Vdekja e Kadafit si fitore e të gjithëve

Që nga fillimi i revolucionit apo pranverës arabe, në agimet e këtij viti, është vërejtur një tendencë mediatike, por jo vetëm, për t’ia atribuar lëvizjet masive popullore të vendeve arabe boshtit politiko-diplomatik të Perëndimit si iniciatore dhe mbështetëse e tyre. Pas vrasjes së Kadafit dhe fotove të tija të gjakosura që bënin xhiron e botës, një lajm qarkulloi të nesërmen në media në të cilin projektohej vrasja e Kadafit si fitorja e radhës  e Presidentit Obama. Pra, me pak fjalë, me efektin e vet manipulativ që media fatkeqësisht aktivizon sa herë që kollitjet elektorale të politikanëve pararendin një sëmundje pushteti me efekte të pariparueshme, e vërteta transformohet në një të vërtetë të re të personalizuar.

 

I vdekur, Kadafi shëmbëllen të jetë më pak konsensual se i gjallë, kur bëhet fjalë për qëndrimet e diplomacisë perëndimore ndaj pushtetit të tij. Teoria e stabilitetit e cila u mbivendos mbi moralin politik dhe të drejtën demokratike të popujve, ka qenë formula politike e cila u zbatua zellshëm në pothuaj të gjitha vendet arabo-muslimane, në këmbim të mbajtjes nën kontroll të të ashtuquajturit fundamentalizëm religjioz të këtyre vendeve. Ne fakt, kjo përpjekje e qeverive perëdimore, stimuloi despotët dhe despotizmin si një ndër format e fundamentalizmit diktatorial. Pra, në thelb, gjëja e cila dukej më pak e rëndësishme në të gjithë këtë mesele, ishte aspirata dhe vullneti popullor i këtyre vendeve sa kohë që  ndërmjet dy metodologjive fundamentaliste zgjidhej njëra prej tyre si gjoja të vetmet tipare thelbësore të këtyre vendeve.

 

Tani, pas vdekjes së Kadafit, shtrohet pyetja se ku qëndron fitorja e njërit apo tjetrit lider sa kohë që despoti dhe infrastruktura e tij e mbështetur nga këta liderë, ka rënë plotësisht.  Një shtrëngim duarsh i ngohtë mes Kadafit dhe Presidentit Obama në Samimitn e G8-tës në Korrik të 2009 lë përshtypjen e një status-quo-je të admirueshme politike. (http://www.euronews.net/2009/07/10/obama-and-gaddafi-shake-hands-at-g8-dinner/)

Sipas “Fox News”, Kadafi ka qenë i lidhur me Rev. Jeremiah Wright i cili nga ana e tij  ka qenë për 23 vjet babai shpirtëror i Presidentit Obama. (http://nation.foxnews.com/revwright/2011/02/23/qaddafi-has-been-tied-rev-jeremiah-wright) 

Rev. Jeremihah Write se bashku me Louis Farakan në vitin 1984 shkuan në Tripoli për të takuar Kadafin dhe me vone në 1985 arritën të marrin prej tij një financim prej 5 milione dollarësh.  (http://www.wnd.com/?pageId=267361). Për këtë arsye edhe pse pas shumë masakrave që Kadafi po i bënte popullsisë së tij , vetëm kur ishte e pamundur ta zgjaste më, Presidenti Obama më në fund lëshoi në mars të këtij viti deklaratën e tij të munguar mbi lëshimin e pushtetit nga ana e Kadafit.

 

Pyetje të tilla mund të bëhet edhe për faktin së ku qëndrojnë fitoret e Sarkozisë apo Berluskonit me Kadafin dhe pushtetin e tij. Besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm të faktit se, as avionët francezë të Nato-s, as portet italiane dhe as logjistika amerikane e përdorur gjatë këtyre muajve të bombardimeve, do të fshinin ato pazare që këta lider bënin me Kadafin me anë të kontratave dhjetra miliardëshe, apo edhe pritjet pompoze në selitë e tyre diplomatike duke i puthuar duart kolonelit libian.

Zbehja e dimensionit të lëvizjes popullore dhe sakatosja e shpirtit liridashës të popullit arabo-musliman, gjatë kësaj pranvere arabe, është parë pamëdyshje si vazhdim i tezës së shitur prej kohësh se këto vende nuk mund të prodhojnë  demokraci, prandaj natyrshëm edhe nëse ajo (demokracia) vjen, ajo duhet doemos të vijë nga shpikësit e facebook-ut e twiter-it.

Pretendimi i këtyre hartuesve dhe mbështetësve të kësaj teze, bazohet në teorinë e Huntington-it,  i cili në kuadër të përpjekjeve të tija për të vërtetuar teorinë e tij të përplasjes së qytetërimeve, ka theksuar se vendet muslimane nuk prodhojnë demokraci dhe një ndër shkaqet është edhe mungesa e shoqërisë civile. Në të njëjtën gjatësi vale vazhdohet të artikulohet e njëjta tezë, si pjesë e mendimit “avantgardë” në media, duke i zhveshur të gjithë këto rajone nga shoqëria civile.

 

Së pari duhet të sqarojmë se modeli burimor i qeverisjes me bazament religjioz musliman (qeverisja e drejtë e cila për shkak të kolonizimit e diktaturave nuk u aplikua në vendet arabe), një ndër tiparet themelore të tija kishte Ixhtihad-in në çështjet publike dhe politike. Kjo terminologji ka qenë lidhur me ata grupime të njerëzve të dijes (intelektualë ) të cilët në mënyrë të pavarur ndikonin në sistemin e shoqërive ku jetonin. Për këtë ka dëshimi si dhe një pjesë e mendimtarëve perëndimorë pajtohen me këtë fakt. Kështu që teza e mos pasjes së kapacitetit për të ndërtuar demokraci bie poshtë. Fakti që ndërtimi i demokracive në vendet arabo-muslimane ka dështuar, para së gjithash zanafillën e vet e kishte tek deformimi kolonial e postkolonial të qeverisjes së këtyre vendeve të cilat sollën në pushtet diktatorë. Megjithatë, duhet  sjellur në vëmendje fakti se revolta libiane filloi së pari nga shoqata e avokatëve të Bengazit, pra një grupi të shoqërisë civile e cila mori përmasat e sotme të një Libie tashmë të lirë.

 

Prandaj e gjithë historia e revolucioneve arabe  në vetvehte nuk përbën fitoren personale të asnjërit prej liderëve politikë, ajo është fitore dhe meritë e gjithë masës që u ngrit si vetëdije qytetare ndaj shtypjes dhe mjerimit. Përkundrazi individë apo aktorë të gjeopolitikës përpiqen të përfitojnë nga këto ngjarje historike për të ndërtuar identitetet e tyre politike.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme