
E gjithë bota po e kupton vlerën e Revolucionit egjiptian, më shumë sesa shumë egjiptianë. Zyrtarë dhe njerëz të zakonshëm pyesin se deri kur Egjipti do të vazhdojë me disa nga qëndrimet e saj zyrtare – kjo nuk do të thotë se revolucioni i pastër popullor është shtrirë në të gjithë kufijtë e saj? Revolucion me plot kuptimin e fjalës, të ndryshimit radikal në mendime, filozofi dhe regjim, është ajo që mendohet dhe pritet. Ky kuptim, për fat të keq, po dobësohet dhe po zbehet sot në zemrat e Egjiptit, qoftë qeveri apo popull, por ndoshta kjo është vetëm një krizë kalimtare. Para më shumë se një muaji, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj kam udhëtuar si pjesë e një delegacioni të gazetarëve në Kosovë. Gati nuk na është ndarë historia e revolucionit egjiptian në çdo takim e tubim atje, duke nisur nga Presidentja e Republikës, e cila na priti si heronj, dhe e cila nuk u ndal së foluri dhe lavdëruari historinë dhe revolucionin në Egjipt. Dhe në fshatrat e malet e Kosovës nuk na është ndarë gjithashtu historia e Revolucionit, si dhe ngjarjet, viktimat, arritjet, e ardhmja dhe rreziqet që i kanosen atij. Kjo ka ndodhur në Kosovë, në shtetin e vogël të sapolindur me shumicë myslimane. Kosova ka shënuar faqet më të mëdha të heroizmit në histori në përballjen me mizorinë e brutalitetin serb, prej të cilit është pavarësuar në shkurt të vitit 2008. Kosova me shumicë myslimane gjendet në zemër të Evropës dhe sapo të arrish në të do të ndjesh ngrohtësinë e besimit dhe historinë e Islamit. Minaret nga të cilat thirret ezani, imamët kosovarë që janë diplomuar nga al-Azhari dhe që janë të njohur me bashkimin e bukurisë së natyrës njerëzore dhe thjeshtësisë së thirrjes.
Kosovën e kanë njohur 81 shtete, shumica prej të cilave jomyslimane dhe vetëm pesë shtete arabe. Kosova është njohur nga ShBA, Britania e Madhe e Franca në ditën e parë, ndërsa Egjipti nuk e ka njohur akoma!!! Ish-regjimi egjiptian ka ndjekur brutalitetin, ka miratuar shtypësit dhe nuk i ka interesuar gjaku i të pafajshmëve. Për të nuk kanë pasur rëndësi vlerat njerëzore, si dhe armiqësia e tij për Islamin e myslimanët. Për këtë, qëndrimi i tij ka qenë mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, dhe kjo ka ndikuar në mos anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara, për çka duhen njohjet nga të paktën 100 shtete, si dhe ka shkaktuar probleme të shumta. Mjafton të përmendim se kosovari nuk mundet të hyjë në Egjipt me pasaportën e shtetit të tij, pasi Egjipti nuk e njeh atë. Nëse kjo ka qenë politika e ish-regjimit dhe për shkak të cilit u bë revolucioni, nëse kjo është Kosova e cila ka të gjitha kualifikimet për mbështetje e përkrahje njerëzore, religjioze e politike, atëherë pse Egjipti i Revolucionit është vonuar me njohjen e pavarësisë së saj. Njohja nga Egjipti do të nxisë të gjitha shtetet arabe që të njohin Kosovën.
Egjipti nuk e ka refuzuar pavarësinë, por e ka burgosur deri tani atë. Egjipti duhet të shpejtojë dhe ta bëjë publike atë para botës. Të gjitha arsyet logjike konfirmojnë domosdoshmërinë e njohjes, madje shpejtimin me njohjen e Kosovës, pasi nuk ka asnjë pengesë politike për të bërë këtë. Mentaliteti i Egjiptit sot ka ndryshuar plotësisht pas Revolucionit dhe logjika politike revolucionare kërkon politikë të re, baza e të cilës është interesi i Egjiptit. Për këtë, cili do të ishte dëmi që do t’i shkaktohej Egjiptit nëse Ministria e Jashtme e Egjiptit do të shpejtonte me njohjen e pavarësisë së Kosovës?!
Mendoj se kjo njohje zyrtare, po të ndodhë, vetëm se do të shtojë vlerësimin, respektin dhe mbështetjen popullore për Ministrinë e Jashtme të Egjiptit. Egjipti i Revolucionit, Imami i Madh Sheikh al-Az’har, Dr. Ahmed Tayeb, Sekretari i Ligës Arabe, Nabel al-Araby, dhe kryemyftiu i Egjiptit, Ali Gomaa, dhe të gjithë kandidatët për presidentë, krerët e sindikatave dhe intelektualët më të rëndësishëm të vendit po presin dhe po vazhdojnë të presin e nderojnë Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po viziton Egjiptin aktualisht. Qëndrimi popullor, pritja dhe nderimi që i është bërë Enver Hoxhajt, po e largon pak barrën e vonesës. Ne jemi të bindur se qëndrimi i Ministrisë së Jashtme të Egjiptit për njohjen e Kosovës do të ndryshojë nga ai i vjetri në mënyrë që të jetë në pajtim me qëndrimin popullor. Në këtë mënyrë, të gjithë – qeveri e popull – do të shkojmë në një rrugë... Egjiptin e Revolucionit.
Al-Ahram është gazeta me tirazhin më të madh në Egjipt dhe konsiderohet ndër gazetat me lexueshmërinë dhe ndikimin më të madh në botën arabe.