ZBULIMI (ME SHPIRT) I ASAJ QË FSHEHET NË TË FOLUR OSE ASAJ QË SJELL LËVDATË DHE KUJTIM - 11

Nga këto dy gjëra thuajse nuk është kursyer askush përveç atij që është pa kurrfarë ambicie, që plotësisht sundon me shpirtin e vet dhe është i aftë ta zotërojë plotësisht zemërimin e vet, ose atë që e ka shëruar lakminë e vet për të dëgjuarit e të folurit që prej tij fshihet ose atij që prej të parit të tij fshihet pa menduar për të ngjashmen që i ka mbetur e panjohur në ndonjë vend tjetër, në viset e largëta të rruzullit tokësor.

E nëse tërë kjo e panjohur do t’i interesojë, atëherë ky është i marrë dhe pa fije mend, e nëse fare nuk do t’i interesojë atëherë kjo që këtu i ka mbetur e panjohur është e njëjtë sikur ajo që i ka mbetur e panjohur prej më herët, pa kurrfarë dallimi në këtë. Për këtë le ta rrisë argumentimin kundër epshit të vet dhe me gjuhën e arsyes le t’i thotë shpirtit të vet:

- Ç’mendon sikur mos ta dije që këtu ekziston diç që prej teje është e fshehur , a do të përpiqeshe ta njohësh?

Përgjigjja pa dyshim do të jetë: jo! Prandaj le t’i thotë:

- E bëhu atëherë i atillë çfarë do të ishe sikur nuk e di që këtu ka diç të fshehtë prej teje dhe për ty e panjohur. Kështu vetes do t’i sigurosh qetësi, do të flakësh brengosjen, dhembjen e jorehatisë dhe shëmtinë e lakmisë, kurse këto janë fitimet e mëdha e të lartësuara, cilësitë e mira e lavdëruese për të cilat synon çdo njeri i arsyeshëm, kurse u shmanget vetëm ai që është i cunguar dhe jo i plotë.

Ai që i është dorëzuar imagjinatës dhe mendimit të vet në mënyrë që t’i dëgjohet emri në botë dhe ta ruajë kujtimin për të, le të mendojë mirë për shpirtin e vet e pastaj le t’i thotë:

- Ç’mendon sikur gjithherë të përmendesha në mënyrën më të mirë dhe në të gjitha vendet e banuara të botës, sërish kohë do të duhej patjetër njëherë deri në fund të shpështillet, pastaj nëse unë për atë përmendje nuk do të dija, a do të kem në këtë ndonjë gëzim dhe hare apo jo?

Sërish përgjigjja do të jetë: jo, kurrfarë tjetërfare.

Kur kjo të jetë e saktë dhe e sigurt atëherë le të thotë: kur të vdes nuk do të dijë se a po më përmendin apo jo, e po ashtu nëse jam i gjallë, por deri tek unë nuk arrin përmendja ime, unë nga kjo nuk kam kurrfarë dobie. Mirë le të mendojë edhe për këto dy fakte të mëdha:

E para, shumë felajmëruesve dhe Të dërguarve, s.a.v.s., që kanë kaluar nëpër jetë, kurse për të cilët askush tash nuk posedon kurrfarë dije, nuk u është ruajtur as emri, as kujtimi, as lajmi, as çfarëdo gjurme tjetër, në çfarëdo mënyre. Pastaj ka pasur po ashtu shumë shëmbëllyes nga shokët e felajmëruesve të kaluar dhe prej filozofëve, dijetarëve, njerëzve të mirë, sunduesve të kaluar, ndërtuesve të qyteteve të tanishme, dhe trashëgimtarëve të tyre për të cilët lajmet janë humbur dhe askush për ta fare nuk di asgjë. Kjo që nuk dihet për ta a do t’i bëjë dëm ndonjërit prej tyre nëse ka qenë i mirë, a e cungon virtytin e tij, ose e fshinë veprën e tij të mirë, ose e zvogëlon shkallën e tij tek All-llahu xh.sh.? Kush nuk e njeh këtë le të dijë se sot më së shumti dihet për të kaluarën e sunduesve hebraikë, e pastaj vjen ajo që ne e dimë për historinë e sunduesve grekë e persianë. Mirëpo, tërë kjo nuk e tejkalon periudhën prej dy mijë vjetësh në të kaluarën. E ku janë atëherë lajmet për ata që para tyre e kanë banuar rruzullin tokësor? A nuk janë zhdukur të gjithë ata, dhe plotësisht janë fshirë dhe humbur lajmet për ta? Në atë kuptim janë edhe fjalët e All-llahut të Madhëruar: “... dhe të dërguarve për të cilët nuk të kemi rrëfyer”, “... dhe shumë popujve ndërmjet tyre”, “... dhe atyre pas tyre? - vetëm All-llahu e din”. Pra, a nuk është njeriu megjithatë, edhe pse për një çast u bë i njohur në kohë, sikur popujt e hershëm që po ashtu janë përmendur e në fund plotësisht janë harruar?! Le të mendojë njeriu edhe për të që është përmendur për të mirë ose të keqe, a ia rritë kjo tek All-llahu xh.sh. shkallën e tij, a ia siguron ndonjë vlerë, nëse këtë nuk e ka arritur me veprën e vet derisa ende ishte gjallë? Nëse kjo është ashtu siç kemi thënë atëherë rezulton se dëshira për kujtim në realitet është dëshira e të mashtruarit, e cila është e kotë dhe fare pa dobi. Për këtë njeriu duhet synuar nga rritja e virtytit të vet nëpër veprat e mira sepse vetëm ai që posedon këtë meriton kujtim të mirë për veten, lëvdatë të mirë dhe veti të mirë, kurse kjo është ajo që njeriu e ofron tek Krijuesi i lartë i tij dhe bën që të përmendet tek Ai, prej çka do të ketë dobi dhe fitim të përhershëm. Kurse All-llahu xh.sh. i jep suksesin!

Në botë dominon hipokrizia dhe është çudi e vërtetë se si njerëzit nuk e miratojnë pos atij që ndaj tyre është hipokrit.

Nëse dikush thotë: “Në karakter qëndron virtyti sepse skajet e kundërshtive takohen ndërmjet veti” nuk është larg nga e vërteta. Sepse edhe ne e dimë se pasojat e kundërshtive barazohen dhe shohim njeriun se si qanë prej gëzimit dhe pikëllimit, shpërthimi i tepruar i dashurisë ndeshet me shpërthimin e tepruar të urrejtjes në ndjekjen e fatit. Kjo mund të jetë shkak i ndërprerjes së marrëdhënieve kur të humben durimi dhe drejtësia.

Shumësia e pozitave (funksioneve) të larta e detyrojnë njeriun të gënjejë për shkak se shpesh në gënjeshtër kërkon arsyetim. Kështu mësohet me gënjeshtrën duke e konsideruar shfaqje të rëndomtë.

Dëshmitari më i drejtë kundër atij që prej natyrës është i sinqertë është fytyra e tij, sepse në të manifestohet diç posa të gënjejë ose këtë dëshiron ta bëjë. Kurse dëshmitari

më i drejtë kundër gënjeshtarit është gjuha e tij që për këtë shkak pengohet dhe të folurit e tij bëhet kundërthënës...

Fatkeqësia më e madhe është në mikun jo të sinqertë. Tek ata njerëz në gjuhët e të cilëve të këqijat më së lehti gjenden, më së lehti gjenden edhe në veprën e tyre. Kjo shihet më së miri në bisedimin reciprok të meshkujve dhe femrave të paturpshme dhe llafosjeve deri në fund përbuzëse profesionet e të cilëve janë të thjeshta...

Takimi e heq urrejtjen, sepse shikimi i syrit në sy i përmirëson zemrat.

Mos të të pikëllojë takimi i mikut tënd me armikun tënd, sepse ai e zbutë çështjen e vet tek ai.

Gjërat më të rrezikshme për njerëzit janë frika, brenga, sëmundja dhe varfëria, kurse më e dhembshmja në shpirt prej të gjithave është brenga që mos të humbet e dashura dhe mos të vijë e bezdisshmja. Pastaj vijnë frika dhe varfëria. Dëshmi për këtë është që edhe varfëria të shpejtohet që të refuzohet frika. Njeriu do ta shpenzojë tërë pasurinë që vetes t’i sigurojë siguri. Kurse edhe frika edhe varfëria shpejtohen që me to të refuzohet sëmundja. Njeriu u ekspozohet rreziqeve të ndryshme që të jetë i shëndoshë duke flijuar për shëndetin edhe tërë pasurinë kur sheh se po i ofrohet vdekja. E kur plotësisht të dëshmohet në afërsinë e saj, mendon se ka flijuar çdo gjë çka ka nga pasuria që të shpëtojë dhe shërohet.

Frika bëhet lehtë e durueshme kur me të dëshirohet të largohet brengosja, dhe se njeriu u ekspozohet shumë rreziqeve që ta refuzojë brengën nga vetja.

Dhembja më e madhe është ajo që vazhdimisht e ka goditur ndonjë pjesë të trupit. Mirëpo, shpirtrat fisnikë konsiderojnë se nga të gjitha dhembjet që i kemi cekur më e madhja është nënçmimi. Shpirtrat e poshtër konsiderojnë se nënçmimi është frika më e lehtë që njeriun mund ta godasë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme