botën tjetër. Ai nuk mund t’i shmanget as zemërimit që ia brenë mëlqinë, e as nënçmimin që me të madhe ia ndërron synimin themelor. E çka të thuhet për atë që me ta shoqërohet gjithherë sikur është njëri prej tyre. Dinjiteti, rehatia, gëzimi dhe shpëtimi janë në izolim prej botës. Vepro në këtë me ta sikur me zjarrin: ngrohu me të, por mos hyjë në të.
Mos përul asgjë nga puna e nesërme, kurse do të lehtësohesh nëse e punon sot. Sepse prej punëve të vogla grumbullohen punët e mëdha, që atëherë i ikin kontrollit dhe në fund çdo gjë shkatërrohet. Dhe mos përul asgjë me çka do të dëshiroje ta bëshë të rëndë peshojën tënde në Ditën e ringjalljes, kurse këtë do ta arrish nëse punën e bënë menjëherë. E nëse kjo do të ishte edhe e vogël, do të largojë nga ti mjaft nga ajo që, nëse do të të grumbullohej, do të mund të të shpie në Xhehennem.
Dhembjen, varfërinë, fatkeqësinë dhe frikën mund t’i ndiejë vetëm ai që i ka shijuar në jetë, e kurrsesi ai që këto nga jashtë i ka kundruar. Shëmtinë e mendimit të gabuar, turpit dhe mëkatit e kundron vetëm ai që i ka vërejtur nga jashtë, e assesi ai që gjendet në to. Begatinë e sigurisë, shëndetit dhe pasurisë e ka njohur vetëm ai që në to shikon nga anash e assesi ai që këtë begati e shfrytëzon. Vlerën e mendimit të drejtë, të virtyteve dhe punës për atë botë mirëfilli e njeh vetëm ai, veti të të cilit janë këto, assesi ai cilësi të të cilit këto nuk janë. Mashtruesit i pari do të fillojë t’i shmanget ai, për të cilin ai e ka bërë mashtrimin. Ndaj dëshmitarit që rrejshëm ka dëshmuar i pari do të ndiej neveri ai për hir të të cilit rrejshëm ka dëshmuar. Prostitutja do të bie poshtë së pari në sytë e atij që me të do të bëjë adulteri.
Nuk kemi parë se çfarëdo qoftë që njëherë është rregulluar është kthyer në gjendjen zanafillore, pos me përpjekje të mëdha (!), e lëre më që ky të jetë rast me trurin të cilin e shkatërron dehja çdo natë. Arsyeja që njeriut ia paraqet të bukur atë që e shkatërron çdo natë, duhet të jetë objekt dyshimi.
I arsyeshmi mund të jetë i pafatshëm me të përsiaturit e vet, kurse është e pamundur që imami të jetë i falshëm në përsiatjet e veta. Nuk ka asgjë më të dëmshme për sunduesin se sa shumësi i të papunëve që xhirojnë përreth tij. Sunduesi i cili është i mençur dhe inteligjent, do t’i argëtojë me atë me çka nuk do t’u bëjë padrejtësi. Nëse nuk e bënë këtë, ata do ta argëtojnë atë me çka do t’i bëjnë dhunë, sepse afërsia e armiqve të tij për të është shkatërruese.
Teprimi në nevojën e një mënyre të caktuar të të veshurit, mrroljes dhe seriozitetit janë vetëm pengesa të cilave kjo botë ua ka forcuar pozicionet. Mbështetu në besimtarin edhe mos qoftë ai nga feja jote, e assesi mos u mbështet në njeriun mendjelehtë edhe nëse paraqitet se është prej ithtarëve të fesë tënde. Kush me përçmim sillet ndaj ndalesave të All-llahut xh.sh., mos i beso asgjë për çka të ka folur.
Jam bindur se ka më shumë asosh që bashkohen me shpirtrat e tyre se asosh që bashkohen me pasuritë e tyre. Shkaku i kësaj qëndron në vetë natyrën njerëzore. Shpirti synon të jetë në afërsi të të ngjashmes me veten, derisa trupi ndien barrë në afërsi të të ngjashmes me veten. Dëshmi për këtë është ajo që njeriu nxiton ta varrosë trupin e mikut të vet kur të vdesë derisa njëkohësisht ankon për shkak të ndarjes nga shpirti i tij, qoftë trupi ende të ketë qenë para tij.
Nuk kam gjetur se çkado është joshëse për njeriun që të bie në kurthë prej këtyre dy thënieve të Iblisit, që i ka vënë në gjuhën e ithtarëve të vet.
E para, të kërkojë arsyetim për atë që e ka bërë ndonjë të keqe, me arsyetim se këtë të njëjtën dikush para tij e ka punuar.
E dyta, lehtë të kalohet mbi të keqen që dikush e ka bërë sot sepse këtë e ka bërë edhe dje.
Të ndahet nga pasuria ajo pjesë që me fe është e caktuar, është obligim. Kurse të ndahet teprica mbi mjetet e nevojshme për jetesë është dëshmi e bujarisë. Altruizmi në ndarjen e ushqimit pa të cilin ka mundur të mbijetohet është virtyt.
Pengimi i ndarjes së asaj që me fe është e caktuar është haram. Kurse të pengohet teprica e ushqimit të tjerëve është shenjë e koprracisë dhe dorështrëngimit. E pengimi i asaj që nuk është detyrë të ndahet dhe pa të cilën do të mund të jetohet, është shenjë e lakmisë.
T’i pengohet vetes ose familjes ushqimi ose pjesa e tij është shenjë e koprracisë, të keqes dhe mëkatit.
Bujaria në atë në çka ke qenë i padrejtë ose pa të drejtë e ke përvetësuar paraqet bërje të sërishme të dhunës. Për këtë pason qortimi e jo mirënjohja, sepse ti në realitet po ndanë pasurinë e tjetrit e jo pasurinë.
Dhënia të drejtë të tjerëve që ligjësisht u takon nuk bën pjesë në bujari, sepse kjo është detyrë.
Trimëri është flijimi për fe ose familjen ose fqiun e persekutuar, pastaj për punëtorin e privuar nga të drejtat, mbrojtjen e drejtë të pasurisë, nderit dhe të drejtave të tjera, barabar ka të bëjë me disa ose me shumësinë e kriminelëve, sepse durimi i dhunës në këtë që e përmendëm është dëshmi e poshtërsisë dhe dobësisë.
Shpenzimi i shpirtit për ndonjë prej të mirave të kësaj bote është mendjelehtësi dhe marrëzi. Edhe më i marrë është ai që shpirtin e vet e shpenzon në kontestimin e të drejtave dhe detyrave që të takojnë ty ose të tjerëve. Kurse më të marrë se të gjithë të përmendurit janë ata që kam pasur rast t’i njoftoj, e të cilët nuk dinë në çka veten po e shpenzojnë, ashtu që një herë po luftojnë për Amrin kundër Zejdit, kurse herën tjetër për Zejdin kundër Amrit, nganjëherë në ditën e njëjtë, duke iu ekspozuar kështu shkatërrimeve vetjake dhe atë pa kurrfarë kuptimi. Të tillët në fund mbarojnë në Xhehennem ose në ndonjë turp. Në të tillët ka tërhequr vërejtjen Pejgamberi i Zotit, s.a.v.s., kur ka thënë: “Do të vijë koha kur ai që mbyt nuk do të dijë në emër të çkafit e bënë këtë, as që i vdekuri do të dijë në emër të çkafit ka vdekur”.
Nder është ta ulësh shikimin tënd, kurse të gjitha gjymtyrët tjera t’i ruash nga trupi që të është ndaluar (haram). Çdo gjë tjetër është adulteri (zina)..Drejtësi është ta jepë atë që je i obliguar, kurse ta merrë atë që të takon.
Padrejtësi është ta marrësh të drejtën tënde, e tjetrit t’ia pengosh të drejtën e tij.
Bujari është që vullnetarisht ta ndash atë që të takon, e të kalosh mbi të drejtën tënde që tjetri e ka përvetësuar, kurse ke mundësi që ta kthesh.
Virtyti është koncept më i përgjithshëm, kurse dorëshlirësia më i ngushtë. Kështu butësia është virtyt e jo dorëshlirësi. Virtyti është detyra kur i bashkangjitet vullneti.
Një çast i negligjencës e shkatërron ushtrimin që ka zgjatur tërë vitin. Gabimi i individit në vlerësimin e gjërave është më imirë prej qëndrimit të drejtë të bashkësisë jounike, sepse gabimi i individit mund të përmirësohet, kurse qëndrimi i drejtë i bashkësisë së ndarë ndihmon ruajtjen e gjendjes së tillë, kurse në këtë qëndron shkatërrimi.
Disa pohojnë se mendimi i keq absolutisht është turp, por nuk është ashtu. I tillë është vetëm në rastin kur përkatësin e shpie në atë çka feja nuk e lejon ose është e shëmtuar nga pikëpamja e të drejtës së rëndomtë. Në të kundërtën, kjo është vendosmëri, kurse vendosmëria është virtyt. Dikush dikë e ka qortuar për shkak të shkatërrimit të pasurisë dhe ky i ka thënë: “Unë nga pasuria shkapërderdhi vetëm atë pjesë, ruajtja e të cilës do ta dëmtonte fenë time, moralin tim ose shpirtin tim. Unë konsideroj se ruajtja e këtyre tre elementeve qoftë edhe pak më e lartë si zëvendësim për atë çka është shkatërruar nga pasuria, qoftë ajo të jetë sa Dielli, mund të shkëlqejë”. Begatia më e mirë e All-llahut xh.sh. që ia ka dhuruar njeriut është që në natyrën e tij ka mbjellë drejtësinë dhe dashurinë ndaj saj dhe të vërtetën dhe vlerësimin e saj mbi çdo gjë tjetër.
Në mangësinë e dashurisë ndaj dhikrit bën pjesë që njeriu përkatës t’i shkatërrojë veprat e veta, nëse e ka pasur për qëllim që sipas dhikrit të dëgjohet. Gati që ky është aspekt i shirkut (politeizmit), sepse nuk është i sinqertë në emër të All-llahut xh.sh. Kjo mangësi i fshinë virtytet tjera sepse njeriu përkatës nuk bën mirë nga dashuria ndaj të mirës por që me këtë të bëhet i ndëgjuar.
Më së shumti të ka qortuar ai që të ka lavdëruar për atë që nuk e ke në vete, sepse me këtë ka dëftuar në mungesën tënde. E më së shumti të ka lavdëruar ai që të ka qortuar për shkak të asaj që ti nuk e ke në vete, sepse me këtë ka dëftuar në virtytin tënd. Ai me këtë i është hakmarrë vetvetes sepse, në realitet, ka dëshiruar ta mohojë dhe kontestojë virtytin tënd, që në fund vetë e ka publikuar.
Kur ai me të meta do të ishte i vetëdijshëm për të metat e veta, do të ishte i përkryer (pa të metë). Kurse asnjë krijesë nuk është pa të metë. Për këtë, është i lumtur ai të metat e të cilit janë të vogla ose të fshehta.
Më së shpeshti ndodh ajo çka ti nuk e mendon. Së këndejmi është shenjë e arsyeshmërisë të përgatitesh për atë çka pritet. Qoftë i lartësuar Ai që ashtu i ka rregulluar gjërat që t’i dëftojë njeriut pafuqinë e vet dhe nevojën e përhershme për Krijuesin e tij - All-llahun xh.sh.