I. Islami dhe bota bashkëkohore
- 1. Shqyrtime hyrëse
Bota moderne tashmë dy-tre shekuj gjendet nën dominimin e plotë politikë, ekonomik e kulturor të qytetërimit perëndimor. Vlerat e tyre janë (imponohen si) universale dhe të paprekshme, duke mohuar çdo alternativë tjetër jashtë rrethit perëndimor (greko-romakë dhe judeo-kristianist). Botëkuptimi i tyre është i ndarë nga Krijuesi Absolut, duke i këputur nyjet me transcendencën dhe duke mohuar nivelet e larta. Ky botëkuptim edhe pse i huaj për Islamin, në vazhdimësi është në fërkim dhe në fqinjësi me muslimanët.
Muslimani duke bashkë/jetuar me këto botëkuptime në punë, në shkollë, në organet shtetërore, në mediet elektronike etj., do të vrojtojë shumë kundërthënie ndërmjet vetvetes dhe botëkuptimeve aktuale. Në ballafaqim me këto botëkuptime, ai duhet të ketë qëndrim konstruktiv ndaj ambientit njerëzor, bimor dhe shtazor dhe të përmbushë detyrën e tij prej njeriu duke ofruar alternativë më të mirë.
2. Ç’është Islami?
Shumë njerëz të zakonshëm por edhe shumë intelektualë ngatërrojnë nocionin islam dhe fe, duke i marrë për sinonime. Përkundër gërshetimit të kuptimeve, megjithatë Islami paraqet sistem universal të jetës së njeriut që përfshin të gjitha aspektet e tij, i bazuar në parimin e tevhidit, respektivisht në parimin e njëjësisë së Allahut. Allahu është e vërteta absolute, e përsosur, supreme, transcendente, i pakufizuar në hapësirë dhe kohë. Ai është orientuesi i vetëm, kryesor dhe më i rëndësishëm i njeriut në formimin dhe rregullimin e raporteve ndërmjet njeriu-njeriut, njeriu-botës dhe njeriu-Krijuesit. Mirëpo, Islami i dha njeriut mundësi ta ruajë harmoninë e krijuar, i dha mundësinë të jetojë në pajtim me vullnetin e Allahut, por edhe ta rrënojë, në ç’gjë njeriu dallon nga krijesat e tjera dhe me të cilin veprim ai meriton shpërblimin apo ndëshkimin. [1]
E tërë kjo sendërtohet nëpërmjet fjalës së Allahut në histori, sidomos me Fjalën e Fundit, me Kur’anin, lidhjen më të fuqishme të Allahut me njerëzinë, që zë vendin qendror në Islam. Ai është Libri përfundimtar, udhëzues dhe frymëzim për të gjithë muslimanët. Kjo urtësi dhe vullnet i Allahut manifestohet në sheriatin e Tij dhe nga sheriati te të gjithë besimtarët e mirëfilltë.[2]
Meqë mendja e njeriut me kufizueshmërinë dhe mangësinë që e ka nuk mund t’i njoh gjerat në tërësi, këtë e plotëson Shpallja si orientuesi dhe frymëzuesi absolut. Kurse sheriati (që buron nga Kur’ani dhe Suneti) është sendërtimi praktikë i vullnetit të Allahut për nevojat e shoqërisë njerëzore. Shari’ (Ligjvënës) është vetëm Zoti dhe vetëm ligjet e Tij janë të gjithëvlefshme. [3] Njeriu jeton në këtë botë duke iu përmbajtur parimit: “Çdo gjë është e lejuar përveç asaj që është e ndaluar.” [4]
Allahu e krijoi njeriun krijesën më të bukur (Et-Tin, 4) dhe halife (zëvendës) (El-Bekare, 30) të Tij në kozmos dhe të tërën ia nënshtroi atij (Lukman, 20). Me këtë mënyrë njeriu mori edhe përgjegjësinë për përdorimin e drejtë me to dhe sjelljen e tij në pajtim me urtësinë e Krijuesit. Jetesa e drejtë dhe në pajtim me rregullsinë e përgjithshme do të thotë të jetosh si musliman.
Njeriu është qenia më e përkryer edhe nga një perspektivë tjetër, ajo që Allahu e “frymëzoi njeriun nga shpirti i Tij” (El-Hixhr, 29). Por, kjo imponon që njeriu të ketë edhe përgjegjësi. Çdo shkelje e përgjegjësive nga ana e njeriut do të thotë shkelje e të drejtave të dikujt tjetër, të njerëzve, Krijuesit apo ambientit.
Këtë bukur e shpreh intelektuali i madh muliman S. H. Nasri: “Në Islam nuk ka liri pa përgjegjësi dhe në fakt nuk ka të drejta njerëzore pa obligime... .” [5]
3. Ç’është bota bashkëkohore
Përgjigja e drejtë në çështjen se ç’është bota bashkëkohore imponon përgjigje në pyetjet se ç’është modernizmi dhe ç’është bashkëkohësia, sepse shpesh herë në lexim sipërfaqësor këta dy terma duken si sinonime. Termi bashkëkohor përcakton kohën më të re, diç që është në pajtim me aktualitetin dhe vetvetiu ky term nuk nënkupton negativitet. Në anën tjetër, termi modern do të thotë diç që i ka ndërprerë lidhjet me Transcendencën, me parimet e pandryshueshme, të cilat i janë komunikuar njeriut nëpërmjet shpalljes në kuptimin më universal. [6] Karakteristika e modernizmit është se ai këmbëngul vetëm në njerëzoren, pa asnjë lidhje me Hyjnoren. Njeriu është paraqitur si qenie tokësore i lirë nga Qielli, zotëri i fatit të tij, i cili nuk njeh çështjet eskatologjike madje edhe refuzues dhe kundërshtar i tyre. [7]
Edhe pse njeriu në të kaluarën në aspektin besimor ka rrëshqitur, ai megjithatë në pjesën më të madhe të kohës ka besuar në botën e ardhme, në shpirt, ka varrosur të vdekurit, ka besuar Zotin. Njeriu në aspekt të raportit me Krijuesin dhe natyrën nuk është zhvilluar por është zhvilluar në aspekte të tjera, ato materiale, teknike-teknologjike. Arsyeja është instrumenti për njohje në botën objektive por nëse arsyeja nuk pranon autoritet mbi veten atëherë pason antropomorfizmi. [8] Kjo edhe është natyra e vërtetë e modernizmit, natyrë antropomorfe. Historikisht, njeriu vetëm në Kohën e Re filloi ta shpërfill Zotin dhe rrafshet e larta të njëmendësisë. Nga kjo kohë njeriu e shpalli veten si kriter i realitetit dhe të vërtetës. Ai u bë vlerë sipërore, kriter dhe matëse e të vërtetës. Njeriu është strumbullari i çdo gjëje. Në këtë mënyrë religjioni dhe filozofia u zëvendësua me shkencë, racionalizëm apo scientizëm, duke humbur primatin. Nga kjo kohë religjioni është irrelevant duke u rrëgjuar në ndërgjegje personale, çështje private etj. [9] Nga kjo kohë njeriu modern e braktisi religjionin Qiellor dhe pranoi scientizmin për “religjion” të tij. Nga scientizmi kërkohen përgjigjet përfundimtare, siç kërkonin më herët nga klerikët kristianë, dhe dija e shkencëtarëve konsiderohet kyçe për shpëtimin e tyre. Kjo prishje ekuilibri mes vlerave absolute dhe atyre relative, hyjnore dhe njerëzore, sollën deri te skandalizimi i problemit. [10] Njeriu scientist harron se shkenca nuk mund të bëhet “religjion” as zëvendësim për të, sepse do të shpinte në absurd. Njeriu scientist harron se vetëm religjioni i jep arsyetim dhe kuptim ekzistimit të shkencës, deri sa shkenca e dëshmon religjionin e mirëfilltë. Ato plotësohen mes veti dhe së bashku paraqesin faktor të pazëvendësueshëm.
Mangësia e dytë e modernizmit dhe karakteristikës antropomorfiste të tij është mungesa e një parimi të qëndrueshëm, absolut, i cili do të shërbente si model për meditim dhe veprim. Njeriu nuk është model absolut, model perfekt dhe i qëndrueshëm, sepse është antropomorf dhe nuk i përgjigjet Qenies dhe Rendit Hyjnor. [11] Bota metafizike nuk pranon empirizmin, as indukcionizmin, as perceptimet ndijore apo racionale si instrumente të saj.
Ekziston edhe aspekti i tretë i aspektit modern të njeriut e ai është humbja e ndjenjës për të lartën, shpirtëroren. Kjo mungesë njeriun e dezorienton në botë dhe njeriu jeton në konfuzion të plotë shpirtëror dhe fizikë. Të gjitha këto karakteristika (natyra antropomorfe e mendimit modern, mungesa e parimeve universale dhe humbja e ndjenjës për të lartën, apo shkëputja e lidhjeve me transcendencën) janë në kundërshtim me vlerat universale islame dhe vetë Islamin, kurse bota bëhet rreth pa epiqendër.[12]
II. Bota muslimane, sfidat dhe perspektiva
1. Retrospektivë e botës muslimane sot
Kur flitet për Botën muslimane sot mendohet për ato vende ku muslimanët janë shumicë apo popullsi e konsiderueshme, pa marrë parasysh përkushtimin e tyre ndaj Islamit në aspektin jetësor. Kjo botë sot shtrihet nga Indonezia e deri në Marok dhe nga Sudani e deri në Kaukaz dhe rreth 1 miliardë e gjysmë banorë të shumë vendeve, etnive dhe gjuhëve.
Mirëpo, nëse në pikëpamje sasiore ky fakt paraqet faktor respektues, çfarë faktori paraqet në aspektin politik, ekonomik dhe social në raportet aktuale botërore apo rajonale? Përse kur përmendet vendet muslimane automatikisht asociohet në vende të prapambetura, socialiste, inferiore, totalitare e të tjera, kur Kur’ani për ta thotë se janë “populli më i mirë i cili ndonjëherë është shfaqur.”
Për t’i sqaruar disa gjera do t’i bëjmë një pasqyrë të shkurtër historisë islame.
Islami doli në skenën historike me Muhammedin a.s. dhe Kur’anin në vitin 610 e.r. Për një shekull, ai dominoi kundrejt të tjerëve në të gjitha pikëpamjet: politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, shkencore etj. [13] Mirëpo, stagnimi i muslimanëve prej shekullit XII e sidomos prej shekullit XVIII, bëri që muslimanët nga prodhuesit e kulturës dhe qytetërimit të shndërrohen në vende të kolonizuara. Perëndimi bëri një zhvillim të hovshëm shkencor dhe kulturor, politik dhe ekonomik dhe mbi të gjitha atë ushtarak, kurse vendet muslimane u shndërruan në krijesa inferiore, të paqëndrueshme politikisht dhe ekonomikisht dhe pa legjitimitet të fuqishëm. Perëndimi lëndën e parë, qoftë atë njerëzore qoftë atë materiale, e merr nga vendet muslimane dhe ua kthen të prodhuar me çmim të kushtueshëm. Varësia teknike-teknologjike nga Perëndimi i bënë ato të lëndueshme në çdo aspekt. Këtë gjendje e vështirëson edhe më analfabetizmi në vendet muslimane, i cili shkon nga 30-60 %. Mungesa e alternativave vetjake bëri që të importohen sisteme vlerash dhe ideologjish. Madje, disa shkuan aq larg sa t’i pranojnë vlerat e huaja si të tyret.
Kjo është pasojë e shumë faktorëve, por më i theksuari është faktori i përçarjes. Edhe pse Bota muslimane duket unike, ajo këtë nuk është as për së afërmi. Kjo për shkak se shumë shtete janë dorë e zgjatur e vendeve perëndimore, të “krijuara” dhe instaluara prej tyre. Humbjet e muslimanëve janë të njëpasnjëshme: rënia e perandorisë osmane, abrogimi i hilafetit në Turqi më 1924, nënshtrimi i shteteve një nga një, instalimi i administratorëve të tyre, sajimi i disa shteteve me kufij artificial, luftërat lokale e rajonale ndërmjet muslimanëve të nxitura nga të huajt dhe ardhja e tyre si shpëtues etj.
Ka shumë faktorë për këtë gjendje. Dijetarët kanë analizuar edhe dobësitë e brendshme edhe të jashtme, por ndër problemet më të theksuara ka qenë çështja e pushtetit, lufta për funksionin e halifit apo sunduesit. Kjo detyrë me shumë rëndësi shpesh ka ra në duar të njerëzve joadekuat intelektualisht dhe moralisht, duke përdorur intrigat dhe korrupsionin, por edhe lidhjet nepotike. E tërë kjo ka qenë në kundërshtim me Islamin, i cili kërkon më të mirin ndër muslimanët, nëpërmjet trupit këshillues. Ardhja në pushtet në mënyrë të paligjshme bëri që muslimanët të dobësohen dhe të krijojnë favore për kundërshtarët e tyre.
Problemi vijues me rëndësi të jashtëzakonshmne ka qenë ataku ushtarak, me tërë atë që nënkupton kjo, nga Lindja nga mongolët dhe nga Perëndimi nga kristianët. Rënia e pjesës më të madhe të Spanjës në duart kristiane, sikur Kordoba më 1236 dhe rënia e Bagdadit më 1258, lanë pasoja që edhe sot do të ndihet rëndë. Muslimanët edhe sot nuk kanë orientues, nuk kanë lider unik dhe janë të katandisur në të gjitha anët e botës. [14]
Vendet perëndimore përveç që pushtuan vendet muslimane, pas tërheqjes së tyre të imponuar nga rrethanat e ndryshme, ata pas vete lanë elitën sunduese të shkolluar në akademitë e tyre. Kjo ndodhi thuajse në të gjitha vendet, kurse po ndodh edhe aktualisht në përplasjet e shumta në botën arabe-muslimane. Më herët kishim dy blloqe: ato perëndimore dhe ato lindore, kurse tash kryesisht perëndimore. Muslimanët shfrytëzohen politikisht, ushtarakisht, intelektualist, pamundësi që edhe këta të ndikojnë te vendet e tyre.
Edhe mungesa e elitës intelektuale e orientuar në mënyrë jo/properëndimore apo ekzistimi i elitës muslimane konservatore në perceptimin e Islamit ka sjellë deri te gjendja aktuale jo emirë. Për shkak të botëkuptimit rigjid të tyre, se çdo gjë është sqaruar në burimet e hershme dhe në brezat e hershëm, ata u bazuan në imitim (taklid) dhe botën muslimane e sollën buzë shkatërrimit. [15] Deri sot kjo ide ka gjetur njerëz dhe bashkë me modernizmin i kanë shkaktuar dëm Islamit. Botës muslimane i nevojiten intelektualë të mirëfilltë, të cilët në këtë botë kultivojnë ide fetare dhe atdhetare dhe që për prioritet e kanë prosperitetin e botës muslimane. Njerëzit aktivë dhe të profilit të kërkuar sot janë pak në botën muslimane. Zakonisht janë të përndjekur dhe të intriguar, sepse të tillët i pengojnë pushtetet e tyre. Në anën tjetër këto pak tentime janë lokale apo rajonale dhe nuk paraqesin ndonjë rrezik për botën në përgjithësi.
Çështja ekonomike në shumicën e vendeve muslimane është e mjerueshme. Edhe ato vende që kanë qëndrueshmëri materiale, thuajse tërësisht janë të varur nga të arriturat teknike-teknologjike të huaja. Gjithashtu, edhe ajo pak ekonomi vetjake është parciale, pa infrastrukturë të nevojshme, kështu që Perëndimi e shet lirë si lëndën e parë ashtu edhe fuqinë punëtore, por e blen shtrenjtë prodhimin final nga pok ëta faktorë.
Nëse këtij faktori ia shtojmë mosplanifikimin afatgjatë, mosorganizimin e duhur, zhvillimin dhe investimin e dobët, atëherë mund të konkludojmë se bota muslimane është e përshkuar me varfëri të theksueshme. Kjo bënë që edhe aspekti shkencor, teknologjik por edhe ushtarak është në shkallë të ulët dhe i varur nga Perëndimi.
Por, pa dyshim mangësia më e theksueshme nga tërë këto mangësi është mungesa e Islamit në jetën e muslimanëve. Islami tek ata është sekondar dhe nuk rregullon jetën e tyre. Ai pranohet si traditë por jo si frymëzim i gjallë dhe kyç. Kjo na bënë të shtrojmë pyetjen se mos vallë Islami na pengoi të përparojmë apo është e kundërta, mungesa e Islamit nga jeta jonë ka bërë që muslimanët të ngelin mbrapa të tjerëve.
Kjo gjendje ka bërë që edhe pse Islami urdhëron paqen dhe mirëkuptimin, muslimanët janë të përçarë, madje edhe luftojnë ndërmjet veti në llogari të të huajve. Edhe pse Islami e ndalon prostitucionin, alkoolin, shfrytëzimin, fajden, bota muslimane sot është përplot me ligësi të tilla. Edhe pse pasuria është e Allahut dhe duhet të jetë në shfrytëzim të bashkësisë, atë e shfrytëzojnë individët, që këtyre muajve mund ta shohim në shembullin e kryetarëve apo mbretërve të rrëzuar apo në rrëzim e sipër në Tunizi, Egjipt, pastaj atij në Libi, Arabi, Siri, Marok, Bahrejn etj. Sikur Islami të trajtohet si Islam dhe muslimanët të ishin muslimanë të mirëfilltë, bota muslimane do të ishte shembull i përparimit, mirëqenies dhe shoqërisë ideale.
2. Relativiteti i sfidave të kohës
Ndodh të lexojmë apo dëgjojmë se Islami është konsumuar gjatë 14-15 shekujve dhe se i takon të kaluarës. Disa thonë se ai është feligj për mesjetën dhe mjedisin shkretinor. Ai është i vjetër dhe nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të përparimit teknikë dhe shkencës. Ai nuk mund t’i bëjë ballë kërkesave dhe sfidave të kohës. Si të tillë Islamin duhet refuzuar respektivisht duhet përshtatur nevojave të kohës dhe vendeve. Këto janë vetëm disa nga vërejtjet e shkruara, të folura, herë pa ndonjë tendencë të caktuar e herë me paragjykime të thella ideologjike, fetare apo edhe nacionale.
Për t’iu përgjigjur shkurtimisht këtyre pyetjeve duhet së pari ta përkufizojmë çka quhet “sfidë e kohës”, si ta kuptojmë këtë sintagmë të shpeshtë?
Disa dijetarë këtë çështje e përkufizojnë:
“Ky nocion tregon në atë që koha, si dimension i ndryshueshëm, në çdo pjesë të tij sjellë me vete ndonjë kërkesë të re. Çdo kohë, çdo epokë, çdo shekull kërkon nevojat e tij që më herët nuk kanë ekzistuar dhe ndaj të cilave duhet të marrim qëndrim të caktuar. ...”. [16]
Kemi edhe shpjegimin tjetër të “sfidave të kohës” sipas të cilit ky nocion paraqet kërkesat e njerëzve të kohës së caktuar. Sipas kësaj, përshtatja me kërkesat e kohës do të thoshte se duhet të shikojmë se ç’i pëlqen shumicës së njerëzve dhe të pasohet ajo që është e gjithëpranuar.
Përgjigjja jonë do të ishte se nuk është korrekt pasimi i gjerave që shfaqen në shekullin e ri vetëm si risi apo vetëm përse i pëlqen shumicës.[17] E reja, risia, domosdoshmërisht nuk është më e mirë, sikur edhe e kundërta. [18] E reja dhe e vjetra janë nocione relative të lidhura për vlera relative të kushtëzuara për kohën dhe hapësirën. Prejudikimi i njërës apo tjetrës për të mirë apo për të keqe do të ishte gabim i pafajshëm. Edhe pse janë dukuri moderne pornografia apo narkomania nuk mund të pranohen si të gjithëpranuara. Sepse, Zoti e krijoi njeriun si qenie dypolare: shpirtërore dhe fizike apo të ndryshueshme dhe të pandryshueshme. Ai ka nevojë për ushqim, veshmbathje, banim, fitim, dije dhe vegla për punë e jetë. Furnizimi me to kërkon kohë, dije por edhe shkathtësi, të cilat ndryshojnë nga rasti në rast, nga koha në kohë. Islami e arsyeton këtë kërkesë, i arsyeton mjetet dhe veglat për realizimin e synimit të caktuar, por Islami përcakton synimin dhe rrugën.
Nevojat tjera të njeriut janë ato që i përkasin fesë dhe moralit, dhe si të tilla nuk janë të lidhura me kohën dhe hapësirën. Ato janë konstante dhe nuk ndryshojnë nga koha në kohë dhe nga vendi në vend. Fjala vjen, padrejtësia, gënjeshtra, dhuna, jomorali gjithnjë kanë qenë të qortuara dhe nuk mund të lejohen në kohët moderne. [19]
- 3. E ardhmja jonë – Kah po shkon shoqëria muslimane ?
Edhe muslimanët e zakonshëm e sidomos ata intelektualë e kanë të qartë se për muslimanët është një epokë e paqëndrueshme. Prognozimet e S. Huntingtonit, F. Fukujamës etj., se qytetërimi perëndimor është në zbehje e fikje është alarm i gjendjes së brendshme perëndimore. Nëse i studiojmë qytetërimet e lashta do të mësojmë se rënia besimore dhe moralo-etike dhe jo varfëria materiale ka qenë faktori kryesor i zhdukjes së tyre. Kjo edhe është dobësia e parë e vërejtur e perëndimit sot. Perëndimi nuk ka varfëri materiale por aspektin shpirtëror thuajse e ka harruar. Ai do të mbetet në fuqi vetëm deri atëherë kur në skenë do të instalohet një forcë tjetër e fuqishme për ta marrë flamurin e udhëheqjes së botës.
Ku qëndron bota muslimane në tërë këtë, a ka mundësi reale ta merr këtë rol dhe të udhëheq me botën siç udhëhoqi shumë shekuj. Një nga përgjigjet e mundshme është: Bota muslimane për shkak të dobësisë arsimore dhe shkallës së ulët tekniko-teknologjike nuk ka mundësi të bëjë ndonjë hap serioz në këtë rrafsh. Por, mbase përvetësimi dhe asimilimi i shkallës shkencore dhe teknike të Perëndimit dhe komponenta besimore dhe morale-etike islame do të mund të ofronte një alternativë për Perëndimin gjithnjë e më shumë degradues, gjithnjë e më shumë vesternizues dhe shekullarizues.
Muslimanët duhet studiuar seriozisht faktorët që e mbajtën Perëndimin kaq gjatë në dominim dhe të promovojnë integrimin islam, respektivisht Islamin si tërësi politike, ekonomike, shkencore, kulturore, morale etj. Defektet që paraqiten andej-këndej t manifestuara si regjionalizëm, provincionalizëm, nacionalizëm duhet kundërvënë idenë e vëllazërisë e të gjithë muslimanëve pa marrë parasysh kombin, gjuhën, ngjyrën etj., kurse si kriter e vendosi devotshmërinë (takvallëkun):
“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat); e All-llahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El-Huxhurat, 13).
Në rrafshin konkret, praktikë, muslimanët duhet të planifikojnë arsimimin, kulturën, ekonominë dhe resurset ekonomike etj. Muslimanët duhet të zgjojnë vetëdijen e fjetur muslimane dhe me “islamizimin” e muslimanëve të ofrojmë alternativë konkrete.
Një autor ofron shembull interesant:
“Që të bëhemi të fortë në shoqëri duhet të shkollohemi dhe të zëmë funksione të larta shkollore. Duhet të shkollojmë më shumë diplomatë profesionalistë, biznesmenë dhe ndikimin e femrës në shoqëri. Prosperiteti ekonomik është mjaft thelbësor... për shembull, bashkësia hebraike që numëron 300.000 banorë ka më shumë milionerë se sa bashkësia muslimane që numëron 3.000.000 banorë në Angli...”. [20]
Që të ndërrohet kjo gjendje së pari duhet të bëhet një forcim moral, së pari në shpirt, sepse rrënimi moral e rrënon çdo fuqi. Për këtë ndryshim duhet vetëdije e re dhe vullnet i ri, të cilat do t’i përcjellë vetëdija për synimin.
Këtë ndryshim Krijuesi ynë e ka porositur: “... Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre...” (Er-Rra’d, 11).
Çështja më komplekse ndër muslimanët është politika. Një kohë të gjatë muslimani është edukuar të qëndrojë larg politikës, madje është konsideruar mëkat aktiviteti politikë. Por në të ardhmen, muslimani duhet të bëhet aktiv sepse pasojat janë të tmerrshme.
Prandaj, muslimanët duhet të bëjnë së pari rilindjen e brendshme që këtë rilindje ta reflektojnë edhe jashtë tyre.
4. Në vend të përfundimit
Fillimi i shekullit XXI është me kthesa dramatike, me luftëra të përgjakshme lokale e rajonale, me kriza ekonomike dhe shumë të tjera. Në fund të fundit, kjo ndryshueshmëri edhe është normale, sepse absolute dhe konstante është vetëm Hyjnorja. Njeriu me gjallërinë dhe kureshtjen e tij kërkon lumturinë dhe prehjen, ndërsa kjo botë ia pamundëson këtë synim duke e rrëgjuar njeriun në qenie ekskluzivisht tokësore dhe rob të materies. Mohimi i këtij aspekti të njeriut bënë që njeriu mos të mbetet njeri në kuptimin e plotë, por vetëm një krijesë pa rëndësi, ose me rëndësi të majmunit evolucionist apo ndonjë krijese që ka ngjashmëri me këto koncepte.
Po kjo tendencë evolucioniste materialiste dëshiron ta arrijë qetësinë dhe prehjen njerëzore nëpërmjet mirëqenies materiale por pa praninë e Krijuesit, duke prishur baraspeshën shpirt-trup dhe duke u larguar nga synimi për formimin e një shoqërie ideale.
Por, njeriu ideal nuk mund të jetë njeriu që përjashton aspekte të vet qenies së tij, por njeriu që integron, njeriu që unifikon, respektivisht njeriu që i jep shans të gjitha aspekteve të njeriut të ofrojnë mundësitë shpirtërore dhe fizike sepse vetëm i tillë mund ta mposhtë agresivitetin dhe makuterinë e materializmit.
5. Literatura
- Ahmed F. El-Ehwani, Filzofia islame, Prizren 2002.
- Eldin Dučić, Musliman u vremenu, në:
http://www.znaci.com/islam_u_drustvu/fenomenologija/art130_0.html.
- Enes Karic, Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevo, 1997.
- Filip Hiti, Istorija arapa, Sarajevë, 1973.
- Ghayasuddin Siddiqui, Promjena u balansu političke moći islama i zapada, në: Znakovi vremena, vol. IV, nr. 12.
- Jusuf El-Karadavi, El-Halalu we’l-haramu fi’l-islam, pjesa hyrëse.
- Kasim Dobraça, Kloni se zla, Sarajevo, 1974.
- Morteza Mottehari, Islam u vremenu, në: Revista Znakovi vremena, nr. 12, ose: http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/149-islam-u-vremenu.html.
- Morteza Mottehari, Islam u vremenu, në: Revista Znakovi vremena, nr. 4, ose: http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/79-potrebe-vremena.html.
10. Murad Hofmann, Islam kao alternativa, Zenica, 1996.
11. Seyyed Hossein Nasr, Tradicionalni islam u modernom svijetu, Sarajevo, 1994.
12. Sejjid Hussein Nasr, Udhërrëfyes i të riut musliman në botën moderne, Tiranë, 2007.
13. Sigrid Hunke, Dielli i Allahut shkëlqen mbi Perëndimin, Tiranë, 2007.
[1] Shih: Sejjid Hussein Nasr, Udhërrëfyes i të riut musliman në botën moderne, Tiranë, 2007, kreu i parë.
[2] Eldin Dučić, Musliman u vremenu, në: http://www.znaci.com/islam_u_drustvu/fenomenologija/art130_0.html .
[3] Sejjid Hussein Nasr, Udhërrëfyes, ibid., kreu i parë. Krhs.: Eldin Dučić, Musliman u vremenu, në: http://www.znaci.com/islam_u_drustvu/fenomenologija/art130_0.html .
[4] Jusuf El-Karadavi, El-Halalu we’l-haramu fi’l-islam, pjesa hyrëse.
[5] Sejjid Hussein Nasr, Udhërrëfyes, ibid.
[6] Seyyed Hossein Nasr, Tradicionalni islam u modernom svijetu, Sarajevo, 1994, fq. 96.
[7] Shih: Ibid, fq. 100.
[8] Ibid., fq. 98.
[9] Hussein Nasr, Udhërrëfyes, ibid., kreu i dytë.
[10] Ibid.
[11] Seyyed Hossein Nasr, Tradicionalni islam, ibid,, fq. 99 etj.
[12] Eldin Dučić, Musliman u vremenu, në: http://www.znaci.com/islam_u_drustvu/fenomenologija/art130_0.html .
[13] Ahmed F. El-Ehwani, Filzofia islame, Prizren 2002. Filip Hiti, Istorija arapa, Sarajevë, 1973. Sigrid Hunke, Dielli i Allahut shkëlqen mbi Perëndimin, Tiranë, 2007.
[14] Murad Hofmann, Islam kao alternativa, Zenica, 1996, fq. 26.
[15] Ibid., fq. 26.
[16] Morteza Mottehari, Islam u vremenu, në: Revista Znakovi vremena, vol. IV, nr. 12, fq. 86, ose: http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/149-islam-u-vremenu.html .
[17] Hadithi sipas: Kasim Dobraça, Kloni se zla, Sarajevo, 1974, fq. 99.
[18] Morteza Mottehari, Islam u vremenu, në: Revista Znakovi vremena, vol. I, nr. 4, fq. 124, ose: http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/79-potrebe-vremena.html .
[19] Shih: Enes Kric, Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevo, 1997, fq. 575.