
Më 19 korrik të vitit 1976, u nda nga jeta një personalitet tepër i njohur i shkencës, me kombësi shqiptare, vepra e të cilit përbën një kontribut të pallogaritshëm në fushën e studimeve islamike dhe orientalistike. Ky ishte doktor Hasan Kaleshi, një figurë realisht dinjitoze, e cila la gjurmë të ndritshme në fushën e studimeve orientale, por që, me ndarjen e tij nga jeta, krijoi një boshllëk të pazëvendësueshëm për të gjithë. Zakonisht, kur bëhet fjalë për Orientalistikën, bota arabe kthen vështrimin e saj menjëherë drejt orientalistëve më në zë të perëndimit, edhe pse vlen të përmendet fakti që përherë e ka shoqëruar një ndjenjë e theksuar dyshimi ndaj tyre. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për burime të studimeve orientale në shtetet e Evropës Lindore ku, padyshim, një rol themelor e pozitiv në këtë drejtim luajti feja islame, ndodh e kundërta, pasi rrallëherë është evidentuar një interesim serioz nga bota arabe ndaj këtyre vende.
Dr. Hasan Kaleshi, si një orientalist i kulluar, kurrë nuk e ngatërroi jetën e tij me ambicie politike dhe mbeti njëkohësisht besnik i fakteve shkencore dhe studiues i mirëfilltë. Faktor tjetër i rëndësishëm në jetën e tij dhe që, përbënte një veçori në fushën e studimeve, ku u bë i njohur ky personalitet shqiptar, ishte identiteti fetar, i cili qe urë lidhëse midis këtyre vendeve ballkanike, prej nga ishte vetë dr. Kaleshi, dhe botës arabe. Nisur nga kjo përvojë jetësore, ai u gjend në krah të Lëvizjes Orientalistike apo studimeve arabo-islamike, duke ofruar thesare të reja, me produktin e tij në fushat respektive që, për nga vlerat që përfaqëson, meriton një përkujdesje dhe interesim të veçantë. Me veprën dhe kontributin e tij në fushën e Orientalistikës, ai u vlerësua si një nga emblemat e shquara të saj.
Dr. Hasan Kaleshi
Biografia e Dr. Hasan Kaleshit
Dr. Hasan Kaleshi lindi në fshatin Serbetinë në Maqedoninë perëndimore, në gjirin e një familjeje me origjinë shqiptare, shumë tradicionale për nga aspekti i ruajtjes së vlerave dhe identitetit kombëtar. Gjyshi i tij quhej Ali Kaleshi dhe ishte një prej emrave më të njohur të dijetarëve të fesë islame në zonë, pasi kishte përfunduar studimet teologjike në Stamboll. Po kështu dhe i ati i tij, duke ndjekur vijën e gjyshit në përvetësimin e kulturës islame, përfundoi studimet teologjike në Medresenë e Fatihut në Stamboll. Pra, në mes të një ambienti kulture dhe vlerash islame, u rrit ky fëmijë, nën përkujdesjen e vazhdueshme të të atit, që e nxiste të mësonte Kur’anin Famëlartë dhe gjuhën arabe qysh në moshë fare të njomë, atë gjashtëvjeçare. Me gjithë këtë përkujdesje, përsëri i ati e regjistroi në shkollën publike në vendlindjen e tij. Shkollimin para të mesëm dhe të mesëm e kreu në Shkup, pasi familja e tij u transferua në këtë qytet. Shkolla, ku studionte djaloshi Hasan Kaleshi, u mbyll pas shpërthimit të Luftës II Botërore, kështu që u detyrua të përfundonte shkollimin në qytetin e Prishtinës – Kosovë. Më pas, u thirr në vendlindje, në fshatin Serbetinë, për të punuar si përkthyes në administratën e vendit.
