Ministrit turk falemnderit: i çoi peshe ndjenjat patriotike shqiptare

26.08.2011



Skënderbegun në Kosovë e kanë sjellë përmes distinktivësh të vegjël diplomatë, profesorë dhe propagandues nga Tirana


Ka filluar një përndezje primitive patriotike shqiptare. Ka nisur një histeri. Me ta marrë mendja se këta krerë atdhetarësh dhe kjo turmë vatanlish memzi kanë pritur që ndonjë turk të marrë guximin dhe të thotë vetëm një gjysmë fjalie që menjëherë të fillojnë me mitralimet e rënda mbi forca të imagjinuara osmane që kanë ngrehë çadrat nëpër ultësirat shqiptare me qëllim mësymjet e tyre mbi kalatë e rinovuara apo të rrezbitura të maksi e të miniskenderbegëve të rinj kosovarë.

Këta vatanlinj të vonesave të përhershme thirrën menjëherë në ndihmë Skënderbegun dhe lavdinë e tij të fabrikuar në shekullin e parafundit. Në Kosovën tonë deri para gjysmë shekulli njeri i bemë nuk ka dijtë se në farë cepi të historisë ekzistonte a kishte ekzistuar farë Skënderbegu. Skënderbegun në Kosovë e kanë sjellë përmes distinktivësh të vegjël diplomatë, profesorë dhe propagandues nga Tirana. Pastaj distinktivin me portretin e tij e punonin nëpër miniuzina nëpër Jugosllavi dhe për pak para secili kosovar bëhej hipershqiptar dhe skënderbegas i ri. Ndërkohë Kosova mbushej me romane vizatimore me bëma skënderbegiane, me buste allçie, me flamuj me shqiponjë, i cili shikohej me habi nga pleq e të rinj, ngaqë nuk i dinin prejardhjen. Populli i thjeshtë dhe kategori më pak injorante shoqërore të gjitha këto ose i shihnin me habi ose si një burim frymëzimi të ri dhe të panjohur patrotik.

Por, këto mbjellje patriotike, duhet vënë re, gjetën një arë shumë të plleshme dhe Kosova nga shqiptare që ishte po bëhej edhe më shqiptare.

Më qesharakja ishte se shqiptarët filluan luftëra imagjinare me turqit e egër, historianët sollën nga ku me ditë kah figura viganësh kombëtarë që përkundër humbjeve serike, megjithatë, sikurse edhe Serbi, Turkun e bënin pestil.

Atdhetarët e kalltë shqiptarë, atëbotë patën vendosur prerë : K… për k…, më mirë se të Karagjorgjit, e hamë të Skënderbegut !

Kosova në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut nuk nxorën asgjë më shumë nga goja se emrin e Fatosit të ri. Dikur filluan që skënderbegë të fusin në gojë. Ka qenë fantastike. Serbët me të cilët shqiptarët në paqe e në harmoni bashkim-vëllazërimi e menagjonin Kosovën, kanë pas sjellë si pjesë të kuilinarikës së tyre një mish të grirë të gatuar, të bërë petë, të mbushur me ajkë, të mbështjellë në trajtë cilindrike dhe me një shembëllim të një organi seksual të farë kali a njeriu. Atë farë lloj mishi për skarë serbët mishngrënës e sollën në Kosovë me emrin Karadjordjeva shniclla. Më shkurt, serbët e shqiptarët birrat e rakitë e tyre i shoqëronin me copëza të Karagjorgjit. Por, pa u vonuar shumë, qoftexhinjtë shqiptarë të qyteteve kosovare, të nxitur nga atdhetaria e tyre e pashuar, e përhershme dhe e përjetshme vendosen në konspiracion të thellë se atë mish që e rrotullonin në grillin e tyre më nuk do ta quanin KARAGJORGJE po SKËNDERBEG. Le ta kujtojmë se Karagjorgji shpejt e shpejt dhe përfundimisht ka ikur nga tangarët e zinj të qebaptoreve kosovare. Aty ka mbetë produkti me të njëjtit përbërës po me emrin triumfator Skenderbeg. Skënderbegu edhe sot për çdo ditë piqet e digjet në skarat mishpjekëse arnaute të Kosovës. Trajta e tij e thamë tash se në çka përngjan, për pasojë ai rrallë herë ose asnjëherë nuk porositet nga gratë… Me thënë femra, ma jep një Skënderbeg, është pak e koklavitur dhe dikush mund ta shikojë me sy hapur duke thënë se kjo qenka e mbrapshtë moralisht dhe e kalltë seksualisht… Shqiptari e don femrën e moralshme, për vete aplikon liberalizmin e plotë.

Këto dy-tri ditë pos Skënderbegut në skara shqiptare ka filluar MBLLAQITJA E MADHE hiperpatriotike. Shqiptarët, si në këngët e tyre heroike, të gjithë janë çue në kambë. Një turk ka kërkuar që historianët e Kosovës nga tekstet historike të heqin shprehjet armiqësore dhe urrejtëse ndaj turqve dhe Perandorisë së tyre.  Eu, bre, a nitë shka tha ministri turk… E Arben Xhaferi e nisi luftën i pari. Tash Arben Xhaferin, thua se nuk na mjaftonte një, e kemi Kadarenë e dytë. Pas Skënderbeut goditje më të madhe Turkisë Otomane e Kemaliste kush ba s’i ka… Pas Skënderbeut askush si Ismail Kadareja dhe Arben Xhaferi nuk u ka shkulë as do t’ua shkulë ndonjëherë kaq atdhetarisht veshin shqiptarëve. Si dikur edhe tash : për mosdisiplinë ideologjike…
 
Këta të dy, pas vdekjes së Enverit e të Kardelit, i kemi të vetmit gardianë e të vetmit guide tanë shpirtërorë. Pa ta nuk do të kishim as një copë nga skarat me skenderbegë mbuluar në suxhukhonet e Pejës, Prizrenit, Prishtinës e të Gurakuqit. Nënteksti i akademik Xhaferit (nuk di nga cila Akademi) ishte i qartë: Skënderbeu i Krujës dhe skënderbegërit e skarave shqiptare janë tanët. Le të pëlcasë Turku… skënderbegët tanë i hamë vetë. Nuk do të na rrënojë skarat tona Turku i pabesë. Ai po don që të na vijë si turist dhe të na rrënojë skarat tona me skënderbegë… E jo. Nuk lejojmë…Kështu tha Ajatollah Xhaferi.
 
Është interesant se sa qejf ka ky ajatollah t’i përngjajë Ajatollah Kadaresë. Këtë fenomen e kam pas pa edhe ndër serbë. Shumica donin të flisnin me fjalorin e Vozhdit Millosheviq. Deri edhe një ish-serb ligshtan i Kosovës, tashmë edhe ai sikurse edhe idhulli i tij, i ikur në atë botë. E quanin Zhivorad Igiq. Edhe këtij m’i ngjan Ajatollah Xhafa.

Pos këtij arkitekti të ri të thinjur e gati imobil, në luftën kundër rrënimeve turke të historisë janë hedhur edhe disa historianë e akademikë (mbani barkun) të Kosovës. Ata nuk reagun si historianë, po si partiashë. Turku kishte folur me kolegun e tij të Kosovës për disa kapituj urrejtjenxitës. Historianët dhe akademikët e Kosovës, më falni ashtu quhen, megjithëqë të tillë nuk ka, lexuan mes rreshtash ! Kështu e kanë këta historianë e akademikë. Këta lexojnë gjithçka, po rreshtat jo.
 
Në përpjekjen time për të dalur nga ky cirk që së fundmi krijoi e po krijon injoranca e akademikëve dhe historianëve të Kosovës, dua ta them shkoqur dhe me një soj zemërplasësie : Turku ka të drejtë. Turku është më trend. Turku ishte më evropian se Arben Xhaferi, ngaqë z. Xhaferi, fatkeqësisht, gjithshka tjetër mund të jetë, veç evropian jo. Turku ishte për shumë shkallë më në nivel se të gjitha llojet e reagimeve kundër tij. Hiperpatriotët arnautë që « digjen » që Kosova dhe shqiptarët sa më parë të hyjmë në Evropë, nuk kanë mësuar as duan të mësojnë se në atë union nuk hyhet me tekste shkollore që në vend të pajtimit e mirëkuptimit mes popujsh e shtetesh, ndezin flakë urrejtjesh e armiqësish, çmimin e të cilave kontinenti ynë e ka paguar më shumë se kushdo tjetër.
 
Ministri turk kishte të drejtë. Histeria mediatike është krejtësisht e panevojshme. Edhe njëherë u dëshmua se historianët tanë historinë e trajtojnë si përrallën. Ata me histerinë e tyre e bënë përrallë historinë tonë. Futjauni karagjogjeva shnicllën apo një fyell skënderbegu këtyre historianëve patriotë. Dhe mos i merrni seriozisht. Nuk janë seriozë. Janë pjesëtarë cirku!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme