Shqipëria përveç se komunizmit më të egër ka përjetuar edhe ndalimin total të fesë dhe persekutimin e tmerrshëm të klerit. Edhe pse në Kosovë feja nuk ishte e ndaluar, shqiptarët e Kosovës, duke bërë jetën e një minoriteti etnik në Jugosllavi, importuan nga Tirana letërsinë, muzikën, historinë dhe shumë gjëra tjera.
Ndotja nga Tirana e ambientit kulturor në Kosovë
Ambienti kulturor në Kosovë edhe pse në dukje të parë ishte në pozitë më të mirë se ai në Shqipëri, në fakt, ishte shumë me i sfiduar sepse alternativë e asimilimit në vorbullën jugosllave ishte kultura e kontaminuar që ofrohej nga Tirana, dhe për të qenë ironia në kulm vinte nën maskën e patriotizmit. Derisa në Shqipëri njerëzit mbyllnin gojën e hundët, ndotja kulturore u futej nga veshët dhe nga çdo vrimë tjetër e mundshme, në Kosovë njerëzit bënin sakrifica mbinjerëzore për ta thithur këtë ndotje.
Çfarë është në fakt ajo që duhet dekontaminohet?
Në këtë shkrim po përmend vetëm dy aspekte të ambientit tonë kulturor sa për të nxitur lexuesin të mendojë për gjërat tjera në këtë vazhdë.
E kontaminuar: Feja na u imponua nga armiqtë! O je me kombin o je me fenë!
Kreatorët e edukimit tonë kulturor harrojnë se fetë monoteiste janë civilizuese në krahasim me paganizmin e të parëve tanë të cilin nuk e dijmë se nga cilët “armiq” do ta kenë marrë. Kështu për “imponimin” e feve të parëve tanë ne duhet të jemi mirënjohës perandorive përkatëse dhe jo të shfryjmë kundër tyre.
Feja e shqiptarit është shqiptaria!
Në një shkrim paraprak e kam spjeguar se pse pionerët, jo vetëm të lëvizjes kombëtare shqiptare po edhe çdo lëvizjeje tjetër kombëtare në botë, ishin sekularë e ndonjëherë edhe antifetarë, por në vazhdim ishin njerëzit të fesë që në të shumtën e rasteve e përvijuan procesin e kombformimit.
Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Papa Kristo Negovani, Fan Noli e shumë të tjerë mos nuk ishin njerëz të fesë?!.
E dekontaminuar: Fetë janë pasuria e jonë!
Kombi shqiptar, e rrjedhimisht, si vazhdimësi e degëzuar e tij, edhe kombi kosovar (periudha 1878-1912 është trung i përbashkët i këtyre dy kombeve) është krijuar mbi bazën e rezultantës historike të shekullit XIX. Kultura Islame në dy faqe të saj (synite dhe bektashiane) dhe kultura e krishterë në dy faqet e saj (katolike e ortodokse) u kompozuan në një kulturë kombëtare. Me gjuhën e biznesit, kultura islame dhe e krishterë u bënë aksionarë të kombit shqiptar 50:50, përkatësisht 25:25:25:25, dmth absolutisht të barabartë dhe jo në bazë të përqindjeve të madhësisë së komunitetit përkatës.
Kjo formulë ka bërë kohezionin e kombit shqiptar dhe ka qenë çelësi i suksesit të ngritjes së këtij kombi. Në aspektin politik, gjetja e kësaj formule është meritë e diplomacisë austro-hungareze, por merita për aplikimin e saj u takon të gjitha komuniteteve fetare. Çfaredo teze që prek formulën 50:50, përkatësisht 25:25:25:25, është sulm direkt në themelet e kombit ekzistues. E teza të tilla janë: “Jemi evropianë s’jemi aziatikë!”, “Muslimanët nuk i do Perëndimi!”, “Jemi popull 90% muslimanë!” etj.
E kontaminuar: Shqiptarët kanë shumë armiq!.
Shqiptarët kanë shumë armiq!. Okupatorët romakë, okupatorët turq, okupatorët gjermanë, okupatorët italianë, shovinistët sllavo –grekë etj. Versioni ekstrem është qëndrimi izolacionist i shokut Enver Hoxha ndaj gjithë botës. Mbeturinat e këtij qëndrimi ende janë në tekstet tona shkollore. Historianët tanë nuk e kuptojnë se është tjetër gjë të bësh artikuj shkencorë dhe tjetër gjë se si ia prezanton historinë publikut. Kur Vaso Çubrilloviqi argumenton pse u duhet marrë shqiptarëve Kosova, ai përmend arsyet ekonomike e gjeostragjike dhe nuk i intereson fare se e kujt ka qenë Kosova në të kaluarën, derisa tekstet shkollore në Serbi nuk i përmbajnë arsyet që jep Çubrilloviqi, por aty thuhet që Kosova është djep i serbizmit etj, etj.
Niveli shkencor i historianëve tanë është problem në vete, por këtu po flas për atë se çfarë u serviret nxënësve tanë. Produkti i edukatës që nxënësit marrin në shkollat tona është nënvetëdija për mosbrerje të ndërgjegjies për të gjitha të këqijat që shqiptarët i bëjnë nëpër botë.
Kur shqiptarë shkojnë në Evropë, thonë Evropa na ka bërë padrejtësi, kur shkojnë në Azi e Afrikë sillen si racistë. Ky është produkti i shkollës sonë.
E dekontaminuar: Shqiptarët kanë më së shumëti miq në botë!.
Kur shqiptarët u vonuan me zgjimin kombëtar, miqtë tanë: austrohungarezët, gjermanët, anglezët, holandezet etj erdhën e na i larguan ushtritë e vendeve fqinje dhe na ndihmuan ta krijojmë Shqipërinë. Kur shqiptarët e Kosovës rrezikuan të zhdukeshin nga faqja e dheu, bota erdhi dhe e çliroi Kosovën dhe për më shumë se një dekadë na mësoi dhe na ndihmoi me ngritë shtetin.
Kjo qasje krijon ndërgjegjien për kthim borxhi në nënvetëdijen e shqiptarëve. I bënë ata më komunikativë në planetin tonë gjithnjë e më të prirur drejt globalizmit. Kjo qasje është çelës për sukses në përmasa globale. Nëna Tereze nuk do t’kishte sukses planetar sikur t’ishte edukuar në shkollat e Shqipërisë e të Kosovës të shekullit 21. Suksesi i saj i dedikohet traditës sonë dhe shkollës kroate (në fakt gjermane) dhe kuptohet kulturës katolike.
Fakti që Kosova e Shqipëria janë të vogla nuk është pengesë që të shëndërrohen në kombe të zhvilluara dhe me ndikim në botë.
Nëse miqtë i konsiderojmë armiq mbesim këtu ku jemi, por nëse ndryshojmë qasjen edhe armiqtë do t’i shëndrrojmë në miq.