SHËRIMI I SËMUNDJEVE TË VESEVE MORALE- 8

 

Nëse është i magjepsur me virtytet e veta, le të hulumtojë a ka vese. E nëse nuk zbulon në vete as një mangësi, ashtu që të mendojë se ai është pa të metë, le të dijë se fatkeqësia e tij është e pafund dhe se ai është njeriu më i mangët, me të metat më të mëdha dhe me intelektin më të dobët. E para nga kjo është, që njeriu me arsye të dobët është injorant. Kurse nuk ekziston e metë më e keqe se këto të dyja, sepse i arsyeshëm është ai që është i vetëdijshëm për dobësitë vetjake dhe tenton t’i ngadhënjejë dhe frenojë. Kurse i marrë është ai nga i cili të metat vetjake mbeten të fshehta, qoftë për shkak të dijes së pamjaftueshme, mençurisë dhe mendjengushtësisë së pamjaftueshme, qoftë nga bindja e tij se të metat në të vërtetë janë virtyte, kurse kjo është e meta më e madhe e kësaj bote. Ka mjaft të atillë që krenohen me prostitucionin, vjedhjen dhe dhunën dhe janë të pasionuar me kryerjen e këtyre të këqijave dhe me guximin në kryerjen e këtyre akteve të turpshme. Duhet ditur se sigurisht nuk ekziston njeri pa të meta, pos Pejgamberit s.a.v.s. Ndërkaq ai të metat e të cilit mbetën të fshehura, ky ka rënë poshtë. Në mendjengushtësi, dobësi, poshtërsi, nënçmim, jointeligjencë, joarsyeshmëri dhe padije ai është bërë i atillë që pas tij në poshtërsi nuk ka më askush dhe ai në këtë është në shkallën më të ulët. Për këtë le të përqendrohet në shpirtin e vet, duke i hulumtuar mangësitë e veta dhe plotësisht le të preokupohet me këtë, në vend që me këtë të krenohet e t’i hulumtojë të metat e huaja, të cilat nuk i sjellin dëm as në këtë as në atë botë.

Unë nuk shoh se është virtyt të dëgjohet për të metat e huaja përveç nëse nga kjo dëshirohet të merret këshillë, e që ai që këtë e dëgjon t’u shmanget atyre të metave dhe të përpiqet t’i largojë prej vetes, me ndihmën dhe fuqinë e All-llahut xh.sh. Të shtrohen të metat e huaja është e metë e madhe dhe në të vërtetë e palejueshme. Është detyrë t’i shmangemi kësaj pos me qëllim të këshillës atij që do të mund të zhytej në ato të meta, duke u shoqëruar me të prishurit, e edhe me qëllim të qortimit të atij që me ata është i admiruar, dhe këtë, sërish, vetëm drejtpërdrejt atij në sy, e assesi pas shpine. Është e nevojshme t’i thuhet: Ktheju shpirtit tënd! Nëse bëhesh i vetëdijshëm për të metat tua, e ka shëruar magjepsjen tënde nga to. Mos u krahaso me atë që posedon më shumë të meta se ti, e që joseriozisht të sillesh ndaj çoroditjeve e t’u përngjasosh atyre ata që bëjnë keq. Sepse edhe përngjasimi në të mirë është i shëmtuar, e lëre me përngjasimi në të keq. Në vend të kësaj, krahasoju me atë që është më i mirë se ti, e kështu do të zhduket mendjemadhësia jote dhe do të shërohesh nga kjo sëmundje e rëndë që ka krijuar te ti nënçmimin e njerëzve të tjerë, ndër të cilët, pa dyshim, ka edhe të atillë që janë më të mirë se ti. Sepse nëse ti i nënçmon ata pa të drejtë, ata ty me të drejtë do të urrejnë. All-llahu xh.sh. thotë: “E keqja mund të kthehet në të njëjtën masë...” Përveç kësaj, kjo te ti lind urrejtjen, në realitet, të vetvetes, krahas zemërimit të All-llahut xh.sh. dhe anulimit të të gjitha virtyteve që i posedon.

Nëse të admiron arsyeja jote, mendo për zgjidhjen e mendimit të keq që ta turbullon mendja dhe mashtrimit me dëshirat e kota, e atëherë do të kuptosh përse arsyeja jote është e cunguar.

Nëse je magjepsur me mendimet tuaja, mendo për gabimet tua, mirë mësoji dhe kurrë i mos harro, sikur edhe për çdo qëndrim që e ke konsideruar të drejtë, e ai pastaj është treguar i kundërt nga vlerësimi yt, dhe tjetri ka pasur të drejtë, kurse ti jo. Nëse kështu do të veprosh, më së paku që mund të bëhet është që mendimi yt i gabuar të barazohet me atë të drejtë, dhe kështu mos të jetë as për ty as kundër teje. Megjithatë, më së shpeshti ndodh që mendimi yt i gabuar është dominues në krahasim me atë të drejtin. Kjo është gjendje e të gjithë njerëzve, duke i përjashtuar pejgamberët s.a.v.s.

Nëse je i magjepsur me mirësinë tënde, mendo për mëkatet tua, mangësitë, gabimet dhe llojet e tyre. Në këtë, për Zotin, do të gjesh që kjo e dyta e mund të mirën tënde, i shkatërron veprat e tua të mira. Mendo mirë për këtë dhe në vend që të admirohesh, bëhu i vetëdijshëm për të metat tua. Nëse je i magjepsur me dijen tënde, dije se ti në këtë nuk ke kurrfarë pjese, por   kjo   është e mira e All-llahut xh.sh. të cilën ta ka dhuruar Krijuesi yt. Prandaj mos u sill ndaj Tij në mënyrën me të cilën do ta hidhërosh All-llahun xh.sh., sepse Ai do të mund të bënte që këtë që e ke mësuar ta harrosh, do të mund të të sprovonte, pasojë e së cilës do të ishte të harrosh çdo gjë që më herët e ka mbamendur e mësuar. Abdulmelik ibn Tarifi, i cili ka qenë njëri nga dijetarët e ditur, mendjemprehtë, i matur e i mirë dhe i   shkathët në hulumtime, më ka rrëfyer se ai më herët jashtëzakonisht ka mbajtur mend çdo gjë. Ka mjaftuar që vetëm diçka të dëgjojë, e që këtë menjëherë ta mbajë mend. Mirëpo, njëherë kur ka udhëtuar me anije ka pësuar frikë të madhe, pasojë e së cilës ka qenë që ka harruar shumicën e gjërave që i ka ditur. Si pasojë e frikës erdhi deri te çrregullimi në aftësinë e mbamendjes që ende nuk i qe kthyer. Kurse edhe unë qesh sëmurë dhe kur jam shëruar, kam harruar çdo gjë që më parë e pata mësuar, o diç pak që ishte e pavlerë. Vetëm pas disa vjetësh e kam kompensuar atë që për shkak të sëmundjes e pata humbur.

Shumë gjurmues për hir të diturisë dhe shkencës bëjnë përpjekje të mëdha: duke lexuar, mësuar dhe gjurmuar, por nuk i arrijnë rezultatet e dëshiruara. Për këtë, të diturit le ta dinë, se sikur vetëm me angazhim të arrihej dituria dhe me asgjë më tepër, do të kishte mjaft të tillë që në dije janë mbi ta. Është e vërtetë e pakontestueshme se dituria është dhanti e All-llahut xh.sh. Prej nga atëherë dikujt e drejta në vetadmirim për këtë shkak. Në vend të kësaj, ka nevojë për më shumë përultësi, modesti dhe mirënjohje All-llahut të lartësuar xh.sh., me lutje që edhe më t’i rrisë begatitë e Veta, kurse ta heqë atë që ka për pasojë pengimin e tyre. Dhe mendo, po ashtu, për të gjitha ato dituri që prej teje ende janë të fshehura dhe për të cilat ti nuk di asgjë, pastaj për llojet e saj që ty të janë të njohura. Ajo dije me të cilën ti je i admiruar është më së shumti që ti di, dhe në vend të vetadmirimit tënd, më mirë e ke t’i zbulosh mungesat dhe mangësitë tua. Dhe mendo për ata që janë më të ditur se ti, dhe do të bindesh se ka mjaft të tillë. Atëherë në sytë e tu do të jesh shumë më i përunjtur se që je tash. E mendo edhe për dijen tënde zhgënjyese, sepse nuk po veprosh sipas asaj që ke mësuar, kështu që dituria tash është bërë argument kundër teje. Më mirë do të ishte atëherë për ty që të mos jesh i ditur. Dije se injoranti në këtë rast është më i arsyeshëm se ti, në gjendje më të mirë dhe ka më shumë arsyetim se ti. Së këndejmi, fare nuk ka vend për vetëlëvdërimin tënd. Përveç kësaj, ndoshta dija me përvetësimin e së cilës ti aq po krenohesh nga fushat e diturive të fundit në të cilat nuk ka më ndonjë virtyt të madh, siç është poezia e të ngjashme. Për këtë, shikoje atë dija e të cilit është më e lartë nga dija jote në shkallët e kësaj dhe asaj bote, dhe do të jesh konsiderueshëm më i përunjtur para vetvetes.

Nëse je i admiruar me trimërinë tënde, mendo mirë për atë që është më i guximshëm se ti. Pastaj, mendo në çka e ke harxhuar trimërinë që ta ka dhuruar All-llahu xh.sh. E nëse e ke harxhuar në gabim, ti je i marrë, sepse shpirtin tënd e ke harxhuar në atë që nuk është çmimi i saj. E nëse e ke harxhuar në nënshtrim ndaj All-llahut xh.sh., atëherë këtë nënshtrim si vepër të mirë e ke shkatërruar me vetëdashurinë në vete. E mendo, gjithashtu, edhe për humbjen e trimërisë, që do të vie me pleqërinë. Sepse nëse do të jetosh, do të bëhesh njëri prej atyre që janë barrë e tjetërkujt dhe i dobët si fëmijë. Megjithatë, unë jam i bindur se të guximshmit janë më së paku të dashuruar në vetvete, në trimëritë e veta, që ashtu siç konsideroj unë, është dëshmi e pastërtisë së shpirtrave të tyre, lartësisë dhe madhështisë së tyre. Nëse je i admiruar në autoritetin tënd në këtë botë, mendo për kundërshtarët t’u, rivalët dhe partnerët, sepse ndoshta ata janë të mjerë e të dobët që kanë rënë poshtë, dhe se ti për këtë ke ardhur në atë shkallë. Dije se ata janë të ngjashëm me ty sipas asaj në çka je ti tash, e ndoshta edhe ndërmjet tyre ka të atillë që turpërohen të identifikohen me ta për shkak të poshtërsisë së tyre të madhe dhe përbuzjes së shpirtrave të tyre, sjelljen dhe prejardhjen. Mendo mirë për atë që ka thënë Ibn es-Semmak, Reshidit (halifit) kur në praninë e tij ka kërkuar një gotë ujë që ta shuajë etjen. Ai atëherë i ka thënë:

- O sundues i besimtarëve, sikur të të pengohej kjo gotë e ujit, sa do të jepje për të?

- Tërë pasurinë time dhe pushtetin - u përgjigj halifi.

- E sikur të të pengohej që ky ujë të dalë nga ti, sa do të jepje që nga kjo të shpaguhesh?

- Tërë pasurinë time dhe pushtetin - sërish tha halifi.

- O sundues i besimtarëve, a po i gëzohesh pasurisë tënde që nuk vlen as sa një gllënkë e ujit dhe një urinim?!

Të vërtetën e ka thënë Ibn es-Semmaku, All-llahu e mëshiroftë!

Nëse, me ndonjë rast, je sundues i të gjithë muslimanëve, dije se sunduesi i Sudanit, i cili krahas kësaj është i zi, lakuriq dhe injorant, është sundues i shtetit më të gjerë se i yti. Nëse ti thua:

- Unë këtë me të drejtë e kam fituar, - Betohem me jetë se nuk e ke fituar me të drejtë, nëse me këtë je i vetëdashuruar dhe i padrejtë, prandaj turpërojë gjendjes sate sepse është e ulët dhe nuk është gjendje që meriton admirim.

E nëse krenohesh me pasurinë time, kjo është shkalla më e keqe e vetadmirimit. Shikoje çdo të mjerë e të përvuajtur që ka qenë më i pasur se ai! Së këndejmi, mos iu gëzo gjendjes në të cilën të ngadhënjen ai të cilin e ceka më lart! Dhe dije se vetadmirimi për shkak të pasurisë është marrëzi e madhe, sepse pasuria është gurë që nuk bënë dobi pos nëse e nxjerr nga pasuria jote dhe e ndanë me destinacion. Pos kësaj, pasuria shkon dhe vjen. Ndoshta do të shkojë prej teje dhe ti do ta shohësh te tjetri, ndoshta edhe te kundërshtari yt. Për këtë, t’i admirohesh kësaj është shenjë e mendjengushtësisë, e të mbështetesh në të është mashtrim dhe dobësi.

Nëse je i admiruar me bukurinë tënde, atëherë mendo për atë çka mundet ajo të të shkaktojë, e që turpërohemi ta përmendim këtu, kurse edhe ti do të turpërohesh kur të shkojë prej teje me ardhjen e pleqërisë. Në këtë që cekëm është mjaftueshmëria. Nëse je admiruar me lavdërimin nga ana e mikut, mendo për qortimin e kundërshtarëve tuaj, dhe do të zhduket ajo vetëdashuri. E nëse nuk do të kesh armik, atëherë te ti edhe nuk ka kurrfarë të mire. Sepse, në shkallën më të ulët është ai që nuk ka armiq. Kjo në të vërtetë është shkalla e atij të cilit All-llahu xh.sh. nuk i ka dhuruar kurrfarë të mire në të cilën do ta xhelozonin. Le të na ruajë All-llahu xh.sh. nga kjo! Nëse i çmon të metat tua, mendo si do të ishte që t’i tregohen botës dhe njerëzit t’i njoftojnë. Sigurisht, nëse do të posedosh sadopak mençuri, do të turpërohesh dhe do ta shohësh mangësinë tënde.

Nëse je i njoftuar me mënyrën e formimit të karakterit dhe me krijimin e vetive morale nga përzierja e elementeve të tyre në shpirtin njerëzor, do të bindesh se ti nuk ke kurrfarë pjesëmarrje në virtytet tua dhe se ato janë dhuratë e All-llahut xh.sh. që, sikur t’ia kishte dhuruar tjetërkujt, do të ishte i njëjtë sikur ti, dhe se ti, sikur t’i ishe lënë vetvetes, do të mbeteshe i dobët dhe i paaftë dhe në fund do të zhdukeshe. Për këtë, në vend që të admirohesh me virtytet tua, bëhu mirënjohës ndaj Atij që t’i ka dhuruar dhe frikësohu që mos të mbetesh pa to. Sepse, sjellja morale ndërrohet me fillimin e sëmundjes, varfërisë, frikës, uzurpimit dhe pleqërisë.

Mëshirohu ndaj atij që i janë ndaluar ato që ty të janë urdhëruar dhe mos iu ekspozo gabimit ndaj Dhuruesit e që të shkatërrohen begatitë që t’i ka dhuruar. Kurse ato do të merren prej teje nëse do të pohosh se ti në atë që All-llahu xh.sh. ta ka dhuruar nga mirësia dhe mëshira jote, ke pjesë apo madje se ke të drejtë në këtë, dhe se je plotësisht i mëvetshëm nga ruajtja e Tij. Nëse do të jesh i tillë, do të shkatërrohesh më herët apo më vonë.

Mua më goditi sëmundja e rëndë që më shkaktoi fryrjen e madhe të shpretkës, që ishte shkak i mosdisponimit tim, ndjenjës së ngushtimit, durimit dhe nxitimit. Për këtë e kam qortuar shpirtin tim dhe e kam gjykuar sjelljen time në gjendjen e tillë. Habitesha me ndryshimin e karakterit tim duke u bindur njëkohësisht se shpretka është vend i bindjes së gëzimit dhe që, nëse në të diç çrregullohet, kjo medoemos shkakton dëshpërimin dhe mos-disponimin.

E nëse je i admiruar me prejardhjen tënde, kjo është më e keqja nga gjithë ajo që këtu e kemi cekur, sepse ai që admirohet me prejardhje nuk ka kurrfarë të mira nga kjo, as këtu as në atë botë. Shiko ky admirim a do ta largojë urinë, mbulojë të metën ose të sjellë dobi në atë botë! Shiko, pastaj, kush krejt është i bashkuar me ty në atë prejardhje, sikur edhe kush sipas kësaj është mbi ty, siç kanë qenë pejgamberët, s.a.v.s., pastaj njerëzit tjerë të mirë, siç kanë qenë as’habët dhe dijetarët, e të mirët në mesin e sunduesve të huaj - perandorëve dhe mbretërve - dhe sunduesit jemenas e të tjerë islamë! Ata që sjellin shembuj që ti i cek në lidhje me këtë, do të shihni se më së shpeshti janë të përbuzur sikur qeni dhe me mjaft vese të shëmtuara. Për këtë, mos iu gëzo shkallës sipas së cilës ata janë të barabartë apo madje janë mbi ty në këtë! Përveç kësaj, mbase të parët me të cilët ti aq fuqishëm krenohesh kanë qenë mëkatarë, pijanecë, ekstremistë, këngëtarë (keqpërdorës të këngës, N.I.) dhe kokëtrashë të cilëve rrethanat u shkonin përshtati dhe kanë bërë dhunë dhe punë të tjera të shëmtuara, ashtu që turpin e tyre edhe sot koha e sjell. Mëkati i tyre ka qenë i madh për atë se i madh do të jetë edhe pendimi i tyre në Ditën e llogarisë përfundimtare. Kur është ashtu, atëherë dije se ajo me çka ti je admiruar bën pjesë në turp, përulje, marrëzi dhe njollë, e assesi në arsye për admirim.

Nëse je admiruar me prejardhjen e shëmbëlluesve t’u je mjaft larg nga ai virtyt derisa edhe vetë nuk bëhesh i mirë. Ti do të kesh dobi të paktë prej tyre edhe në këtë edhe në atë botë nëse nuk bëhesh i mirë sikur ata. Të gjithë njerëzit e Ademit a.s., janë fëmijë, kurse atë All-llahu xh.sh. e ka krijuar dhe e patë vendosur në Xhennet duke iu urdhëruar engjëjve që t’i përulen (t’i bëjnë sexhde). Por pak dobi ka nga ajo derisa në mesin e tyre ka të atillë që bëjnë të këqija, mëkate dhe e mohojnë Krijuesin dhe Zotin e vet.

Kur i arsyeshmi të kuptojë se vetë virtyti i të parëve nuk e ofron nga All-llahu xh.sh. as i sjell autoritet që ai nuk e ka arritur vetëm me të mirën ose fatin e vet, as me pasuri, atëherë është plotësisht e qartë se admirimi është i kotë me atë që askujt nuk i sjell dobi. A nuk është ai që është admiruar me të sikur ai që krenohet me pasurinë e tjetrit, me autoritetin e huaj, ose me kalin që ka fituar në vrapim, kurse në kokën e të cilit ka qenë kapistra e huaj, respektivisht sikur ai për të cilin   bota e rëndomtë thotë: Ai është budalla që krenohet me mençurinë e babait të vet.

Nëse admirimi në vetvete të shpie në lëvdim atëherë poshtërsia jote është më e madhe sepse mendja jote nuk është e aftë drejtë të vlerësojë atë së cilës po i admirohesh. Kjo është kur ka të bëjë për lavdinë me atë që është e vërtetë, e çka   të thuhet për lavdinë me të pavërtetën!

I biri i Nuhit, babai i Ibrahimit dhe Ebu Lehebi, xhaxhai i Pejgamberit kanë qenë ndër më të afërtit me   krijesat më të zgjedhura të All-llahut xh.sh. në ndjekjen e të cilëve është nderi më i madh. Mirëpo, kjo nuk ka qenë fare e dobishme.

Në mesin e atyre që janë lindur nga martesa jo e ligjshme ka pasur edhe të atillë që në sundimin me këtë botë patën arritur vetë kulmin, siç janë Zijad (ibn Edihi) dhe Ebu Muslimi, sikur edhe ata që në mirësi kanë arritur skajoren që mund të arrihet dhe nuk ngurrojmë t’i cekim këtu, kurse dashuria ndaj tyre dhe shëmbëllimi në cilësitë e tyre lavdëruese afron nga All-llahu xh.sh.

Nëse krenohesh me fuqinë e trupit tënd, kuptoje se mushka, gomari dhe kau janë më të fortë se ti dhe më të aftë për bartje të barrave të ndryshme.

Nëse krenohesh me shpejtësinë tënde, dije se qeni dhe lepuri janë më të shpejtë se ti.

Kurse është e çuditshme që qenia e arsyeshme të krenohet me diçka në çka ia tejkalon qenia jo e arsyeshme.

Është e nevojshme që ai që vetes i admirohet, ose veten e konsideron më të lartë se botën tjetër, mendo për durimin tënd kur ta godasë ndonjë brengë e madhe, ose fatkeqësi, ose dhembje, ose sëmundje, ose diç e keqe, e nëse bindet se durimi i tij është i vogël, le ta dijë se të gjithë të tjerët që janë të durueshëm në atë sprovë, si gërbulaqët e të tjerët, janë më të mirë se ai, duke e marrë parasysh natyrisht ngecjen e tyre në intelekt. E nëse mund të durohet në atë sprovë, le ta dijë, siç kemi thënë tashmë më herët, se nuk ka ardhur me asgjë të re, përkundrazi vjen, në krahasim me të gjithë të tjerët që i ngjasojnë atij, më vonë ose në fund të fundit me ta njëkohësisht, e kurrsesi tjetërfare. Pastaj le ta shikojë sjelljen e vet, drejtësinë dhe padrejtësinë ndaj begative, pasurisë, shërbimit, ithtarëve, shëndetit dhe autoritetit që e gëzon, e nëse sheh që në ato begati nuk e shpreh mirënjohjen e merituar All-llahut xh.sh., që ia ka dhuruar, përkatësisht se është i padrejtë në atë, le ta dijë se të drejtit, mirënjohësit dhe të moralshmit, të cilëve iu është dhënë më shumë se sa atij, janë më të mirë se ai. E nëse bindet se shpirtin e ka të drejtë, i drejti është larg nga çdo vetëlavdërim, sepse   di t’i çmojë gjërat dhe ta çmojë moralin, duke iu përmbajtur në këtë gjithnjë mjedisit që është ndërmjet dy skajshmërive të qortuara. Kurse mburraveci nuk është i drejtë dhe është i lajthitur në teprimin e qortuar.

Dhuna dhe sundimi i keq mbi ata mbi të cilët All-llahu xh.sh. të ka dhënë sundim, ose në çfarëdo mënyre tjetër të janë të nënshtruar, siç janë robërit dhe shtetasit, janë dëshmi të poshtërsisë së shpirtit tënd dhe ambicies së sëmurë sikur edhe mendjengushtësisë tënde, sepse i arsyeshmi shpirti i të cilit është i lartësuar, kurse qëllimet fisnike, i ngadhënjen të barabartët   me vete me fuqi e të ngjashme sipas këmbëngulësisë. Sepse, të ngrihesh mbi ata që nuk munden barabartë të mbahen është dëshmi e poshtërsisë së karakterit, shpirtit dhe sjelljes, përkatësisht shenjë e pafuqisë dhe e përçmimit. Kush e bënë këtë, është në shkallë të atij që krenohet me zhdukjen e minjve të mëdhenj, mbytjen e mizave dhe heqjen e rriqrave, që është kulmi i poshtërsisë dhe bastardimit.

Dije se edukimi i shpirtit është më i rëndë se zbutja e luanit. Sepse nëse luanin e mbyll në lokalet që i shfrytëzojnë sunduesit do të ruhesh nga e keqja e tij. Kurse shpirti edhe kur është i burgosur nuk je i sigurt nga e keqja e tij.

Nga vetadmirimi rrjedhin padrejtësia, dhuna, mendjemadhësia, krenaria e tepruar dhe epërsia mbi të tjerët. Të gjitha këto emërtime kanë domethënie të afërta dhe për shumicën e njerëzve është shumë rëndë të bëhet dallimi ndërmjet tyre. Kështu dikush është i admiruar me virtytin e vet që është i dukshëm, dikush sërish me dijen e vet dhe është i mërrolur dhe i varur nga të tjerët. Dikush është i admiruar me punën e vet prandaj ngrihet e entuziazmohet, e dikush sërish me mendimin e vet dhe tjetrit padrejtësi i bën. Dikush është i admiruar me shpirtin e vet dhe bënë dhunë, e dikush me autoritetin dhe pozitën e mburravecet dhe me mendjemadhësi sillet ndaj të tjerëve. Më së paku mendjemadh është ai që ngurron nga të qeshurit, lëvizjet dhe të folurit elegantë, pos në vendet ku këtë e kërkojnë punët e kësaj bote, dhe se e meta e tij është më e vogël nga të metat e të tjerëve. Por sikur këtë ta bëjë me qëllim që t’i kushtohet vetëm kryerjes së detyrës dhe lëshimit të të gjitha padobishmërive tjera, do të ishte ky virtyt për të cilin do të duhej ta lavdërojmë. Por ai këtë e bën nga nënçmimi i njerëzve dhe vetadmirimi prandaj duhet të gjykohet, sepse veprat sipas qëllimit vlerësohen dhe çdokujt i takon sipas qëllimit që e ka pasur...

Mburrja mund të jetë edhe pa kuptim edhe pa arsye nga pikëpamja e njeriut përkatës, dhe si e tillë është më e çuditshmja nga të gjitha të tjerat që këtu i kemi numëruar. Këtë njerëzit tanë të zakonshëm e quajnë temetruk, që më së shpeshti është veti e femrave dhe e atyre që sipas mendjes janë të ngjashëm. Fjala është për vetadmirimin që fare nuk ka shkas, sepse personi përkatës nuk posedon asnjë veti të mirë, as dije, as guxim, as pozitë të mirë, as prejardhje fisnike, as pasuri, dhe është i vetëdijshëm se është pa asnjë prej tyre. Në vlerësimin e këtyre gjërave nuk gabon as ai që është i aftë ta hedh gurin, por gabon vetëm ai, pjesëmarrja e të cilit në këto virtyte është e vogël. Kështu mendjengushti ndoshta do të imagjinojë se ka intelekt më të lartë. Po ashtu, kur ka pjesëmarrje të vogël në dije, mund t’ia paraqesë vetes se është dijetar i përkryer. Po ashtu ai, prejardhja e të cilit është plotësisht e pasqaruar, kurse të parët e të cilit nuk kanë qenë të ruajtur nga dhuna, do të shohë se krenohet aq shumë, sikur të ishte bir “faraoni që ka pasur tenda”. Kjo aspak nuk do ta rriste mburrjen e tij, ose sikur të kishte pak bujari, do t’ia paraqiste vetes se është i aftë ta ngadhënjejë hazreti Aliun, ta robërojë Zubejrin ose ta mbysë Halidin. Ose sikur të kishte sadopak pjesëmarrje në autoritet, fare nuk do të dëshironte ta shihte Lekën e Madh (Maqedonin), ose sikur të kishte fuqi të fitojë me dorën e vet atë që është mbi fuqinë e tij, sikur edhe Diellin ta kapte, kjo fare nuk do ta ndryshonte.

Mendjemadhësia rrallë vjen nga të tillët, ndonëse edhe ajo në çka janë ata është një lloj mendjemadhësie, kurse vjen shpesh prej atyre që nuk kanë fare as dije, as prejardhje fisnike, as pasuri, as nder, as dorëshlirësi, atyre që janë në garanci të të tjerëve dhe të cilët u bëjnë padrejtësi të gjithëve që kanë sadopak pjesëmarrje në begatitë e numëruara, kurse, vetë janë të vetëdijshëm që janë pa to. Përkundër kësaj, janë të padrejtë dhe ushtrojnë dhunë.

Njerëzisht dhe butësisht kam hulumtuar shkakun e lartësimit të tij mbi të tjerët dhe nënçmimin e njerëzve dhe thjeshtë më ka thënë: “Unë jam i lirë dhe nuk jam rob i askujt”. Në këtë iu përgjigja: “Shumica e atyre që i sheh janë sikur edhe ti të lirë, pos robërve. Ata kanë duar më të gjatë nga tuajat dhe çështja e tyre shtrihet dhe mbi ty edhe në shumë njerëz tjerë të lirë”. Ai në këtë nuk më tha asgjë. Unë i jam kthyer hulumtimit të gjendjes dhe rrethanave të ngjashme me to dhe kam shpenzuar në këtë shumë vite, por nuk kam mundur të gjejë arsye as motiv që do t’i motivonte në këto mburrje të paarsyeshme. I kam hulumtuar gjendjet e tyre dhe qëllimet e shpirtrave të tyre gjatë të folurit të tyre derisa nuk jam bindur që ata mendojnë se posedojnë arsyeshmëri, intelekt dhe origjinalitetit të mendimit dhe që, sikur fati t’ju ecte, tërë këtë do ta kisha zgjeruar dhe krahas kësaj edhe territore të mëdha nën sundimin e tyre do të kishin. Edhe vlera e tyre mbi njerëzit tjerë atëherë qartë do të manifestohej. Sikur të kishin pasuri, pohojnë ata, në mënyrë korrekte do ta shpenzonin. Së këndejmi buron mendjemadhësia dhe mburrja e tyre.

Ky është vendi ku do të mundej në mënyrë interesante dhe me vend të tillëve t’u kundërvihemi dhe t’u thuhet se vetëm mençuria dhe intelekti janë virtyte për të cilat, dikush, kur edhe nuk i posedon, fuqishëm beson se pikërisht tek ai e kanë arritur përkryeshmërinë e vet. Kështu i çmenduri dhe pijaneci e përqeshin të mençurin dhe të zhdehurin, injoranti të urtin dhe të diturin, fëmijët e vegjël njerëzit e rritur, kokëtrashët i nënçmojnë të mençurit, kokëtrashat ndër femrat i nënçmojnë njerëzit e mëdhenj të mençur dhe mendimin e tyre. Shkurtimisht, sa më i vogël të jetë intelekti i dikujt aq më shumë mendon se posedon mendje të plotë dhe intelekt të përkryer. Ky nuk është rast me virtytet tjera, sepse ai që nuk posedon asnjë prej tyre është i vetëdijshëm se është pa to. Gabon vetëm ai në gjykimin e vet kush ka pak pjesëmarrje në to. Nëse edhe intelekti i tij është i vogël, do të mendojë se në këtë ka arritur shkallë të lartë.

Ilaç për këtë që e cekëm janë varfëria dhe jopopullariteti. Nuk ka ilaç më efikas për këtë. E nëse nuk shërohen me këtë rreziku dhe dëmi i tyre për njerëzit do të jetë shumë i madh. Ata do t’u gjejnë të meta të tjerëve, do ta fyejnë nderin e tyre dhe do t’i përqeshin të gjithë njerëzit, do ta hedhin të vërtetën dhe do të preokupohen me gjëra të kota. Mbase do të anojnë nga ofendimi dhe llafosja, e mbase madje edhe nga goditja shuplakë dhe rrahja kur të shohin shkasin më të vogël për këtë.

Dikush mund ta fshehë mburrjen e vet dhe posa arrin pak autoritet e dëfton mburrjen sepse mendja e tij nuk mund ta fshehë ose ta asfiksojë. Gjëja më qesharake që e kam vërejtur te i dobëti është që tek ai të ngadhënjejë dashuria ndaj fëmijës së vogël ose bashkëshortes dhe fillojë ta përshkruajë në tubimet e ndryshme publike duke folur se si është e mençur e madje edhe kështu:

Ajo është më e mençur se unë dhe unë jam i lumtur kur më ofron këshillë”. Të dobëtit mjaft shpesh në mënyrë të tepruar i lavdërojnë gratë e veta para të tjerëve se janë të bukura, të mira dhe vitale sikur janë lypsarë dhe dëgjuesve dëshirojnë sa më shumë t’ua bëjnë të ëmbla. Këtë e bëjnë mendjengushtët dhe pa krenari të veten.

I arsyeshmi kurrë nuk e lëshon atë që intelekti i   tij ia imponon. Në origjinal në zili janë fjalët e ziliqarit që kur dëgjon dikë që ka shkuar larg në dije që diç të thotë shpjegon: “Ky është absurd që askush deri më sot as nuk e ka treguar e as s’e thënë.” E nëse e dëgjon dikë se si e shpjegon atë që para tij dikush e ka thënë, thotë: “Ky është absurd që kaherë është thënë.” Ky është grup i keq i atyre që e kanë penguar rrugën që shpie në dije dhe i kthejnë njerëzit prej tij që të shtohet numri i atyre që janë injorantë të ngjashëm sikur edhe ata.

Të urtit nuk do të mund t’i shërbejë mençuria e tij tek ai që ka natyrë të çoroditur, për më tepër, ky i dyti do ta konsiderojë të prishur sikur që është edhe ai.

Jam dëshmuar me njerëzit me karakter të keq të cilët ia kanë prezantuar vetes atë se të gjithë njerëzit sikur ata janë të prishur, sepse fare nuk besojnë se mundet kushdo qoftë të jetë i ruajtur nga të metat në të cilat janë ata. Kjo është forma më e keqe e çoroditjes së natyrës dhe largimit nga virtyti dhe e keqja. Ai e të cilit është kjo cilësi nuk ka kurrfarë të mire që do të mund të pritej prej tij. Kurse suksesi vjen vetëm prej All-llahut xh.sh.

Drejtësia është fortesë në të cilën kërkon strehim secili nga ata që frikësohet. Sepse edhe dhunëbërësi edhe ai që nuk është, kur sheh se dikush po i përgatit të keqen, e fton drejtësinë dhe e gjykon dhunën duke e qortuar. Kurse nuk ka kush që e qorton drejtësinë. Ai që sipas natyrës së vet është i drejtë qëndron në atë fortesën më të fortifikuar.

T’i falënderohesh begatidhënësit është detyrë e obligueshme, kurse kjo bëhet ashtu që t’ia kthesh në mënyrë të njëjtë në të cilën të ka bërë mirë ose edhe më mirë, që të kujdesesh se si më së miri do ta mbrosh, që t’i jesh besnik derisa është i gjallë dhe kur vdes, pastaj suitës dhe familjes së tij, që ta duash sinqerisht dhe t’i ofrosh këshillë, t’i bësh publike virtytet e tij dhe t’ia fsheh të metat derisa të jesh gjallë dhe që këtë t’iu porosisësh atyre që do të vijnë pas teje dhe atyre që të duan.

Nuk bën pjesë në këtë falënderim të ndihmohet në mëkat dhe të bëhet pa këshillë në atë që do të shkatërrojë në fenë e tij dhe jetën e tij në këtë botë. Sepse, kush e ndihmon atë që i ka bërë mirë në diçka që është e pavërtetë, ai me këtë e mashtron dhe e mohon begatinë e tij. Duhet ditur po ashtu se mirësia dhe begatitë e All-llahut xh.sh. janë gjithnjë më të mëdha, më të vjetra dhe më të mira nëse krahasohen me cilëndo begati të dikujt tjetër. A thua ka dhurata më të mëdha nga këto me të cilat I Madhëruari na ka dhuruar kur na ka dhënë sy me të cilët shohim, veshë me të cilët dëgjojmë dhe shqisat tjera të zgjedhura, kur na ka dhuruar të folur dhe intelekt me të cilat kemi aftësi që Ai të na drejtohet dhe të na nënshtrojë çdo gjë në qiej dhe në Tokë, siç janë trupat qiellorë dhe elementet e pastaj na ka dalluar mbi krijesat tjera të veta, pos meleqëve (engjëjve) të zgjedhur ndër banorët e qiejve?! E a mundet begatia e kujtdo qoftë të krahasohet me begatitë e Tij?!

Për këtë ai që falënderimin e vet bamirësit ia shpreh në mënyrë që i ndihmon në të pavërtetën dhe duke u shoqëruar me të në atë që nuk lejohet, në realitet mohon begatinë e më të Madhit që e jep begatinë dhe bamirësinë e më të Madhit që e bënë mirësinë. Ai nuk e ka falënderuar në mënyrë të denjë Atë që meriton çdo falënderim dhe lëvdatë, nuk i falënderohet si duhet All-llahut xh.sh. E kush ndërmjetëson ndërmjet bamirësit të vet dhe të pavërtetës dhe e mbështet në të vërtetën, e ka falënderuar sinqerisht dhe në tërësi e ka kryer detyrën e vet ndaj tij. Kurse All-llahu xh.sh. mundëson që të arrihet suksesi.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme