
Ateistët kosovarë të Amerikës fetare
Kundërshtarët e lëndës fetare e kanë në majë të gjuhës arsyetimin se futja e lëndës fetare e cenon laicitetin. Në përhumbjen paranojake nuk e vërejnë faktin se nuk kërkohet ndërrimi i statusit të shkollave. Kërkohet vetëm futja e një lënde zgjedhore më shumë. Edhe në rastin e lëndës fetare, partizanët e ateizmit kundërshtojnë ‘orientalizmin e prapambetur’, duke u munduar ta paraqesin si gogol që ua përkeqë njësimin me vlerat perëndimore, e sidomos me ato amerikane. Por, harrohet fakti që parimet fetare janë të përfshira në institucionet publike amerikane, edhe në ushtri dhe në burgje. A ju kujtohet imazhi i dorës së presidentëve amerikanë e vendosur mbi Bibël, duke bërë betimin për ta respektuar Kushtetutën. A është ky shtet laik?! Zelli me të cilin mbrohet laicizmi ose ma mirë, ateizmi, e shndërron këtë në religjion të veçantë, krahas feve të njohura. Partizanët e ateizmit, duke e shndërruar doktrinën e tyre në fe të veçantë, e trumbetojnë atë si të vetmen “fe” të denjë për të qenë palca e institucioneve publike.
Mëdyshja e profesorëve
Është paksa i çuditshëm kundërshtimi që po i bëhet futjes së lëndës fetare në shkollat publike. Zërat kundërshtues janë spontanë, dalin nga një stihi kolektive. Ka pak logjikë në këtë vorbull kundërshtimesh verbale. Nëse do të kishte debat më të thellë, gjërat do të duhej të ishin ndryshe. Kjo më kujton disa përvoja personale. Diku në vitin 2006, më është dashur të bashkëbisedoj me profesorin e fizikës të Universitetit të Prishtinës, dr. Rasim Bejtullahu. Ai vlerësohej si njeriu më i përgatitur për të shpjeguar teorinë e krijimit inteligjent të gjithësisë (Big Beng).
Paraprakisht, disa prej studentëve të fikës më patën paralajmëruar se profesori kundërshtonte ashpër çdokënd që përkrahte variantin e krijimit të gjithësisë nga Zoti. Këtë frymë e kam ndjerë në momentet e para të muhabetit disaorësh. Por, qëndrimi kundërshtues i profesorit zbutej sa më shumë që muhabeti rrëshqiste në përsiatje shkencore. Në fund, profesori e mbronte me zell faktin se Teoria Big Beng, dhe disa prej realiteteve të tjera fizike, kishin bazë të fortë në Kur’an. Bile, ai pati deklaruar se libri i shenjtë islam ishte bazë e patjetërsueshme për secilin shkencëtar që synon të bëjë hulumtime të gjithanshme shkencore. Këto qëndrime të profesorit janë botuar në shkrimin “Mesazhi i Ajshtajnit për fizikën kosovare”, të botuar në “Lajm”.
Rrëfim i ngjashëm ka ndodhur edhe në rastin e shkrimeve për teorinë e Darvinit. Dy profesorët e Universitetit të Prishtinës, dr. Qerim Selimi dhe dr. Isa Elezaj, nuk patën arritur të shpjegonin pse vazhdonin ta ligjëronin këtë variant ateist të krijimit të jetës, ndërsa vet deklaronin se jeta nuk kishte mundësi të kishte lindur rastësisht, por ishte krijuar nga Zoti.
Mesazhi i Ajnshtajnit për 'qorromanët dhe çalamanët'
Është i çuditshëm ky hon ambiguiteti ku kanë rënë shumë intelektualë të nderuar të vendit. Edhe në rastin e profesorit të fizikës, Rasim Bejtullahu, më pat çuditur përmbysja e ideve fillestare. Pas dekadash të ligjërimit në universitet të teorisë ateiste të krijimit të rastësishëm të gjithësisë, profesori mbështeste hapur qëndrimin se pikëpamjet fetare islame për fizikën ishin të lidhura ngushtë me qëndrimet e shkencës moderne. Në këtë rast, fizikani më i njohur kosovar veçse përsëriste një fjali të fizikanit më të madh të të gjitha kohërave. Ajnshtajni kishte deklaruar: Shkenca pa fe është e gjymtë, feja pa shkencë është qorre
Sintagma që përjetëson nevojën e ndërthurjes së këtyre realiteteve, del e qartë edhe kur është fjala për literaturën që mësohet në shkollat publike. Këtë e mbështesin edhe profesorët e nderuar, në momentet kur përfshihen në debate më të thella. Kundërshtimi ndodh kur nuk ka debat, kur logjika e shëndoshë lihet në pauzë, ndërsa i lëshohet udha paragjykimeve, mitologjisë e pikëpamjeve nacional-ateiste. Për të kundërshtuar, duhet plotësuar dy premisa fillestare: Duhet të jesh qorr dhe i çalë. Në të kundërtën, është e qartë rruga.