Megjithëqë i kuptuar në termet e një definimi të ngushtë në pjesën më të madhe të shekullit XX Orientalizmi do të sqarohej si një fushë studimore akademike e Oksidentit (Perëndimit) karshi Lindjes, fillimshekulli XXI i ka gdhendur definitivisht Orientalizmit edhe një karakteristikë të veçantë ku secili dhe çdokund mund t’i shesë ‘predikimet’ gjysmë-analfabete nën petkun e skolasticizmit dhe të shkruarit faktik. Kjo veçanërisht ka ndodhur me rastin e shkrimeve rreth Islamit të bëra nga përfaqësues të proviniencës Protestante. Një drejtim i tillë i shkrimeve orientale pothuajse është lënë tërësisht anash në shtjellimet e bëra Orienalizmit gjë që rezulton të jetë gabim grandioz duke pasur parasysh se është pikërisht ky lloj Orientalizmi ai i cili ka ndikimin më të madh në konstelacionet sociale, psikologjike dhe ndërveprimet kulturore që vijnë nga një pjesë e madhe e Perëndimit në drejtim të Orientit në përgjithësi dhe muslimanëve në veçanti.
Ka pasur tendenca që të kuptuarit e Orientalizmit në rastet kur shkruhet për Islamin të kufizohet vetëm në studimet e bëra nga qarqe (kushtimisht thënë) laike, duke lënë anash kështu një dyzinë shtjellimesh bërë Islamit dhe muslimanëve nga autorë që në një mënyrë apo tjetër janë të ndikuar nga veprimtari misionare ose që misionarizmin e kanë pasur në thelb të veprimtarive të tyre orientale. Mirëpo në termet e të definuarit Saidian Orientalizmi është një fushë e gjerë studimi dhe Orientalist do të quhet secili që mëson, shkruan apo hulumton Orientin. Një arsye më tepër pse shkrimet e tilla misionare protestante duhet kundruar në prizmin e shkrimeve të tërësishme orientale është edhe fakti se nëpërmjet shkrimeve të tilla është parë më së miri vullneti për të kontrolluar, manipuluar dhe herë herë edhe në mënyrë imagjinare për të inkorporuar atë që është parë si një botë tjetër. Këto terme dhe ide janë mjaft mirë të njohura në shtjellimin Saidian bërë përpjekjeve të gjithmbarshme orientale.[1]
Faktikisht ky është një Orientalizëm i dizajnuar për masat. Nëse në shekullin XIX Orientalistët e njohur shkruanin për qarqet akademike dhe librat e tyre lexoheshin vetëm nga një elitë e caktuar, Orientalizmi protestant diletant i zhvilluar dekadave të fundit i drejtohet kryesisht masave të gjëra të opinionit, falë edhe avancimit të mjeteve të komunikimit, duke ushtruar kështu një ndikim të rafinuar në mendjësinë e përditshme të Oksidentit. Pikërisht këtë e kishte parasysh herët në gjysmën e dytë të shekullit XX studiuesi i vyer Sirian i Orientalizmit, Mustafa es-Sibai, kur pohon se rrënjët kishtare të Orientalizmit e përcollën në vazhdimësi këtë të fundit duke u manifestuar qoftë në lidhjen direkte të shumë Orientalistëve me rrethe kishtare, qoftë në të ndikuarit e qartë nga kjo vetëdije kishtare.[2]
Perspektiva historike e Orientalizmit protestant: e kaluara dhe e tashmja
Jo shumë kohë pas paraqitjes së Profetit Muhamed në mesin e paganizmit arab, si rezultat i situatave të krijuara në Evropë lidhur me Lindjen muslimane, filloi interesimi për studimin e Islamit. Ndër të parët personalitete të Perëndimit të cilët u morrën apo shkruan për Islamin mbase mund të konsiderohen murgjërit të cilët kishin kaluar nëpër Andaluzinë Islamike siç janë: francezi Gerbert i cili më vonë u zgjodh për Papë në vitin 999, pastaj Pierrele Aenere (1092-1156), Gerard de Grenome (1114-1187) [3] etj.
Një vështrim kalimthi në zhvillimet e viteve të fundit në rrethet Perëndimore Protestante që shkruajnë për Islamin të kthen prapa disa shekuj tek Martin Luteri dhe Kalvini të cilët konsiderohen ndër nismëtarët kryesorë të Krishterimit Protestant. Në shkrimet e që të dy themeluesve të Krishterimit Protestant rreth Islamit vërehet tendenca e cila ka mbizotëruar gjithandej historisë në shtjellimet e orientalistëve dhe teologëve protestantë. Në kohën kur Evropës i kanosej rreziku nga Perandoria Otomane argumentet e Lutherit kundër Islamit përbënin një elaborim të ndërlidhur me bëmat e turqve (lexo muslimanëve) dhe në bazë të tërë kësaj ngrihej edhe logjika argumentuese kundër Islamit dhe nuk ishte e thënë që përherë Islami të ishte gabim, mjaftonte te gjendej ndonjë gabim tek turqit. Në kohën kur ‘rreziku’ nga Otomanët ishte zbehur apo nuk ishte aktual, tek Luteri vinte në pah retorika teologjike kundër Islamit me cilësimet e Muhamedit si pjesë të një sistemi të udhëhequr nga demonët apo të mësimeve muslimane si herezi pagane.
Cilësimet kontraverze të Luterit në drejtim të Islamit tregojnë edhe papjekuri teologjike edhe shenja të një makiavelizmi misionar i cili është e qartë se bëhet me qëllim të ruajtjes me çdo kusht të klimës anti-muhamedane e cila po krijohej dhe zhvillohej bujshëm në rrethin ku ai vepronte, në mënyrë që të mbahej ndikimi i krishterë në ato vende. Luteri e shihte Kur’anin, librin e shenjtë të muslimanëve, si strumbullar të përdorimit të shpatës dhe dhunës, ndërsa profetin Muhamed si një mashtrues i cili kishte krijuar një mishmash religjion nga mësime Judeo-Kristiane dhe pagane. Në fjalët e tij, turku (lexo muslimani) ishte “...shkatërrues, armik dhe blasfemues i Zotit tonë Jezus Krisht, një njeri i cili në vend të Ungjillit dhe besimit ngrihet me Muhamedin e tij të turpshëm dhe të gjitha llojet e rrenave....dhe i cili nuk është gjë tjetër veçse vrasës dhe derdhës gjaku, është një instrument i vetë djallit.” [4] Duke aluduar në Kur’anin, Muhamedin dhe turqit (muslimanët) në një rast tjetër Luteri do të shkruante: “Me rrena ai i mbytë shpirtrat, kurse me vrasje i mbytë trupat”. [5] Se Luteri po fliste kuturu dhe se nuk kishte ndonjë mbështetje të argumentuar e dëshmon më së miri gafa e tij bërë në vitin 1529 në shkrimin e tij “Rreth Luftës Kundër Turqve” ku shkruan se akuzat të cilat po i bënte kundër Islamit i kishte parë si të tilla të kishin bazë në Kur’anin e turqve dhe se nuk do të bënte ndonjë pohim të bazuar vetëm në thashetheme, ndërsa në një shkrim tjetër të vitit 1542 e bën të ditur se për herë të parë kishte ardhur në kontakt me Kur’anin nëpërmjet një përkthimi të dobët latin në po atë vit, pra 1542.
Megjithëqë Luteri kishte shprehur mendimin e tij se Kur’ani dhe Islami duheshin studiuar me qasje korrekte, përkundër ndikimeve katolike të cilat ishin kategorike në ndalesat për qarkullimin e Kur’anit për shembull, prapëseprapë duket sikur të shumtën e rasteve ai ka dështuar në realizimin e ideve të tilla. Edhe pse në raste të caktuara ai haptas e ka treguar superioritetin e besimit të turqve (lexo muslimanëve) në krahasim me besëtytnitë e përhapura gjithandej Evropës të cilat e kishim mbizotëruar në fakt Krishterimin, ai prapëseprapë duket sikur këtë e bënte për qëllime thjeshtë apolegjetike dhe nga frika se thjeshtësia e besimit të muslimanëve do të tërhiqte të krishterët, dhe nga kjo mbase edhe duhet parë arsyet e fjalorit të tij jokorrekt ndaj Islamit në një dyzinë rastesh, në mënyrë që duke pasur parasysh cakun të gjendeshin medoemos argumente kundër Islamit, të cilat në të vërtetë të shumtën ishin pseudoargumente. Është e qartë se ai kishte frikë nga thjeshtësia e besimit të muslimanëve. Në parathënien të cilën ia kishte bërë “Traktit rreth besimit dhe zakoneve të turqve” ai shkruan: “Nga ky libër ne shohim se feja e Turqve ose e Muhamedit është shumë më madhështore në ceremoni dhe, gati mund të them, edhe në zakone, se sa feja jonë, përfshirë atë të religjiozëve apo të gjithë klerikëve. Modestia dhe thjeshtësia në të ushqyerit e tyre, veshjen e tyre, të jetuarit dhe gjithçka tjetër, sikur edhe në të agjëruarit e tyre, lutjen e tyre, mbledhjen e njerëzve të tyre ashtu si i sqaron ky libër, nuk shihen askund tek ne ose është e pamundur për njerëzit tonë që tu mbushet mendja për të vepruar sipas tyre...Sinqerisht besoj se asnjë papist, murg, klerik ose dikush i afërt me ta në besim nuk do të mund të qëndronin në besimin e tyre nëse ata do të kalonin tri ditë midis turqve...” [6]
Në të njëjtën mënyrë ideatori tjetër i Krishterimit Protestant, Kalvini në një mori rastesh në shkrimet e predikimet e tij nuk kishte hezituar që ta lidhte Islamin dhe Muhamedin me idetë për sisteme satanike, pohime të rreme profetësie, përmbushje të profecive biblike për pushtete të udhëhequra nga djalli etj. Në një mori rastesh në predikimet e tij, Profeti Muhamed dhe Islami janë në qendër të sulmeve teologjike entuziaste apokaliptike. Gjatë viteve 1556-57 në Predikimet rreth Ligjit të Ripërtërirë (18:15&33:2) ai shkruan: “...Mahometi (alergjia ndaj Islamit shihet edhe nëpërmjet shtrembërimit të emrit të Profetit) thotë se Kurani i tij është mençuria supreme, njashtu thotë edhe Papa për dekretet e tij. Por ata janë dy brirët e Antikrishtit....” [7]
Përfshirja e Muhamedit dhe besimit të muslimanëve në parashikimet dhe frazeologjinë apokaliptike është një gjë që vërehet gjithandej historisë në shkrimet protestante rreth Islamit dhe është prezente njësoj edhe në kohën e sotme.
Fakti më interesant të cilin e shohim duke lexuar këto shkrimet të cilat janë zanafilla e Orientalizmit protestant është përputhja interesante e frazeologjisë së atëhershme (shekulli XVI e këtej), dhe ideve të atëhershme të krishterimit protestant mbi islamin, me terminologjinë, pseudoargumentet dhe syzhetë që gjenden në, thuaja se, pjesën dërmuese të shkrimeve të studiuesve të sotëm protestantë mbi Islamin. Megjithëqë kanë kaluar shekuj të tërë, megjithëqë në shekujt e fundit bota dhe kulturat e ndryshme të saj janë afruar më shumë se kurrë, prapëseprapë Islami dhe muslimanët kanë vazhduar të gdhenden me stereotipet e njëjta në qarqet protestante, madje këto keqinterpretime të qëllimta edhe duke u zhvilluar hollësisht në ide anakronike dhe qenësisht antihumane.
Paralelizmi midis kohës së Luterit e Kalvinit me kohën e sotme kur është në pyetje çështja e frazeologjisë së njëjtë të përdorur rreth Islamit është një fakt mjaft kurioz në termet e studimeve psikologjike dhe sociologjike të orientalistëve protestantë. Nëpër të gjitha shkrimet e tyre shihet tendenca e njëjtë e cila mbizotëronte edhe tek Luteri për shembull që nëpërmjet shprehjeve dhe shpjegimeve entuziaste teologjike të krijohet një imazh për muslimanin dhe Islamin si diçka tërësisht të huaj, të padenjë fetarisht dhe si burime të të këqijave me të cilat ballafaqohet Perëndimi.
Dy qasjet dhe mënyrat e të të arsyetuarit kundër Islamit, njëra nga aspekti i bëmave terroriste të të ashtuquajturve muslimane, dhe tjetra nga këndi i padenjësisë teologjike, vërehen në të njëjtën mënyrë edhe sot tek teologët, misionarët, respektivisht orientalistët protestantë sikur edhe në kohën e Luterit dhe Kalvinit.
Sidomos pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 sinteza e këtyre dy taktikave është parë më së miri në cilësimet e bëra për Profetin Muhamed apo Islamin me togfjalëshat: ‘profet terrorist’, ‘religjion i prishur dhe i lig’, ‘mashtrim monumental’, ‘fanatik me sy të egër…plaçkitës dhe kusar….vrasës’, etj. Në periudhën pas 11 Shtatorit 2001 janë botuar shumë libra të kompozuar në stilin e deklarimeve të mësipërme nga studiues të Islamit nga provenienca Protestante dhe disa nga ta janë bërë bestseller.
Një qasje e tillë e të studiuarit të Islamit nga personalitete me prapavijë protestante i ka shkaktuar mjaft dëme shkollës protestante dhe në përgjithësi asaj perëndimore të studimeve Islame sepse e ka mbërthyer në një oratori ndjellakeqe e cila nuk është e thënë që të jetë e argumentuar dhe e cila shpeshherë frymëzon aksione entuziaste kundër Islamit të shprehura në mënyra të ndryshme.
Një shembull eklatant është bie fjala Robert Morey me librat e tij, i cili tekstualisht pati thirrur në një rast qeveritë e shteteve Perëndimore që ta bëjnë rrafsh me tokë Mekën dhe sipas tij në atë rast duke rrënuar zemrën e Islamit do të zhdukej në tërësi ky ‘religjion idhujtar’. Robert Morey i cili parapëlqen të quhet doktor i shkencave islame, (megjithëqë Universiteti Kristian Pakistanez nga i cili pohon të ketë fituar këtë titull ia ka quajtur doktoraturën falsifikim) dhe i cili ka shkruar dhjetëra libra rreth Islamit ka ndikim tepër të madh në rrethet evangjeliste në SHBA e më gjerë, dhe nëpërmjet kësaj edhe në konceptimin e gjithmbarshëm të opinionit të caktuar perëndimor ndaj muslimanëve. Ndërsa sa i përket Profetit Muhamed në një radio emision ai deklaroi “Po qe se do të ishte gjallë sot Muhamedi ai do të diagnozohej si vrasës serik psikotik dhe si keqtrajtues fëmijësh....”. Saga e figurave të njohura kishtare protestante të cilat janë vënë në ballë të një Orientalizmi të tillë destruktiv është e gjatë dhe i ka në krye pastorët më të njohur si: Franklyn Graham, Jerry Falwell, Pat Robertson, Jerry Vines etj etj. Aq larg ka mbërri stigmatizimi i tillë sa që muslimanët të quhen edhe më të tmerrshëm se nazistët siç bëri në një rast Pat Robertson. Libra të tjerë të botuar të cilat janë në valë të njëjta me deklarime dhe ide të tilla janë edhe “Burimi” nga James Mitchner, pastaj "Shuma e të gjitha frikave" nga Tom Clancy; sikur edhe librat me tituj joshës për perëndimorin si “Xhihadi”, “Lufta e Shenjtë”, “Profeti i Armagedonit” etj etj. Retorika antiislame dhe perfeksionimi i teorive të cilat e vënë në dyshim autenticitetin e Kur’anit, sinqeritetin dhe çiltërsinë e Muhamedit apo normalitetin e muslimanit, kurrë në historinë e proto-orientalizmit protestant nuk ka parë rritje dhe këmbëngulje më të madhe se sa në periudhën e shkurtër prej pas 11 Shtatorit 2001. Gjatë një kohe relativisht të konsiderueshme gjatë shekullit XX dukej sikur oratoria e njollosjes së Islamit nga ana e Orientalizmit protestant ishte fashitur, dhe befas pas sulmeve të 11 Shtatorit ajo ngriti krye dhe fitoi teren për të zhvilluar e rikrijuar teoritë antiislame dhe antimuslimane. Deri në shterrje janë shtjelluar teoritë dhe supozimet për terrorizmin islamik, për karakterin e pamoralshëm të Profetit Muhamed, për natyrën e egër dhe barbare të muslimanit Lindor etj etj. Veçanërisht viteve të fundit ka pasur një ringritje dhe fuqizim teoria për Allahun si një perëndi pagane e hënës e arabëve të periudhës paraislame, sikur edhe makineria e shtrembërimit të fakteve të cilat Profetin Muhamed e paraqesin si pedofil, terrorist dhe me karakter të një morali të ulët. Monopoli i krijuar nga neo-orientalistë të tipit Daniles Pipes, Martin Kramer etj në studimet për terrorizmin siç duket i ka shërbyer si mbështetje logjistike proto-orientalizmit misionar protestant në krijimin e barrierave të paqena midis muslimanit dhe perëndimorit.
Të gjitha këto ide dhe teori mirë të shtjelluara i kanë shërbyer Orientalizmit misionar edhe për një qëllim tjetër. Është pikërisht ungjillizimi i ‘paganëve’ ai i cili del si cak kryesor në raste të shumta nëpërmjet frazeologjisë së tillë joobjektive. Ungjillizimi i tillë ka si tendencë tjetër kolonizimin dhe monopolizimin kulturor, sociologjik dhe ideor. Në terenin ku synohet ungjillizimi ky Orientalizëm përkthehet në retorikë më perfide, literaturë të gdhendur më me finesë por që në thelb prapë ruan zemrën e proto-orientalizmit misionar antimusliman. Në vendet e prejardhjes retorika e tillë është më se e nevojshme për derdhjen e parave në kutitë e ‘bamirësisë’. Bie fjala, shumë shpejt pas rasteve ku pastori i njohur protestant Franklin Graham e quajti Islamin religjion të prishur dhe Muhamedin terrorist me sy të egër, ai ia mësyu Irakut për punë ‘bamirësie’. Çfarë bamirësie mund tu bënte njerëzve të cilëve ua kishte sharë thelbin e shenjtërisë së tyre? Orientalizmi i përkthyer në misionarizëm ka parë kohërat e veta më ideale pas 11 Shtatorit 2001.
Pasojat e Orientalizmit destruktiv pas 11 Shtatorit 2001
A ngelen stereotipet e tilla të neo-orientalizmit protestant vetëm në letër, fjalë, libra dhe masmedia? Natyrisht se jo! Siç do të thoshte J.A. Progler, imazhet nuk ekzistojnë vetëm në vakuum, ato kanë përdorim.[8]
Orientalistët më të balancuar Perëndimorë (ku bëjnë pjesë mbase edhe John Esposito, James Piscatori etj ) janë të prirë që këto zhvillime ti shohin vetëm si përdorim të lirisë së të shprehurit e cila ekziston në Perëndim pa ndonjë efekt tjetër, mirëpo se nuk është kështu kanë dëshmuar më së miri disa implikime të drejtpërdrejta të këtyre sulmeve verbale ndaj Islamit. Anketat e kryera në Amerikë për shembull e tregojnë direkt ndikimin e tyre në thellimin e stereotipeve ndaj muslimanëve të cilat në raste jo të vogla janë shprehur me cenime flagrante herë-herë edhe fizike. Përveç kësaj ajo çka është më e rëndësishmja rrjedhë nga fakti se frazeologjia e tillë ndaj Islamit dhe të konceptuarit e tillë për myslimanin, direkt ose indirekt e kanë ushqyer politikën shtetërore të shumë shteteve Perëndimore në raport me Lindjen muslimane. Duket sikur ndikimi është i ndërsjellë dhe i ndikuar diametralisht nga të dy këndet në të dy drejtimet: aparat shtetëror–misionarizëm/orientalizëm protestant. A është e rastësishme që presidenti i një shteti perëndimor shumë pak pas sulmeve të 11 Shtatorit përdori frazeologji evangjeliste në fjalimin e tij politik për të arsyetuar sulmet ndaj Afganistanit? Përdorimi i sentencës“Kush nuk është me ne është kundër nesh” si parabolizim i një sentence kyçe nga Bibla është vetësqarues. Dhe a është e rastësishme që në drejtim të politikanëve të tillë vijnë thirrje nga tabori tjetër për të vepruar konkretisht kundër Islamit terrorist? Ndërveprimi midis llojit të shtjelluar këtu të Orientalizmit protestant dhe politikës është i qartë. Në një rast Robert Morey i përmendur më herët e takoi një ish gjeneral të pensionuar Izraelit i cili është hero i luftës gjashtëditëshe dhe i dha propozime se si duhej të zgjidhej problemi me Palestinezët muslimanë terroristë. “Secilën herë që sulmuesit vetëvrasës vrasin ndonjë civil të pafajshëm, Izraeli duhet të marrë më shumë tokë nga Palestinezët – propozoi ai – Në këtë mënyrë Izraeli do të bëhet më i madh në vend që të zvogëlohet dhe do të bëhet më i fuqishëm në vend që të dobësohet”. Në fakt i tërë libri i tij “Fitimi i Luftës Kundër Islamit Radikal”[9] është një pamflet mesjetar i cili jep sugjerime kolonizuese, destruktive dhe johumane. Ky dhe shkrimet e tjera të ngjashme, janë shembull objektiv i Orientalizmit të tillë në aksion për arsye se idetë e tilla nuk mbesin vetëm fjalë dhe nuk arkivohen pa pasoja; ato gjejnë fusha për manovrim dhe mishërim. Politizimi i Orientalizmit është parë në vepër gjatë luftërave të fundit ballkanike dhe me një faqe tjetër vazhdon të kultivohet me të madhe në mjaft qarqe Perëndimore. Se ndikimi i ideve të tilla neo-orientaliste ngërthehet në mënyrë të organizuar në formësimin e ideve politike në një pjesë të caktuar të Perëndimit është më shumë se e qartë. Në ueb-faqen zyrtare të Robert Morey ku promovohet libri i përmendur shkruan midis të tjerash: “Shumë ekspertë përfshirë ata ushtarakë dhe të tjerë midis zyrtarëve qeveritarë nga SHBA dhe Izraeli e kanë lexuar librin dhe tani po i kushtojnë vëmendje serioze sugjerimeve të Dr. Morey”.[10] Kjo nuk do koment.
Më shumë se kurrë muslimanët shihen si të huaj nga Perëndimorët, madje edhe ata muslimanë që jetojnë në Perëndim. Aq të tëhuajsuar janë bërë muslimanët për mentalitetin perëndimor sa që në një rast në vitit 2002 gjatë një vizite të njohjes së ndërsjellë të disa muslimanëve në disa kisha Presbitariane në SHBA atyre iu shtruan pyetje si këto: “A mbathni këpucë në vendin tuaj”, “A ngisni deve atje”, “A i lani sytë me urinë lope” etj etj.[11] Dr Rodney Blackhirst, ligjërues i Filozofisë dhe Studimeve Fetare pranë Universitetit La Trobe në Bendigo e përshkruan mjaft mirë idenë të cilën një shumicë e perëndimorëve e kanë për muslimanin në raste të caktuara specifike, dhe bashkë me këtë do të thoshim edhe ndikimin e Orientalizmit destruktiv protestant. “Shpeshherë – shkruan Dr Rodney Blackhirst – njerëzit më thonë se ata kanë menduar se Islami është një lloj paganizmi, dhe çuditen kur kuptojnë se Islami vjen nga universi i njëjtë i ideve prej nga vjen edhe Krishterimi dhe Judaizmi” [12]
Një anketë e kryer në vitin 2003 nga Qendra për të drejtat civile të myslimanëve në SHBA tregonte disa rezultate të cilat shkojnë në favor të faktit se Orientalizmi destruktiv protestant e ka shtrirë ndikimin e vetë thellë në masat e gjëra popullore. Rreth 25 % të muslimanëve të anketuar e kanë konsideruar mundësinë e kthimit në vendin e tyre, të shumtën pas 11 Shtatorit 2001, si rezultat i klimës së krijuar në rrethin ku jetojnë. 32 % të tyre kanë pasur raste që të jenë shqetësuar me fjalë për shkak se ishin muslimanë, respektivisht Lindorë. 36 % e të anketuarve kanë vërejtur ndërrim në mënyrën se si njerëzit i trajtojnë ata krahasuar me periudhën para 11 Shtatorit 2001. [13]
Vandalizmi verbal në mjaft raste ka parë zbatim edhe fizikisht duke cënuar të drejtat e muslimanëve në shtete të caktuara perëndimore qoftë në formën e sulmeve fizike, qoftë në formën e diskriminimit në institucione shtetërore, publike apo forma të tjera të mostolerancës.
Me çdo kusht është tentuar që muslimani dhe Islami në përgjithësi të shihen si diçka e huaj për Perëndimin dhe për të Krishterët. Kjo e ka quar në ekstrem konceptin për muslimanin si ‘tjetri’ në raport me perëndimorin. Koncepti për ‘tjetrin’ është skalitur nëpërmjet orientalizmit të tillë destruktiv thellësisht në përceptimet e përditshme të rretheve të gjëra perëndimore duke lejuar kështu manovrime sociologjike, antropologjike e psikologjike gjithnjë me të njëjtin qëllim që ‘tjetri’ të mbahet sa më larg ‘vetvetes’ normale. Imazhi i ‘tjetrit’ nuk është diçka i huaj për civilizimin Perëndimor në përgjithësi gjatë historisë, dhe shpeshherë ka qenë në shërbim të ideve kolonizatore dhe diskurseve psikologjike jo vetëm në drejtim të orientit islam por edhe tepër më gjerë. Koncepti për ‘tjetrin’ aq thellë është gdhendur në mendjësinë dhe psikologjinë e një pjese të rëndësishme të Perëndimit sa që shumë herë gjatë historisë si rezultat i saj janë prodhuar alienizime të panevojshme me pasoja jo fort të pëlqyeshme, dhe duke pasur parasysh zhvillimet e viteve të fundit në fushën e Orientalizmit dhe misionarizmit protestant premisat janë jo shumë të pëlqyeshme sa ju përket raporteve Lindje Muslimane–Perëndim apo Islam–Krishterim. Robert A. Williams[14], i cili është profesor i Ligjit dhe Studimeve Indiane – Amerikane, edhe shtypjen, dekulturimin dhe asocializimin e popujve nativë amerikanë nga ana e të ardhurve nga Evropa i sheh si rezultat i mentalitetit Perëndimor për ‘tjetrin’ i cili është formësuar qysh në kohën e kryqëzatave kundër Muslimanëve dhe me të drejtë mund të themi se është zhvilluar edhe më fuqishëm më vonë nëpërmjet teorive dhe propagandave orientaliste protestante midis të tjerash.
Disa implikime në mjediset shqiptare dhe premisat për të ardhmen
Në vitin 2003 në vazhdën e publikimit të studimeve të teologëve-orientalistëve protestantë u botua në shqip një nga librat më të njohur të Robert Morey-t “Islamizmi i Zbuluar – Stuhia e vërtetë e shkretëtirës” Në libër përveç vitit të botimit dhe shënimeve për ‘të drejtat e rezervuara’ nuk ekziston emri i botuesit të librit. Mirëpo me gjasë botues është Instituti Jeta e Re i Tiranës apo ndonjë nga Kishat Evangjeliste Protestante në Kosovë, për arsye se kanë prirë me propagandimin e Orientalizmit misionar protestant në mjediset shqiptare. Botimi i librit sikur edhe ngritja e heshtur e një fundamentalizmi kristian në trojet shqiptare, kanë kaluar pa u vërejtur siç duket, gjë që nuk do të ndodhte me botimin e ndonjë libri të Osama Bin Laden nga ndonjë institucion zyrtar musliman shqiptar, bie fjala. Përderisa promovimi i ndonjë muslimani që thërret për bombardimin e caqeve perëndimore në opinionin shqiptar do të konsiderohej skandal dhe do të përcillej me masa sigurie, botimi i njeriut i cili thërret për shkatërrime qytetesh apo vendesh të shenjta muslimane kalon pa u vërejtur ose të paktën aktrohet se nuk është vërejtur.
Implikimet janë më të mëdha se sa vetëm botimi i një libri, duke pasur parasysh infiltrimin e autoriteteve që qëndrojnë prapa publikimit të librit me organizata rinore, jetën civile dhe ndikimet mediale. Në këto raste është vërejtur më së miri bartja e Orientalizmit jokonstruktiv nga Perëndimi dhe kultivimi i tij nëpërmjet aktiviteteve të organizatave Protestante (e nganjëherë edhe në aleancë zyrtarisht të pashpallur me elemente ekstreme të katolicizmit shqiptar) duke prodhuar tutje dhe perfeksionuar idetë ‘për kthim në rrënjët kristiane’, ‘shmangie nga religjioni i terrorit’, ‘orientim kah Evropa’ (në kuptimin e largimit nga tradita fetare muslimane shqiptare) etj etj.
Bartja e teorive të orientalizmit protestant të cilat hedhin dyshime mbi autenticitetin e Kur’anit, ndershmërinë e Muhamedit e madje madje edhe mbi vetë themelin mbi të cilin ngrihet Islami, e ky është monoteizmi, ka qenë strumbullar i aktiviteteve botuese të disa nga Kishave Protestante në Kosovë dhe Shqipëri. Vobektësia e njohurive teologjike e pranishme në këto publikime është kamufluar me stil të popullarizuar të të shkruarit sikur edhe me shtrembërime të qëllimta të fakteve linguistike, antropologjike, historike dhe shkencore. Përderisa Kisha Katolike në trojet shqiptare ka pasur kujdes në përzgjedhjen e shkrimeve orientale dhe si adut kryesor kundër Islamit Shqiptar ka përdorur ndërrimin e supozuar të dhunshëm të fesë nga turqit, kishat evangjeliste kanë avancuar tutje dhe përveç kësaj teorie, e cila ka rrënjë në gjymtime të fakteve historike dhe mbështetet vetëm nga anale joobjektive kishtare, kanë përsosur nëpërmjet botimeve të tyre frekuentisht teoritë më ekstreme të orientalizmit perëndimor protestant. “Perënditë paraislame të arabëve” [15], një nga botimet e këtij lloji, nëpërmjet manipulimeve e supozimeve gjuhësore dhe historike e nxjerr Islamin si një religjion i cili thërret në adhurimin e perëndisë pagane paraislame të hënës, ndërsa 99 emrat e bukur të Allahut janë konsideruar gjithashtu si bartje e hyjnive pagane të arabëve në Islam nga ana e Muhamedit. Autori, Georges Houssney i cili është përndryshe arab i krishterë me prejardhje nga Libani por që vepron në SHBA, ka shtrembëruar deri në maksimum termet linguistike me qëllim të ngulitjes së supozimit se Islami është një mishmash pagano-judeo-kristian.
Edhe tek kishat protestante në Kosovë e Shqipëri është vërejtur klima e njëjtë e cila është frymëzuar nga neo-orientalizmi misionar protestant i cili e përfshin Islamin në kuadër të një sistemi satanik të kyçur në konstelacionin e profecive apokaliptike dhe fragmenteve biblike të cilat të shumtën janë komentuar dhe shtjelluar me paragjykime paraprake mendjengushta. Është bërë pothuajse normale që në aktivitetet e këtyre kishave të madhërohet shteti aktual i Izraelit, pa çka se ky shtet bart mbi supe bagazh të rëndë të krimeve mbi popullin palestinez, gjë kjo e cila do të duhej të vriste mendjen e njeriut i cili dëshiron të besojë se propagandon mesazh dashurie. Dashamirësia e tillë abstrakte shpeshherë ka ngelur peng i paragjykimeve dashakeqe antiislame.
Islami nuk është një traditë e huaj dhe e pa ndikim për shqiptarët. I mbërrirë nga rrugë të ndryshme, i kultivuar tashmë me shekuj të tërë, ndikimi i tij është shtrirë që prej kohësh në fusha nga më të ndryshmet. Historia, e reja dhe ajo e vjetra, janë në mënyrë meritore të ngjyrosura me kontributin e Islamit shqiptar dhe çfarëdo tentimi për të trumbetuar ndryshe tregon koprraci intelektuale dhe mangësi njohurish akademike.
Megjithëqë nuk ka pasur një përgjigje të koordinuar ndaj përpjekjeve për ta shpallur Islamin si tumor në trungun shqiptar, prapëseprapë në tërë atë anarki veprimesh të ndryshme të pakoordinuara Islami ka vazhduar të sistemojë denjësisht vlerat e shqiptarëve duke u treguar si pjesë e pandarë e përditshmërisë së tyre. Një evoluim më i shpejtë dhe më i vrullshëm i qarqeve të caktuara shqiptare që janë të interesuara për zhvillimin e një shoqërie pa monopole mesjetare dhe për ruajtjen e traditave të cilat i kultivon dhe i ruan vullnetshëm shqiptari i thjeshtë, bëhet në këtë rast imediat dhe i pashmangshëm.
Orientalizmi protestant që në thelb ka pasur gjenezë antiislame dhe ngjyra misionare ka mbizotëruar gjithandej krijimit, rikrijimit dhe zhvillimit të tij. Ndikimi i tij në tëhuajsimin e Lindjes muslimane, dhe muslimanëve në përgjithësi, nga Perëndimin ka qenë grandioz, për të mos thënë krucial në raste të caktuara. Tentimet për ta anashkaluar këtë drejtim të Orientalizmit rezultojnë të jenë të gabuara duke pasur parasysh ndikimin e rëndësishëm të kësaj dege të Orientalizmit në marrëdhëniet reciproke Krishterim–Islam dhe Lindje–Perëndim. Në mënyrë duke nivelizuar të paqenat e teorive të shumta të konsumuara me realitetin shumë mirë të njohur duhet të synohet ringritja e një lidhje të shëndoshë të këtyre dy anëve të botës duke ndërtuar një shoqëri të denjë njerëzore pa implikime fallse të imagjinuara dhe destruktive. Muslimanit dhe Lindorit i mbetet që të bëjë më tepër përpjekje në modelimin e imazhit të vërtetë të Islamit drejt Perëndimit, ndërsa Perëndimorëve iu ngelet barra kryesore e potencimit të objektivizmit në qasjen e tyre ndaj gjithçkaje që nuk ka origjinë në Perëndim.
Fusnotat:
[1] Edward Said, “Orientalism”, New York: Vintage, 1978, faqe 12
[2] Mustafa es-Siba-i, “Orijentalizam i Orijentalisti- za i protiv” Zenica 2003, faqe 35
[3] Mustafa es-Siba-i, “Orijentalizam i Orijentalisti- za i protiv” Zenica 2003, faqe 59-60
[4] Cituar sipas Sarah Henrich dhe James L. Boyce në “Martin Luther – Translation of Two Prefaces on Islam”, Word & World, Volume XVI, Number 2, Spring 1996, faqe 254
[5] Cituar sipas Sarah Henrich dhe James L. Boyce në “Martin Luther – Translation of Two Prefaces on Islam”, Word & World, Volume XVI, Number 2, Spring 1996, faqe 254
[6] “Luther’s 1530 Preface to the Tracts on the Religion and Customs of The Turks”, Word & World, Volume XVI, Number 2, Spring 1996, faqe 258
[7] Rev. Prof. Dr. Francis Nigel Lee, “Calvin on Islam”, Lamp Trimmers, June 2000
[8] J.A. Progler, “The Utility of Islamic Imagery in the West”, Al-Tawhid Vol XIV No. 4
[9] Robert A. Morey, “Winning the War Against Radical Islam”, Christian Scholars Press 2002
[10] http://www.faithdefenders.com/ përkatësisht http://216.105.48.151/index.asp?PageAction=VIEWPROD&ProdID=3
[11] Christianity Today, December 9, 2002
[12] Dr Rodney Blackhirst, “Islam, its origins and impact on western thought”, Australian Rationalist, No 62, faqe 21.
[13] Muslim Civil Rights Center, me seli në SHBA në raportet online tek http://www.mcrcnet.org/
[14] Robert A. Williams, shiko për shembull The American Indian in Western Legal Thought: The Discourse of Conquest (New York: Oxford University Press, 1990)
[15] Dr. Georges Houssney, “Perënditë paraislame të arabëve”, Shtëpia botuese Tenda, Prishtinë 2004
(Punim i lexuar ne tryezen "Orientalizmi dhe Shqiptarët", Korrik 2005, Prishtinë)