
Zgjimi nga letargjia fetare, dalja nga konfuzioni shumëdimensional i besimtarëve muslimanë, dhe vetëdijësimi i besimtarëve karshi vetëdijësimeve të të tjerëve, aktualisht nuk mund të merret me mend
1) pa Ulemanë, intelektuale, të gatshme dhe të aftë të veprojë varësisht nevojave të kohës dhe
2) pa Ulemanë të gatshme në sakrifica të mëdha personale, materiale dhe intelektuale, të gatshme në sinqeritet, bashkëpunim dhe respektim reciprok,faktorë këta të domosdoshëm për sukses.
Nisur nga kjo gjendje, është koha e fundit që ulemaja të bëhet shtresa më e vetëdijshme e Bashkësisë Islame dhe fuqia kreative, vepruese dhe e gjallë brenda saj. Ulemaja një pjesë të kohës duhet ta kalojë në xhami, por një pjesë tjetër të kohës patjetër duhet të dalë nga ambienti i xhamisë në njëmendësinë e gjallë. Këtë sot duhet shfrytëzuar si nxitje dhe si stimulans për një aktivitet më konstruktiv. Feja në rrethanat e reja do të trajtohet, shpresojmë, afirmativisht, apo së paku do të jetë e barabartë me të gjitha idetë dhe ideologjitë tjera dhe më nuk do të jetë a priori "element destruktiv" i shoqërisë dhe "opiumi” i popullit.
Ajo do të duhej të bëhet nismëtari kryesor i prezentimit të fesë në mas-mediume, të shkruara apo elektronike dhe në publik. Duhet inicuar tribuna, debate, konferenca dhe sesione shkencore dhe forma tjera organizative për rininë dhe inteligjencën muslimane, duhet organizuar promovimin e librave e revistave me përmbajtje islame por edhe të përgjithshme, duhet formuar klubin e lexuesëve, inicimin e shkrimeve aktuale popullarizuese, duhet realizuar emisione shkencore, kulturore edukative e familjare në Radio e Televizione me njerëz përkatës, pa improvizime dhe trivializma. Niveli intelektual i deritashëm i paraqitjeve publike të personaliteteve fetare islame në RTV-të e Kosovës është jashta çdo normaleje (me ndonjë përjashtim) dhe më shumë janë kundërproduktive: të papërgatitur profesionalisht, improvizues të pasuksesshëm dhe jashtë rrjedhave shkencore e intelektuale në Kosovë, rajon dhe botë.
Ndër prioritetet e ulemasë në këtë kohë duhet të jetë sensibizilimi i masës për masovizimin e mësim-besimit nëpër objektet e Bashkësisë Islame dhe sensibilizimi i masës për realizimin e mësimit fetar nëpër shkolla laike shtetërore. Elektorati besimtarë me votën e tij duhet të ndikojë në disiplinimin e pushtetarëve në dobi të votës së tyre, pa marrë parasysh përkatësinë partiake.
Nevojat e mëdha të besimtarëve nga një anë dhe roli që ulemaja duhet ta ketë nga ana tjetër, për ulemanë paraqet rast ideal për dëshmim të rolit avangard të tyre në Bashkësinë Islame dhe në shoqëri. Mirëpo, nëse i përjashtojmë shembujt e paktë të ndritshëm nuk mund të mburremi me entuziazmin e një pjese të konsiderueshme të anëtarësisë (ulemasë) sonë. Rezignacioni, neglizhenca dhe apatia janë të pranishme. Është koha të pyesim se a është kjo gjendje rezultat i margjinalizimit afatgjat të rolit të ulemasë, apo është në pyetje paaftësia e përshtatjes adekuate karshi kërkesave të kohës, të xhematit, të dëgjuesve e lexuesve, apo shkaqet janë të natyrës sociale, respektivisht problemi është diç krejt tjetër dhe dikund tjetër.
Duke përfillë secilin nga këta faktorë, duhet konstatuar se një pjesë e ulemasë jeton në minimumin ekzistencial, se të ardhurat personale nuk janë të rregulluara, por duhet bërë pazarllëk, se statusi i tij profesional dhe shoqëror nuk është i rregulluar, se problemi banesor dhe sigurimi pensional e social nuk është i rregulluar etj. Duket se ky është një nga shkaqet e indiferencës dhe indolencës së një pjese të ulemasë. Mirëpo, a e rregullon këtë gjendje pasiviteti i tyre? Po ashtu, nëse i përkujtojmë kolegët e para disa dekadave, gjendja e ulemasë sot megjithatë është më e mirë!.
Përkundër kushteve të rënda, ulemaja duhet të jetë në vatër të ndodhive dhe të japë kontributin e vet në këtë. Në pajtim me këtë, duhet riorganizuar Shoqata e Ulemave (tash një kohë e suprimuar nga vetë BI-e) dhe në të ardhmën ajo quhet të gjejë vendin meritor në këtë vorbull ndodhish dhe ngjarjesh. Do të duhej të punojë në organizimin e seminarëve dhe kurseve sipas metodave më të avansuara, të hartojë plane dhe programe për një aktivitet efikas në të gjitha shtresat e popullit. Do të duhej të merret intenzivisht me veprimtarinë botuese, sepse është e mjerueshme që institucionalisht edhe këtë kohë nuk kemi kurrfarë literature islame për fëmijë, për rini dhe për të rritur.
Shoqata do të mbante kontakte të përhershme me organet e Bashkësisë Islame për sendërtimin e interesave të përbashkëta dhe për orientimin e drejtë të punës së anëtarëve të saj. Aktivisht do të marrë pjesë në diskutime dhe do të japë mendimin e vet për të gjitha çështjet dhe aktivitetet në Bashkësinë Islame.
Shoqata do të bashkëpunonte edhe me shoqatat tjera islame të ngjashme në rajon, me shoqatat qytetare por edhe me partitë politike të cilat çështjen e Islamit e përkrahin dhe e ndihmojnë. Nga fakti se besimtarët muslimanë (dhe të tjerët) çdo ditë e më tepër po rrezikohen, Ulemaja ka për detyrë prioritare të rrezistojë kundrejt të gjithë faktorëve që rrezikojnë integritetin e tyre fetar, kulturor dhe përgjithësisht njerëzor. Ulemaja duhet të vendoset në krye të detyrave dhe përgjegjësive aktuale dhe të animojë besimtarë për realizimin e synimeve të larta. Duhet ndjekur shembullin e Pejgamberit a.s., të as'habëve dhe njerëzve të ndershëm nga historia islame. Prandaj është më se i domosdoshëm uniteti mes ulemasë, respektimi dhe besimi i ndërsjellë në rrugën e shpëtimit. Në të kundërtën, do të përgjigjemi para Zotit dhe para historisë për rastin e lëshuar.
Imami bashkëkohor ndër të tjera duhet të jetë syçelë ndaj atyre që Islamin e shohin si pengesë prosperiteti material dhe shpirtëror, ndaj atyre që Islamin duan ta shohin se si dorëzohet para dhunës dhe injorancës së jashtme dhe të brendshme, ndaj atyre që Islamin duan ta shohin si shërbetore në pallatet e mbretërve dhe princave, kryetarëve dhe magnatëve, që Islamin duan ta shohin se si bëhet zëdhënës i klasës sunduese për t’i qetësuar masat në dobi të sunduesit.
E dini përse Islami paraqet rrezik për disa qendra ndikimi dhe për satelitët e tyre? Sepse Islami besimtarëve ua mbanë sytë të hapur karshi lirisë, sikurse edhe karshi robërimit ndaj Krijuesit. Sepse, robërimi ndaj Krijuesit domethënë mosrobërim ndaj dikujt tjetër. Është e qartë, kundërshtarëve u pengon islami kur’anor, islami i Islamit, por nuk u pengon islami puthadorë i qeverive të vendeve arabo-islame apo i bashkësive fetare islame në vende të caktuara. Islami kur’anor, sipas kundërshtarëve, prodhon ekstremistë, radikalë dhe terroristë, por në sytë tonë, islami kur’anor dhe muslimanët kur’anorë janë vetëm besimtarë të devotshëm, të përkushtueshëm dhe asgjë më shumë. Për ta agresiviteti, dhuna dhe eksploatimi ndaj tjetrit është i huaj dhe shkelje e shenjtërisë. Por, po këtë e dëshirojnë edhe për vete.
Personalisht, problemin më tepër e shoh brenda nesh, para së gjithash në elitën muslimane dhe në masë dhe vetëm pastaj në faktorët tjerë të jashtëm.
Allahu na ndihmoftë për përpjekjet tona fisnike!