Dr. Jusuf el-Karadavi

Përgjigjeja e dijetarit të shquar dr. Jusuf el-Karadavi:

Falënderimi qoftë për Allahun, ndërsa salavati, paqja e mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e gjykimit ... pastaj:

 

Ne nuk mund të arrijmë ta kuptojmë sekretin e agjërimit, përveç nëse arrijmë ta kuptojmë sekretin apo misterin e njeriut ... 

Atëherë, ç’është njeriu? Ç’është reatiteti i tij? 

A është ai një trup i ngritur dhe një skelet i strukturuar? A është ai një grumbull qelizash e organesh, nga mishi, gjaku, kockat dhe nervat? Nëse ky është njeriu, atëherë, sa i përbuzur dhe sa i vogël që është!!

Mirëpo, njeriu nuk është një skelet i ndjeshëm, por ai është një shpirt hyjnor i cili jeton në këtë trup tokësor. Është një mister nga i Lartmadhërishmi i mbuluar me baltë! Realiteti i njeriut është ajo dhurata hyjnore, ai diamanti shpitrëror të cilin e depozitoi Allahu në të. Njeriu me të logjikon dhe mendon, ndjen dhe shijon, me të e administron sundimin në tokë, e hedh vështrimin në mbretërinë e qiejve, dhe për shkak të tij Allahu i urdhëroi engjëjt që t’i bëjnë sexhde Ademit dhe jo për shkak të baltës së terur, e as baltës së brumosur1; 

 

إذ قال ربُّكم للملائِكَة إنِّي خالِق بشَرًا من طين فإذا سَوَّيتُه ونَفَخْتُ فيهِ مِن رُوحي فَقَعُوا لَه ساجِدِينَ

“Kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Unë po krijoi një njeri nga balta’ dhe kur ta kem përsosur atë, dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë përulnju atij (në sexhde)" (Sad: 71,72).

Ky, pra, është njeriu; shpirt i sipërm dhe trup i poshtëm, trupi është shtëpia, kurse shpirti është pronari dhe banuesi, trupi është mjeti i udhëtimit, kurse shpirti është udhëtari – pasagjeri, nuk është krijuar shtëpia për veten e saj, dhe as mjeti i udhëtimit për veten e tij, por shtëpia është krijuar për të mirën e banuesit, dhe mjeti i udhëtimit për të mirën e udhëtarit. Sa çudi është me njerëzit të cilët e kanë lënë pas dore vetveten, e preokupohen me banesat e tyre, dhe, e kanë bërë veten e tyre shërbëtorë të mjetit të udhëtimit, e kanë neglizhuar shpirtin e janë bërë rob të trupit të tyre, ata punojnë vetëm për trupin, angazhohen vetëm për t’i kënaqur instinktet e ulëta, operojnë vetëm rreth barkut dhe epshit, himni i tyre i përhershëm janë fjalët e poetit:

Vërtet kjo botë është vetëm ushqim, pije dhe gjumë  e nëse i humb këto, nga kjo botë atëherë përshëndetu!

Këta janë ata për të cilët Allahu i Plotfuqishëm thotë:

 

أرأَيتَ مَنِ أتَّخَذ إِلَهَهُ هَواه أَفَأَنتَ تكونُ عليهِ وَكِيلاً أَمْ تَحسَب أنَّ أكثرَهم يَسمَعُون أو يَعقِلون إِنْ هم إلاَّ كالأنعامِ بَلْ هم أضلُّ سبيلاً .

A e ke parë ti atë, që për zot e çmon epshin e vet, a mos do t’i bëhesh ti atij mbrojtës? A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshë, bile janë edhe më të humbur nga e vërteta. (El-Furkan, 43-44) 

Ky, pra, është njeriu, shpirt dhe trup; trupi ka kërkesa nga bota e tij e poshtme, kurse shpirti ka kërkesa nga bota e tij e lartë. Nëse njeriu ju nënshtrohet dëshirave të epshit duke i plotësuar kërkesat e instinktit në mendjen e tij, do të zbres nga niveli i engjëllit të mëshirshëm në një kafshë të qortuar, e në djall të mallkuar. Për këtë ka bërë thirrje poeti besimtar:

O shërbëtor i trupit, sa po angazhohesh në shërbimin e tij, a po kërkon fitim, në atë që ka vetëm humbje?

Kthehu kah shpirti dhe plotësoja virtytet e tij, sepse ti njeri je bërë, falë shpirtit, e jo me trup!

Ndërkaq, nëse një njeri ia di vlerën vetvetes, dhe e kupton sekretin-misterin e Allahut në të, dhe mbisundon ana e tij qiellore ndaj anës së tij tokësore, dhe kujdeset për pasagjerin para mjetit të udhëtimit, dhe për banuesin para mureve (banesës), dhe i ngadhnjen kërkesat e shpirtit para dëshirave të trupit, atëherë, me atë rast, ai njeri bëhet engjëll, apo edhe më i mirë se engjëlli:

 

إنَّ الذين آمَنُوا وعمِلوا الصالحات أولئك هم خَيْرُ البَرِيَّة .

“Ndërsa, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, të tillët janë krijesa më e dobishme.” (El-Bejjine, 7)

Prandaj, Allahu i Plotfuqishëm e urdhëroi agjërimin për ta çliruar njeriun nga sundimi i instikteve të tij, dhe për ta nxjerrë atë nga burgu i trupit të tij, dhe për t’i mposhtur tendencat e epshit të tij, për ta vënë nën kontroll dukurinë e tij shtazore dhe për të përngjarë me engjëjt. Andaj nuk është për t'u habitur që shpirti i agjëruesit të ngritet dhe të afrohet te Allahu i Plotfuqishëm, duke trokitur me lutjet e tij në dyert e qiellit dhe ato i hapen, i lutet Krijuesit të tij dhe Ai i përgjigjet, i bën thirrje dhe i thotë: “Siurdhëron, robi im, siurdhëron!” Në këtë kuptim është edhe thënia e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të: "Tre veta janë të cilëve nuk u refuzohet lutja e tyre: agjëruesi deri në iftar, sundimtari i drejtë dhe lutja e të shtypurit ..." (Transmeton et-Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen, Ahmedi, Ibn Maxhe, Ibn Huzejme dhe Ibn Hibbani në Sahihët e tyre).

 

Allahu e di më së miri !

 

 

Nga gjuha arabe 2: Miftar  Ajdini

 

_________________________

1 ) Përkthimi i ajeteve kur’anore është marrë nga përkthimi i h. Sherif Ahmetit, Allahu e mëshiroftë!

2) Burimi: http://qaradawi.net/site/topics/printArticle.asp?cu_no=2&item_no=8277&version=1&template_id=225&parent_id=17

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme