Njerëzit kanë vlerësuar se dashuritë janë të ndryshme varësisht nga ndryeshueshmëria e qëllimeve të saj, kurse qëllimet janë të ndryshme varësisht nga ndryshueshmëria e dëshirave, fuqisë dhe shpërthimit të tyre. Kështu ekziston dashuria ndaj All-llahut xh.sh. dhe në emër të Tij, pastaj që të sendërtohen disa nevoja, pastaj dashuria ndaj prindit, fëmijës, të afërmit, mikut, sunduesit, bashkëshortes, përkatësisht bashkëshortit dhe personit tjetër. Të gjitha këto dashuri janë të një gjinie, vetëm se, siç cekëm, llojet e dashurisë dallojnë varësisht nga shkalla e dëshirës që ato të arrihen. Andaj edhe aspektet e dashurisë janë të ndryshme. Shohim se dikush vdes nga pikëllimi për fëmijën, ashtu siç vdes i dashuruari nga pikëllimi për personin e dashur. Po ashtu kemi dëgjuar se dikush ka rënkuar duke u frikësuar nga All-llahu xh.sh. ose nga dashuria ndaj Tij dhe në fund ka vdekur nga kjo.
Do të takosh që dikush është xheloz në sunduesin dhe mikun e vet siç është xheloz në gruan e vet dhe sikur që është xheloze e dashuruara në personin e dashur.
Më e vogël është dashuria ndaj atij që e dashuron orvatja që të arrihet simpatia e tij, autoriteti dhe që sa më shumë t’i afrohet. Kjo është dëshira kulmuese e atyre që e duan All-llahun xh.sh. Pastaj kjo u shndërrua në dëshirë për shoqërim, kuvendim dhe në fund në afrim të ndihmës të dashurit. Të tilla janë dëshirat e njeriut ndaj sunduesit, mikut dhe të afërmit të vet. Kurse dëshira skajore e atij që ndjen dashuri ndaj të dashurit qëndron në kontaktin fizik të organeve trupore kurdo që kjo dëshirohet. Për këtë shohim që burri i cili tepër e dashuron gruan e vet, lakmon që me të të ketë marrëdhënie në mënyra të ndryshme dhe në vende të ndryshme, në mënyrë që bashkimi të jetë sa më i shpeshtë. Në këtë bëjnë pjesë edhe prekja trupore dhe dashuria (puthja). Një pjesë e kësaj ka mundësi të shtrihet në prindin dhe fëmijën, kur shndërrohet në puthje dhe përqafim të tyre.
Tërë kjo që kemi cekur varet nga shkalla e dëshirës. E kur dashuria për diçka kalon për arsye të ndonjë shkaku, shpirti menjëherë tërheq atje ku dëshira tërheq. Kështu kemi rastin që ai që e pranon ru’jetin (të pamurit e All-llahut xh.sh. me sy në atë botë) vazhdimisht ngazëllehet me atë dhe gjithnjë synon drejt saj, duke mos u kënaqur kurrë me shkallën që e ka arritur. Ndërkaq shpirti i atij që e mohon ru’jetin kurrë nuk ngazëllehet për të, përkatësisht fare nuk e dëshiron sepse dëshira për të nuk e tërheq. Ai kënaqet me atë që ta arrijë kënaqësinë e All-llahut xh.sh. dhe qëndrimin në Shtëpinë e nderimeve dhe asgjë më shumë, sepse as shpirti i tij nuk lakmon për asgjë më tepër.
Nga e gjithë kjo që u tha është krejtësisht e qartë se dashuria është e një gjinie, por llojet e saj dallojnë varësisht ndryeshueshmërisë së qëllimeve të tyre. Me fjalë të tjera, natyra njerëzore është një; në të lënë gjurmë të dukshme traditat dhe bindja fetare. Ne nuk pohojmë që vetëm lakmia ndikon në të, por pohojmë se pikërisht dëshira është shkak i çdo brenge madje edhe asaj që është e lidhur me pasurinë dhe situatat tjera jetësore. Kështu dikujt i vdes fqiu, daja, miku, djali i tezës (hallës), burri i tezës ose hallës, djali i vëllait sipas nënës, gjyshi sipas nënës dhe djali i vajzës së tij, e nëse nuk ka dëshirë për pasurinë e tij, fare nuk brengoset që ajo pasuri shkon në duar të huaja, sado që të jetë e vlefshme dhe e madhe. Por nëse i vdes dikush nga shoqëria ose shërbëtorët qoftë edhe i largët, kurse ai ka dëshirë për pasurinë e tij, fort do të brengoset, pikëllohet, zemërohet e mendohet qoftë edhe nëse pjesa më e vogël i shkon dikujt tjetër. Kështu është kjo në situatat e cekura jetësore. Po ashtu dikush nga shtresa e ulët shoqërore fare nuk do të brengoset se kujt do t’i takojë sundimi në vendin e tij, as kë sunduesi përkatës do t’ia afrojë vetes, ose do ta largojë prej vete. Mirëpo, nëse tek ai për këtë shfaqet dëshira, menjëherë do të shfaqet shqetësimi, mendimi dhe zemërimi të cilat mbase në fund do ta shkatërrojnë e zhdukin edhe në këtë edhe në atë botë. Prandaj lakmia është bazë e çdo përuljeje dhe çdo brenge; ajo është ves i shëmtuar dhe i përbuzur. Përballë saj qëndron ndershmëria që bën pjesë në vetitë e bukura, kurse përbëhet prej guximit, dorëshlirësisë, drejtësisë dhe të kuptuarit të drejtë... Ndershmëria përbëhet nga vetitë e cekura përballë të cilave qëndron lakmia. Ajo përbëhet nga vetitë që janë të kundërta me vetitë e theksuara të ndershmërisë, kurse vetitë e saj janë: poltronizmi, koprracia, padrejtësia dhe padija. Dëshira është lakmia e shprehur. Sikur të mos ekzistonte dëshira, kurrë askush askujt nuk do t’i përulej. Ebu Bekr ibn Ebi el-Fejadi më ka thënë se Osman ibu Mehasini në dyert e shtëpisë së vet në Eci (Spanjë) i ka shkruar këto fjalë: “Osman, mos lakmo!”
Kush është sprovuar me afërsinë e atij që e urrenë është i ngjashëm me atë që është sprovuar me largësinë e atij që dashuron; ndërmjet tyre nuk ka dallim. Kur për hare thërret ai që dashuron, thirrja e tij është e sigurt dhe lutjes i përgjigjen. Bëhu i kënaqur me atë që është te ti, do të jetë i kënaqur me ty ai që është te ti.
I lumtur në dashuri është ai që sprovohet me atë me çka ka mundësi ta zotërojë dhe kur me mbajtjen e asaj lidhjeje nuk gabon as para All-llahut xh.sh. e as që njerëzit për këtë e qortojnë. Vlefshmëria e kësaj është që të dy pajtohen në dashuri. Dashuria është çlirim nëse të dy janë larg nga çdo bezdisje, sepse bezdisja është veti e keqe dhe e urrejtur. Kurse kanë arritur përsosuri në dashuri në ditët i lënë ata në qetësi derisa njëri për tjetrin të jenë të dobishëm. Mirëpo, kjo vetëm në Xhennet mund të arrihet. Garancia e fortë e dashurisë mund të gjendet vetëm në Xhennet, sepse ai është Shtëpia e amshimit. Sikur e gjithë kjo të mund të arrihej qysh në këtë botë, njeriu nuk do të mund të sigurohej nga fatkeqësitë dhe do ta kalonte jetën kot, kurse dëfrimin nuk do ta plotësonte.
Kur të shtohet xhelozia, bëhu i bindur se edhe dashuria është shtuar. Xhelozia është cilësi e mirë që përbëhet nga guximi dhe drejtësia. Sepse vetëm i drejti strikt kujdeset që tjetrit shenjtërinë mos t’ia cenojë që të tjerët mos t’ia cenojnë shenjtërinë e tij. Cilësi e kujt të jetë guximi, cilësi e tij është edhe dinjiteti. Kurse nga dinjiteti buron urrejtja ndaj padrejtësisë. Njëri nga ata me të cilët gjatë kohë jam shoqëruar, më ka thënë se fare nuk ka qenë xheloz derisa nuk e ka shijuar dashurinë. Vetëm atëhetë është bërë xheloz. Ai përndryshe ka pasur natyrë të prishur e të keqe, por po ashtu ka qenë prej atyre që të kuptuarit e drejtë dhe bujaria e madhe i kanë stolisur.
Dije se dashuria ka pesë shkallë:
- miratimi - e kjo është kur ai që shikon ia paraqet vetes të bukur figurën dhe moralin e atij që e shikon. Kjo hyn në fushën e miqësisë reciproke;
- pëlqimi - kurse kjo është që ai që shikon synon nga ai të cilin e shikon dhe për afërsinë e tij;
- miqësia - e kjo është ndjenja e shkretërimit kur i tilli mungon;
- dashuria - e kjo është preokupimi i plotë me personin e dashuruar. Ky lloj i dashurisë quhet në poezinë erotike ishk (dashuria epshore); dhe
- dehja dashurore - e kjo është ajo gjendje kur për shkak të dashurisë nuk flihet, nuk hahet e nuk pihet, kur e gjithë kjo bëhet në minimum. Nganjëherë kjo dashuri shkakton sëmundje apo holucinacion apo madje shpie në vdekje. Kjo është shkalla e kulmuese e dashurisë pas së cilës nuk ka më asnjë tjetër.
* * *
Më parë kemi menduar se dashuria më së shpeshti paraqitet ndaj femrave që janë të lëvizshme e të rrepta, por jemi bindur në të kundërtën e kësaj, se dashuria më së shpeshti paraqitet ndaj femrave me lëvizje të ngadalshme, vetëm nëse kjo nuk është ndonjë kokëtrashësi.
* * *
Jam lutur që të them diç për llojet e pamjes së bukur, të cilën gjë, ja, po e bëj tash:
Këndshmëria është bukuria e vetive lëvduese, gracioziteti i lëvizjeve, lehtësia e gjesteve dhe që shpirti t’i miratojë shenjat e pamjes qoftë edhe nëse nuk ka pasur veti të jashtme.
Plotshmëria është bukuria e çdo vetie dhe mprehtësia e saj, kurse ka pasur pak veti që vetvetiu janë të bukura.
Ai që ka pamje të ftohtë nuk është as i dashur, as i bukur, as i shkëlqyeshëm, as i ëmbël.
Bukuria shëmbëllyese është eleganca e organeve të jashtme që përbri kësaj janë edhe të bukura.
Kjo është po ashtu shkathtësi dhe zhdërvjelltësi.
Në gjuhë nuk ka shprehje përkatëse për të bukurën. Megjithatë, e bukur është ajo që si e tillë me shpirt ndihet, në çka janë të pajtueshëm të gjithë që shohin bukur. Kjo është pëlhurë e vënë në fytyrë dhe ndriçim që zemrat i tërheq nga vetja. Ky është mendim unanim në miratimin e saj, qoftë edhe nëse këtu nuk ka pasur cilësi të mira. Sepse, secili që sheh mirë, e admiron, e miraton dhe e pranon, qoftë edhe nuk sheh asgjë të vlefshme, duke i shqyrtuar vetitë individuale të tij. Sikur e bukura është në shpirtin e të shikuarit që e zbulon ai që e shikon. Dhe pikërisht kjo është shkalla më e lartë e dashamirësisë, pas së cilës dëshirat njerëzore bëhen të ndryshme, dikush e don bukurinë shëmbëllyese, e dikush, sërish dashamirësinë. Kurse nuk kemi parë se kushdoqoft dëshiron plotësinë individuale.
Shija është të hartohet diç me diçka nga kjo që kemi theksuar.