Edhe muslimanët e duan Jezuin

Ndokush që nuk e njeh Islamin mund të befasohet kur të kuptojë se edhe muslimanët e duan Jezuin. Muslimani nuk do të  flasë mbi Jezusin pa mos e përcjellë emrin e tij me respekt me fjalët “paqja qoftë mbi të”. Në Islam, Jezusi është njeri i dashur dhe me famë, i Dërguar dhe Profet i cili ka thirrur popullin e tij në adhurim të Një Zoti të Vërtetë.

Muslimanët dhe të krishterët ndajnë besime të ngjashme rreth Jezuit. Që të dy palët besojnë se Jezusi lindi nga Maria Virgjëreshë dhe që të dy palët besojnë se Jezusi ishte Profet, i dërguar tek populli i Izraelit. Gjithashtu të dy palët besojnë se do të kthehet në tokë në ditët e fundit. Megjithatë këto dallojnë në një detaj madhorë. Muslimanët besojnë të bindur se Jezusi nuk është Zot, se ai nuk është djalë i Zotit dhe se ai nuk është pjesë e Trinitetit të Zotit.

Në Kur’an Zoti u foli drejtpërdrejtë të krishterëve kur Ai tha: “O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thoni tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. ç’ka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që All-llahu është planifikues i pavarur.”[1] [Kur’an, 4:171]

Ashtu sikurse Islami mohon kategorikisht se Jezusi është Zot, po ashtu mohon idenë se njerëzimi është lindur i njollosur me çfarëdo lloj forme të mëkatit të parë. Kur’ani na tregon që nuk mundet një njeri të bartë mëkatet e tjetrit dhe se ne të gjithë jemi përgjegjës, para Zotit, për veprimet tona: “Dhe asnjë mëkatar nuk do të bartë mëkatin e tjetrit” [Kur’an, 35:18] Sidoqoftë, Zoti, në Mëshirën dhe Diturinë e pa fund të Tij nuk ka lënë njerëzimin në planet e veta. Ai ka dërguar udhëzim dhe ligje të cilat tregojnë se si të lutemi dhe të jetojmë sipas udhëzimeve të Tij.

Muslimanëve u kërkohet që t’i besojnë dhe t’i duan të gjithë profetët. Mohimi i njërit nga ata është mohim i besimit të Islamit. Jezusi ishte njëri nga lista e gjatë e profetëve, i cili thirri njerëzit që të adhuronin një Zot. Ai u dërgua posaçërisht për popullin e Izraelit, i cili në atë kohë kishte devijuar nga rruga e drejtë e Zotit. Jezusi tha: “Dhe (kam ardhur) që t’ju vërtetoj Tevratin që e keni para duarsh, t’ju lejoj disa që u ishin ndaluar juve, kam ardhur me argument nga Zoti juaj, pra kini frikë All-llahun dhe më dëgjoni mua. All-llahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Adhuroni Atë; kjo është më rrugë e drejtë!” [Kur’an, 3:50-51]

Muslimanët e duan dhe e çmojnë Jezusin. Sidoqoftë, sipas Kur’anit dhe thënieve të Muhamed a.s. ne e kuptojmë atë dhe rolin e tij në jetët tona. Tre kaptina (sure) të Kur’anit paraqesin jetën e Jezuit, të nënës së tij Marisë / hz. Merjemes dhe familjes së tyre,  dhe secili kapitull shfaq detaje të cilat nuk gjenden në Bibël.
Muhammedi a.s. foli shumë here mbi Jezusin, një here duke e përshkruar si vëlla. “Unë jam më i afërti nga të gjithë njerëzit me djalin e Marisë / hz. Merjemes  dhe të gjithë profetët janë vëllezër atëror dhe nuk ka pasur profet mes meje dhe atij (pra Jezuit)” [Sahihu i Buhariut]

Le të përcjellim tregimin e Jezuit sipas burimeve islame dhe të kuptojmë se si dhe sa vend të rëndësishëm zë ai në Islam.

Mrekullia e parë

Kur’ani na njofton se Maria / hz. Merjemja, vajza e Imranit, ishte e pamartuar, vajzë e dëlirë dhe besimtare e përkushtuar në adhurimin ndaj Zotit. Një ditë gjersa ishte e veçuar, engjëlli Gabriel / Xhibrili a.s. erdhi tek Maria / hz. Merjemja dhe e njoftoi se do të ishte nëna e Jezusit. Përgjigja e saj ishte frikë, shok dhe druajtje. Zoti tha: “…ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa babë) argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!” [Kur’an, 19:21]

Marisë / hz. Merjemes iu konceptua Jezusi dhe kur koha erdhi që ai të  lindë ajo u largua nga familja drejt Bethlehemit. Pranë një  trungu të një palme ajo e lindi Jezusin.

Kur Maria / hz. Merjemja kishte pushuar dhe ishte rimarr nga dhimbjet dhe frika pas lindjes në vetmi, ajo kuptoi se duhej patjetër të kthehej tek familja. Maria / hz. Merjemja ishte e frikësuar dhe e merakosur pasi kapi fëmijën dhe mori në krahët e saj. Si do t’i sqaronte ajo popullit të sajë lindjen e tij? Ajo pranoi fjalët e Zotit dhe u kthye për në Jerusalem. “… thuaj: “Unë kam vendosur heshtje për hir të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!” Dhe duke e bartur ngryk shkoj me të te të afërmit e vet …” [Kur-an 19:26-27]

Zoti e dinte se nëse Maria / hz. Merjemja do të tentonte të ofronte sqarim, populli i saj nuk do t’i besonte. Pra, në mençurinë e Tij, Ai i tha asaj që të mos fliste. Që në momentin e parë kur Maria iu afrua popullit të saj, ata filluan ta akuzonin, por me mençuri përcolli udhëzimet e Zotit dhe refuzoi t’ju përgjigjej. E trembur, gruaja e matur bëri me shenjë drejt fëmijës në krahët e sajë.

Burra e gra që e rrethonin Marinë / hz. Merjemen e shikuan atë me mosbesim dhe kërkuan të dinin se si do të ishte e mundur t’i flisnin foshnjës në krahët e sajë. Pastaj, me lejen e Zotit, Jezusi, djali i Marisë, akoma foshnje, realizoi mrekullinë e tij të parë. Ai tha: “Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jem gjallë! Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm! Selami (shpëtim prej All-llahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë!” [Kur-an, 19:30-33]

Muslimanët besojnë se Jezusi ishte rob i Zotit dhe i Dërguar tek izraelitët e kohës së tij. Ai realizoi mrekulli me dëshirë dhe me leje nga Zoti. Fjalët në vijim të Muhammedit a.s. qartë përmbledhin rëndësinë e Jezuit në Islam.

“Kushdo që dëshmon se nuk ka zot tjetër veç Një Zoti, pa shoqërues ose të ngjashëm dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij dhe se Jezusi është rob dhe i Dërguar i tij, fjalë të cilën Zoti ia dha Merjemes dhe shpirt i krijuar nga Ai dhe se Parajsa / Xhenneti ekziston dhe se Ferri / Xhehennemi ekziston, Zoti do ta pranojë atë nga cila do tetë dyert që dëshiron të Parajsës.” [Sahihu i Buhariut dhe Sahihu i Muslimit]

Përktheu dhe përshtati:
Skender Mustafi

_________________
* Përdorimi i emërtimeve krishtere si Jezui, Jezusi, Jezu Krishti, Krishti, etj., të gjitha këto, ndërlidhen me pejgamberin e Zotit, të cilin ne si muslimanë e njohim si Isai,  i biri i Merjemes. Ne nuk deshëm të ndërhymë në tekst, pasi që konsiderojmë se kjo është bërë me qëllim nga autorja e këtij shkrimi. Kemi shtuar vetëm përdorimin mysliman të emrit të Marisë, duke ia shtuat të bashkëngjitur hz. Merjemja; të Gabrielit, Xhibrili a.s., dhe të ndërrimit të përdorimit nga Profeti Muhamed në Muhammedi a.s. (Redaksia e BR-së)

[1] Ajetët janë marrë nga Kur’ani i përkthyer nga rahmetli H. Sherif Ahmeti.

(Islamway.com / Breziiri.com)

 

Pjesa e dytë

Mesazhi i Jezuit

Ne tanimë vërtetuam se Jezui, i biri i Marisë, ose siç quhet nga muslimanët, Isa ibën Merjeme, realizoi mrekullinë e tij të parë derisa ishte në krahët e Marisë. Ai foli me lejen e Zotit dhe fjalët e tij të para ishin: “Unë jam rob i Zotit.” [Kur’an 19:30]. Ai nuk tha “Unë jam Zot” as edhe “Unë jam i biri i Zotit”. Fjalët e tij të para vendosën themelet e mesazhit dhe misionit të tij: t’i thërras njerëzit prapa, tek adhurimi i pastër i Një Zoti.

Në kohën e Jezuit, koncepti i Një Zoti nuk ishte i ri tek bijtë e Izraelit. Tora kishte shpallur: “Dëgjoni o izraelitë, Zoti juaj është Një,” [Deuteronomy 4]. Megjithatë, shpalljet e Zotit u keqinterpretuan dhe u keqpërdorën dhe zemrat ishin bërë të thekura. Jezui erdhi t’i denoncojë udhëheqësit e bijve të Izraelit, që kishin  rënë në jetët e materializmit dhe luksit dhe të mbështes ligjin e Moisiut / Musait a.s. të gjetur në Tora / Tevrat të cilën tanimë ata edhe e kishin ndryshuar.

Misioni i Jezuit ishte të konfirmojë Toran / Tevratin, të lejojë gjëra që më pare ishin të ndaluara dhe të shpallë dhe riafirmojë besimin në Një Krijues.  Muhammed a.s. ka thënë: “Çdo Profet u dërgua vetëm për popullin e tij, por unë jam dërguar për gjithë njerëzimin” [Sahihu i Buhariut].

Pra, Jezui u dërgua tek izraelitët.

Zoti thotë në Kur’an se Ai do t’ia mësojë Jezuit Toran / Tevratin, Ungjillin dhe Urtësinë.

Ai (All-llahu) ia mëson atij librin (besimin), urtësinë, Tevratin dhe Inxhilin.” [Kur’an 3:48]

Për të shpërndarë mesazhin e tij me efektivitet, Jezui kuptoi Toran / Tevratin dhe u pajis nga Zoti me shpallje të tij – Inxhili ose Ungjilli. Zoti gjithashtu pajisi Jezusin me aftësinë për të udhëhequr dhe për të ndikuar popullin e tij me prova dhe mrekulli.

Zoti, të gjithë të Dërguarit e Tij i dërgoi me mrekulli të cilat janë të dukshme dhe kanë kuptim për njerëzit tek të cilët është dërguar Profeti. Në kohën e Jezuit, izraelitët ishin shumë të avancuar në fushën e mjekësisë. Si pasojë, mrekullitë e realizuara nga Jezui (me lejen e Zotit) ishin të kësaj natyre dhe përfshinin kthimin e të parit tek të verbrit, ndihmën e lebrozëve dhe ngjallja e të vdekurve. Zoti thotë: “…unë i shëroj të verbrit, të sëmurit në lëkurë, dhe unë me lejen e All-llahut i ngjall të vdekurit…” [Kur’an 3:49]

Jezui si fëmijë
As Kur’ani e as Bibla nuk flasin mbi rininë e Jezuit. Ne mund të përfytyrojmë, se si djalë në familjen e Imranit, ishte fëmijë besimtar i përkushtuar ndaj të mësuarit dhe i etur të ndikojë fëmijët dhe të rriturit rreth tij. Pas të cekurit të Jezuit duke i folur turmës, Kur’ani menjëherë rrëfen tregimin e Jezuit duke formuar figurën e shpendit nga balta. Ai fryu në të dhe me lejen e Zotit balta u bë shpend.

…unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryhej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend…” [Kur’an 3:49]

Ungjilli  i Tomasit, një komplet tekstesh i shkruar nga të krishterët e hershëm, por i pa pranuar në dogmën e Testamentit të Vjetër, gjithashtu tregon këtë tregim. Tregon në disa detaje tregimin e Jezuit të ri duke u dhënë formë shpezëve nga balta dhe duke fryrë jetë në to. Megjithëse fascinuese, muslimanët besojnë mesazhin e Jezuit vetëm siç është paraqitur në Kur’an dhe në thëniet e  Muhamedit a.s.

Muslimanëve u kërkohet të besojnë në të gjitha librat e shpallura nga Zoti. Megjithatë, Bibla që ekziston tani nuk është Ungjilli i cili iu shpall Jezuit. Fjalët dhe mençuria e Zotit që iu dhanë Jezuit janë humbur, fshehur, ndryshuar dhe shkatërruar. Fat i teksteve apokrife, një nga të cilat është Ungjilli i Tomasit, është dëshmi për këtë. Në vitin 325 të erës sonë Perandori Konstantin tentoi të bashkojë Kishën e ndarë Krishtere duke i thirrur peshkopët e gjithë botës së njohur në një takim. Ky takim u njoh si Këshilli i Nicesë dhe rezultati e këtij takimi ishte doktrina e Trinitetit, që më parë nuk ekzistonte dhe humbja e diku mes 270 dhe 4000 Ungjijve. Këshilli urdhëroi djegien e të gjithë Ungjijve që konsideroheshin të pa vlerë në Biblën e re dhe Ungjilli Tomasit ishte një nga ata.[1] Megjithatë, kopje nga shumë Ungjij mbijetuan, dhe, edhe pse jo në Bibël, janë vlerësuar për rëndësinë e tyre historike.

Amnistia kuranore për ne

Muslimanët besojnë se Jezui me të vërtetë pranoi shpallje nga Zoti, por ai nuk shkroi asnjë fjalë të vetme, as dishepujt nuk i urdhëroi që t’i shkruanin[2] Nuk ka nevojë që muslimani të tentojë t’i dëshmojë ose mohojë librat e të krishterëve. Kur’ani na liron nga nevoja për të ditur nëse Bibla që kemi sot përmban fjalët e Zotit, ose fjalët e Jezuit. Zoti thotë: “Ai ta zbret ty (Muhammed) librin me argument që të është vërtetues i librave të mëparshme…” [Kur’an 3:3]

Dhe gjithashtu:
Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kur’anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshme dhe garantues i tyre. Gjyko, pra, mes tyre me atë që All-llahu e zbriti, …” [Kur’an 5:48]

Gjithçka përfituese për muslimanët që duhet ditur mbi Toran dhe Inxhilin është paraqitur qartë në Kur’an. Çfarëdo e mirë që mund të gjendej në librat e mëparshëm, gjendet në Kur’an[3] Nëse fjalët e Testamentit të Ri të sotëm pajtohen me fjalët e Kur’anit, atëherë këto fjalë ka gjasa të jenë pjesë e mesazhit të Jezuit që nuk është ndryshuar ose humbur gjatë së kaluarës. Mesazhi i Jezuit ishte i njëjtë me mesazhin e të gjithë Profetëve të Zotit që ua mësuan popujve të tyre. Zoti, Perëndia juaj është Një, pra adhuroni Atë të vetëm. Dhe Zoti rreth tregimit të Jezuit tha në Kur’an thotë: “S’ka dyshim, ky është lajm i vërtetë. Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër pos All-llahut. All-llahu është Ai, i plotfuqishëm, i vetëdijshëm.” [Quran 3:62] “Dhe se lartësia e madhëruar e Zotit tonë, nuk është që ka as grua, as fëmijë.” [Kur’an 72:3]

Përktheu dhe përshtati:
Skender Mustafi

Pjesa e parë:
Edhe muslimanet e duan Jezuin!

 

 (Islamway.com / Breziiri.com)

 
___________________
* Përdorimi i emërtimeve krishtere si Jezui, Jezusi, Jezu Krishti, Krishti, etj., të gjitha këto, ndërlidhen me pejgamberin e Zotit, të cilin ne si muslimanë e njohim si Isai,  i biri i Merjemes. Ne nuk deshëm të ndërhymë në tekst, pasi që konsiderojmë se kjo është bërë me qëllim nga autorja e këtij shkrimi. Kemi shtuar vetëm përdorimin mysliman të emrit të Marisë, duke ia shtuat të bashkëngjitur hz. Merjemja; të Gabrielit, Xhibrili a.s.,  të Tora-s, Tevrati, etj., dhe të ndërrimit të përdorimit nga Profeti Muhamed në Muhammedi a.s. (Redaksia e BR-së)

** Ajetët janë marrë nga Kur’ani i përkthyer nga rahmetli H. Sherif Ahmeti.

[1] Misha’al ibn Abdullah, “Çfar tha Jezui në të vërtetë?”

[2] Sheikh Ahmad Deedat. “A është Bibla fjalë e Zotit?“

[3] Sheikh-‘Uthaymeen Majmoo’ « Fataawa wa Rasaa’il Fadeelat » vëll. 1, f. 32-33

 

Pjesa e tretë

 Dishepujt (nxënësit) e Jezuit

Kaptina e pestë në Kur’an bart emrin “El-Maide” (Tryeza e mbushur me ushqim). Është një nga tre kaptinat e Kur’anit që merret posaçërisht me jetën e Jezuit dhe nënës së tij Marisë / hz. Merjemja. Kaptinat e tjerë janë: kaptina e tretë “Ali Imran” (Familja e Imranit) dhe kaptina e nëntëmbëdhjetë, “Merjem” (Maria). Muslimanët e duan Jezuin dhe nënën e tij, por nuk i adhurojnë ata. Kur’ani, të cilin muslimanët e besojnë si fjalë të drejtpërdrejtë të Zotit, i përmend me respekt të lartë Jezuin dhe nënën e tij Marinë / hz. Merjemen, në të vërtetë edhe familjen e tyre të plotë – familjen e Imranit.
Ne e dimë se Jezui, për shumë vite, jetoi në mes të popullit të tij, te izraelitët, duke i thirrur ata të adhuronin Një Zot të Vërtetë dhe duke realizuar mrekulli me lejen e Tij.

Shumica e tyre përreth tij refuzuan thirrjen dhe dështuan të pranonin mesazhin që ai solli. Megjithatë, Jezui mblodhi rreth tij një grup shokësh, të cilat në gjuhën arabe u quajtën “El Havarijin” (dishepujt e Jezuit).

Zoti thotë në Kur’an: Dhe kur i frymëzova Havarijjunët (i urdhërova): “Të më besoni Mua dhe të dërguarin Tim!” E ata thanë: “Ne besuam, e ti dëshmo se ne jemi muslimanë”.” [Kur’an 5:111]

Dishepujt e quajtën veten muslimanë, si është e mundur, pra, që ata ta quanin veten të këtillë, përderisa Islami nuk do të shfaqej edhe 600 vite të tjera?! Këtu Zoti i referohet kuptimit të përgjithshëm të fjalës “muslimanë”. Musliman është çdonjëri i cili i nënshtrohet Një Zoti dhe i bindet Atij dhe çdonjëri, lojaliteti dhe besnikëria e të cilit tek Zoti dhe besimtarët është mbi gjithçka tjetër. Fjala musliman dhe islam rrjedhin nga fjala me prejardhje arabe – se le me – dhe kjo është sepse paqja dhe siguria (Selami) janë pjesë e pa ndarë e nënshtrimit ndaj Zotit. Nga kjo mund të kuptohet se të gjithë të dërguarit dhe pasuesit e tyre ishin muslimanë.
Tryeza e mbushur me ushqim

 

Dishepujt i thanë Jezuit: “…O Isa, bir i Merjemes, Zoti yt a mund të na zbresë një tryezë nga qielli?…” [Kur’an 5:112].

A kërkonin ata që Jezui të bënte mrekulli? Apo dishepujt e Jezuit të cilët e quajtën veten muslimanë u ndjenë të pasigurt në aftësinë e Zotit për të realizuar mrekulli tw tillw! Është e pa mundur, sepse ky do të ishte një akt mosbesimi. Dishepujt e Jezuit nuk po pyesnin nëse ajo do të ishte e mundur, për më tepër nëse Jezui do të kërkonte nga Zoti në atë kohë specifike që t’i furnizonte me ushqim. Megjithatë, Jezui, do të ketë menduar ndryshe, duke u përgjigjur: “Keni frikë Zotin, nëse jeni besimtarë (muslimanë)” [Kur’an 5:112].

Kur panë reagimin e Jezuit, dishepujt tentuan t’i sqaronin fjalët e tyre. Fillimisht ata thane: “Ne dëshirojmë të hamë nga ajo…“ [Kur’an 5:113]

Ata mund të kishin qenë shumë të uritur duke pritur Zotin t’u plotësojë nevojat e tyre. Të kërkuarit nga Zoti për të na furnizojë me ushqim është i pranueshëm, për atë Zoti është Furnizuesi, Një nga i cili rrjedh i gjithë furnizimi. Dishepujt pastaj thane: “…dhe të na binden zemrat tona …” [Kur’an 5:113]

Ata donin të thoshin se besimi i tyre do të forcohej edhe më shumë nëse do të shihnin mrekulli me sytë e tyre dhe kjo vërtetohet me fjalët e tyre përmbyllëse: “…dhe të vërtetojmë bindshëm se na e the të vërtetën e të bëhemi dëshmues të saj!” [Kur’an 5:113]

Edhe pse u përmend në fund, duke qenë dëshmitarë të së vërtetës dhe duke pare mrekullitë që janë dëshmitë përmbajtëse të tij ishin justifikimet më të rëndësishme për kërkesën e tyre. Dishepujt kërkonin nga i dërguari i tyre, Jezui, që të realizonte këtë mrekulli me dëshirën e Zotit ashtu që ata të mund të ishin dëshmitarë para gjithë njerëzimit. Dishepujt donin të përhapnin mesazhin e Jezuit duke përhapur mrekullitë të cilat i kishin parë me sytë e vetë.

„(Ata) Thanë: “Ne dëshirojmë të hamë nga ajo dhe të na binden (edhe më shumë ) zemrat tona dhe të vërtetojmë bindshëm se na e the të vërtetën e të bëhemi dëshmues të saj!” Isai, bir i Merjemes, tha: “O All-llah, Zoti ynë, na zbrit nga qielli një tryezë, të na jetë festë (gëzim)për ne dhe për ata (që vijnë) pas nesh, të jetë argument prej Teje, dhe dhurona se Ti je furnizuesi më i mirë!”” [Kur’an 5:113-114]

Jezui kërkoi mrekullinë. Ju lut Zotit, që të zbritej një tryezë e mbushur me ushqim. Ai kërkoi që të kishte për të gjithë ata dhe të ishte festë. Fjala arabe e përdorur në Kur’an është “Eid” që do të thotë festë që përsëritet. Jezui donte që dishepujt e tij dhe ata që do të vinin pas tyre të mbanin mend bekimin e Zotit dhe të ishin falënderues.

Ne kemi shumë për të mësuar nga lutjet të cilat i kanë bërë të dërguarit dhe besimtarët e tjerë të drejtë. Lutja e Jezuit nuk ishte vetëm për një tryezë të mbushur me ushqim, por që Zoti t’i mbështeste ata. Ai e bëri atë gjithëpërfshirëse sepse ushqimi është pjesë e vogël e mbështetjes së ofruar nga Mbështetësi më i Mirë. Mbështetja nga Zoti përfshinë të gjitha nevojat e patjetërsueshme për jetë, duke përfshirë, por jo duke u kufizuar në: ushqim, strehim dhe dituri.

Zoti u përgjigj: “Unë atë ua zbres, e kush prej jush mohon pastaj, Unë atë e dënoj me një dënim që nuk e dënoj asnjë nga njerëzit.“ [Kur’an 5:115]

 

 

Dituria barazon përgjegjësinë

 

Arsyeja përse përgjigja e Zotit ishte aq absolute është sepse nëse një nuk beson pasi të i jetë shfaqur mrekullia nga ana e Zotit është më i keq pastaj mosbesimi pa e parë mrekullinë. Ju mund të pyesni përse. Është sepse nëse ndonjëri ka parë mrekullinë, ai ka diturinë primare dhe të kuptuarit e plotfuqishmërisë së Zotit. Sa më shumë njohuri të ketë një person, aq më shumë përgjegjësi ka para Zotit. Kur të kesh parë shenjat, obligimi për të besuar dhe shpërndarë porosinë e Zotit bëhet më i madh. Zoti urdhëroi dishepujt e Jezuit që pranonin këtë tryezë me ushqime që të jenin në dijeni për përgjegjësinë e madhe që morën mbi vete.

Dita e tryezës u bë ditë kremteje dhe festimi për dishepujt dhe pasuesit e Jezuit, por, sikur që kalonte koha, kuptimi i vërtetë dhe esenca e mrekullisë u humb. Përfundimisht Jezui u bë të adhurohej si zot. Ditën e ringjalljes, kur i gjithë njerëzimi do të qëndrojë para Zotit, dishepujt do të mbajnë përgjegjësinë e madhe të njohjes së mesazhit të vërtetë të Jezuit. Zoti do t’i flas Jezuit drejtpërdrejtë dhe do t’i thotë: “…O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënës time dy zota pos All-llahut!?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua, e unë e di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!” Unë nuk u kam thënë tjetër atyre, pos asaj që Ti më urdhërove;ta adhuroni All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj…” [Kur’an 5 :116-117]
Ata nga ne që janë bekuar me mesazhin e vërtetë të Jezuit, mesazh i përhapur nga të gjithë të dërguarit, duke përfshirë edhe të dërguarin e fundit, Muhammedin a.s., gjithashtu do të mbajnë përgjegjësi të madhe në Ditën e Ringjalljes.

 

Përktheu dhe përshtati:
Skender Mustafi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme