Gjatë periudhës mekase
Ndonëse i shpallur gojarisht, Kurani në mënyrë të vazhdueshme i referohet vetes së tij si libri (kitab), si diçka e shkruar, duke nënkuptuar se ai duhej hedhur në formë të shkruar. Në fakt megjithëse bashkësia e sapoformuar Islame kishte pësuar vuajte nga më të ndryshmet nga Kurejshët, gjithsesi versetet e Kuranit janë ruajtur në formë të shkruar që në ditët e para të Islamit. Rrëfimi i mëposhtëm në lidhje me Umer ibn Hatabin, ndodhur pak para kthimit të tij në Islam, shërben për ta ilustruar këtë pikë:
"Një ditë Umeri doli në rrugë, me shpatën e hequr nga këllëfi, me qëllim për të vrarë profetin dhe disa nga shokët e tij të cilët ishin mbledhur në një shtëpi në Safa. Në atë shtëpi ishin dyzet njerëz, përfshi edhe gra, ndër ta ishte xhaxhai i tij Hamza, Ebu Bekri dhe Aliu, e të tjerë të cilët nuk kishin emigruar në Etiopi. Nuejmi e takoi Umerin dhe e pyeti se ku po shkonte. "Po shkoj të vrasë Muhamedin, renegatin i cili ka përçarë Kurejshët keqazi dhe ka përqeshur rrugën e tyre, ka fyer besimin e tyre dhe zotat e tyre"- tha Umeri. "Ti thjesht po mashtron veten o Umer nëse beson se Beni Abd Menaf do të lejojë ty të ecësh ende mbi tokë nëse do të bësh atë që ke ndërmend". A nuk është më mirë për ty të kthehesh në shtëpinë tënde dhe të zgjidhësh së pari problemet e saj"?- iu përgjigj Nuejmi. Umeri u tërhoq dhe e pyeti se si ishte çështja me familjen e tij. Nuejmi i tha: "Kunati yt, nipi yt dhe motra jote Fatime kanë ndjekur Muhamedin në fenë e re dhe do ishte më mirë që ti së pari të zgjidhje punën me ta". Umeri nxitoi për tek shtëpia e kunatit të tij, ndërkohë që Kahabi i cili ishte duke lexuar në një pergamenë po i recitonte suren Ta Ha të pranishmëve. Sapo dëgjoi zërin e Umerit, Kahabi u fsheh në një dhomë të vogël ndërsa Fatima e mori pergamenën dhe e vendosi atë nën kofshën e saj…"1
Kërkimi i inatosur i Umerit përfundoi me përqafimin e tij të Islamit; statura dhe reputacioni i tij u shfaqën shumë të dobishme për ato të cilët, vetëm disa orë më parë, ai ishte përpjekur ti vriste. Sidoqoftë pika e rëndësishme për ne në këtë rrëfim është pergamena që përmbante ajete kuranre. Sipas Ibn Abasit versetet e zbritura në Mekë janë ruajtur në Mekë2, një pohim ky i përsëritur edhe nga Zuhriu3. Abdullah bin Sad bin Ebi es-Saar, shkruesi zyrtarisht i ngarkuar për të regjistruar Kuranin gjatë kësaj periudhe4, është akuzuar nga disa se ka trilluar disa versete kuranore, një akuzim ky të cilin unë në një tjetër punim kam treguar se është i pambështetur.5 Një tjetër kandidat për të qenë shkruesi zyrtarë i profetit ishte Halid bin Seid bin el-Asi i cili pohon: "Unë isha i pari që shkruajta 'Bismilahi rrahmani rrahim' (Në emër të Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!)6.
Katani e citon këtë ndodhi kështu: "Kur Rafi bin Malik el-Ensari kujdesej për El-Akaben, profeti i dha atij të gjitha versetet të cilat ishin shpallur në dekadën pararendëse. Kur u kthye në Medine, Rafi i mblodhi anëtarët e fisit të tij dhe i lexoi atyre fletushkat e dhëna nga profeti7
Gjatë periudhës së Medinës
i. Skribët e profetit
Në lidhje me periudhën medinase kemi një bollëk të dhënash përfshi edhe emrat e pothuajse gjashtëdhjetë e pesë shokëve të profetit të cilët herë pas here kryenin funksionin e shkruesve (skribëve) për të:
Aban b. Seid, Ebu Umame, Ebu Ejub el-Ensari, Ebu Bekr es-Sidik, Ebu Hudheife, Ebu Sufjan, Ebu Seleme, Ebu Abas, Ubej b. Kab, el-Arkam, Useid b. el-Hudeir, Aus, Buraida, Bashir, Thabit b. Qais, Xhaferr b. Ebi Talib, Xhehm b. Sad, Xhuhejm, Hatibi, Hudhejfe, Huseini, Hanzala, Huaitib, Halid b. Seid. Halid b. Velid, Zubejr b. El-Avam, Zubejr b. Arkam, Zejd ibn Thabit, Sad b. Er-rabi, Sad b. Ubada, Said b. Said, Shurahbil b. Hasna, Talha, Amir b. Fuheira, Abas, Abdullah b. Arkan, Abdullah b. Ebi Bekr, Abdullah b. Ravaha, Abdullah b. Zeid, Abdullah b. Sad, Abdullah b. Abdullah, Abdullah b. Amr, Uthman b. Afan, Ukba, el-Ala el Hadrami, El-Ala b. Ukba, Ali b. Ebi Talib, Umer bin Hatab, Amr b. el-As, Muhamed b. Meslama, Muadh b. Xhebel, Muavije, Man b. Adi, Muaikib, Mugira, Mundhir, Muhaxhir dhe Jezid b. Ebi Sufjan.8
ii. Diktimi i Kuranit nga ana e profetit
Pasi i vinte shpallja, profeti e kishte zakon të thërriste një nga skribët e tij që të shkruante ajetin e sapo zbritur9. Zejd b. Thabit tregon se, për shkak të afërsisë së tij me xhaminë e profetit, ai thirrej shpesh si skrib sa herë që niste shpallja10. Kur u zbrit verseti në lidhje me xhihadin, profeti e thirri Zejd ibn Thabit-in, i cili kishte shishen e bojës dhe materialin për shkrim (dërrasë apo shpatull të ndonjë kafshe), dhe filloi të diktonte; Amr b. Um-Mektum el-Ama, i cili ishte ulur aty afër, e pyeti profetin: "Po për sa më përket mua sepse unë jam i verbër?". Për këtë arsye erdhi ajeti "...përveç të paaftëve..."11-12. Po ashtu ka të dhëna se pas diktimit vinte procesi i korrigjimit; pasi përfundonte detyra e regjistrimit të versetit të zbritur, Zejdi ia lexonte atë profetit për tu siguruar se asnjë gabim skribi nuk kishte rënë në të.13
iii. Regjistrimi i Kuranit ishte shumë i përhapur ndërmjet Sahabëve
Mbizotërimi i kësaj praktike ndërmjet sahabëve e nxiti profetin të deklaroj se askush nuk duhet të regjistronte asgjë tjetër përveç Kuranit, "e çdokush që ka regjistruar diçka tjetër përveç Kuranit duhet ta shuajë atë"14, me këtë ai dëshironte të thoshte se materialet kuranore dhe jo kuranore (hadithet) nuk duhej të shkruheshin në të njëjtën fletë, në mënyrë që të shmangej çdo ngatërrim i mundshëm. Në fakt kishte prej atyre që nuk mund të shkruanin të cilët shpesh shfaqeshin në xhami me pergamenë në dorë dhe kërkonin dikë që ti shkruante atë që ai dëshironte.15 Duke u bazuar në numrin e përgjithshëm të skribëve dhe në traditën e profetit për ti thirrur që të regjistroheshin të gjitha versetet e reja, mund të themi me siguri se Kurani është ruajtur i plotë në formë të shkruar gjatë jetës së profetit.
3. Renditja e Kuranit
i. Renditja e verseteve brenda sureve
Është universalisht e mirënjohur se renditja e ajeteve (verseteve) dhe e sureve (kapitujve) në Kuran është e veçantë. Përpilimi nuk ndjek rendin kronologjik të shpalljes, e as subjektin e temës. Se kush është sekreti i vërtetë pas një renditje të tillë atë vetëm Zoti e di, sepse ajo gjendet në librin e Tij. Nëse unë do të luaja rolin e një redaktori të paskrupullt dhe do të rirregulloja fjalët e librit të dikujt tjetër, duke ndryshuar radhën e fjalive etj, atëherë ndryshimi i plotë i kuptimit të fjalëve do të ishte shumë i lehtë. Prodhimi përfundimtarë i një veprimi të tillë nuk mund ti vishet autorit fillestarë, meqenëse vetëm autori ka të drejtën të ndryshojë fjalët dhe materialin.
Meqenëse Kurani është libri i Allahut, Ai është i vetmi autor i tij dhe vetëm Ai ka të drejtën të rregullojë materialin që gjendet brenda librit të tij. Kurani është i qartë në lidhje me këtë gjë:
" Ne e kemi për detyrë t’i mbledhim pjesët e tij e ta lexojmë atë. Dhe, kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij! Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë."16
Në vend që të zbriste në Tokë për ti shpjeguar versetet e Tij, Allahu (xh.sh.) e bëri profetin si mëkëmbës të tij. Në Kuran pohohet: " (Të dërguarit i çuam) me prova të qarta dhe libra. Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë."17
Duke i falur atij këtë privilegj, Allahu i ka caktuar shpjegimet e profetit si autoritative18. Vetëm profeti, falë privilegjit hyjnorë dhe revelatës, ishte i kualifikuar për të renditur versetet sipas modelit të veçantë kuranorë, meqenëse ai ishte njohësi i vetëm i Vullnetit të Zotit. As bashkësia myslimane e as ndokush në veçanti nuk ka të drejtën legjitime për të organizuar librin e Zotit.
Kurani përbëhet nga sure me gjatësi jo të njëjtë; më e vogla përmban tre versete ndërsa më e gjata 286. Transmetime të ndryshme dëshmojnë se profeti në mënyrë aktive i udhëzonte skribët në lidhje me vendodhjen e verseteve brenda kapitujve. Othmani pohon se qoftë kur shpallja përbëhej nga versete të gjata dhe të njëpasnjëshme, apo nga një verset i vetëm, profeti thërriste ndonjë nga skribët e tij dhe i thoshte: "Vendose këtë verset [apo këto versete] në kapitullin ku është përmendur filan e filan gjë"19. Zejd ibn Thabit pohon: "Ne duhej ta përpilonim Kuranin në prani të profetit"20. Sipas Othman ibn Ebi el-As, kryengjelli Xhebrail erdhi tek profeti me qëllimin për ta udhëzuar atë në lidhje me vendosjen e disa verseteve21.
· Uthman bin Ebi el-As transmeton se ai ishte ulur me profetin kur ky i fundit nguliti vështrimi në një pikë të caktuar dhe më pas tha: "Kryengjelli Xhebrail erdhi tek unë dhe shprehimisht më kërkoi ta vendos versetin "Ai di gjithçka që ju fshihni dhe që shfaqni haptazi22" në një vend të caktuar brenda një kapitulli të caktuar"23
· El-Kalbi rrëfen nga Ebu Salihu nën autoritetin e Ibn Abasit në lidhje me versetin: "Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi" 24. Ai thotë: "Ky është verseti i fundit që i është zbritur profetit. Kryengjelli Xhebrail zbriti tek ai dhe e udhëzoi atë që ta vendoste atë pas versetit 280 të sures Bekare"25
· Ubej ibn Kab pohon: "Ndonjëherë profetit i shpallej fillimi i një sureje dhe unë e shkruaja, më pas një tjetër revelatë zbriste mbi të dhe ai thoshte: "Ubej shkruaje këtë pasazh në kapitullin ku është përmendur filan e filan gjë". Ndonjëherë një tjetër revelatë zbriste mbi të dhe unë prisja udhëzimet e tij, derisa ai më informonte mua për vendin ku duhej vendosur pasazhi"26
· Zejd ibn Thabit vëren: "Ndërsa ne ishim me profetin duke përpiluar Kuranin nga një pergamenë, ai tha: "Qoftë bekuar Shami.27 Atij ju tha: "Përse kështu o i dërguari i Allahut"? Ai u përgjigj "Për shkak se engjëjt e Rrahmanit (Mëshiruesit) kanë shpalosur krahët e tyre mbi të"28. Në këtë hadith vërejmë sërish se profeti ishte duke supervizuar përpilimin dhe renditjen e verseteve.
· Së fundmi, ne kemi provën më të qartë në lidhje me këtë çështje në pesë namazet ditore. Asnjë recitim publik i Kuranit nuk do të ndodhte gjatë namazit nëse renditja e verseteve nuk do të ishte e mirënjohur universalisht dhe nuk ka asnjë incident të njohur në të cilin të raportohet se bashkësia ka qenë në mospërputhje me imamin e saj përsa i përket renditjes së verseteve, qoftë kjo gjatë kohës së profetit apo në kohët tona. Madje ka transmetime ku thuhet se profeti ndonjëherë recitonte sure të tëra gjatë predikimit të së premtes (Xhuma).29
Një mbështetje tjetër, në lidhje me atë që sapo thamë, gjendet edhe tek shumë hadithe të tjera të cilat dëshmojnë se sahabët ishin të familjarizuar me fillimin dhe mbarimin e sureve.
· Profeti i tha Umerit "Versetet përmbyllëse të sures Nisa janë të mjaftueshme për ty [për të zgjidhur disa raste trashëgimie]."30
· Ebu Mesud el-Bedri transmeton se profeti ka thënë: "Dy versetet e fundit të sures Bekare i mjaftojnë atij që i këndon ato gjatë natës."31
· Ibn Abazi kujton: "Kur po kaloja natën në shtëpinë e Mejmunes [grua e profetit], dëgjova profetin teksa zgjohej dhe recitonte dhjetë versetet e fundit të sures Ali Imran".32
ii. Renditja e sureve
Disa referenca pretendojnë se mus'hafët (kopje të përpiluara të Kuranit)33 të përdorura nga Ubej ibn Kab dhe Ibn Mesudi shfaqin mospërputhje në renditjen e sureve në ndryshim nga renditja e sotme, por në asnjë vend nuk gjejmë referime se mus'hafet e tyre ishin në mospajtim përsa i përket renditjes së verseteve brenda sureve. Formati i veçantë kuranor lejon që çdo sure të funksionoj si një njësi unike dhe e pavarur; asnjë kronologji apo narrativë nuk mbartet nga një kapitull tek tjetri, për këtë arsye çdo ndryshim i rendit të sureve është krejt sipërfaqësore përsa i përket kuptimit. Ndryshime të këtij lloji, nëse janë të vërteta, janë të tilla që nuk e ndryshojnë aspak mesazhin kuranorë. Ndryshimi në renditjen e fjalëve apo të verseteve është një çështje krejt e ndryshme nga kjo e para, kjo do të sillte një ndryshim rrënjësor në kuptim gjë e cila fatmirësisht nuk gjendet as në variantet më të njohura ndërmjet mus'hafëve.
Shkollarët janë të njëzëshëm kur konfirmojnë ndjekjen e rendit të sureve në Kuran si jo të detyrueshme, qoftë në lutje, recitim, mësim, mësimdhënie apo memorizim.34 Çdo sure qëndron e veçuar dhe kapitujt e mëvonshëm nuk përmbajnë domosdoshmërisht një vlerë më të madhe ligjore se sa homologët e tyre më të hershme.; ndonjëherë një verset i abroguar (neskh) shfaqet në një sure e cila vjen më pas sures e cila përmban versetin që e ka abroguar të parin. Shumica e myslimane e fillojnë memorizimin e Kuranit duke filluar nga fundi, duke filluar nga suret më të shkurtra. Profeti në një rast ka kënduar suren Bekare, Nisa dhe më pas atë Ali Imran (suret nr. 2, 4, 3 respektivisht) në një rekat35 të vetëm, në kundërshtim me renditjen e tyre në Kuran.
Për sa kam njohuri nuk ekziston asnjë hadith që të raportoj se profeti ka përcaktuar rendin e të gjitha sureve. Opinionet ndryshojnë dhe mund të përmblidhen si më poshtë:
Renditja e sureve kështu siç gjendet sot ka për autor vetë profetin.36 Ky është mendimi të cilin unë e mbështes. Ata të cilët mbështesin një mendim të kundërtën mbështeten në faktin se disa mus'hafë të sahabëve (si Ibn Mesudi dhe Ubej ibn Kabi) ndryshojnë përsa i përket rendit të sureve krahasuar me mus'hafin që gjendet në ditët tona.37
Disa të tjerë besojnë se krejt kurani është renditur nga profeti përveç sures nr.9, i cili është renditur nga Othmani.38
Një tjetër këndvështrim ja vesh renditjet e të gjitha sureve Zejd ibn Thabit-it, kalifit Othman dhe shokëve të profetit. Bakilani ka qenë i këtij mendimi.39
Ibn Atija mbështet mendimin se profeti ka renditur disa prej sureve të Kuranit ndërsa pjesa tjetër është renditur nga shokët e profetit.40
iii. Renditja e sureve në disa dorëshkrime të pjesshme
Shkollarët mysliman janë të unanimisht të mendimit se renditja e sureve siç gjendet sot është e njëjtë me atë të mus'hafit të Othmanit.41 Çdokush i cili dëshiron të kopjojë krejt Kuranin duhet ta bëjë duke ndjekur renditjen e mus'hafit të Othmanit, por ato të cilët dëshirojnë të kopjojnë vetëm disa sure të veçanta nuk janë të detyruar të ndjekin renditjen e mus'hafit të Othmanit. Një situatë e ngjashme ndodh kur unë udhëtoj me avion: Unë dëshiroj të marrë veprat e mija me vete por, duke mos dashur të mbaj në çantën time një volum të madh librash, unë thjesh fotokopjoj ato pjesë të cilat do të më nevojit gjatë udhëtimit.
Në periudhën e hershme dorëshkrimet kuranore kopjoheshin duke përdorur pergamenë të cilat zakonisht ishin më të rënda se letra, kështu që një dorëshkrim i plotë mund të peshonte disa kilogramë. Ne kemi shumë shembuj, siç është p.sh. përmbledhja dorëshkrimore e Jemenit, ku Kurani është shkruajtur në një kaligrafi kaq të madhe saqë krejt trashësia e mus'hafit mund ta kalonte metrin.
Nëse marrim si standard shembullin e mus'hafit të printuar në kompleksin e mbretit Fahd në Medine ne do të shohim se ai përmban rreth gjashtë qind faqe (përafërsisht 9000 reshta). Nëse do ta krahasonim këtë me disa prej dorëshkrimeve që gjenden në Jemen do të shohim se një rresht nga këto të fundit është sa gjysma e një rreshti të botimit të Medines, kjo do thotë se nëse do të shkruanim në mus'haf të plotë kuranore me përmasat kaligrafike të dorëshkrimeve të Jemenit atëherë do të duheshin 18.000 faqe. Kaligrafia me përmasa të mëdha nuk ka qenë një fenomen i rrallë, por zakonisht një procedurë e tillë nënkupton se dorëshkrimi nuk përmban më shumë se një grup suresh. Raftet e librarive në mbarë botën islame janë të mbushura me dorëshkrime të pjesshme kuranore42
Nga kjo që thamë mund të dalim në përfundimin se çdokush i cili dëshiron të shkruaj një dorëshkrim të pjesshëm kuranor është i lirë të zgjedh rendin e sureve sipas dëshirës.
Përmbyllje
Duke kuptuar nevojën ruajtjes së çdo verseti, bashkësia myslimane (e cila tashmë rritej edhe me numrin e hafizëve) ngriti një metodë ndihmuese për memorizimin si dhe një barrierë për të parandaluar korruptimin e tekstit. Madje edhe vuajtjet e shtypjes mekase e shkatërruan dot këto metoda dhe kur myslimanët gëzuan begatinë e Medines krejt ymeti, i shkolluar apo jo, e mori këtë detyre përzemër. Qendra e këtij ymeti qëndronte në pikën themelore energji dhënëse, d.mth. i dërguari i fundit, i cili diktonte, shpjegonte, dhe rendiste çdo verset përmes frymëzimit hyjnorë i cili ishte privilegji vetëm i tij, derisa të gjitha pjesët të ishin në vendin e tyre dhe libri të ishte kompletuar.
Përktheu: Rezart Beka
Referenca
[1] Ibn Hisham, Sira, vol. 1-2, f. 343-46
[2] Ibn Durais, Fadail el-Kuran, f. 33
[3] Ez-Zuhri, Tenzil el-Kuran, 32; Ibn Kethir, El-Bidaje, v:340, Ibn Haxher, Fet'hul Bari, ix:22
[4] Ibn Haxher, Fet'hul Bari, ix:22
[5] Për detaje më të hollësishme shih: "M.M. Adhami, Kutab en-Nebi, botimi i 3, Rijad, 1401/1981, f. 83-89
[6] Sujutiu, Ed-Durr el-Menthur, i:11. Teksti i printuar e jep emrin e tij si Halid b. Halid b. Seid, me shumë mundësi ky është një gabim skribi.
[7] El-Katani, et-Teratib el-Idarije, i:44, i cili citon Zubejr b. Bekar, Ahbar el-Medina
[8] Për studime më të detajuara shih M.M. Adhami, Kutab en-Nebi
[9] Ebu Ubejd, Fudail, f. 280; shih gjithashtu Ibn Haxher, Fet'hul Bari, ix:22, që citon Uthmanin, duke ju referuar sunenit të Tirmidhiut, Nesaiut, Ebu Davudit, Hakimit në Mustedrakun e tij
[10] Ibn Ebi Davud, el-Mesahif, f.3; shih gjithashtu Buhariun, Sahih, Fedaili el-Kuran: 4.
[11] Kuran 4:95
[12] Ibn Haxher, Fet'hul Bari, ix:22; es-Saati, Minhat el-Mabud, ii:17
[13] Es-Suli, Adab el-Kutab, f. 165; El-Heithemi, Mexhma ez-Zavaid, i:152
[14] Sahihu Muslim, ez-Zuhd: 72; po ashtu edhe Ibn Davudin, el-Mesahif, f.4. Për detaje më të hollësishme shih M.M. Adhami, Studies in Early Literature, American Trust Publication, Indiana, 1978, f. 22-24.
[15] Shih el-Bejheki, Sunen el-Kubra, vi:16
[16] Kuran 75:17-19
[17] Kuran 16:44
[18] Siç e kemi përmendur edhe më parë, suneti i profetit, i cili nuk është gjë tjetër vetëm se një shpjegim i Kuranit, praktikisht dhe verbalisht është sanksionuar nga vetë Allahu dhe askush nuk ka të drejtë të refuzojë statusin që ai gëzon.
[19] Shih, et-Tirmidhi, Sunen, nr. 3086; po ashtu el-Bejheki, ii:42; Ibn Hanbel, Musned i:69, Ebu Davud, Sunen, i:290; el-Hakim, El-Mustedrek, i:221; Ibn Haxher, Fet'hul Bari ix:22, shih gjithashtu edhe Ebu Ubejd, Fadail, f. 280.
[20] Shih et-Tirmidhi, Sunen, Menakib: 141, nr. 3954; Ibn Hanbel, Musned, v:185; el-Hakim, el-Mustedrek ii:229
[21] Es-Sujuti, el-Itkan, i:173.
[22] Kuran 16:90
[23] Ibn Hanbel, Musned, iv:218, nr. 17947; shih gjithashtu edhe Es-Sujuti, el-itkan, i:173.
[24] Kuran 2:281.
[25] El-Bakilani, el-Intisar, f. 176.
[26] Ibid. f. 176.
[27] Shami përfshinte territoret e Sirisë, Jordanisë dhe Libanit të sotëm.
[28] El-Bakilani, el-Intisar, f. 176-77.
[29] Muslim, Sahih, Xhumua: 52.
[30] Muslim, Sahih, el-Faraid:9.
[31] Buhariu, Sahih, Fadail el-Kuran:10
[32] Buhariu, Sahih, el-Vudu:37; Muslim, Sahih, Musafirin, nr. 182. Për detaje më të hollësishme shih, Kitab et-Tamjiz, edituar nga M. M. Adhami, f. 183-85.
[33] Fjalë për fjalë, përmbledhje letrash, këtu ka kuptimi letra pergamenash që përbanin Kuran. Shih edhe f. 84-85.
[34] El-Bakilani, el-Intisar, f. 167.
[35] Muslim, Sahih, Musafirin, nr. 203.
[36] Shih es-Sujuti, el-Itkan, i: 176-77; shih gjithashtu Ebu Davudin, Sunen, nr. 786.
[37] Shih kapitujt 13, i cili i dedikohet veçanërisht Mus'hafit të Ibn Mesudit.
[38] Sujutiu, el-Itkan, i:177, i cili citon Bejhekiun, Medkal; shih gjithashtu edhe Ebu Davudin, Sunen nr. 786.
[39] Bakilani, el-Intisar, f. 166.
[40] Ibn Atija, el-Muharrar el-Vaxhiz, i:34-35.
[41] Shih kapitullin 7.
[42] Muhamed Ashraf, A Catalogue of Arabic Manuscripts in Salar Jung Museum & Library, f. 166-234.