
Këshilli Evropian për fetva dhe hulumtime (ECFR) mori vendim për miratimin e kalkulimeve astronomike si metodë shkencore e matjes për caktimin e fillimit dhe mbarimit të muajit lunar, veçanërisht të muajit Ramazan, duke vërtetuar me këtë rast përkrahjen e procesit të integrimit të myslimanëve në shoqëritë evropiane.
"Myslimanët në shtetet evropiane duhet ta pranojnë këtë metodë për caktimin e fillimit dhe mbarimit të muajve lunar e sidomos Ramazanit dhe Shevvalit", është qëndrimi i ECFR-së në deklaratën përfundimtare në seancën e 17 të mbajtur të shtunën më 19 maj 2007.
Më tej është theksuar se "datat e këtyre dy muajve duhet të caktohen më herët që t'ju lehtësohen myslimanëve përgatitjet e festave fetare në mjediset ku ata jetojnë.
"Autoritetet më të larta myslimane në Perëndim apeluan tek imamët dhe dijetarët e bashkësive myslimane që ta respektojnë këtë vendim dhe të mos pranojnë dëshmitë për shfaqjen e hënës së re përderisa kalkulimet astrologjike e përgënjeshtrojnë këtë. Shikimi i hënës së re gjithnjë ka qenë temë e diskutimeve tek vendet myslimane, bile edhe dijetarët janë ndarë. Qëndrimi i një grupi dijetarësh është se myslimanët e një regjioni në një natë, respektivisht një ditë, njëkohësisht fillojnë agjërimin në bazë të hënës së re nga cilido vend, të tjerët konsiderojnë se për të gjithë myslimanët duhet të vlen vetëm kalendari lunar i Arabisë Saudite.
Kjo polemikë krijon huti në bashkësitë islame, e sidomos në Perëndim, gjatë caktimit të fillimit dhe mbarimit të agjërimit të muajit Ramazan, respektivisht të bajramit të ramazanit.
ECFR në krye me dijetarin e shquar shejh Yusuf Qaradavin mori vendim për formimin e komitetit për përcjelljen e problemeve esenciale të integrimit të përbërë nga ana e myslimanëve evropian dhe përfaqësuesve të institucioneve civile të Evropës.
Kërkesat për realizimin e integrimin të myslimanëve në shoqëritë e tyre evropiane ku jetojnë, është përgjegjësi e përbashkët e mualimanëve dhe bashkësisë evropiane, individualisht dhe institucionalisht." Është theksuar më konferencën për shtyp.
Tetëmbëdhjetë dokumente dhe punime hulumtuese nga fusha e jurisprudencës islame në bazë të shtetësisë dhe integrimit, realiteti evropian si skenë e integrimit dhe perspektives së natyralizimit si mjet diskutimi, njëzëri kanë sugjeruar koekzistimin e myslimanëve të Evropës, integrimin në shoqëri përmes ruajtjes së identitetit.
Këshilli theksoi se myslimanët duhet të marrin një qëndrim mesatar të veprimit mes izolimit në një anë dhe asimilimit në shoqëri dhe humbjes së identitetit personal në anën tjetër. Duke pasur parasysh këtë, myslimanët nxiten në formimin e institucioneve të da'vetit, edukimit dhe atyre sociale me qëllim të realizimit të integrimit të dëshiruar.