Shekulli XX, shekulli i luftës

Arsyeja e parë është se autori F. William Engdahl është ndër ekspertët më të njohur të ekonomisë botërore, të politikës energjetike dhe të problemeve të politikës së naftës botërore dhe autor i shumë shkrimeve në gazetat dhe revistat më të njohura botërore për problemet e theksuara më lartë. Arsyeja e dytë e preokupimit me këtë libër është tematika me të cilën merret autori. Me fjalë të tjera, libri preokupohet me tema shumë të nxehta, i trajton në pikëpamje poliforme dhe ofron disa përgjigje që ne qytetarët e zakonshëm, qoftë si gazetarë, politikanë lokalë apo historianë, pyesim se kush sundon në të vërtetë me botën, cilat janë ato sisteme apo nënsisteme të cilat e orientojnë skenën politike dhe ekonomike botërore. Libri ofron edhe supozimet e rrënjëve të dilemave politike globale dhe rrënjët e mirëfillta të poblemeve të shoqërisë sonë. Libri ofron jo vetëm historinë e problemit të naftës dhe energjetikës botërore, por edhe historinë gjeopolitike të botës së shekullit XX, probleme këto që as sot nuk janë kapërcyer. Kosova sidomos pas vitit 2007 është shembulli më i mirë i këtyre sistemeve apo nënsistemeve të dominimit global.

Koloneli Fletcher Prouty, USAF në ShBA, duke e lexuar këtë vepër thotë se “ky libër nuk është për frikacakë dhe njerëz të ngarkuar. Ai shkon në thelb... Ajo është vepër e hollësishme e cila më mirë se çdo vepër tjetër i përkufizon rrënjët e mirëfillta të problemit të shoqërisë sonë...” (F. William Engdahl, Stoljeće rata. .., kopertina e pasme).

Historianët janë përpjekur ta prezantojnë shekullin XX, kryesisht, si shekull të historive individuale, në të cilën individi e ka historinë e vet dhe se të gjithë ne kemi një histori të të gjithëve. Por, kjo nuk është e saktë, sepse doktrina gjeopolitike e shekullit të shkuar ka shënuar dy luftra botërore, Luftën e ftohtë (e cila zgjatë deri në ditët tona në një formë ndryshe), shumë luftra rajonale etj. Historianët dhe politikanët në sipërfaqe pohonin se çdo gjë është nën kontroll, legale, zyrtare, në interes të punëtorit dhe të qytetarit të zakonshëm, në dorë të votuesit dhe taksapaguesit, por e vërteta është, sipas tij, në shtresën që kontrollon pasurinë botërore. Këtë e pohon edhe industrialisti dhe eksperti financiar Leon D. Richardson “...një ndër librat më interesant që e kam lexuar deri tash. Ky libër do t’i shokojë njerëzit, por është i nevojshëm. Ai ka zbuluar fijen e përbashkët e cila i lidh qindra ndodhi që në shikim të parë duklen të palidhshm, ...”. (F. William Engdahl, Stoljeće rata. .., kopertina e pasme). Madje, as atentati i Gavrillo Principit ndaj Franc Ferdinandit në Sarajevë më 1914, nuk ishte vepër e një fanatiku budalla, por vepër mirë e planifikuar që do të nisë Luftën e Parë Botërore. 

Autori, për t’iu përgjigjur sfidave globale, për të hedhur në skenë  një të vërtetë më reale, ka bërë hulumtime të shumta dhe ka bërë një punë të madhe. Duke vendosur hollësitë në vendet e veta, duke sjellë të dhëna të reja në raportet e Rusisë dhe Gjermanisë, Anglisë dhe Gjermanisë, Gjermanisë dhe Francës dhe para së gjithash në raportet e Anglisë dhe ShBA-ve, njohja jonë e këtyre raporteve ndërron nga themeli. E vërteta e deritashme në shkollat e mesme e në fakultete duket “joserioze” përballë fakteve të reja dhe shumë bindëse. Respektivisht, ato raporte, në shikim të parë të palidhura, i lidhë një vijë e përbashkët, të cilën e kanë vendosur qarqet financiare anglo-amerikane të naftës si armë e ftoftë e përllogaritur në arsenalin e fuqisë politike botërore.