Pas përfundimit të Luftës dhe formimit të shtetit jugosllav, në vitin 1943, ai u regjistrua në Universitetin e Beogradit për të ndjekur studimet e larta në degën e orientalistikës, ku dhe u diplomua në vitin 1952. Për rezultatet e tij të shkëlqyera, u caktua asistent-profesor në Universitet, por në kushtet e një trysnie të vazhdueshme që vazhdonte ndaj popullsive me përkatësi islame në Jugosllavi, u detyrua të emigrojë në Turqi me gjithë familjen e tij. Pavarësisht kësaj, titujt “Master” dhe “Doktor” iu akorduan nga Universiteti i Beogradit, ku dhe mbrojti disertacionin e titulluar “Dokumentet më të hershme të vakëfeve në gjuhën arabe, për zonën e Maqedonisë”. Më vonë, megjithë përpjekjet e tij për t’u emëruar profesor asistent në Universitetin ku kishte studiuar vetë, nuk pati sukses, për shkak të origjinës së tij shqiptare, e cila, në këndvështrimin e shtetit të atëhershëm jugosllav, përbënte një pengesë serioze, pasi trajtohej në fokusin e mosmarrëveshjeve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, që asokohe kishin arritur kulmin e tyre. Përveç kësaj, ai ishte mysliman, në një periudhë kur e gjithë Jugosllavia ndiqte një politikë nacionaliste nën motivin “e serbizimit të saj”. Nuk u vlerësua as fakti që vetë dr. Kaleshi ishte martuar me një grua serbe. Megjithë situatën e vështirë që mbizotëronte, ai zgjodhi një drejtim shkencor që faktikisht ishte shumë larg politikës, e cila nuk përbënte për të kurrfarë interesi. Megjithatë, edhe në këto kushte të vështira, ai ia doli mbanë: afirmoi veten fuqishëm si studiues dhe hulumtues i mirëfilltë, që ia vlente për t’u marrë shembull, për kulturën dhe njohuritë e tij të thella në shkencat arabo-islamike.
Bazuar mbi të kaluarën dhe përvojën e shkollimit të tij, dr. Kaleshi arriti të zotëronte mjaft mirë disa gjuhë të huaja, si: shqip, maqedonisht, turqisht, serbisht, arabisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht etj., të cilat i mundësuan të publikonte studimet e veta në shumë gjuhë. Por kjo larmi gjuhësh të zotëruara, nga njëra anë ndikuan drejtpërdrejt në çpërqëndrimin e energjive të tij, pasi veçse për pak nga këto studime në gjuhë të huaj, u mundësua përkthimi i tyre në gjuhën amtare të autorit. Nga ana tjetër, këto gjuhë të huaja ishin një faktor i rëndësishëm ndihmës, ato i dhanë autorit një famë të admirueshme në nivel ndërkombëtar, duke e promovuar atë si një orientalist tepër të aftë, që përfaqësonte shembullin e unifikimit të Orientalistikës Perëndimore dhe veçorive të saj me Orientalistikën Lindore, me metodat dhe parimet e saj tradicionale. Njohuritë e gjera që mbartte mbi supe, kultura dhe niveli intelektual i mundësuan dr. Hasan Kaleshit zgjerimin e vazhdueshëm të horizonteve të tij, po ashtu një optikë më të thellë në rrafshin studimor si dhe e dalluan atë për nga mënyra e qasjes së studimeve të tij të gjithanshme. Këto afirmuan, pa mëdyshje, figurën e këtij akademiku, duke merituar plotësisht notat vlerësuese më pozitive.
Në vitin 1965 kthehet në Jugosllavi dhe punon në Institutin e Studimeve Albanologjike në Prishtinë. Vazhdoi aty deri në vitin 1973, vit në të cilin zgjidhet Shef i Departamentit të Orientalistikës në Universitetin e Kosovës. Ndërron jetë pas tre vjetësh, në 1976.
Dr. Hasan Kaleshi ishte pedagog i gjuhës dhe literaturës arabe. Ka publikuar një sërë studimesh të tij në revista, që trajtojnë çështje të Orientalistikës e gjithashtu çështje të vendit dhe të huaja. Ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare për Orientalistikën. Në Egjipt ai pati fatin të takojë shumë nga shkrimtarët, të cilëve u kishte shërbyer, duke përkthyer pjesë nga veprat e tyre, si: Mahmud Tejmur, Teufik Al-Hakim etj. Ai, gjithashtu, zhvilloi biseda të drejtpërdrejta të fokusuara në lëmin e profilit të tij si orientalist.
Vepra letrare
Gjatë periudhës 1949-1976 dr. Kaleshi shkroi dhe publikoi shumë studime dhe kërkime të rëndësishme në gjuhë të ndryshme. Një pjesë të madhe prej tyre nuk mundi t’i përkthejë prej gjuhëve në të cilat u publikuan. Ndërkohë që disa prej tyre kanë humbur, pjesa tjetër është grupuar në një seri vëllimesh. Numri i studimeve dhe kërkimeve të realizuara i kalon 350, pa përfshirë këtu librat e botuar. Këto studime përfaqësojnë më së miri interesimin intelektual dhe përkujdesjen e dr. Hasan Kaleshit në fushën studimore të kulturës orientale, të cilën mund ta ndajmë në tri kategori:
1. Trashëgimia kulturore shqiptare – Gjuha dhe literatura shqipe.
2. Trashëgimia kulturore arabo-islamike.
3. Trashëgimia kulturore osmano-turke.
Gjuha dhe literatura shqipe
Gjatë viteve ‘50 të shekullit të shkuar, menjëherë pas diplomimit, dr. Hasan Kaleshi shfaqi një interesim të veçantë për gjuhën shqipe. Studimin e tij të parë në gjuhën shqipe e publikoi në vitin 1949. Ai titullohej “Vërejtje rreth gjuhës së përdorur në gazetarinë tonë”. Më 1952 publikon studim-artikullin me temë: “Letërsia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi”, me synimin për t’ua ekspozuar letërsinë shqipe sa më shumë popujve të tjerë jugosllavë. Në vitin 1957 botoi artikullin me temë “Letërsia e shkruar shqipe me shkrim arab”. Lëvroi në masë letërsinë popullore shqipe; ndërmori një studim krahasues mbi figurën e famshme të Nastradinit, mbi pjesë të rralla të shkrimtarit të madh shqiptar Sami Frashërit, si dhe mbi rrëfenjat popullore shqipe. Punoi një sërë artikujsh për figura të shquara shqiptare, që kanë spikatur gjatë historisë së Perandorisë Osmane; është marrë me korrigjimin e shumë fakteve të lidhura me historinë osmane-shqiptare, si dhe ka publikuar dokumente historike që flasin rreth kryengritjeve kombëtare shqiptare të periudhës 1909-1912.
Trashëgimia kulturore arabo-islamike
Përveç përgjegjësisë së mësimdhënies së gjuhës arabe dhe funksioneve në të cilat punoi, dr. Hasan Kaleshi pati ndikim të fuqishëm në promovimin e literaturës arabe nëpërmjet përkthimit të shumë kryeveprave të letërsisë bashkëkohore dhe klasike arabe. Gjithashtu, ai punoi shumë studime dhe analiza të vyeshme rreth kësaj letërsie. Ka përkthyer në gjuhë të ndryshme të rajonit një mori letrarësh arabë, si: Ibni Rumi, Xhubran Khalil Xhubran, Bulend El-Hajderi, Nizar Kabbani, Sulejman Al-Isa etj. Ka publikuar studime të veçanta në kuadër të letërsisë arabe, si: “Letërsia bashkëkohore egjiptiane” 1956, “Risitë në poezinë moderne arabe” 1965. Ka përkthyer një seri tregimesh të shkrimtarit të njohur arab Mahmud Tejmur, si dhe ka përgatitur një tekst universitar që trajton Historinë e Letërsisë Arabe, të cilin ia propozoi Rektoratit të Universitetit të Kosovës, por që, për ironi të fatit, ky dorëshkrim nuk u publikua.
Interesimi i dr. Kaleshit në studimet gjuhësore dhe të leksikut del në pah shumë qartë në studimin prej tij të gjuhëve serbe, shqipe dhe turke, e, gjithashtu, në pasqyrimin që u bëri veprave të shkrimtarit dhe studiuesit enciklopedik shqiptar, Sami Frashëri. Në kryeveprat e realizuara nga dr. Hasan Kaleshi, bën pjesë dhe “Fjalori serbokroatisht-arabisht”, të cilin e përfundoi me sukses në bashkëpunim me studiuesin e njohur Kamil El-Buhi, një ndër personalitetet më të njohura të fushës së Orientalistikës gjatë viteve ‘50. Fjalori doli nga shtypi pas ndarjes nga jeta të të dy autorëve. Ai përfshin rreth 50 mijë fjalë e idioma në të dyja gjuhët dhe pati ndikim të jashtëzakonshëm në brezat që erdhën më pas në përhapjen dhe lehtësimin e mësimit të gjuhës arabe nga popujt serbo-kroatishtfolës.
Një prej sektorëve ku u shqua orientalisti Hasan Kaleshi, ishte verifikimi dhe publikimi i dokumenteve të vakëfeve, pasi kjo përfshihej në specialitetin e tij shkencor. Në mënyrë të veçantë, ai mbuloi sektorin e vakëfeve të regjistruara në gjuhën arabe, i mblodhi dhe i botoi ato në një libër të veçantë, i cili doli nga shtypi në vitin 1972 me titull “Dokumentacion në arabisht i vakëfeve në Republikën Federative Jugosllave”. Ky libër njohu një shpërndarje të gjerë në mjediset e bibliotekave private dhe shkollore, si dhe nëpër xhami dhe institucione të ndryshme fetare.
Trashëgimia kulturore osmano-turke
Orientalisti Hasan Kaleshi, midis larmisë së gjuhëve që zotëronte, mësoi edhe gjuhën turke gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Beograd dhe Stamboll. Në fushën e studimeve osmano-turke bashkëpunoi dhe përfitoi nga përvoja e studiuesve më të njohur. Publikoi një sërë artikujsh e studimesh në serbisht, arabisht dhe shqip, me të cilat synonte të bënte të njohur literaturën e vjetër dhe të re turke, e, njëkohësisht, përktheu vepra të shkrimtarëve më të shquar osmanë. Arritja më e madhe në këtë fushë për dr. Hasan Kaleshi ishte vlerësimi i tij, nëpërmjet pasqyrimit të jetës dhe veprës së një prej figurave më të mëdha, siç ishte ajo e dr. Ibrahim Temo, themelues i “Organizatës për Unitet dhe Zhvillim”, e cila luajti rol të rëndësishëm politik në sistemin e pushtetit osman, si dhe në marrjen e këtij të fundit nga Qemal Ataturku. Studimi me titull “Faqja tjetër e unitetit dhe zhvillimit” u publikua në disa gjuhë, si në gjermanisht, serbokroatisht dhe arabisht. Autori, me analizën e tij, i ndriçon të dyja frontet e “Lëvizjes për Unitet e Zhvillim”, njëra prej të cilave ishte fronti Turani, që përfaqësonte një lëvizje tradicionale me tipare të theksuara nacionaliste turke. Fronti tjetër, që përfaqësohej me vetë themeluesin e Lëvizjes për Unitet e Zhvillim, dr. Ibrahim Temo, ishte për bashkimin e gjithë popujve që përfshiheshin në administrimin perandorak, nën flamurin e pushtetit osman në drejtimin e një shteti federal, duke i dhënë gjithsecilit të drejta kombëtare, përfshi këtu një formë të vetëqeverisjes administrative, të drejtën për mësimin e gjuhës amtare të secilit në kuadër të shtetit osman, ku përfshiheshin shtetet e Ballkanit dhe disa shtete arabe. Ndoshta ne, në ditët e sotme, nuk dimë shumë për këtë aspekt tjetër të fronteve të “Lëvizjes për Unitet e Zhvillim” të themeluar në sajë të përpjekjeve në atë periudhë të dr. Temos, një mjek okulist në Shqipëri, i cili ishte ndikuar nga veprat e liberalizmit perëndimor, që bënin thirrje për liri të mendimit dhe nxitje të hapave të zhvillimit e të progresit tek ideologët dhe intelektualët turq, si p.sh., intelektuali Namik Kemal. Vlen të përmendet se organizata “Lëvizja për Unitet dhe Zhvillim” u themelua thuajse në një mënyrë identike me atë të organizatës ilegale “Karbonara” të Italisë, si dhe në ndikimin e Masonerisë dhe organizimeve të tyre të fshehta.
Përktheu nga gjuha arabe: Eris KOLIQI
Marrë nga revista “Haxhi dhe Umreja”, Nr 11, Viti i 61 i botimit
(Dhul Ka’de 1427 – Mbretëria e Arabisë Saudite)