Turqia dhe gjeneralët

Më 4 gusht, Presidenti i Turqisë, Abdullah Gul, pas një mbledhje katërditore të Këshillit të Lartë Ushtarak, emëroi elitën e re udhëheqëse të forcave të armatosura turke, që nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë e deri te komandantët e forcave të armatosura tokësore, ajrore dhe detare. Vendimi për ndryshimet dhe emrat u mor nga autoritetet më të larta civile, pas një dorëheqje kolektive të katër gjeneralëve të mëparshëm, të cilët drejtonin forcat e armatosura turke deri më 29 korrik, datë në të cilën ata, në shenjë proteste dhe presioni ndaj qeverisë, paraqitën në grup largimin e menjëhershëm të tyre nga postet më të larta ushtarake.
Është hera e parë në historinë e Turqisë, që udhëheqja e forcave të armatosura turke, pra kasta e gjeneralëve, tërhiqet nga postet më të larta ushtarake në mënyrë paqësore dhe pa organizuar një grusht shteti për të përmbysur qeverinë. Sepse për traditën dhe strukturën politike të pushtetit në Turqi, ushtria ka qenë forca komanduese e pushtetit dhe sa herë që asaj nuk i pëlqenin qeveritë apo politikat, që ndiqnin qeveritë, organizonte grushte shteti. Që nga viti 1960 ushtria ka organizuar katër herë grushte shteti, më 1960, 1971, 1980 dhe 1997. Është një shifër rekord për një vend anëtar të NATO-s, ku grushtet e shtetit ishin kthyer në një metodë e mbajtjes së pushtetit nga kasta e gjeneralëve.
Roli dominues i ushtrisë në politikë dhe në pushtet ishte imponuar nga gjeneralët dhe ishte sanksionuar si një normë bazale e funksionimit të vetë shtetit turk. Kasta e gjeneralëve ishte vetëshpallur gardiane e republikës, e kemalizmit, e sekularizmit, e të të gjitha vlerave kombëtare, shtetërore, shpirtërore dhe demokratike. Të gjitha këto atribute ishin eufemizmi i rolit drejtues të ushtrisë në shtet. Ishte një rol i paparë në asnjë vend anëtar të NATO-s dhe i paimagjinueshëm në secilin vend të Aleancës Atlantike, nga SHBA-ja deri në Norvegji, ku as edhe një fantazi nuk mund të pranojë, që gjeneralët të drejtojnë dhe të sundojnë politikën dhe shtetin. Për të kuptuar ndryshimin mjaft të kujtojmë se shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane është i 49-ti në protokollin shtetëror, ndërsa në Turqi shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë është i katërti në protokoll.
Në situatën e komplikuar të luftës së ftohtë mund të kishte një hapësirë mirëkuptimi dhe tolerance për një rol determinues të ushtarakëve, sepse Turqia, ushtria e dytë më e madhe në Aleancën Atlantike, mbante mbi supe në mënyrë të drejtpërdrejtë barrën e një kërcënimi dhe konfrontimi ushtarak me shtetin kufitar superfuqi, Bashkimin Sovjetik, kundërshtari dhe rreziku kryesor i Perëndimit. Inercia e sundimit të ushtarakëve vazhdoi edhe pas mbarimit të luftës së ftohtë, por me shembjen e Bashkimit Sovjetik dhe me demokratizimin e vendeve ish-komuniste dhe kur Turqia avancoi në programin e saj të anëtarësimit në BE, duke marrë statusin e shtetit kandidat, ky dominim i kastës së gjeneralëve në jetën politike përbënte një pengesë e madhe në rrugën e integrimit europian.
Një nga kërkesat kryesore të pranimit në BE është jo vetëm toleranca zero ndaj kontrollit të ushtarakëve në jetën politike e civile, por edhe vendosja e një kontrolli civil mbi ushtrinë. Një shtet kandidat i BE-së si Turqia nuk mund ta lejonte pafundësisht situatën paradoksale të një shteti demokratik, që kontrollohet nga gjeneralët. Rëndësinë e ndarjes nga kjo faze e kapërcyer historike e kuptoi kryeministri Rexhep Taip Erdogan, i cili e përfshiu në programin politik të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim vendosjen e standardit demokratik të një kontrolli civil në ushtri dhe pakësimin e neutralizimin e ndërhyrjes së ushtarakëve në jetën politike të vendit. Provat e forcës mes qeverisë civile dhe kastës drejtuese të gjeneralëve nuk munguan dhe kjo doli hapur me rastin e arrestimit të një grupi prej 250 ushtarakësh, mes të cilëve edhe 40 gjeneralë, të akuzuar për komplot kundër shtetit dhe për rrëzimin e qeverisë. Mes të akuzuarve ka edhe gjeneralë e admiralë, të cilët ishin propozuar nga komandat ushtarake për t’u promovuar në postet më të larta në ushtri, gjë të cilën qeveria nuk e lejoi. Dhe kur më 29 korrik, në mënyrë sfiduese dhe kërcënuese, katër gjeneralët më të lartë të ushtrisë turke dhanë dorëheqjen, jo pak vetë menduan se erdhi beteja finale, e cila sipas përvojës së hidhur të Turqisë moderne, mund të merrte formën e grushtit të shtetit.
Por një e pritshme e tillë nuk ndodhi, përkundrazi u konfirmua spostimi historik i boshtit dhe i ekuilibrit të pushtetit në favor të kontrollit civil dhe të autoritetit civil. Është një zhvillim, i cili natyrisht përfaqëson një hap historik të rëndësishëm të Turqisë në rrugën e demokracisë dhe të forcimit të institucioneve të saj demokratike. Qoftë strategjisë së NATO-s, qoftë strategjisë së BE-së dhe interesave të Perëndimit, u duhet një Turqi demokratike, civile dhe moderne. Natyrisht, për të ardhur deri në pozitën që t’i kujtojë dhe t’i imponojë kastës së gjeneralëve se vendi i ushtrisë është në kazermë dhe se ushtria nuk ka punë me jetën politike, nuk ka qenë lehtë për përvojën dhe mekanizmin e deritanishëm të shtetit në Turqi. Do të duhej një kryeministër si Rexhep Taip Erdogan, partia e të cilit erdhi në pushtet në vitin 2002, dhe më 12 qershor të vitit 2011 mori mandatin e tretë nga populli në zgjedhjet parlamentare, duke fituar 50 për qind të votave, ose me shumë se të gjitha partitë e tjera politike së bashku, pra do të duhej një mbështetje e gjerë popullore për të guxuar hapjen e një ere të re në historinë politike të Turqisë. Do të duhej një kryeministër si Erdogani, që të arrinte të rriste produktin e përgjithshëm kombëtar tre herë qysh nga ardhja e tij në fuqi, të siguronte një rritje të madhe ekonomike, e cila në tremujorin e parë të vitit 2011 arriti 11 për qind, shifra më e lartë në botë, dhe të dyfishonte të ardhurat për frymë të popullsisë. Do të duhej një kryeministër si Erdogani, i cili arriti ta rendisë Turqinë në rangun e 16-të ekonomive më të fuqishme të botës dhe të gjashtën në listën e vendeve të BE-së. Po t’i bashkojmë këtyre të dhënave edhe autoritetin e ri dhe rolin e ri dinamik, rajonal dhe ndërkombëtar, evidentohet më qartë profili i një Turqie të re, me një reputacion më të konsoliduar ndërkombëtar, gjë e cila nuk mund të mos e shtonte përkrahjen politike në masat e gjëra të popullsisë, e sidomos në klasën e mesme turke, për reforma demokratike edhe në organizimin e shtetit.
Forcimi i demokracisë në Turqi dhe i kontrollit të pushtetit civil mbi gjeneralët dhe mbi ushtrinë, përbën një zhvillim pozitiv për një shtet anëtar të NATO-s dhe shtet kandidat të BE-së. Është e kuptueshme se shoqëria turke ka ende probleme për të zgjidhur, por nuk duhet harruar se, përderisa ushtria ka qenë dominuesja e jetës politike dhe e shoqërisë për periudhën më të gjatë të historisë moderne turke, ajo mban edhe barrën më të madhe të përgjegjësisë për këto probleme, duke filluar nga liritë e të drejtat e njeriut e deri tek çështja kurde. Shembull është Kushtetuta, e hartuar nga ushtarakët, pas grushtit të shtetit të vitit 1980, e cila është shndërruar në një pengesë për dinamikën e re të shoqërisë turke. Ndaj të nesërmen e dorëheqjes së gjeneralëve, kryeministri deklaroi se Turqia nuk mund të vazhdojë rrugën e saj me një Kushtetutë të shkruar në kushte të jashtëzakonshme, kur demokracia turke ishte pezulluar. Kontrolli dhe drejtimi civil në jetën politike e shtetërore krijon hapësira më të mëdha demokratike për progres në të gjithë problematikën shoqërore dhe civile.
Në reagimet dhe analizat e deritanishme të këtij kapitulli të ri në jetën politike të Turqisë, konstatohen edhe disa vështrime skeptike, që tentojnë të kapen pas formulës së “ushtrisë si garantë e sekularizmit”. Është një interpretim i njëanshëm, që vjen nga qarqe dhe pozicione sektare, të cilat harrojnë me dashje se sekularizmin nuk e kanë siguruar dhe nuk mund ta sigurojnë forcat ushtarake dhe kastat e gjeneralëve. Asnjë shtet demokratik nuk e realizon sekularizmin me trupat ushtarake dhe me gjeneralët, por me institucionet demokratike, me legjislacionin demokratik dhe me drejtimin civil të jetës politike dhe të të gjitha institucioneve të vendit. Parimi i madh se autoritetet civile duhet të kontrollojnë ushtrinë është përvojë dhe normë themelore e demokracisë, një vlerë e përhershme, që qëndron mbi regjimet dhe mbi udhëheqësit, që shkojnë dhe vijnë në një shtet, dhe do të ishte antihistorike dhe antidemokratike t’i kërkosh Turqisë të ruajë uniformën ushtarake. Një shoqëri me uniformë e kërkojnë vetëm mendjet me uniformë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme