(Skicë)
Në emër të Allahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Besimi në Allahun xh. sh. është i vjetër sa edhe njeriu. Respektivisht, besimi është më i vjetër se njeriu, por vetëm me krijimin e njeriut dhe të krijesave të tjera besimi e mori funksionin e udhëzimit hyjnor në rrafshin historik. Ai është i lidhur ngushtë kryesisht për dy dukuri apo për dy parime kruciale dhe për dukurinë e tretë si harmonizuese e dy të parave:
1) Dukuria e të padukshmes. Sikur Allahu i madhërishëm të ishte i dukshëm, i prekshëm, i kapshëm, atëherë besimi do të ishte i panevojshëm, pa kurrfarë kuptimi, sepse Allahu do të ishte një krijesë nga mesi ynë, një nga krijesat e kufizuara, të mundshme, në kohë e hapësirë dhe;
2) Dukuria e sprovës, e sfidës. Tërë kjo krijesë komplekse (gjithësia), tërë ky empirizëm botëror konsiston që nëpërmjet besimit të sprovohet kundrejt Allahut, kundrejt krijesave të tjera dhe kundrejt vetvetes. Konsistimi përbëhet edhe në atë që të tregojë se njeriu është i përkushtueshëm ndaj Allahut dhe se e ka merituar shpëtimin dhe shpërblimin apo ndëshkimin dhe shkatërrimin, gjë që varet prej aktivitetit të tij mendor dhe praktik.
3) Dukuria e Shpalljes (Vahjit). Vrojtuesi i zgjuar do të vërejë se ndërmjet këtyre dy dukurive, të besimit dhe të sprovës, ekziston kundërthënie, sepse besimi dhe sprova me të padukshmen dhe të panjohurën nuk mund të pajtohen mes veti. Mirëpo, kjo kundërthënie që në fe shihet në shikim të parë pajtohet nëpërmjet dukurisë së tretë, të Shpalljes (Vahjit) nga Allahu i madhërishëm. Vetë Shpallja nuk është krejtësisht e kapshme, e pashme dhe nuk e obligon askënd të besojë, por, e shprehur me gjuhë më të thjeshtë, ajo është e pranishme dhe e udhëzon njeriun dhe e ndriçon zemrën dhe shpirtin e njeriut, pikërisht sikur që drita e Diellit ndriçon edhe pse vetë nuk mund ta shohim atë.
Duke ndjekur këtë rrjedhë vijmë deri te dukuria e bartësve të misionit Allahut të madhërishëm në Tokë, te dukuria e Felajmëruesit (Nebijullah), te dukuria e të Dërguarit e Allahut (Resulullah). Ata i zgjedh Krijuesi ynë nga mesi ynë, nga populli ynë, nga gjuha jonë, për ta përcjellë porosinë hyjnore besnikërisht dhe plotënisht. Të dërguar (rusul) dhe lajmërues (enbija’) qenë bijtë e Ademit a.s., e jo krijesa të tjera, sepse sikur pejgamberët mos të ishin njerëz, do të mistifikohej feja dhe tërë misioni:
“... Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!” (El-Isra’ /17/:15).
“(Këta janë) të dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Se, Allahu, është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nisa’ /4/: 165).
Është e qartë se nubuvveti (felajmësia) dhe risaleti (fedërgueshmëria) nuk është e njëjta gjë. Sipas asaj që e kemi të njohur, risaleti është porosia, mesazhi hyjnor, i dërguar nëpërmjet një të dërguari (resul). Në këtë mesazh qëndron shpallja e Allahut, si udhëzim gjithëpërfshirës për jetën njerëzore. Resulët posedojnë njëkohësisht edhe cilësinë e nebijëve (felajmëruesve). Nubuvveti (felajmësia) dallon nga risaleti, sepse në këtë rast misionari i Allahut nuk pranon shpallje (risale), por e vazhdon një shpallje të mëhershme të një resuli të mëhershëm. Në pajtim me këtë një nebij (felajmërues) nuk mund të jetë resul, sepse nuk ka pranuar shpallje të re, por ka vazhduar ta prezantojë dhe punojë sipas misionit të mëhershëm.[1]
Sipas kësaj rrjedhe mund të përfundojmë se të gjithë pejgamberët e Allahut (nebijë dhe resulë) nuk e kanë të njëjtën gradë pejgamberike. Nga i gjithë numri që përmenden në Kur’an, disa dijetarë i dallojnë pesë: Nuhi a.s., Ibrahimi a.s., Musai a.s., Isai a.s. dhe Muhammedi a.a., por disa dijetarë të tjerë i dallojnë shtatë më të dalluar: Ademi a.s., Nuhi a.s., Ibrahimi a.s., Musai a.s., Davudi a.s., Isai a.s. dhe Muhammedi a.s.. Përkundër këtyre dallimeve, të gjithë të dërguarit e Allahut gëzojnë te Allahu i madhërishëm status të veçantë, shumë më të veçantë krahasuar me krijesat e tjera, madje do të thoshim njëfarë statusi “të shenjtë”. Por, kjo shenjtëri nuk bën të kuptohet sikurse shenjtëria e disa personazheve në krishterizëm, por ata janë më të privilegjuar, më të ruajtur dhe me të drejtë edhe ndërmjetësimi (shefaati) te Allahu xh. sh..[2] Ata kanë dashurinë, afërsinë, miqësinë, begatitë dhe dhuratat e veçanta, të cilat nuk mund t’i gëzojnë krijesat e tjera. Është e qartë se njeriu pejgamber nuk ka cilësi hyjnore sepse këto janë privilegj ekskluziv i Allahut xh. sh.: “Vetëm Ty të bëjmë ibadet dhe vetëm nga Ti kërkojmë ndihmë”. (El-Fatihatu, 5).
- Pejgamberët në Islam mbrohen. Ata kursehen nga vrazhdësia e përditshmërisë të besimtarëve të tyre. Ata janë njerëz në veprime, por mbrohet dinjiteti i tyre dhe i familjeve të tyre: “O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare.” (Kur'an, 49:2);
- Gratë e Muhammedit a.s. nuk mund të martohen me askënd: “...Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” (33:53);
- Në çështjet shoqërore duhet të pranohet fjala e Muhammedit a.s.: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.”. (En-Nisa /4/: 65);
- Përkundër privilegjeve Pejgamberi a.s. plotësisht i përgjigjet Allahut xh. sh. dhe se as vetvetes nuk mund t’i ndihmojë pa lejen e Krijuesit: “Thuaj (o Muhamed): “Unë i lutem vetëm Zotit tim dhe nuk i shoqëroj Atij askënd (në adhurim)”. Thuaj: “Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi”. Thuaj: “Edhe mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Allahut; dhe nuk mund të gjej strehim tjetërkund, përveçse tek Ai. Unë kam për detyrë veç t’ju përcjell atë që më vjen nga Allahu dhe mesazhet e Tij. Këdo që s’dëgjon Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e pret zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të mbetet përgjithmonë.” (El-Xhinn /72/: 20-23).
- Të gjithë pejgamberët (nebijë e resulë) nuk mund ta konsiderojnë veten të barabartë me Krijuesin e tij. Kjo është e qartë sidomos te Muhammedi a.s.: “Thuaj: “Unë jam vetëm një vdekatar si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm....”. (El-Kehf / 18/, 110).
- Por, edhe te Isai a.s.: “O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu - Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini. Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot - qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë. Mesihu nuk do ta përbuzte kurrë që të ishte rob i Allahut, as edhe engjëjt më të afërm. Ata që e shpërfillin dhe e nënçmojnë me arrogancë adhurimin ndaj Tij, Allahu do t’i sjellë të gjithë para Vetes.” (En-Nisa /4/: 171,172);
- Edhe pse krijimi i Isait a.s. ishte ndryshe, ai nuk dallon nga të tjerët. U krijua me vullnetin e Allahut: “Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” - dhe ai u bë.” (Ali Imran /3/: 59).
- Njësia e Allahut ruhet me çdo kusht. Madje në disa ajete kjo çështje trajtohet në mënyrë dramatike, për ta përshkruar seriozitetin e problemit: “Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit.” (Merjem /19/: 90-91).
E qartë, felajmëruesit (nebijë) dhe të dërguarit (resulë) janë personalitete të nderuara, shenjtërinë e të cilëve duhet respektuar, por në kuptimin Islam të monoteizmit të pastër (tewhid). Shenjtëria në Islam përkufizohet si dashuri e veçantë e Allahut e jo si pjesëmarrje në qenien e Tij, as si ndërmjetësues ndërmjet Zotit dhe krijesave, siç është rasti me krishterizmin.
Ne e kemi obligim që ndaj të gjithë të dërguarve të sillemi mirë dhe me respekt të plotë, por dhe shenjtërinë e tyre duhet kuptuar drejt:
1. Të pranohet dhe dëshmohet vërtetësia e pejgamberisë së tyre dhe i librave, fletëve që kanë sjellë;
2. Të lutet Allahu xh. sh. sa më shumë që T’i mëshirojë dhe t’i bekojë (të sjellë salavat);
3. Të duhen më shumë se çdo krijesë tjetër. Vetëm Allahu duhet më shumë se ata;
4. Fjalët dhe veprimet e tyre të pranohen si mënyrë e domosdoshme e të sjellit dhe vepruarit tonë (sunnet).
Këto katër parime janë të domosdoshme t’i respektojmë te Muhammedi a.s., kurse te pejgamberët e tjerë vetëm tre pikat e para, sepse ardhja e pejgamberit të fundit i abrogon (eliminon) shpalljet e mëhershme dhe vlefshmërinë e tyre praktike.
Edhe ardhja e Isait a.s. nga fundi i kësaj bote si shenjë paralajmëruese e Çastit të Fundit (jewmu’s-sa’atu) do t’i dëshmojë praktikisht këto katër parime, sepse ai do të veprojë sipas Kur’anit dhe Sunetit të Muhammedit a.s. e jo sipas pejgamberisë së tij.
Mirëpo, ka qenë dhe është vullnet i Allahut xh. sh. që njerëzit të kenë bindje të ndryshme në aspekt të lirisë së besimit. Imponimi nuk lejohet. Prezantuesi musliman më së shumti që mund të bëjë është prezantimi i besimit islam:
“Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë, përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë qëllim Ai i krijoi ata. Do të plotësohet Fjala e Zotit tënd: “Me të vërtetë që do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkërisht!”. (Hud /11/: 118,119);
“Ne kemi dërguar Tevratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin. Prandaj, mos kini frikë nga njerëzit, por kini frikë vetëm prej Meje! Dhe mos i ndërroni Fjalët e Mia me ndonjë vlerë të vogël! Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë. Ne u caktuam atyre në Tevrat: jeta me jetë, syri me sy, hunda me hundë, veshi me vesh, dhëmbi me dhëmb dhe plaga me plagë (të njëjtë me të). Por kushdo që fal shpagimin si lëmoshë, ka bërë një vepër që është shlyerje për gjynahet e veta. Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka zbritur Allahu, ai është shkelës i vërtetë. Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Tevratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Tevrat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut. Le të gjykojnë ithtarët e Ungjillit ashtu siç ka shpallur Allahu në të. Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është keqbërës i vërtetë. Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti.“ (El-Maideh /5/: 44-48).
Madje, edhe në rastet kur mosbesimtarët shkaktojnë dëme, detyrë e jona është të lutemi: “O Allah!, Udhëzoje popullin tim, sepse ata nuk dinë.”
Çështja e nubuvetit dhe risaletit e trajtuar më lartë nga pikëpamja e jashtme e ajeteve kur’anore është rast i mirë për analiza edhe më të thella. Kur’ani është thesar i pashtershëm, kështu që thirrja për eksplorim është e hapur për të gjithë studiuesit muslimanë në të gjitha kohët.