Nga Piro Misha te Anders Behring Breivik; lufta kundër multikulturalizmit në Evropë

Pasi më sulmonte mua dhe tregonte sesi nga faqet e mia në internet “hidhej baltë mbi Skenderbeun, P.Bogdanin e deri tek Fan Noli e Fishta, për t'i zevëndësuar ato me figura të tipit Haxhi Qamili”, Pirua i apelonte pushtetareve socialistë që ishin në pushtet në atë kohë, që të përpilonin politika për të ndaluar islamizimin e vendit dhe të vinin dorë mbi institucionet Islame të Shqipërisë. Sipas Piros, besimtarët me shami dhe me mjekra po arabizonin Islamin e po prishnin imazhin e Shqipërisë. Për të ndaluar këtë ai kërkonte dhunë shtetërore ndaj tyre. Shkrime si i Piros, të cilët hedhin mllef e inat kundër islamizimit të shqiptarëve janë përsëritur në këto 20 vitet e fundit nga shumë autorë fondamentalistë të vendit tonë. Këtu mund të përmend deklaratën e Ismail Kadaresë në 1991 kur e shpalli Shqipërinë të krishterë, nga e cila duhej zhdukur feja “e vonë islamike, e ardhur bashkë me otomanët”…; deklaratat e Alfred Moisiut në Londër në 2005 kur deklaroi se Shqipëra nuk është vend me shumicë islame por se “në pikëpamjen vertikale diakronike të gjithë shqiptarët janë të krishterë”; e deri te shkrimet e librat e fondamentalistëve si Aurel Plasari, Ben Blushi, Arben Xhaferri etj të cilët kanë shprehur në vazhdimësi urrejtje kundër identitetit islam të një pjese të popullit shqiptar dhe kanë sulmuar me terma racistë turqit dhe arabët.

Arsyeja kryesore që i nxit islamofobët që të sulmojnë Islamin dhe muslimanët në Shqipëri, lidhet me fenonemin global të islamofobisë që shihet sot në Evropë dhe Amerikë, e që lidhet me rishfaqjen e Islamit si fe dhe ideologji sfiduese ndaj kapitalizmit perëndimor pas rënies së komunizmit dhe me konfliktin izraelito-palestinez në Lindjen e Mesme. Te ne në Kosovë dhe në Shqipëri, Islami, që u shtyp dhe pothuajse u zhduk gjatë dekadave të diktaturës komuniste, tani, pas rënies së komunizmit ka nisur të rizbulohet sërisht. Bijtë e muslimanëve që Partia e Punës i emëroi Bashkim dhe Përparim nga Mehmet dhe Hysni, sot kanë nisur të riemërohen si Muhamed dhe Abdullah e ti mbulojnë gratë me ferexhe të cilat më parë i zhveshi komunizmi. Islami, apo të jem më i saktë, muslimanët kanë nisur të përhapen edhe në Evropën Perëndimore. Pas Luftës së Dytë Botërore drejt saj vërshuan turma të mëdha emigrantësh që vinin nga ish-kolonitë e Perëndimit në botën muslimane. Trendet muslimanizuese që po i ndodhin sot Evropës nuk janë pjesë e ndonjë plani konspirativ të muslimanëve për të pushtuar botën apo islamizuar Evropën. Faktorët që po ndihmojnë në hapjen e muslimanëve janë ekonomikë, socialë dhe politikë. Te ne në Ballkan psh. ri-islamizimi është dhuratë e demokracisë dhe lirive që fituam pas vitesh nën diktaturë. Ndërsa në Evropën Perëndimore, përhapja e muslimanëve dhe fesë së tyre lidhet me disa faktorë ndër të cilët mund të përmendim globalizmin; plakjen dhe prishjen e familjes dhe nevojën për krah pune; pushtimet neokolonialiste dhe shkatërrimin e shteteve të Azisë dhe Afrikës nga fuqitë e Perëndimit; vjedhja e pasurive natyrore që këto vende i bëjnë botës muslimane (fakt që çon në varfërimin e tyre); dhe sundimi i tyre nga diktatura laike të cilat detyrojnë banorët që të largohen dhe gjejnë strehim në Perëndim.

Popullimi musliman që po i ndodh sot Perëndimit është në njëfarë mënyre një déjà vu e asaj që i ndodhi kontinentit tonë në kohë të Perandorisë Romake, kur pasi romakët pushtuan Palestinën dhe vranë e persekutuan hebrejtë dhe kristjanët, i detyruan këta që të shpërngulen drejt Romës. Shembulli i rabinit Saul që u arratis si klandestin drejt Romës, ku fallsifikoi emrin nga Saul për në Paul dhe nga hebre u deklarua kristjan dhe mbi mësimet e tija u themelua Krishtërimi Roman, është shumë i ngjashëm me atë që shumë muslimanë po bëjnë sot në Perëndim. Ata largohen nga vendet e tyre të shkatërruara ekonomikisht dhe politikisht e vendosen në Perëndim, ku ashtu si Shën Pali biblik, kur Mustafai shkon në Romë deklarohet Masimo. Dhe ashtu si Shën Pjetri që hapte lajmin e mirë (Ungjillin) dhe themeloi kisha, edhe muslimanët përhapin leximet e shenjta (Kuranin) dhe ndërtojnë xhami.

Por ashtu si në kohët e Romës, kur romakët përbuznin sektin hebraik të Isus Kristos - besimtarët e të cilit i emëruan me përbuzje “kristjani” - edhe sot, në Perëndim ka një mëri të madhe me muslimanët dhe vlerat morale që ata sjellin me vete. Ardhja e muslimanëve ka nxitur ndjenja të islamofobisë te një numër i madh intelektualësh dhe politikanësh perëndimorë, të cilët, të hutuar nga dinamizmi fetar i Islamit po kërkojnë ndihmë nga Krishtërimi mesjetar për të shpjeguar realitetet e reja. Duke nisur që me Oriana Fallacin e vazhduar me Angela Merkelin, Sarkozin, Berluskonin dhe Kamerunin, shfaqja e muslimanëve në rrugët e Evropës po shkakton një skizofreni intelektuale në qarqet politike të Perëndimit. Debatet që perëndimorët bëjnë sot dhe që nxiten nga intelektualë fundamentalistë neokonë si Bat Yeor, Robert Spenser, Samuel Hantington etj i kanë bërë shumë njerëz në Perëndim që të pyesin se “kush jemi ne”. Këto pyetje janë munduar ti shtrojnë edhe disa kaurë në Shqipëri, si Piro Misha në librin “Arratisja nga burgjet e historisë - Ç'do të thotë të jesh shqiptar”, Aurel Plasari në “Vija e Teodosit shfaqet – nga do ia mbajnë shqiptarët” dhe Ismail Kadareja në “Identiteti Evropjan i Shqiptarëve”. Por ndërsa pyetjet e kaurëve tanë janë një vrimë në ujë, e nuk marrin dot mbështetje publike dhe historike, pasi shqiptarët janë dërrmueshëm muslimanë e për 500 vitet e fundit kanë qenë pararoja e Islamit në Evropë dhe nuk e kuptojnë dot mentalitetin prej rajaje të Mishës dhe Plasarit – perëndimorët e kanë më të vështirë të gëlltisin ndryshimet e mëdha demokrafike dhe fetare që po i ndodhin botës së tyre. Deri në fillim të shekullit të XX, Perëndimi ishte në luftë me Perandorinë Osmane dhe me shqiptarët e turqit që mbronin gjysmëhënën nga kryqi në Evropë.

Perëndimorët janë në dilemë të madhe sot. Shkrues si Falaci dhe Hantingtoni pyesin nëse evropjanët do të vazhdojnë të jenë akoma të krishterë dhe të bardhë në dekadat që vijnë apo mos muslimanët dhe emigrantët që kanë ardhur nga Azia dhe Afrika do i ndryshojnë ngjyrën dhe fenë kontinentit të tyre dhe Evropa do të bëhet një Eurabi? Ata shohin përditë e më shumë sesi muslimanët janë prezent në jetën e tyre që nga presidenti i Amerikës, Barak Hysein Obama, te i dashuri i princeshë Dajanës në Britanti, te pastruesja Nafissatou Diallo (përdhunimi i të cilës çoi në arrestimin e kandidatit për president të Francës), e deri në rrugët e Parisit, Londrës dhe Brukselit ku hixhabi, ferexheja dhe doner qebapi i bëjnë karshillëk minifundit, bikinit dhe Mek Donaldsit. Në një studim të bërë së fundit në Britaninë e Madhe ishte gjetur që emri më i përdorur në vend ishte Muhamed. Shtangia e perëndimorëve me atë që po i ndodh kontinentit të tyre detyroi Berluskonin që në qershor 2009 ta krahasoj Milanon me “një qytet afrikan”, federata franceze e futbollit të caktojë kuota për të ndaluar muslimanët dhe afrikano–veriorët nga hyrja në futbollin francez, zviceranët të ndalojnë shqiptarët nga ndërtimi i minareve dhe qeveritë perëndimore janë duke rrafinuar legjislacionet e tyre në mënyrë që të pamundësojnë muslimanët që të bëhen shtetas perëndimorë dhe fitojnë të drejta të barabarta me vendasit. Nga Brukseli e deri në Paris, vigjilantët laikë-katolikë janë lëshuar në orgji sulmesh ndaj grave muslimane që mbajnë burka dhe duan të zbulojnë me dhunë atë që nuk bëjnë dot me logjikë.

Muslimanizmi dhe afrikanizimi që po i ndodh sot Perëndimit është një fakt i cili përveç shkaktimit të racizmit dhe islamofobisë, po ndihmon që nëpër këto vende partitë fashiste të ekstremit të djathtë, si Fronti Nacional në Francë, Lidhja e Veriut në Itali, Lidhja Mbrojtëse Britanike, Partia e Lirisë e Geert Vildersit në Hollandë e deri te Partia e Çajit në Amerikë, të vijnë në pushtet dhe bëhen forca të rëndësishme të politikës perëndimore. Fakti që i bashkon këto forca radikale është urrejtja mesjetare kundër Islamit, e cila nis që me ardhjen e Muhamedit, si profet i fundit i Zotit në tokë dhe sfida që Kurani i bën mesazhit të deformuar të Krishtërimit Roman.

Sulmet terroriste që ndodhën në datë 22 korrik 2010 në Oslo dhe Utøya të Norvegjisë nga terroristi kristjan Anders Behring Breivik shënojnë një pikë kulmore të islamofobisë dhe racizmit me të cilin Perëndimi po përballet që pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse me përmbysjen e fashizmit dhe nazizmit e shpëtimin e çifutëve nga kampet e përqëndrimit, popujt e Evropës duket se pranuan që më në fund do të pranojnë si të barabartë me ta edhe jo-të-krishterët, ajo që po i ndodh Evropës sot, dhe për fat të keq edhe Shqipërisë është për tu alarmuar. Fondamentalistët dhe nacionalistët e krishterë thërrasin për shkatërrim të multikulturalizmit dhe tolerancës ndaj jo të krishterëve dhe njerëzve me ngjyrë. Ata duan ta kthejnë Evropën në mesjetë, si në kohën e kryqëzatave të Papë Urbanit II dhe duan të fshijnë arritjet e epokës së iluminizmit dhe racionalizmit e cila e ndau evropjanin nga Kisha Katolike dhe e bëri atë modern dhe racional dhe të hapur ndaj kulturave të tjera.

Zërat e islamofobisë që lexohen në Evropë kanë përfaqësues të tyre edhe në Shqipëri. Disa nga islamofobët tanë thërrasin për vëllazëri me serbët kundër turqve dhe Islamit (Blushi, Kadare dhe Myftaraj), ankohen pse Sllobodan Millosheviçi nuk i vrau dy milion kosovarë (Anton Kqira) e të tjerë kërkojnë diskriminim të muslimanëve, shkëputjen e tyre nga bota islamike, largimin nga Konferenca Islamike dhe ndalim të asaj që Misha quan “arabizim të Islamit” (Misha, Kadare etj). Po ndërsa sulmet e fondamentalistëve tanë kundër Islamit bëhen në emër të laicizmit, çfarë ne shohim që po ndodh në Shqipëri, është që priftërinjë kuislingë katolik si Anton Harapi dhe Gjergj Fishta, të cilët ishin mbështetës të nazi-fashizmit dhe Holokaustit, sot janë rehabilituar për bukuri nga pushtetarët dhe intelektualët tanë e kthyer në heroj të kombit. Skënderbeu nga një hero i stisur si kombëtar dhe i imponuar me dhunë ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit të XX, sot rrëfehet hero i Kishës Katolike nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Tiranës, Aurel Plasari. Në anën tjetër figura tërësisht fetare si ajo e murgeshës indiano-maqedone, Nënë Tereza, janë kthyer në heroina të kombit.

Sulmet që islamofobët shqiptarë bëjnë kundër Islamit dhe përshkrimi prej tyre i identitetit të shqiptarëve si kristjan, është pjesë e trendës së frikshme që fondamentalizmi i krishterë po demostron sot në të gjithë Perëndimin. Fondamentalistët e urrejnë multikulturalizmin dhe tolerancën, jetesën e muslimanëve dhe çifutëve përkrah të krishterëve. Si Papë Urbani në shekullin e 11 apo Pjetër Bogdani më vonë, ata i shohin muslimanët dhe çifutët si njerëz të djallit. Ideologjia e urrejtjes ndaj jo të krishterëve dhe të huajve, e cila në shekullin e XX u përkrah nga nacionalizmat evropjanë, çoi në krimin e Holokaustit, ku miliona çifutë u mbytën nëpër kampet e përqëndrimit nazist në Evropë. Ideologjia e monokulturalizmit, e monofetarizmit kristjan, e arianizmit, e kombit të bardhë iliro-pellazg dhe e kthimit në “fenë e të parëve” (siç bën Kadareja në sprovën “Identiteti evropian i shqiptarëve” në 2006) janë pak a shumë edhe mendimet që nxitën terroristin norvegjez Anders Behring Breivik të organizoj krimet makabre që ne pamë në ditët e fundit në Norvegji. Kush ka patur rastin të lexoj librin “2083 A European Declaration of Independence” që Breivik publikoi në linjë pak përpara akteve terroriste, do të bindet se terroristi norvegjez është i një mendje me Ismail Kadarenë dhe shpurën e tij, të cilët sulmojnë komunizmin dhe islamin si dy të këqia nga e cila shqiptarët duhet të shpëtojnë. Në manifeston e tij, Breivik identifikon dy armiq të mëdhenj të Evropës: ngritjen e intelektualizmit marksist dhe multikulturalizmin (në librin “Mosmarrëveshja. Mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” Kadareja i quan këta mohues të kombit) dhe kolonizimin islamik. Ashtu si Kadareja, Plasari etj edhe Breivik e klasifikon Skënderbeun si hero evropian të kryqëzatave dhe të krishterëve shqiptarë. Tezat e Breivikut kundër Islamit, shqiptarëve muslimanë të Kosovës, Maqedonisë etj janë teza që fondamentalistët e krishterë shqiptarë kanë hedhur në qarkullim prej vitesh.

Histeria e Piro Mishës në shkrimin e vitit 2003 kundër vajzave me shami dhe burrave me mjekër nuk ndryshon shumë nga ai i Anders Behring Breivikut në 2011. Nëse Pirua i apelonte Fatos Nanos që të vinte dorë mbi muslimanët e Shqipërisë, Breiviku e morri vetë ligjin në dorë dhe bëri kërdinë kundër liberalëve norvegjezë në publik. Po ndërsa në Norvegji, Anders Behring Breiviku mllefin që ka kundër multikulturalizmit e demostroi me akte terrori masiv, shkruesin e këtij shkrimi e bren kureshtja të dijë: po simendimtarët e tij shqiptarë a janë të një mendje me të, dmth që Evropa ka hyrë në një epokë lufte e cila do të mbarojë në vitin 2083 kur të jetë çliruar njëherë e mirë nga marksistët dhe islamistët dhe të jetë kontinent vetëm për kristjanët e bardhë? A do të ketë Evropa një Spanjë të dytë, ku arianët, ilirët kuq e zi, e fe-të-parët do të luftojnë kundër majtistëve dhe muslimanëve? Unë lus Piro Mishën, Ismail Kadarenë, Arben Xhaferrin dhe Aurel Plasarin që lexojnë këtë shkrim që të na sqarojë se ku qëndrojnë. A do të kenë edhe ata guxim që të terrorizojnë qytetarët e tyre multikulturalistë - që nuk janë të krishterë - e refuzojnë publikisht Nënë Terezën, Skënderbeun e Pjetër Bogdanin dhe pëlqejnë sulltan Muratin, Esat Pashën dhe Haxhi Qamilin - siç bëri Breiviku? A do të na tolerojnë ne muslimanët kështu siç jemi, me mjekra e me ferexhe, me modën tonë alla-turka dhe që sytë i mbajmë nga Stambolli dhe jo nga Roma, apo do të ndjekin shembullin e Anders Behring Breivikut dhe çlirojnë Evropën nga ne, islamikët dhe multikulturalistët marksistë në mënyrë që Shqipërinë ta bëjnë përnime evropjane dhe katolike siç e definon Kadareja në sprovën “Identiteti Evropjan i Shqiptarëve”?

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme