Është një nga personalitetet më të shquar shqiptarë, që ka dhënë një ndihmesë të veçantë në kulturën Islame në Shqipëri dhe në përgjithësi në çështjen kombëtare. Autor i rreth 50 veprave të botuara në gjuhën arabe dhe shqipe, i qindra artikujvestudimor dhe propagandistik, pedagog e ligjërues në disa universitete.
Ka lindur në Shkodër me 17-5-1923. i rritu në një mjedis familjar arsimdashës, fetar dhe me tradita atdhetare, u shkollua dhe u specializua në vende arabe, si në Siri, etj, ku përfundoi edhe diktaturën për fushën juridike fetare. Qendroi gjatë në Kajro, ku mësoi shumë mirë gjuhën arabe dhe atë angleze, hodhi baza të thella dhe solide në fushën e edukimit, fesë etj.
Një vend të veçantë zë veprimtaria e Vehbi Sulejman Gavoçit në fushën e arsimit, si mësues i apasionuar e me horizont të gjerë, duke filluar nga shkolla femërore e Halepit, pastaj si pedagog Iastitutin që përgatiste mësues dhe në Universitetin e Damaskut. Punoi edhe në Universitetin e Riadit në Arabinë Saudite më pas në Universitetin e Medinës, ku do të rikthehet më vonë po në këtë institucion, por si studiues.
Haxhi Vehbiu, zëvendësoi babanë e vet, duke zhvilluar ligjërata në xhaminë "Arnauti", të ndërtuar nga i jati, ku edhe vazhdoi për tre vjet si i ati edhe si imam e vaiz.
Mbas vitit 1974, kur me gjithë kërkesat për të vizituar atdheun dhe vendlindjen e tij, të cilat i refuzohen nga shteti ateist, ai çmallet duke iu afruar tokës shqiptare, madje drejtëpërdrejtë në të, si ligjërues në Shkup e në Prishtinë, ligjërime të bëra në gjuhën amtare shqipe. Pas kësaj vizite, me t’u kthyer në Siri filloi të shkruante e të botojë libra në gjuhën shqipe, sidomos pas vitit 1974, me botimin e librit "Si dhe pse?" dhe pas kthimit nga vizita që bëri tek bashkëatdhetarët e vet në Belgjikë, shkroi përkthimin e vet "Parimet e Islamizmit", edhe kjo vepër në gjuhën amtare shqipe.
Vitet e fundit, pas proçeseve demokratike, Sulejman Gavoçi e vizitoi disa herë vendlindjen e tij, duke mbajtur edhe ligjërata në xhaminë e lagjes Parrucë, ku la përshtypje të veçanta për thellësinë e mendimit, ligjërimin e qartë, problematik dhe me argumente e sidomos me emocione tek besimtarët e shumtë që e ndiqnin në ligjërimin e tij.
Në vizitat e bëra në Shqipëri Haxhi Vehbi Sulejmani është treguar shumë aktiv si në ligjëratat e zhvilluara në shkolla e institucione, para publicistëve, në ceremoni përurimi të xhamive, etj, ku ka treguar jo vetëm aftësi, horizont e kulturë të gjerë, por edhe urti e modesti, dashamirësi e bujari, sidomos në rastet kur ka ndihmuar edhe me fonde e dhurata në jetimore e institucione të ndryshme.
Shqiptarët, nga të gjitha viset që gjinden në Siri, përfshirë edhe studentët e shkruar atje për studime, gjejmë tek Vehbi Gavoçi dhe djemtë e tij pritje bujare, dashamirësi e ndihmë të gjithanëshme. Kështu, edhe tani, ndonëse në moshë, Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçi, vazhdon të ushtrojë veprimtarinë e tij për edukimin fetar të masës, si dhe për edukimin atdhetar të bashkatdhetarëve të vet nga të gjitha trevat.
Si përfundim, Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçi, është një personalitet i shquar fetar e atdhetar, didakt i arsimit dhe edukimit islam, ligjërues i rrallë, studiues i apasionuar dhe një shëmbëlltyrë e lidhjes së fjalës me veprimin, të mendimit teorik me zbatimin e mësimeve të Islamit.Ai, me veprën dhe tërë veprimtarinë e tij e pasqyron me dinjitet shumë të lartë atdheun e vet.