Interpretimet e historiografisë shqiptare për periudhën e Perandorisë Osmane
Shkruan: Frymzim DAUTI
11 Shtator 2011, 15:40
Pas okupimit të trojeve shqiptare nga Serbia në vitet 1912/13, arsimi i shqiptarëve bëhej në gjuhën serbe. Shqiptarët e okupuar, historinë për periudhën e Perandorisë Osmane e mësonin nga mësues serb dhe nga librat e historisë së Serbisë. Në Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore erdhi deri te liberalizimi i arsimit dhe filloi gradualisht arsimi në gjuhën shqipe. Me këtë rast filluan të dalin në sipërfaqe intelektualët shqiptarë dhe librat e tyre edhe për historinë. Nëse i marrim veprat e studiuesve shqiptarë të historisë, që janë shkruar gjatë periudhës së Jugosllavisë socialiste dhe i shikojmë referencat se ku i bazojnë ata interpretimet e tyre, do të vertetojmë se në të shumtën e rasteve, ata referencat i kanë bazuar te veprat e autorëve jugosllavë. Problemi kryesor nuk është mbështetja në burimet edhe të autorëve serbë, por problemi qëndron te qëllimi i shkrimit të këtyre punimeve të magjistraturës, doktoraturës apo të punimeve të tjera shkencore. Këto punime u shkruan me qëllim që nga ato të dalë një mesazh politik. Ky mesazh politik mund të përcillej në masë dhe mund të kishte efektin e vet, nëse te gjeneratat e reja formohej bindja, se në të kaluarën shqiptarët dhe serbët kanë luftuar kundër një armiku të përbashkët, gjegjësisht atij turk. Pasi kosovarët jetonin në një shtet me serbët, ata duhej që të shkruanin në atë mënyrë që të fitohej përshtypja se shqiptarët dhe serbët mund të bashkëjetojnë në një shtet të përbashkët. Ky falsifikim i historisë së shqiptarëve nga vetë shqiptarët është bërë për hir të bashkim-vëllazërimit, që ishte motoja e bashkëjetesës së etnive të ndryshme brenda Jugosllavisë. Këto punime, në një farë mënyre i kanë shërbyer propagandës serbe për ta arsyetuar okupimin e tokave shqiptare. Serbët, propagandonin se nuk i kanë okupuar shqiptarët, por përkundrazi ata na kanë çliruar nga “barbarët” e Azisë -turqit, të cilët na masakruan për pesë shekuj, na mblidhnin tatimet, i dhunonin gratë tona, na pritnin kokat, na islamizuan me dhunë etj; prandaj dhe me formimin e Jugosllavisë socialiste shqiptarët e fituan “lirinë”. Një përpjekje e tillë u bë edhe me shkrimin e historisë nga Ali Hadri dhe Milan Perkaj te libri “Pasqyrë e historisë nacionale shqiptare” që u botua në vitin 1960 në Prishtinë. Në këtë libër, ata shkruanin për përpjekjet e vazhdueshme të serbëve dhe shqiptarëve për lidhjen e aleancave me qëllim të luftimit të armikut të “përbashkët” turk. Ata, shkruanin për mbrojtjen e Shkodrës së bashku me ndihmën e Stefan Crnojeviçit në vitin 1478, për aleancën e Pjetër Bogdanit me patriarkun serb Arsenije III Crnojeviç në vitin 1689 në luftën kundër “turqve”, për shpërnguljen e detyruar të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës në territoret përtej Danubit, për rebelimin e disa malësorëve katolik në vitn 1911 dhe lufta e tyre e përbashkët me malazezët kundër ushtrisë së rregullt osmane në zonën kufitare, etj. Këta ngjarje historike, duheshin të ishin shembull i bashkpunimit ndërshekullor në mes shqiptarëve dhe serbëve. Por, në Kosovë kishte edhe historian të tillë (rasti i Hasan Kaleshit) që për aq sa mundën, i mbetën besnikë shkencës së historisë dhe nuk abuzuan me të. Pasi me kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974, kosovarët fituan më shumë liri në krijimin e institucioneve të tyre shkencore, kemi dhe një periudhë të lulëzimit të punimeve shkencore për sa i përket edhe historisë shqiptare. Historianët e rinj kosovarë, në këtë periudhë, filluan që t’i kritikojnë edhe shkrimet e historianëve serbë për shqiptarët. Me këtë rast, ata, në vend që t’i mbështetnin kritikat e tyre në burimet arkivore të Stambollit apo të Vjenës, ata i mbështetnin ato në burimet e historianëve komunistë të Shqipërisë dhe libri me dy vëllime “Historia e Popullit Shqiptar” i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Puna profesionale e historianëve kosovarë, që zgjati për një periudhë 15 vjeçare, nuk dha rezultate të duhura shkencore (kuptohet me disa përjashtime të vogla). Këtë konstatim e mbështesë në realitetin kosovar që dëshmohet edhe sot, pasi nuk ka dallim të opinionit të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë, për sa i përket periudhës së Perandorisë Osmane. Vështrimi ynë i gabuar për sa i përket kësaj periudhe historike është përgjithësisht i përafërt. Edhe pse te disa formohet përshtypja, se shqiptarët e Maqedonisë kanë vështrim tjetër për sa i përket periudhës së Perandorisë Osmane, në realitet, mendësia jonë (Maqedoni) nuk dallon nga ajo e Kosovës apo e Shqipërisë; kjo, pasi planprogramet shkollore për lëndën e historisë së shqiptarëve nuk dallojnë. Po ashtu nuk dallojnë edhe ligjëruesit e historisë në Maqedoni, pasi ata kryesisht janë shkolluar në Kosovë dhe Shqipëri, apo edhe ata që studiojnë tani vetëm në Maqedoni, përdorin literaturë nga profesorët e Kosovës apo të Shqipërisë. Vështrimi më i butë i shqiptarëve të Maqedonisë kundrejt Turqisë, është i mbështetur në baza familjare të të shpërngulurve shqiptarë në Turqi, si dhe në lidhjet tregtare apo turistike që bëhen me Turqinë.
-Për sa i përket historiografisë së Shqipërisë, rrethanat këtu dallonin krejtësisht nga ato në Jugosllavi. Pas përcaktimit të kufijve thuajse përfundimtar të Shqipërisë në fillim të viteve 20-të me vendim të Lidhjes së Kombeve, dhe pas njohjeve të Shtetit Shqiptar që pasuan, edhe Serbia u tërhoq gradualisht nga përpjekja për aneksimin edhe të disave territoreve shqiptare. Ajo, po ashtu ndërpreu gradualisht ndihmën ushtarake dhe financiare që ua jepte disa bajraktarëve katolik, apo atë diplomatike disa klerikëve katolikë të Shqipërisë. Në Shqipëri, historia duhej shkruar në atë mënyrë që të afrohej rinia shqiptare me pretekstin se shqiptarët janë një komb pa dallime fetare apo fisnore dhe që për bazë të kombit kanë gjuhën e përbashkët shqipe. Në Shqipëri, si bazë për shkrimin e historisë shqiptare, pjesërisht u morën edhe librat e shkruar për publikun e huaj nga Vaso Pasha, Kristo Dako dhe Konstatin Çekrezi si dhe për propagandën në Shqipëri, vepra e diskutueshme e Shemsedin Sami Frashërit “Shqipëria çka ka qenë ç’është dhe ç’do të bëhet”. Në atë kohë ishte me rëndësi të madhe, që epirotasit të mund të integroheshin në Shtetin Shqiptar, pasi shumë prej tyre që prej vitit 1913 ishin munduar që ta hiqnin qafe. Shumë epirotas, ndanin mendimin se nuk mund të lejojnë që qytetërimi grek të sundohet nga një popull “pa qytetërim” (shqiptarët myslimanë), dhe prandaj përpiqeshin që territoret e tyre të aneksoheshin nga Greqia apo të administroheshin vetë nga ata në autonominë e Vorio-Epirit. Por, me humbjen e luftës së Greqisë në Anadoll në vitin 1922 dhe pas kacafytjeve të vazhdueshme politike në mes republikanëve dhe monarkistëve në Greqi, u dobësua dhe irendentizmi grek kundrejt territoreve të Shqipërisë. Në këta rrethana politike, në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës së Zogut, filloi që të shkruhej historia shqiptare. Me këtë rast, për ta ngritur patriotizmin shqiptar shkruhet libri nga Kristaq Floqi “Një predikim mbi patriotismë e nacionalismë” e që u botua në Tiranë në vitin 1928. Ky libër, ishte obligativ në planprogramet shkollore për tërë Shqipërinë. Me këtë libër, përherë të parë të gjithë shtetasit e Shqipërisë e mësonin në shkolla historinë e njejtë edhe atë në gjuhën shqipe. Se sa e vështirë dhe e ndjeshme ishte të shkruhej historia shqiptare në këtë periudhë, dëshmohet nga përmbajtja e preambulës së kushtetutës së parë të Shqipërisë në vitin 1928. Kjo preambulë, nuk përmbante asnjë ngjarje historike të shqiptarëve dhe i referohej vetëm të ardhmes. Kjo situatë e vitit 1928 në Shqipëri, mund të krahasohet me rrethanat e përpilimit të preambulës së kushtetutës së Kosovës; kjo pasi që edhe ajo nuk përmban asnjë ngjarje historike, me qëllim që mos të ndihen të provokuar serbët e Kosovës.
-Në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore u shfaq tendenca se për formimin e Shqipërisë ishin meritor kryesisht toskët dhe se ata duhej që ta përbënin elitën politike të Shqipërisë, pasi dhe pushteti komunist kishte mbështetje reale në jug të Shqipërisë. Kjo, pasi shumë ortodoks të Shqipërisë së jugut (vlleh, shqiptar, grek, bullgar dhe malazez nga veriu) simpatizonin Rusinë dhe prandaj ata me lehtësi e pranuan afrimin me Rusin. Po ashtu shumë shqiptarë myslimanë të jugut i pranuan idetë politiko-agrare që vinin nga Rusia, pasi që shumë prej tyre kishin punuar familjarisht për disa shekuj si hyzmeqar te ndonjë bej shqiptar, dhe prandaj ata e shfrytëzuan këtë mundësi që t’ia zaptonin pronën beut të tyre dhe të hakmerreshin për gjoja shfrytëzimin e tyre. Nga këta shtetas të Shqipërisë, më vonë dhe u formua elita e re intelektuale, pas arratisjes apo shfarosjes së intelektualëve të vërtetë shqiptarë. Ajo shtresë e re e shoqërisë së Shqipërisë, e manipuluar nga propaganda ruse dhe jugosllave, e mori me dëshirë ideologjinë komuniste, prej momentit kur filloi ajo të paraqitet në Shqipëri. Më tragjike ishte fakti se ata përfaqësonin klasën fshatare të varfër, e që për shkak të rrethanave të kohës, nuk kishin asnjë trashëgimi intelektuale dhe prandaj ishte shumë lehtë të manipulohej me ta. Me këtë rast, shumë të rinj të tillë u rekrutuan si intelektualë të ardhshëm të Shqipërisë dhe u dërguan për larje të trurit në universitetet e Rusisë, të cilët më pas u kthyen dhe iu kapën punës “shkencore”. Si rezultat i punës së tyre “shkencore” ne sot pretendojmë që e njohim historinë tonë shqiptare.
-Kur shkruhet historia duke patur parasysh kompromiset, ajo në disa raste bie në kundërshtim me ngjarjet e vërteta të së kaluarës. Ky është parim i pranueshëm ndërkombëtarisht, për ato raste kur interpretimi i historisë i shërben pajtimit të popujve apo interesave kombëtare. Por, historiografia shqiptare nuk e respekton këtë parim, pasi ajo me vetëdije është bazuar në dokumente të falsifikuara apo të manipulaura. Historia e sotme shqiptare nuk është historia e shkruar për të gjetur kompromise brenda popullit shqiptar në periudhën e formimit të kombit shqiptar. Ajo, në Jugosllavi është shkruar nga shqiptarët për qëllim të bashkëjetesës sllavo-shqiptare dhe indirekt për legjitimimin e okupimit serb ndaj shqiptarëve, ndërsa në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore, ajo është shkruar për ta diskredituar shtresën e bejlerëve shqiptarë, të cilët i kanë trajtuar si vazhdues të represionit imagjinar turk, që prej disa shekujve e kishin “robëruar” shtresën fshatare të Shqipërisë. Por, ky interpretim i historisë së periudhës së Perandorisë Osmane në Shqipëri, nuk erdhi drejtpërdrejt me ardhjen e komunistëve në pushtet. Ky interpretim erdhi nga ideologu i parë i ideve bolshevike në Shqipëri Fan Noli. Noli, sikur ata të rinj fshatarë të varfër që u rekrutuan për tu shkolluar në universitetet e Rusisë, kur kishte qenë i ri ishte rekrutuar dhe dërguar për tu edukuar në një manastir ortodoks në Rusi. Noli, pas trajnimit në Rusi, u shndërrua në figurën kryesore të propagandës kundër Perandorisë Osmane në shtypin “shqiptar” dhe të huaj. Përderisa Noli vepronte në opozitë, pas formimit të Shqipërisë, ai në ditën e flamurit në vitin 1930 shkruante kundër qeverisë së Shqipërisë si vijon: “Flamurin e Skenderbeut dimë ta ngremë e ta majm lart vetëm ne e jo bejlerët që ia bënë peshqesh Turqisë qindra vjet me radhe […]”. Më vonë, pasi komunistët e kishin marrë pushtetin dhe tani ai pushtet rrezikohej nga intervenimi perëndimor, Noli deklarohej në mbrojtje të regjimit komunist të Shqipërisë, dhe mes të tjerave në fund të vitit 1949 shkruante: “Ballistët janë a bejlerë, a vegla të bejlerëve, të cilët e kanë shtypur dhe robëruar popullin nja katërqind vjet me radhë në periudhën e dominimit turk”. Nga këta shkrime dhe shumë të tjera, mund të konstatohet që lidhja që bënte Noli në identifikimin e periudhës së Perandorisë Osmane me bejlerët shqiptarë dhe robërimin apo shfrytëzimin shekullor të tyre ndaj shumicës së shqiptarëve, u mor si bazë nga historiografia komuniste për shkrimin e kësaj periudhe.
-Shkrimi i historisë është një proces evolutiv. Për të qenë në lëvizje me kohën, ne duhet të fillojmë me shkrimin e historisë sonë. Për fillim, ne duhet domosdo që të distancohemi nga Historia e Popullit Shqiptar të shkruar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, dhe të fillojmë që të shkruajmë atë me gjakftohtësi dhe urtësi. Periudha e Perandorisë Osmane në territoret shqiptare do të duhej të studiohej e të shkruhej nga tre grupe të veçanta dhe atë për tre periudha:
-a. Periudha prej Betejës së Fushë Kosovës e deri te Traktati i Karlovacit në vitin 1699.
-b. Periudha prej Traktatit të Karlovacit e deri te Kushtetuta e parë e Perandorisë Osmane në vitin 1876. -c. Periudha prej Kushtetutës së parë e deri te Lufta Ballkanike. Periudha më e vështirë për t’u interpretuar padyshim që do të ishte periudha e tretë, pasi që në këtë periudhë erdhi në shprehje lindja graduale e vetëdijes kombëtare te të gjithë popujt e Perandorisë Osmane, përfshi këtu dhe turqit. Për fat të mirë, ne kemi disa shqiptarë që kanë qenë politikëbërës në këtë periudhë e që kanë lënë shkrimet e tyre, dhe prandaj kemi ku të bazohemi për shkrimin e kësaj pjese të historisë sonë. Sot, ne shqiptarët, si kombi më i varfër i Evropës, nuk kemi mundësi financiare të investojmë në hulumtimet historike për shkrimin e historisë sonë duke e respektuar mirëfilltë metodën e të shkruarit të historisë. Por, kjo nuk do të thotë që ne duhet të dorëzohemi dhe të presim kohëra më të mira, pasi ne mund ta bëjmë këtë punë edhe me një grup intelektualësh shqiptarë, pa resurse të mëdha financiare, për vetëm pesë vjet. Me mbështetjen e shteteve shqiptare Kosovë dhe Shqipëri, historia jonë për periudhën e Perandorisë Osmane mund të shkruhet edhe duke u bazuar:
1-Te shqiptarët që janë përpjekur përfaqësish ta shkruajnë historinë shqiptare në veprat apo kujtimet e tyre: Vaso Pasha, Sami Frashëri, Kristo Dako, Konstatin Çekrezi, Ndoc Nikaj, Basri Dukagjini, Sulejman Kylçe, Ismail Qemali, Sureja dhe Eqrem Vlora, Ibrahim Temo, Ahmet Nijazi, Mehdi Frashëri etj.
2- Duke i konsultuar veprat e historianëve serioz të huaj që kanë shkruar apo që shkruajnë për shqiptarët: Joseph Swire, Peter Bartl, Greorge Gawrych, Noel Malcolm, Nathalie Clayer, Robert Elsie, Oliver Schmitt etj.
3- Duke u mbështetur edhe te kujtimet e burrështetasve që janë marrë me çështjet politike të shqiptarëve: Edward Grey, Raymond Poincare, Sulltan Abdulhamidi i II, Eleftherios Venizelos etj.
4- Duke u mbështetur te librat e autorëve të huaj që për arsye të ndryshme kanë qëndruar në Shqipëri dhe kanë shkruar për shqiptarët: Evlebia Çelebia, François Pouqueville, Henry Holland, Johann Georg von Hahn, Edith Durham, Franz Nopcsa etj.
5- Duke i studiuar gazetat dhe revistat shqipe që botoheshin gjatë Perandorisë Osmane në Stamboll, Selanik, Janin, Shkup, Manastir, Elbasan, Shkodër dhe gazetat e tjera të Perandorisë apo ato ndërkombëtare e që kanë shkruar edhe për Shqipërinë.
6- Duke i interpretuar traktatet e rëndësishme që i ka lidh Perandoria Osmane me shtetet tjera (prej traktateve me Republikën e Venedikut e deri te Traktati i Londrës në vitin 1913).
7. Duke i analizuar shkrimet për historinë të shkruara nga shqiptarët e Shqipërisë prej kohës së formimit të Shtetit Shqiptar e deri te mbarimi Luftës së Dytë Botërore.
8. Duke konsultuar veprat e osmanologëve të pranuar në rang ndërkombëtar: Bernard Lewis, Erik Zurcher, Ahmad Feroz, Sukru Hanioglu etj.
Nga përmbledhja e këtyre librave apo shkrimeve, mund të nxirren konkluzione të kapshme për periudhën e Perandorisë Osmane në përgjithësi dhe për situatën e shqiptarëve në veçanti. Diplomacia shqiptare në këtë rast do të duhej që ta asistonte këtë grup të intelektualëve duke iu mundësuar ndihmë profesionale nga institutet e historisë së Turqisë, Greqisë, Serbisë, Italisë (Vatikani), Austrisë, Gjermanisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë. Këtë grup, do ta asistonte një administratë e veçantë, që në përbërje të saj do të ketë edhe përkthyes për gjuhët latine-frënge-italiane, osmane-turke, greke, serbe-ruse, gjermane dhe angleze. Grupi intelektual, përveç historianëve në përbërje të saj do të duhet të ketë: -Jurist, që do ta shpjegonin sistemin politik të shtetit, pushtetin gjyqësor, burokracinë si dhe do t’i interpretonin traktatet, kushtetutat, ligjet, etj. -Diplomatë, të cilët do t’i shpjegonin interesat e shteteve imperialiste në territoret e Perandorisë Osmane. -Ekonomistë, të cilët do t’i shpjegonin rrethanat financiare të Perandorisë. -Sociologë, që do t’i shpjegonin lëvizjet demografike si dhe rëndësinë e fesë dhe zakoneve në jetën e përditshme të banorëve të Perandorisë. -Pedagogë, që do t’i shpjegonin sistemet dhe proceset e arsimimit të rinisë. -Ushtarakë, të cilët do ta shpjegonin funksionimin e ushtrisë, flotës dhe xhandarmërisë si dhe fenomenin e luftërave dhe rebelimeve të Perandorisë. -Teologë të Islamit dhe të Krishterimit, që do t’i shpjegonin ligjet e Sheriatit, Kanunet kishtare ortodokse e katolike si dhe administrimin e klerit dhe të objekteve fetare. -Komunikologë, që do të bënin dallimin e propagandës dhe informatës në shtypin e Perandorisë dhe atë ndërkombëtar. -Agronomë, të cilët do ta shpjegonin sistemin e ndarjes së tokës pjellore, kullotave dhe sistemit të vaditjes, si dhe për rëndësinë e prodhimeve të bujqësisë dhe blegtorisë si burime kryesore të të ardhurave të popullsisë.-Kritik letrat, që do ta analizonin letërsinë shqipe apo shkrimtarët shqiptar që kanë shkruar edhe në gjuhë tjera gjatë kohës së Perandorisë. -Dhe të tjerë. Jam i bindur që konkluzionet që do të dilnin nga ky studim profesional, nuk do t’i irritojë fqinjët tanë apo shtetet tjera. Konkluzionet, po ashtu do të ishin të kapshme për të gjitha bashkësitë fetare shqiptare. Kjo e fundit, do të ishte me rëndësi, pasi që e kaluara e përbashkët është një faktor i rëndësishëm për formimin e kombit apo për vazhdimin e ekzistimit të tij.
-Shkrimi i historisë si kompromis në mes popujve është një proces i njohur që vazhdon edhe sot. Në Maqedoni, së fundi u tentua që të shkruhej historia për konfliktin e vitit 2001, nga një komision i përbashkët shqiptar-sllavomaqedon. Po ashtu, nga një grup i përbashkët sllavomaqedon-shqiptar, u tentua të shkruhej historia shqiptare në Enciklopedinë maqedonase. Me këtë rast, deri diku dhe u arritën kompromise dhe disa historian shqiptar morën honoraret për këtë qëllim, duke shpresuar në arritjen e një kompromisi. Por, para apo pasi që u botua Enciklopedia maqedonase dhe pas kritikave që ngritën mediat për këtë çështje, participantët shqiptar në përpilimin e kësaj enciklopedie u distancuan me të drejtë nga përmbajtja e saj.
-Historia e vërtetë për shqiptarët, e bazuar në metodat më moderne të shkrimit të historisë, do të shkruhet atëherë kur do të sigurohen resurset financiare dhe pasi që vetëdija intelektuale e shqiptarëve do të arrijë një shkallë më të lartë të tolerancës ndaj mendimit ndryshe. Të shpresojmë që mbas dy apo tre dekadave do të ndodh edhe kjo.