
Hyrje
Si e hodhën poshtë hebraikët Jezuin (Isain a.s.), ashtu veproi më vonë hebraizmi dhe kristianizmi edhe me Islamin. Mirëpo, jo të gjithë kristianët u pajtuan me qëndrimin zyrtar kishtar të Romës. Monofizitët e Lindjes (jakobinët dhe kobtët) dhe nestorianët, që në fillim përbënin shumicën, dhe disa grupe të tjera, e shihnin Islamin si lehtësim kundrejt pushtetit kristian. Madje, disa kronika lindore të shekullit VII lënë të kuptohet një pozitë më shumë përkrahëse. Një prijës kristian, Sebeosi, madje i pranon themelet abrahamike të Islamit. Por, me kalimin e kohës, krishterimi lindor për shkak të problemeve të brendshme por edhe të jotolerancës që ndiente për Islamin, e humbi interesimin për një analizë të përqendruar të qytetërimeve, kurse kjo gjendje do të eskalojë me identifikimin gjithnjë e më të madh të Lindjes me Perëndimin evropian dhe me Kryqëzatat, si kulm i këtyre transformimeve. Roma, Papati, Kisha Katolike nuk ishte thjeshtë një bashkësi fetare, por edhe faktor politik, që do ta ruajë këtë karakteristikë deri në ditët e sotme. [1]
Gjeneza e armiqësisë islamo-kristiane
Mosmarrëveshjet e para ndërmjet muslimanëve dhe kristianëve ndodhën qysh në paraqitjen e Islamit. Por, këto mosmarrëveshje kanë qenë individuale, grupore, lokale dhe rezultat i mospajtimeve të izoluara. Në përgjithësi, në këtë periudhë pati mirëkuptim ose se paku pati heshtje para ofensivës muslimane në të katër drejtimet. Konflikte ka pasur edhe më vonë, sidomos atëherë kur ushtria muslimane u ndesh me Perandorinë Bizantine krtistiane në Siri e pjesë të tjera të Evropës Jugore. Por, konfliktet zyrtare, sistematike kristiane- myslimane filluan kur Papa Gërguri i VII e ftoi Perëndimin në luftë kundër Islamit në Spanjë:
“Ju përbetoj me fenë, në të cilën sipas Krishtit jenë bërë bijë të Zotit, t’u ndihmoni vëllezërve. Për këtë duhet, nëse e duam Zotin dhe themi se jemi kristianë, duke e marrë parasysh fatin e rëndë të Perandorisë aq të madhe (Bizantit) dhe humbjes aq dëshpëruese të kristianëve, të goditemi dhe të ndihemi edhe vetë të dëshpëruar.[2]
Kjo thirrje e drejtuar kristianëve nga ana e Papës VII ka vendosur themelet për luftërat kryqtare, të cilat do të sjellin shumë vuajtje njerëzore dhe nuk do ta rregullojnë asnjë problem apo krizë të atëhershme.[3]
Avancimi dhe sukseset e myslimanëve në sytë e kristianëve shiheshin si shenjtë e Antikrishtit, sepse kishtarët shpjegonin se me marrjen e Palestinës dhe Jerusalemit në të nga myslimanët nuk kishte mundësi ta vizitonin varrin e Jezuit. Në këtë frymë u formuan edhe formimi i rendeve kalorësiake, të cilat u motivuan dhe ndihmuan me të madhe nga Kisha, sidomos në Spanjë.
Ja si gënjen Papa Gërguri XIV lidhur me muslimanët, në letrën që ia dërgon Mbretit Henrikut:
“Përveç të tjerave e njoftoj Madhërinë Tënde se kristianët nga vendet përtej detit më kanë lutur që brenda mundësive t’ju ndihmohet në mënyrë që feja kristiane mos të shkatërrohet. Shumë kristianë të atyre vendeve janë vrarë dhe gjatë ditës janë prerë sikur kafshët. Masa kristiane atje po zhduket dhe përndiqet në mjerimin më të madh.” [4]
Diç më vonë, në vitin 1074, ky papë do të ftojë në kryqëzatë kundër Islamit për çlirimin e vëllezërve nga muslimanët. Por, kjo thirrje mbeti në hije të asaj të vitit 1095 në Klermonë, kur papa Urbani II ftoi:
“Armatosuni me përgatitjen e zotit, vëllezër të dashur, vendi shpatat tuaja në brez, armatosuni dhe bëhuni bijë të të Fuqishmit. Më mirë është të vdesim në luftë se sa të shikojmë masën dhe shenjtorët tanë se si vuajnë.” [5]
Në Kryqëzatën e Dytë në vitin 1147, papa Eugeni III në letrën dërguar mbretit francez Luit, myslimanët i quan jobesimtarë dhe kështu përpiqet ta fitojë simpatinë e mbretit në luftë kundër myslimanëve.
Në Kryqëzatën e Tretë Perëndimi kristian u opsesionua me urrejtjen kundër Islamit. Të gjitha shtresat popullore qenë të angazhuara për kontribut kundër myslimanëve.[6] Madje, Kisha kishte angazhuar dijetarë të veçantë për kundërshtimin e Islamit. Kjo rezultoi me formimin e një shkence të veçantë që quhej Teologjia kryqtare. Ajo merrej edhe me luftën kundër feve të tjera e edhe me herezinë që çdo ditë e më tepër zgjerohej. Madje, hulumtuesi E. Benz e akuzon Kishën Katolike se e formoi Teologjinë kryqtare dhe si rezultat historik kemi Inkuizicionin e shenjtë, si luftë kundër hermetizmit: muslimanëve, hebraikëve dhe disa sekteve brenda kristiane më pak të rëndësishme. [7]
Polemikat kundër Islamit në Spanjë
Muslimanët kaluan në Spanjë në vitin 710-711. Për një kohë të shkurtër ata arritën deri afër Parisit. Një pjesë e popullsisë e mirëpriti ardhjen e myslimanëve, por një pjesë jo, e sidomos Kisha ishte mobilizuesi kryesor kundër Islamit. Ndër të parët që iu përgjigjen ftesës së Kishës është edhe kleriku Eulogie nga Kordoba, i cili jetoi deri në vitin 859, bën pjesë ndër polemizuesit e parë dhe ndër njerëzit e parë që studiuan Islamin. Ai shihte zhdukjen, tretjen e kristianizmit në Spanjë dhe për këtë arsye filloi ta mbrojë atë me polemikë. Por, nga bashkëkohësit e tij kristianë kërkon që edhe jetën ta japin kundër islamit. Libri i tij Liber apologeticus sanctorum[8] tregon qartë natyrën militante të autorit. Reinhart Dozy, historiani i madh i Spanjës dhe njohës i madh i islamit dhe i familjes së Eulogisë, pohon se ky është trashëgimtar i familjes luftarake kundër Spanjës muslimane. Babai i Eulogisë, sa herë që dëgjonte ezanin në minare të xhamisë është drejtuar Zotit: O Zot, mos u bë i qetë dhe mos heshtë. Shih, armiqtë Tu po ngrehen dhe ata që këtë e urrejnë kanë ngritur kokën.[9] Eulogie edhe pse ishte i arsimuar, polemikën e tij e bazonte në thashetheme dhe tregime të paverifikuara. Thotë se Kur’ani është plagjiat i Biblës, kurse për Muhammedin a.s. se është tiran për të zgjeruar idetë e tij. Nga urrejtja e thellë ai kështu i gënjen lexuesit e tij:
“Deri sa Muhamedi shkonte në ferre tij, nxënësit e tij me kujdes prisnin pranë trupit të tij të ndodh ndonjë çudi. E pasi që tërë ditën engjëjt nuk erdhën, erdhën qentë dhe e hëngrën një pjesë të trupit të tij. Çka ka mbetur e kanë varrosur muslimanët. Që t’u hakmerren qenve, kanë vendosur që çdo vit të mbysin numër të caktuar qensh.” [10]
Një autor tjetër, bashkëkohës i Eulogiut, Perfectusi, një ditë i pyetur nga një myslimane, u përgjigj:
“... Gënjeshtari më i madh nga profetët është Muhammedi.” “E kam mallkuar profetin tuaj, dhe po e mallkoj edhe njëherë. E mallkoj atë kurorëshkelës dhe mashtrues, atë njeri shejtanesk. Feja juaj është nga sotona. Ju pretë vuajtja e skëterrës.” [11]
E shtrojmë pyetjen logjike, se si mund të flet kështu një njeri i ditur, se si është ky njeri i ditur, si thonë kristianët, dhe deri ku mund të shkojë urrejtja e njeriut.
Bota islame në letrat e autorëve kryqtarë
Ndër polemizuesit më të rreptë kristian kundër Islamit gjatë kryqëzatave është edhe Guibert nga Nogenti (1053-1124), i cili i përkiste rendeve kristiane. Historianët thonë se ka shkruar disa vepra kundër Islamit, si: De vita sua, Gesta die per Francos, kurse janë trajtuar në botim të Magna PL 156.
Edhe polemikat e tij karakterizohen me rreptësi dhe mungesë argumentesh. Ai qëndrimin e Kur’anit që Isain a.s. ta konsideroj njeri të zakonshëm e marrin si urrejtje ndaj Isait. Mendimet e tij negative kundër islamit do t’i gjejmë edhe më vonë në librat e autorëve të tjerë. Ai Muhammedin a.s. e quan gënjeshtar, moralisht të prishur, epilepsist. Mirëpo, edhe disa autorë kristianë ia zënë për të madhe këtij sepse është shfrytëzuar me shumë gënjeshtra e të pavërteta. Për këtë arsye, e refuzojnë disa autorë evropianë si Grunebaum dhe Erdeman.[12]
Hildeberti nga Lavardina - La Mansa (1066-1134) ishte peshkop në kohën e Kryqëzatës së Dytë. Hildeberti mendon se Muhammedi a,.s. ishte mashtrues, renegat dhe profet i rrejshëm, kurse Islami një sekt sikur ajo e eremitit Sergej.
Petër Alfonsi (1062-1140) ishte hebraik me emrin Moises Sefardi. Në kristianizëm e mori emrin Petër dhe u dha pas punës misionariste ndër hebraikët, por edhe te myslimanët por pa sukses. Vepra e tij me rëndësi ishte Disciplina clericalis. mendohet se vepra e tij ka shërbyer për shumë paragjykime antiislame dhe të pavërteta. Ai konsideron se Islami është herezi, kurse burimin e ka nga jakobizmi dhe nestorianizmi, kurse Muhammedi sipas tij a.s. është: “vjedhës, vrasës, tradhtar dhe lavir”[13].
Bernhard nga Clairvauxi (1090-1142) është kundërshtar i rreptë. Gjatë kohës së tij, ai tuboi 30 dijetarë me qëllim të vetëm për ta atakuar Islamin. Ishte i njohur edhe si përkrahës i Kryqëzatës së Dytë. Në këtë e nxiti nxënësi dhe papa Eugeni II. Vepra e tij e rëndësishme është Epistolae i Liber and milites Templi de laude novae militiae. Këtë vepër e ka shkruar si doracak për Templarët, e cila ishte mbështetja e tij në luftë kundër Islamit.[14] Ky dijetar kristian nuk gëzoi përkrahje e bashkëvendësit, sepse ishte person kontrovers dhe jobindës.
Grupi Corpus Toletalum në polemikë kundër Islamit
Me kalimin e kohës kristianëve iu bë e qartë se polemika kundër myslimanëve nuk po jep fryte, ajo ishte shterpe dhe kundërproduktive. Kristianët çdo ditë e më shumë bindeshin se e vërteta është ndryshe nga ajo që ua thonë etërit e tyre kishtarë. Kështu, Petër Verabilis i ndershëm (1094-1156) tuboi rreth vetes një numër intelektualësh me synim ta studiojnë Islamin dhe Kur’anin dhe ta refuzojnë me metoda shkencore. Ky grup u quajtë Corpus toletanum dhe në mesin e vet kishte elitën e dijetarëve. Nga ky grup është edhe Robert Kettani, i cili më 1143 e bëri përkthimin e Kur’anit dhe me këtë ndihmoi në të kuptuarit diç më të drejtë të Islamit.[15]
Nga ky grup është edhe Armanus Dalmata (Herman Dalmatini), i cili gjitahstu e njihte arabishten dhe ka bërë disa përkthime nga arabishtja (Astronominë e Ebu Ma’sher El-Felekut). Mendohet se edhe ky i ka përkthyer disa pjesë të Kur’anit. Natyrisht, edhe ky grup karakterizohet me shumë gabime e paragjykime të të parëve të tyre, por megjithatë është një ecje para në njohjen e Islamit.[16]
Muhammedi a.s. në veprat e disa autorëve kristianë gjatë kryqëzatave
Kryqëzatat prodhuan shumë ndryshime. Edhe në rrafshin e shkruar ngritën interesimin e shumë autorëve, historianëve, filozofëve dhe poetëve. Një ndër krijimet më të njohura të asaj kohe është edhe poema nga viti 1140 dhe 1170, e njohur me emrin Kënga mbi Rolandin (La Chanson de Roland), autor i së cilës është Konrad Pfaffeni. Në këtë poemë paraqitet lufta e Karlit të Madh dhe Saracenëve dhe vdekja prej martiri i Rolandit. [17]
Edhe Romani Mahonroman i Aleksander du Pointit nga viti 1258 i ka shërbyer përçmimit të Islamit dhe Muhammedit a.s. Aty thuhet se Muhammedi a.s. është një kardinal romak i rebeluar me emrin Mahon, i cili ikë në Arabi dhe formon sektin si hakmarrje kundër krishterizmit dhe Romës.
Kemi edhe shkrimin letrar të Andrea Dandalit me emrin Venetorum Ducis Chronicum Venetum, në të cilin e përshkruan Muhammedin a.s. si mashtrues.
Edhe Gitfried Herder me Poemën për Cidin, e ka vazhduar agoninë e urrejtjes kundër myslimanëve. Ata thonë se luftojnë kundër idhujtarëve myslimanë që i besonin tre hyjnive: Apolonit, Tervasganit dhe Majonit: “Muslimanët janë popull i refuzuar nga Zoti, kurse sukseset e tyre momentale janë provizore. Në fund ata do të munden nga të dashurit dhe të drejtit e Zotit, kristianëve.”[18]
Ndër emrat dhe veprat që më së shumti ndikoi në rritjen e paragjykimeve dhe urrejtjes ndaj islamit është edhe Komendia Hyjnore (Divina Commedia) e Dante Aligierit (1265-1321).[19] Ai e konsideronte Muhammedin a.s. si heretik kristian sektar, si profet të rrejshëm, i cili e meriton dënimin e Zotit.[20]
Ndër emrat e zëshëm që mbollën dhe zhvilluan farën e urrejtjes është edhe Viliami nga Tiri (1130- 1186), Franjo Asishki (1181-1226), Oliveri nga Paderborni (1170-1227) dhe emra të tjerë.[21]
Sekti dominikan për Muhammedin a.s. dhe Islamin
Gjatë kryqëzatave kemi një numër autorësh të cilët u morën me Muhammedin a.s. e Islamin. Ndër më të rreptit në këtë kohë janë dominikanët.
Ndër të parët që i kushtuan rëndësi Islamit dhe kundërshtimit të tij është francezi Vincent de Beauvaisi (1184-1264), i cili pas tërheqjes në një manastir shkroi enciklopedinë më të madhe mesjetare Speculum maius. Në një kapitull të saj, ai shtron të gjitha rrëfimet, legjendat dhe përrallat kristiane të mesjetës për Muhammedin a.s., Islamin dhe myslimanët. Ndër të tjera për Muhammedin a.s. thotë se është “Vjedhës, plaçkitës, vrasës dhe mëkatar.” Një autor kristian pohon se Vincenti këto tregime i ka tubuar nga kryqtarët që ishin kthyer nga lufta. [22]
Ndër ta më i zëshmi dhe më i njohuri ishte Toma nga Akuini (1225-1274), i cili megjithatë këto tema i shqyrtoi në rrafshin filozofik e jo teologjik. Për të thuhet se për Isdlamin dhe Muhammedin a.s. ka folur nga burimet jorelevante, kryesisht në frymën kryqtare. Veprat e tij, si: Summa contra Gentiles i Declaratio qurundam articulorum contra Graecos, Armenos et Saracenos.[23] Habit mosnjohja e tij e Islamit dhe identifikimi i tij me autorë uurejtënxitës. Ai mendon se myslimanët janë të mashtruar nga Muhammedi[24], sepse doktrina e tij është kundër arsyes. Ai mendon gjithashtu se deri sa me hebraikët mund të bisedohet në bazë të Torës, me heretikët kristianë në bazë të Ungjëllit, me myslimanët bisedimi nuk ka mundësi, sepse sipas tij, ata nuk njohin asnjë Shkrim hyjnor por nuk e njohin as arsyen.[25]
Kemi edhe disa emra, si Vilimin nga Tripolisi, Ricoldo de Monte Croce etj.
Për të gjithë dominikanët është e përbashkët se:
1. Muhammedi ishte gënjeshtar i zakonshëm, i cili e shpalli veten për të dërguar. Kur’ani përmban të dhëna nga Ungjëlli, të huazuara nga heretikët dhe rebelët kristianë. Sotona, sipas tyre, është frymëzuesi dhe lideri.
2. Kur‘ani është libër i shpalljeve të rrejshme, të cilat janë prodhim i profetit të rrejshëm. Ndër heretikët kristianë me të cilët bashkëpunoi Muhamedi janë Sergeji dhe Behira.
3. Muslimani apo Saracenët janë pasues të Muhammedit të cilët ai i ka mashtruar. Ky popull di vetëm për luftë, dhunë dhe grabitje.
Përfundim
Mund të përfundohet se autorët kristianë kanë dëshmuar mosnjohje të jashtëzakonshme të Islamit, edhe pse kaluan rreth 3-4 shekuj nga koha kur Muhammedi a.s. pranoi shpalljen e Kur’anit. Ata ende mbështeten në përralla e legjenda dhe nuk tregojnë frymë kureshtare për njohjen e të vërtetës. Por, në tërë këtë prodhim mesjetar ka disa emra që janë diç më pozitiv, por ende larg objektives, si: Toma nga Akuini, R. Lull, G. de Tripoli, R. De Monte Croce. Në këtë frymë është edhe letra e papës Gregorit të VII në shekullin XI, të cilën ia dërgoi princit algjerian En-Nasirit: “Ekziston mëshira të cilën ia kemi borxh njëri-tjetrit më shumë se popujve të tjerë, sepse ne e pranojmë dhe e predikojmë vetëm një Zot, ndonëse në mënyra të ndryshme, dhe e pranojmë dhe e adhurojmë çdo ditë si Krijues dhe Zot të botëve.” [26]
Për fat të keq, Kisha edhe sot nuk është në nivel të detyrës së saj. Në vend të largimit të saj nga ekleziocentrizmi drejt pluralizmit të rrugëve drejt mëshirës së Zotit dhe arritjes së kënaqësisë së Tij, ata ende zhvillojnë një politikë jo të sinqertë. As emrat e kardinalit Jean Danielou (1905-1974) dhe K. Rahner (1904-1984), ndoshta dy emrat më të mëdhenj kristianë në shekullin XX, nuk do të ofrojnë një shkëputje nga e kaluara përjashtuese dhe anatemuese.
Muslimanët mendojnë (S. H. Nasr, El-Attasi, J. Karadavi etj.) se qëndrimet kristiane janë të korrigjueshme, sepse janë rezultat i paragjykimeve dhe mosdëshirës për mirëkuptim. Po të tregohej më tepër mirëkuptim, bota do të ishte më e qetë.
[1] Shih gjerësisht: Hisham Xhait, Evropa dhe Islami, Shkup, 2004, fq. 20 e tutje.
[2] Summa Pontificia, fq. 109, në: Ševko Omerbašić, Muhammed a.s. i Islam u djelima zapadnih autora do kraja VIV stoljeca, në: Ehli bejt u Bosni i Hercegovini, Zbornik radova ose në adresën elektronike, sipas: http://www.ibn-sina.net/press/knjige.asp?tekst_id=143&knjiga_id=12. (Më tej: Ševko Omerbašić).
[3] Një pasqyrë të kësaj teme lexo në: Mirza Sarajkić, Veleljepni spomenici ljudskog bezumlja (fenomen križarskih ratova ), në: http://www.sim.ba/dokumenti/krizarski_ratovi_mirza_sarajkic.PDF .
[4] Summa Pontificia, fq. 216-217, sipas: Ševko Omerbašić, po aty.
[5] R. Mokrosch-Herbert Walz, Das Milltelalter, fq. 70, sipas: Ševko Omerbašić, po aty.
[6] Mokrosch – Walz, Mitelalter, fq. 105, sipas: Ševko Omerbašić, po aty.
[7] Një paraqitje për Kryqëzatat shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Crusades .
[8] Lexikon fur Theologie und Kurche, Izdali Josef Hifer i Karl Rahner, Fraiburg, 1959, sipas: Ševko Omerbašić, po aty.
[9] Reinhart Dozy Geschichte der Mauren in Spanien bis zur Eroberung Andalusiens durch die Almoraviden sv. I, Darmastadt, 1965. sipas: Ševko Omerbašić, op. cit.
[11] R. Doyz, Ibid, ose: http://www.orthodoxengland.org.uk/oecordob.htm . Adnan Silajdzic, Islam u otkricu krscanske Evrope, Sarajevë, 2003, fq. 63.
[12] Ševko Omerbašić, po aty.
[13] Adnan Silajdzic, po aty, fq. 67.
[14] Adnan Silajdzic, po aty, fq. 82.
[15] Norman Daniel, Islam and the West. Edimbourg, 1960, fq. 6, sipas: Hisham Xhait, po aty, fq. 22.
[16] Ševko Omerbašić, po aty.
[17] http://en.wikipedia.org/wiki/The_Song_of_Roland . Hisham Xhait, po aty, fq. 22.
[18] Ševko Omerbašić, po aty; http://hr.wikipedia.org/wiki/Pjesma_o_Cidu; http://en.wikipedia.org/wiki/Cantar_de_Mio_Cid .
[20] Dante Aligieri. Komedia Hyjnore, Prishtinë, 1981. Krhs.: http://sq.wikipedia.org/wiki/Dante_Alighieri . Për Komedinë Hyjnore lexo një studim të mirë: Miguel Asin Palacios, Eskatologjia muslimane në Komendinë Hyjnore, Shkodër, 2003, + 441.
[21] Ševko Omerbašić, po aty. Adnan Silajdzic, po aty, fq. 92 e tutje.
[22] Ševko Omerbašić, po aty.
[23] Vepra e përmendur e Toma Akuinit është përkthyer në gjuhën kroate dhe është botuar në Zagreb në vitin 1991, sipas: Ševko Omerbašić, po aty. Shih gjithashtu: Adnan Silajdzic, po aty, fq. 110 e tutje.
[24] Adnan Silajdzic, po aty, fq. 111, fusnota 124.
[25] Ševko Omerbašić, po aty.
[26] Disa mendojnë se kjo letër paraqet letër diplomatike e politike dhe nuk është pasqyrë e mirëkuptimit. Sidoqoftë, ne muslimanët përshëndesim çdo nismë pozitive. Sipas: Adnan Silajdzic, po aty, fq. 115, fusnota 128.