Kompleksi i inferioritetit si realitet shoqëror-politik, apo si humbet rruga në oborr të shtëpisë ?

1.Smilja Avramov (hisoriane çifuto-serbe): “Për mua Tadiq, është debil. Si është e mundur, që të eksistojë vetëm një rrugë e vetme, kah e cila orientohet komplet kombi ?” (dule aluduar në Europën)

 

2. Boris Tadiq: (jashtë kontekstit, duket si përgjegjje që do ta ngushllonte Avramov-ën): “Edhe BE-në edhe Kosovën. Në mes të Kosovës dhe Europës, vendosim për të parën”

 

3.Vuk Drashkoviq: “Serbia duke anashkaluar mundësitë që po i'a afron Europa, do të ngelë në mendësitë e kaluara”

 

4.Çedomir Jovanoviq: “Ne si Parti Liberale,  e njohim pavarësinë e Kosovës”

 

Nga tri këto deklarata/qëndrime, vetëm e treta duket më e butë, ajo e Drashkoviqit, (por që edhe ky është dëshmuar serbomadh, megjithëse i luhatshëm), kurse e katërta, e vetmja është pro-kosovare

 

Të kujtojmë: Serbia, është shteti që ka nisur katër luftëra brenda 8 viteve. Dhe është shteti që ka kryer gjenocidet më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore. Mbanë akoma nën kontroll mbi 25% të territorit të Kosovës, permes funksionimit të strukturave paralele. Europianët e lusin në aderim, ajo refuzon të aderojë pa Kosovën.

 

Katër qëndrime tashmë të dëgjuara, nga politikanë  e “intelektualë” kosovarë (nuk po mundem t'i ndajë).

 

1. “SHBA-të e Europa punojnë për ne. Neve na mbetet vetëm të ndjekim rrugët e tyre”;

 

2. “Katedralja dëshmon frymën europiane të Kosovës, dhe na afron më afër saj”;

 

3. “Çdo afrim me Turqinë kërcënon seriozisht orientim euro-atlantik të Kosovës”;

 

4. “Autonomia për veriun mund të jetë solucion. Edhe ashtu serbët gëzojnë autonomi në atë pjesë”

 

Të kujtojmë:

 

Kosovën nuk e njohin 5 shtete të BE-së, dhe as që i është vënë kusht Serbisë që ta njoh pavarësinë e Kosovës. Përderisa europianët akoma flasin për “modelin e dy Gjermanive” si solucion të nyjës së pakryer shqiptaro-serbe, në Washtington nuk heshtet ideja e ndarjes, që anipse nuk po vie me ndonjë akt sikurse Dejtoni, po na serviet si “gjellë e ftoftë”, respektivisht si akt i kryer që po e sjellë koha..

 

Kosovarëve si, “europianë të rinjë”,  Europa, medet, nuk u japë as viza qarkullimi

 

Kosova,  pos Katedrales që na ofruaka më afër Europës (Xhamia e Mësim-Besimi “na largojnë”, natyrisht) sipas Pakos së Ahtisaarit është e ngulfatur nga eksterritorialiteti i afro dyzetë Manastirave e Kishave Ortodokse, që medet (prapë), nuk i japin “frymë europiane” Kosovës, por frymë të Hilandarit dhe Malit Atos në Greqi,  të dominuar nga Manastiret Ortodokse, e që po ashtu Serbia gëzon eksterritorialet edhe mbi ta. Krahas kësaj, vetë ideja mbi Katedralën, e nisur nga “argumenti” i afrimit me Europën, është nonsens dhe në thelb monocentrike, kur kihet parasysh edhe bekgraundi protestant, laik-shekullar, agnostik, ateist, musliman etj., i Europës..

 

Kosova lejon lëndën e Mësim-Besimit për komunitetin serb, e poashtu ndërton edhe Gjimnaze Jezuite, si ai “Loyola” i Prizrenit, përshirë rritjen konsistente të ndikimit katolikofil në historigrafi, kulturë politike e publike, media etj.,  kurse ndalon Lëndën e Mësim-Besimit të kërkuar nga komuniteti musliman, si dhe diskriminon e privon femrat muslimane për shkak të veshjes së tyre…

 

Kosovën, më shumë se çdo minister turk, e kanë vizituar dhe e vizitojnë të paftuar ministra e politikanë të linjës serbomadhe, paramilitarë, kriminelë, kontrabandistë, mercenarë rusë etj. Madje, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), thuhet se pos veriut, operon me njerëzit e saj edhe andej kah Kamenica, fshatrat në rrethinë të Gjilanit, e deri në Shtërpce, ku vetë kam parë posterë të Sheshelit, përkatësisht kam dëgjuar, tek lëshonin këngë qetnike. Jo rastësisht para disa muajsh, SHPK-ja zuri sasi të mëdha armësh të luftës së fundit, pikërisht në Shtërpce. Sa për Hajvalinë, që rrethohet nga Çagllavica, pavarësisht shikimit nga Brukseli të të ardhurve në Hajvali,  MUP-i direkt apo indirekt, edhe aty kryen punën e vet.

 

Një kuriozitet për disa që nuk janë të informuar: gjatë Legjislativit 2001-2004, në krye të Kuvendit të Kosovës ka ushtruar detyrë një vrasës (i cilësuar i tillë sipas dokumentit konfidencial të NATO-s të publikuar muajin që lamë pas e që po publikohet në vazhdë) Është ky Oliver Ivanoviqi, sot i ashtuquajturi “sekretar në Ministrinë për Kosovën”, që atëbotë pos postit në Kryesi të Kuvendit të Kosovës, pati qenë “bartës i listës serbe”/në krye të “Povratakut”. I njohur në Mitrovicë për krimet e tij gjatë luftës, përfshirë vrasjen e 26 shqiptarëve (gjithnjë sipas dokumentit), si dhe pjesmarrjen në debimin e tyre para, gjatë dhe pas luftës, ndaj tij pati eksistuar një dosje e hapur në KFOR dhe UNMIK, nga dega e KMLDNJ-së në Mitrovicë, 12 vite para publikimit të dokumentit të NATO-s, por prokurori ndërkombëtar, e pati mbyllur dosjen e tij, për ta lënë në liri. Dhe çka ndodhë? As para 12 vjete, as para 7-10 vjete, por as sot që nuk u bë bujë e zhurmë, për njeriun që ka vrarë shqiptarë, që nuk e njeh shtetin tonë, që nuk i paguan tatim, që i shërben Beogradit, dhe i cili nga legjislatura e Kosovës ka vjelur rrogë të majme, në krahasim me me zhurmën e  halabakërinë deri në banalitet karshi “hasmit turk”  Dincer, dhe kërkesës së tij “rënuese”

 

Ky ishte vetëm një shembull/rast, nga vargmali i listës së kriminelëve të padenuar serbë, për krimet e tyre, por shembulli në fjalë ishte më ekstrapolues, për faktin që i afiluari, lërë që s’është dënuar, por edhe është ulur këmbëkryq në Kryesi të Kuvendit të Kosovës për tri vite. Përkundër këtij shembulli, e vistrës së qindra shembujve e realiteteve tjera preokupuese, që rëndojnë mbi përditshmërinë kosovare,  ne nuk shohim reagime (madje me vazhdime/fejtone) nga kuloaret pseudo-europiane , pseudo-nacionaliste, e pseudo-etatiste, të qarshive kosovare, siç u bënë ndaj vizitës së ministrit të arsimit turk, dhe kërkesës së tij modeste për largimin e fjalëve fyese (të cilat shumë shpejt, pos punës të Komisionit të ngritur për shqyrtim, do të publikohen si të dokumentuara e të dëshmuara 'prima facie' edhe nga disa studime shkencore individuale në atë drejtim).

 

Përderisa deklaratat e Davutogllut e Dincerit, bëhen më të komentuara e më të debatuara se sa ato të Tadiqit e Daçiqit; përderisa Ivanoviqi i Ivanoviqët harrohen karshi “zullimit” imagjinar turk; përderisa Turqia (sh)përfytyrohet si rrezik më i madh se Serbia etj., shoqëria kosovare, duhet të ndihet e brengosur seriozisht për elitat e saja qarkulluese, si për ato politike, poashtu edhe për ato intelektuale e akademike, respektivisht ta shqyrtojë ridimensionimin e saj kolektiv, nisur nga botëkuptimet e qëndrimet e saja, në shërbim të kuptimit të drejtë e të rafinuar, të faktorëve endogjen e ekzogjen, që shoqërinë si shoqëri, e kanë nxjerrur e po e nxjerrin nga orbita e saj, politikisht e kulturalisht, tashmë me dekada. Kundërshtitë për afrimin me një shtet qindra here më fuqishëm se Kosova (me tibet-pozocionin e saj politik), dhe Shqipëria, në emër të europianizmit (!?), kur vetë Turqia është kandidate për anëtarësim në BE para Kosovës e Shqipërisë (por pa atrofim mazokist të mundësive të vetëvetes), s’janë gjë tjetër pos histeri e shpërfaqur, ksenofobi e pabazuar, dhe kompleks inferioriteti ndaj mundësive alternative të Kosovës për prosperim..

 

Inercioni që ndikimi serb, akoma omni-prezent në paralizimin e funksionimit të shtetësisë së Kosovës, po ka në Kosovë, po kamuflohet permes shpërqëndrimit të vëmendjes mbi problemet reale të vendit; permes fryerjes apo krijimit të armiqëve të rinjë imagjinarë; përmes kapjes në çështje rudimentare; përmes luajtjes me emocionalitetin e njerëzve me përralla romantike të Mesjetës e të para disa-shekujve, perms ideologjizmit katolikocentrist të shitur si levë “shpëtuese” për kombin etj. Shembulli i veriut të vendit si problem, është eksplikues në këtë drejtim. I kthyer nga mekanizmat ndërkombëtarë nga një problem politik që kërkon(te) zgjedhje, në një çështje të “menaxhimit të krizës” (permes ndarjes latente) dhe nga politikanë vendorë të një shteti që pretendon të jetë i pavarur dhe sovran, në një çështje të qytetarëve të vet asaj pjese, veriu i vendit ekstrapolon më së miri mentalitetin dhe praktikën e dorëzimit, të të kolonizuarit ndaj kolonizuesit, dukuri kjo e elaboruar thuktë nga Ibn Halduni, Spinoza e Fanoni. Dhe shih ironinë: për Çedomir Jovanoviqin, edhe veriu duhet t’i takojë Kosovës shtet, kundruall jo pak politikanëve shqiptarë që shprehin gadishmëri ta lëshojnë. Një gjë i përbashkon: lodhja nga inercioni i nacionalizmit serb. Por përderisa Jovanoviq kërkon sfidim të tij dhe rrugëdalje nga ai, të apostrofuarit politikanë shqiptarë, janë të gatshëm të dorëzohen e të pajtohen me të. Madje edhe të huazojnë prej tij: urrejtjen e Islamit, muslimanëve, Perandorisë Osmane, Turqisë në emër të nacionalizmit katolik shqiptar. Jam i i bindur që edhe po të vritet ndonjë shqiptar në veri (siç edhe ndodhi), nuk bëhet bujë më e madhe se sa mbi  “rrezikun turk” . Po të ishte ndryshe, nuk do të shahej feja e atij, që nja 3-4 ditë për syefaqe u quajt hero, respektivisht nuk do të përçmohej dukja e nënës, motrës e gruas së tij, përfshirë diskriminimin femrave muslimane me veshje si ato. 

 

Kronika versus Histori-bërjes: Pamundësia e inkubimit të vetëdijes, vetënjohjes, vetëpercepimit, e identitetit stabil 

 

Shoqëritë që prodhojnë kronikë, e jo histori, janë disi të dënuara të jenë të ballafaquara me vështërësi, e shpesh edhe me pamundësi, të inkubimit të komponentëve identitarë stabil. Janë shoqëri labile. I nënshtrohen dijës së konsumuar (çoftë edhe kur dikush u flet e “i meson” mbi veten e tyre), e nuk prodhojnë dije…njohjes së konsumuar e jo njohjeve të reja (të mos flasë për ofrim njohjesh nga soji i tillë)…pastaj i nënshtrohen ose perceptimeve të konservuara siç u servohen en bloc me dekada, e më pas, pas “daljes nga kafazi”, perceptimeve tejet heteregjone e pa-artikulim; identiteteve të konstruktuara e shtresimeve identitare, në vend të vetë-konstruktimit identitar e brumosjes vitale të identitetit; narrativit kapërdirës (vektorëve ideologjik, kulturor, politik etj.), në vend të të qenurit protagonistë të narrativit.. i nënshtrohen rrjedhës së kohës e zhvillimeve, në vend të bërjes së kohës dhe zhvillimeve; ideologjive të disperzuara mbi ta, në vend të pasjes së kapaciteteve në krjimin ideve me rëndesë e konstantë ekuilibruese për ta (veten e tyre);  ekzogjenës në vend të potencialeve endogjene; kontaminimit në vend të fotosintezës pozitive për vete dhe të tjerët; intoksimit me vetëdije në vend të dallimit dhe ikjes nga injektimi i padëshiruar; sistemeve në fuqi në vend të krjimit (potencialisht) të sistemeve native, e që më pas, kur sistemet e huaja në fjalë bien (shpesh nuk bie sistemi por vetëm njerëzit e tij) lënë pasoja tek shoqëritë në fjalë. Pra me një fjalë, shoqëritë jo-histori-berëse janë shoqëri që vetëm pasojnë. Mungesa e rritës, mpleksjes, e pjekjes si një shoqëri e konsoliduar, me kulturë debati e opinion publik konstruktiv, po u shkakton kokëçarje të mëdha, sidomos atyre që janë të fundit në botë që mund t’i bëjnë dëm shoqërisë, të cilëve dorën në zemër po u kushton goxha edhe nga letargjia e tyre. Sepse në një shoqëri të tillë sulmohet më së shumti, ai që sulmon më së paku..

 

Por, krejt kjo po ka një (kundër)efekt pozitiv (paradoksalisht) megjithëse është e keqe publike. Ai është (kundër)efekti i pozicionimit; i daljes së mendimit të konzervuar nga strofulli i mbyllur, efekt që po çon në definimin e hapur të dashakeqëve. Pikërisht siç u pa në Kuvendit e Kosovës.

 

Përfund, përse qëndrimet serbe që i morëm si shembuj krahasues me ato shqiptare/kosovare, janë më parimore, përkatësisht përse qalojnë qëndrimet e palës së dytë, ndaj atyre të palës së parë ?  Sepse pala e dytë, e ka promovuar gjithnjë, dhe po e promovon akoma veten e tillë çfarë nuk është; e shtirur, e hutuar; paradoks në vete; e kompleksuar nga inferioritetiti në të gjithë orbitën, sferat dhe segmentet e saj, thjesht - të tillë çfare nuk e do askush - duke epitemizuar kështu  faktin se as copëtimi e asaj vuajtjet, nuk i kanë kushtuar më shumë se sa HUTIMI ME VETËVETEN. Me unin. Me qenien. Me epistimeken e gnosën. Në këtë drejtim janë bërë investime shumëvjeçare, definitivisht.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme