
Së pari, ata janë besimtarët muslimanë të çdo lloj moshe e niveli me të cilët takohem përditë në mjediset e xhamive e që shkëmbejmë përshëndetjen e bukur e të përzemërt islame “Es-Selamu Alejkum”. Pa dashur të përjashtoj edhe ata muslimanë të tjerë që në thellësi të shpirtit të tyre e kanë besimin tek Zoti e tek feja Islame, por që nuk përfshihen në jetën e përditshme fetare, për arsye që ata vetë i gjykojnë. Ndoshta një ditë edhe ata do ta ndiejnë veten brenda vlerave të besimit islam.
Që në paraqitjen e tij apo në dukjen e parë, besimtari musliman dallohet me fizionominë, me buzëqeshjen, me vështrimin e ngrohtë e zërin e butë, me sjelljen e kulturuar e mënyrën e komunikimit me të tjerët. Por, dallimi më kryesor gjendet në botën e tij të brendshme shpirtërore. Nën ndikimin e vazhdueshëm të besimit është formuar portreti moral i asaj pjese të shoqërisë shqiptare, që udhëzohet nga parimet dhe normat morale islame.
Në Kuranin e Madhëruar thuhet: “…Vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira”. (Asr:3)
Ndër vite, realiteti shqiptar islam, në hapësirën shekullore si dhe në shoqërinë bashkëkohore islame është i mbushur me shembuj të shumtë ku spikatin vlerat e mëdha shpirtërore. Por vlera më kryesore, nga e cila zënë fill të gjitha vlerat e tjera shpirtërore është besimi tek Zoti.
Tek besimi islam, shqiptarët, gjashtë shekuj më parë, gjetën kodin moral si tërësi e parimeve dhe normave që udhëheqin sjelljen e individit dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore. Nëpërmjet këtij morali, besimtari musliman ndërton sjelljen dhe marrëdhëniet me atë lloj qenie i ngjashëm me të, me vetveten, me të njëjtën origjinë e krijues e për të njëjtin qëllim.
Ndër tiparet thelbësore që besimi islam ka skalitur në ndërgjegjen e muslimanit dhe shoqërisë islame shqiptarë është fryma paqësore. Kjo frymë ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë jo vetëm në gjirin e komunitetit të besimtarëve muslimanë, por edhe në marrëdhëniet me elementet e bashkësive dhe përkatësi të tjera fetare. Analizuar në këtë spektër, besimi islam ka ndikuar fuqishëm në vendosjen e mirëkuptimit dhe harmonisë midis shqiptarëve të çdo besimi qofshin. Nuk mund të mohohet fakti se brenda çdo familje e çdo shoqërie, qofshin këto edhe islame, krijohen konflikte. Për shkaqe e arsye të ndryshme konfliktet janë të pashmangshme e shpeshherë gjenden brenda natyrës së njeriut. Gjithashtu koha dhe zhvillimet prodhojnë në vazhdimësi konflikte. Besimi islam si në mbarë botën, edhe ndër shqiptarët, ka shërbyer për zgjidhjen e këtyre konflikteve.
Besimi islam ka ndikuar në vendosjen e paqes dhe afrimit midis shqiptarëve kryesisht nëpërmjet doktrinës islame të vështrimit të njeriut si mik, si krijesë e Zotit dhe si bashkudhëtar i kësaj bote, ndërsa bashkëkombësin, bashkëqytetarin, bashkëfshatarin apo fqinjin, si njeriun me të cilin Krijuesi të ka bashkuar në gjuhë, në kombësi, në kohë e hapësirë dhe për të kryer të njëjtin mision.
Në sfondin historik dhe shoqëror, elementi musliman shqiptar nuk prezantohet thjesht si një spiritualit ideal e i përkushtuar në besim dhe i izoluar brenda mureve të xhamive, apo i mjaftuar në botën individuale apo jetën familjare. I udhëhequr nga mësimet kuranore muslimani është pjesë aktive e shoqërisë. Së pari me predikimin e vlerave të besimit islam.
Me të drejtë ka një prirjeje apo këndvështrim se besimtari musliman i shpalos vlerat e besimit me përkushtimin dhe veprimin gjatë gjithë jetës në përputhje me porositë e Allahut dhe parimet islame. se besimtari me sjelljen dhe edukatën e mirë është modeli dhe propaganduesi më konkret dhe më i besueshëm i vlerave të besimit që përfaqëson. Dhe vërtet, vepra shpeshherë flet më shumë se fjala. Por Allahu (xh.sh.) foli nëpërmjet Kuranit të madhëruar dhe Profeti (a.s.) foli nëpërmjet haditheve dhe për gjithë njerëzimin.
Sipas mundësive dhe rastit, çdo musliman e ka për detyrë të flasë e të propagandojë vlerat e Islamit. Natyrisht që pjesa më e avancuar, më e shkolluar dhe elitare e ka për detyrë, lëvrimin e vlerave të Islamit në trojet shqiptare, si besim, si kulturë, si qytetërim, si dije, si art, si mënyrë jetese dhe forcë progresive. Prania aktive e intelektualëve shqiptarë në jetën fetare është vlerë që dëshmon për dimensionin dhe vendin që zë dija, kultura e shkenca në fenë islame. Historikisht nga gjiri i shoqërisë islame kanë dalë individë të shquar që zbuluan e përhapën vlerat e besimit e të kulturës islame. teologë të shquar e dijetarë islamë si Vehbi Dibra, Daut Boriçi, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Sherif Putra, Haki Sharofi, Sadik Bega, Ferid Vokopola e Vexhi Buharaja, spikatën në kohën e tyre me erudicionin dhe kulturën e gjerë dhe ishin intelektualët më të shquar të kohës.
Ndër tiparet që e karakterizon dhe e dallon besimtarin musliman shqiptar është bujaria dhe bamirësia, si elementë që burojnë dhe përbëjnë moralin islam dhe që përbën një ndër shtyllat kryesore të fesë islame. Ka qenë dhe mbetet praktikë në jetën e përditshme të besimtarit akti i dhurimit dhe i ndihmës për njerëzit në nevojë. Nëpërmjet këtij akti është mundësuar ndërtimi i shumë xhamive, objekteve social-kulturore islame, ndihma për njerëzit në nevojë apo të prekur nga fatkeqësitë. Ky tipar njerëzor, i predikuar nga besimi islam dhe që ka hedhur rrënjë në shpirtin e besimtarit, manifestohet në jetën e përditshme në formën e dhënies së ndihmave e deri në dhurimin e gjakut. Është e vërtetë se këto akte të larta njerëzore bëhen pa bujë e mburrje dhe shpesh protagonistët e tyre mbeten anonimë, por kanë devizën e besimtarit musliman.
Besimi islam, nëpërmjet parimeve e normave morale, ndikoi në formësimin e familjeve shqiptare. Nën ndikimin e tij familja mori kuptim të ri si e krijuar me dëshirën e Zotit e që merr përsipër detyra e përgjegjësi, si një celulë e shoqërisë shqiptare që realizon edukimin, që të gjithë pjesëtarët të ecin në rrugë të mbarë.
Shumë intelektualë muslimanë të ditëve të sotme që japin ndihmesa të shquara për Islamin, e kanë origjinën në familjet tradicionale islame. këta intelektualë, së bashku me breznitë e tjera, po e çojnë më përpara besimin islam duke e mbrojtur nga shtrembërimet dhe islamofobia që është prezent në Shqipëri. Islamofobia është dukuri e re në Shqipëri. historikisht dhe aktualisht, elementi musliman dhe besimi islam nga masa e përkatësive të tjera fetare nuk është vështruar me armiqësi. Islamofobia fetare nuk është karakteristikë e shoqërisë shqiptare, por është krokamë e disa elementeve pa përkatësi fetare, por që tundin fort kartelën anti-islame me qëllime përfitimi të ndonjë çmimi “Nobel”, apo mbështetje financiare për veprimtari mediatike. Nga këta elementë bëhen përpjekje për të errësuar rolin e Islamit në Shqipëri, për të etiketuar si forcë shkatërruese, të prapambetur dhe pengesë drejt Evropës.
Ruajtja e kësaj tradite konfirmon identitetin moral dhe rrënjët e thella të besimit islam në ndërgjegjen dhe botën shpirtërore të muslimanëve shqiptarë, që prej shekujsh e kanë formuar shtratin e vet. Nëpërmjet kësaj tradite, u tregohet shqiptarëve dhe gjithë botës, se Islami ndër shqiptarët nuk është forcë shkatërruese, por forcë progresive dhe kohezive që ka predikuar të mirën, të vërtetën, të përparuarën dhe civilizimin. Këtë natyrë të Islamit shqiptar e kanë deklaruar shumë autorë të huaj dhe perëndimorë.
Të drejtuara nga parimet dhe normat islame, familjet muslimane rezultojnë si formacionet të bashkuara e në harmoni.
Sot është rritur ndjeshëm masa e prindërve muslimanë që kujdesen dhe janë të interesuar që fëmijët e tyre të jenë besimtarë, të zbatojnë ritualet islame, të lexojnë Kuranin dhe libra fetarë. Por rolin më të rëndësishëm dhe funksionin e saj, familja muslimane e ka ushtruar në edukimin e fëmijëve duke krijuar klimë të përshtatshme që në hapat e para të jetës së tyre e deri sa arrijnë në pjekje. Edukimi fetar që në moshat më të njoma, që në foshnjëri dhe në stadet e mëvonshme të rritjes së fëmijëve është premisë shumë e rëndësishme dhe këtë mundësi, më shumë se kushdo, e disponon familja muslimane.
Familjet e shëndetshme muslimane përballojnë sot lloj-lloj modelesh e ndikimesh që vijnë nga Evropa, drejt së cilës kemi marrë vrapin. Predikohet me bujë modeli i ri i bashkëjetesës dhe jo i familjes së qëndrueshme që ka qenë në themelin e shoqërisë shqiptare. Vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë ndodhin tri divorce për çdo ditë.
Historikisht shoqëria islame në Shqipëri nisi që në fillimet e shekullit XVI në formë e komuniteteve të vogla apo bërthamave brenda qytet-kështjellave shqiptare e të përziera me përkatësitë e tjera fetare që përbënin shumicën e popullsisë qytetare. Gjatë shekullit XVI këto bërthama kanë qenë në rritje dhe për rrjedhojë shpërthyen lëvozhgën brenda të cilave lindën dhe u vendosën përreth kështjellave në formën e mëhallëve puro islame. Në këto qytete të hershme, popullsia islame qe në rritje dhe në fund të shekullit XVI predominonte; në Shkodër, Elbasan, Krujë, Berat, Dibër, Tepelenë, Përmet dhe Vlorë. Ndërsa disa qytete të tjera si Tirana, Peqini, Kavaja dhe grumbullime më të vogla në formën e qytezave, bashkësia e muslimanëve që në embrion u ndërtua mbi bazën e parimeve dhe normave islame.
Veçori tipike e shoqërisë islame në Shqipëri është se ajo nuk u zhvillua duke mohuar apo shkatërruar shoqëri apo bashkësi paralele me të. Ajo realisht jeton duke zhvilluar identitetin e saj dhe të anëtarëve të saj në harmoni dhe liri. Këtë e vërteton më së miri edhe fakti se në qytetet e Shqipërisë deri në ditët e sotme ekzistojnë lagje e fshatra të tërë me popullsi homogjene ortodokse apo katolike.
Është i qartë fakti se besimi islam ka lënë gjurmë dhe ndikon në vetëdijen dhe fizionominë e shoqërisë shqiptare, që ndeshen në kulturën, në mënyrën e jetesës, të veshjes, në rregullimin e jetës shoqërore e familjare, në stilin e ndërtimeve, në art e folklor. Kjo kulturë që e ndeshim përditë në realitetin shqiptar i ka dhënë formën dhe përmbajtjen qytetërimit islam dhe për kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria edhe në unitet e bashkëveprim me ndikimet e kulturës dhe qytetërimit perëndimor.
Morali islam me të gjitha dimensionet e tij u bë predominues në shoqërinë shqiptare jo vetëm për faktin se përkatësia islame erdhi në rritje sasiore dhe cilësore, por edhe sepse masa e shqiptarëve të krishterë kuptuan se elementi musliman nuk përbën asnjë kërcënim dhe rrezik për ta, përkundrazi ishte faktor mbrojtës. Madje qytetet e Shqipërisë, një pjesë e popullsisë së krishterë edhe duke qëndruar në besimin e mëparshëm, adoptoi praktika e mënyra jetese të besimit islam. P.sh edhe gratë ortodokse aplikuan mbulesën, në shtëpitë ortodokse u krijuan dhomat ku rrinin burrat dhe ku rrinin gratë, edhe në disa kisah u bë ndarja sipas gjinive në rreshta. Për këto shkruan udhëtarja angleze, Edit Durham, në librin e saj “Brenga e Ballkanit”.
Epoka e ateizmit shkaktoi në shoqërinë shqiptare, veçanërisht në moshat e reja, që e patën të vështirë t’i rezistonin erozionit të ateizmit. Defektet u shfaqën në formën e konflikteve sociale, madje edhe brenda familjeve ku shprehen të fuqishme, të mungesës së dëshirave për punë, për kulturë, të përdorimit të drogës, alkoolit, në të cilat është implikuar një pjesë e rinisë shqiptare si edhe stresit e depresionit shpirtëror, që përfundon shpesh në krim e veçanërisht në vetëvrasje, që për çdo vit rezulton në shifra të dyfishuara.
Në këtë situatë, besimi islam e luan rolin e tij me mesazhet që përcjell e që dëgjohen nga një pjesë e muslimanëve shqiptarë. Me gjithë gjallërimin e jetës fetare dhe intensifikimin e veprimtarive të institucioneve e organizmave islame që ekzistojnë dhe funksionojnë në Shqipëri, ndihet detyra që këto mesazhe të kenë jehonë më të gjerë që sa më shumë muslimanë të jenë besimtarë, me pikësynimin që sa më shumë intelektualë të jenë besimtarë dhe sa më shumë besimtarë të jenë edhe intelektualë.
Xhemati shqiptar i mbas viteve ’90 ka veçori të reja, nivele më të larta arsimore e kulturore dhe kërkon interpretime e shpjegime të reja shkencore dhe analiza filozofike e sociologjike nën dritën e shkencave islame. kjo është kërkesa e ditës e moshave të reja, e universitarëve dhe intelektualëve muslimanë shqiptarë dhe kuadrove të vjetër përgjithësisht u mungon kjo përgatitje. Por, tradita islame nuk mund të mohohet, sepse ajo vjen nga thellësitë e shekujve dhe ka shkruar historinë e Islamit në Shqipëri, brez pas brezi ka krijuar fizionominë dhe portretin moral të individit, familjes e popullit shqiptar, është sintezë e virtyteve më të larta morale, ka kompaktësuar shqiptarët në kapërcyellët e historisë dhe na ka dhënë identitetin tonë të patjetërsueshëm. Tradita është vlerë. Nuk mund të mohohet kontributi i klerikëve, i dijetarëve, i besimtarëve muslimanë në shekuj që e përhapën, propaganduan dhe ngjizën besimin islam në vetëdijen e shqiptarëve. Vepra e këtyre plejadave argumenton se Islami në Shqipëri mbas viteve ’90 nuk nisi nga pika zero, por mbi bazën e vlerave të akumuluara dhe mbi themele të shëndosha.