Si shembull se një gjë është thënë kurse një tjetër është vepruar, do të marrim nxitjen e tërthortë të politikanes së njohur amerikane në Bagdad, April Glaspie, të Sadam Huseinit, më 27 korrik 1990, se Vashingtoni konsideron se konflikti kuvajtian rreth territoreve nuk “është me interes strategjik për ShBA”, me çka është përgatitur klima për invadim në Kuvajt. Por, ky ishte vetëm mashtrim, sepse Qeveria e Bushit pa vonuar, në gusht të vitit 1990 lansoi Operacionin Shtrëngata shkretinore, si përgjigje në invadimin irakian në Kuvajt, duke i shkaktuar Irakut katastrofë të vërtetë. (F. William Engdahl, Stoljeće rata. .., fq. 376). Amerika këtë e bëri edhe në vitin 1980, kur fshehtazi e nxiti Irakun ta sulmojë Iranin, ta shkatërrojë ekonominë e tyre dhe të shkaktojë mbi një milion viktima. (F. William Engdahl, Stoljeće rata. .., fq. 344). Të gjitha këto ishin si mjet dhe pretekst për krijimin e rendit të ri botëror, të cilin po e përjetojmë në këtë kohë.

Me bashkimin e fuqisë së naftës dhe financave botërore nga ana e ShBA-ve dhe Anglisë është vendosur një nga aspektet më shkatërruese të hegjemonisë politike në historinë e botës. Autori në mënyrë municioze ka analizuar mënyrën me të cilën është trajtësuar rendi i ri botëror ango-amerikan rreth fijeve të padukshme të kontrollit strategjik mbi naftën dhe derivatet. Kjo vendosmëri që këto dy vende të ruajnë interesat e arritura të minorancës së privilegjuar solli deri te krijimi i sistemit në të cilin fuqia i përket vetëm atyre që e kontrollojnë lëndën e parë të pasurisë. Këtu edhe qëndron problemi përse në Ballkan ndodhi gjithë ajo katrahurë, gjithë ajo gjakderdhje, gjithë ajo kataklizmë me pasoja të pavlerësueshme. Problemi qëndron në faktin se Ballkani sërish ishte pion në tabelën e shahut shumë më të madhe në lojën e forcave globale, në faktin se Ballkani sërish u bë arenë e tensioneve strategjike dhe të luftrave për interesat e huaja.

Anglia, por edhe disa partnerë të saj, duke iu falënderuar shfrytëzimit të vendeve të kolonizuara apo gjysmë të kolonizuara arriti që gjatë tërë shekullit XX të dominojë në Evropë, duke krijuar koalicione kundër çdo shteti konkurrent. Ajo nuk kishte raporte sentimentale me ndonjë shtet tjetër; të gjitha raportet e saj ishin raporte interesi, duke krijuar një aristokraci shumë të pasur dhe shumë të fuqishme dhe duke krijuar shtresa shumë të varfëra dhe të paarsimuara në vend.

Mendoj se libri do të duhej përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Vetëm pas leximit të tij, vendet e Ballkanit, trojet shqiptare dhe Kosova do të mund të shihej më qartë, më kuptueshëm, më bindshëm, vetëm atëherë do të mund të shihej roli i mirëfilltë i partive tona politike, roli i shumë liderëve politikë, roli i shumë personaliteteve, shoqatave e fondacioneve.

Duhet përfunduar se libri paraqet një libër të jashtëzakonshëm dhe fascinant të shekullit XX në çdo aspekt: për politikanin, për intelektualin e zakonshëm, për lexuesin e përgjithshëm.

 

Burimet:

1. http://www.studien-von-zeitfragen.net/Zeitfragen/Century_of_War/century_of_war.html

2. F. William Engdahl, Stoljeće rata: Anglo-američka naftna politika i novi svjetski poredak, Zagreb, 2000, str. 420.

3. http://en.wikipedia.org/wiki/F._William_Engdahl

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme