
Ky fakt përbën një shembull mjaft interesant. Procesi i ndërtimit të shkollave brenda shtetit Osman duket se është zgjidhur së pari në Kosovë. Në një kohë shumë të shkurtër u hapën me qindra shkolla dhe u emëruan mësuesit. Përqindja e frekuentimit të shkollës në Kosovë ishte shumë e lartë. Kjo kuptohet nga gjendja e shkollave, që, pas një kohe të shkurtër, ose u shtua edhe një kat tjetër ose u ndërtuan të reja. Shteti Osman ndërmjet viteve 1877-1912 është përpjekur në maksimum, megjithëse kishte shumë vështirësi, për ta modernizuar arsimin dhe për t’iu përgjigjur nevojave të kohës në të gjithë gjeografinë brenda kufijve të tij. Kështu që për rritjen e cilësisë së arsimit, për modernizimin dhe frytdhënien e tij janë interesuar edhe vetë sulltanët. Pasi vendosën pushtetin e tyre në Kosovë, Osmanët, ashtu siç bënin në të gjitha vendet e tjera brenda kufijve të këtij shteti, së pari ndërtuan xhami dhe, menjëherë pas tyre, mektebe dhe medrese për edukim. Xhamitë ishin institucione edukimi të përgjithshëm. Fëmijët, të rinjtë dhe të mëdhenjtë merrnin mësime fetare në xhami, si: shkencat e Kuranit, hadith, fikh, ahlak, itikat dhe ibadet. Xhamitë, teqetë dhe zavijet në Kosovë janë hapur paralel me shkollat fillore dhe me medresetë. Këto institucione edukimi u përhapën në çdo skaj të Kosovës dhe në to u dërguan mësues për të dhënë mësim. Në Arkivin Osman të Kryeministrisë Turke gjenden afërsisht 911 dokumenta në lidhje me arsimimin në Kosovë mes viteve 1877-1912. Këto dokumente hedhin dritë mbi tema të ndryshme, të cilat mund të rigrupohen si më poshtë: 1. Ndërtim, hapje, rikonstruksion, dhe mbyllje shkollash si dhe pagesa të ndryshme në lidhje me arsimin. 2. Emërimi i drejtorit të arsimit, të anëtarëve të drejtorisë, sekretarit të drejtorisë, të mësuesve dhe nëpunësve të tjerë, transportet, ndërrimi i vendeve të punës, të drejtat personale të nëpunësve, fillimi dhe largimi nga puna, të dhënat e rrogave, të syrgjynosurit, shpërblimet etj. 3. Buxheti i shkollave dhe drejtorive, gjërat e nevojshme, si: libra, mjete kancelarie dhe artikuj të tjerë. Caktimi i mjeteve dhe sigurimi i tyre. 4. Të dhëna në lidhje me publikimet në gjuhë të huaj, libra mësimi në gjuhë të huaj, ndalesat, dokumente aprovimi etj. 5. Nevojat e nxënësve, problemet e tyre, lejet, transportet, regjistrimet, diplomat etj. 6. Lejet e publikimit të librave që shtjellohen gjatë mësimit në shkollë. 7. Problemet e shkollave të pakicave, aktivitetet ilegale të mësuesve Bullgarë, Serbë, Rumunë dhe Rusë që punonin në shkollat e pakicave. 8. Marrëdhëniet e drejtorive dhe shkollave me institucionet e tjera, gjendjet ligjore, ndihmat e tyre të ndërsjellta etj. Deri në vitin 1869, në Prishtinë bëhej mësim arabisht në një medrese. Abdurrahman Pasha prej Prishtine, urdhëroi në vitin 1869 të ngrihej një shkollë. Kështu në Prishtinë filloi edukimi modern i asaj kohe. Shkolla e parë iptidaije në Prishtinë u hap në vitin 1882. Në këto vite, në Prishtinë u hap edhe një shkollë për vajzat. Në vitin 1896 në Prishtinë, në shkollën iptidaije, mësonin 148 djem kristianë, në shkollën fillore për vajza mësonin 60 nxënëse kristiane dhe në shkollën iptidaije hebreje mësonin 70 nxënës. Në vitin 1904 një shkollë iptidaije u shndërrua në rushtije. Po ashtu në vitin 1905 në Prishtinë u hap një idadije dhe u emëruan mësuesit e saj. Nga letërkëmbimet në lidhje me shkollën, kuptohet se në vitin 1908 në Prishtinë ishte e hapur shkolla Darulmuallim. Megjithëse nuk dihet se kur është ndërtuar, rushtija e Mitrovicës është hapur në 1891. Në vitin 1896 në qytet në shkollën rushtije merrnin mësim 80 nxënës, në shkollën iptidaije 111 dhe në shkollën fillore plotësisht 95 nxënës. Në vitin 1903 dhe 1904 në shumë fshatra të Vulçitrinës u hapën shkolla iptidaije dhe këtyre shkollave iu dërguan libra dhe artikuj të ndryshmë shkollorë nga Stambolli. Në vitin 1895 rushtija e Gjilanit ishte e hapur dhe vazhdonte arsimimin. Sipas asaj që kuptohet nga një vendim qeraje, i shkruar në vitin 1906 në Gjilan, një shkollë vajzash ishte e hapur dhe vazhdonte edukimin. Dokumenti më i vjetër në Arkivin Osman të Kryeministrisë Turke në lidhje me Preshevën mban datën 1878. Në vitin 1878 në Preshevë shkolla rushtije ishte e hapur dhe mësuesit ishin në krye të detyrës. Në shkollën rushtije ishin të regjistruar 51 nxënës, në shkollën iptidaije 71 djem e 32 vajza dhe në shkollën fillore 41 nxënës. Nga një shkrim i vitit 1900, në lidhje me buxhetin, kuptojmë se në fshatin Dobroshin të Preshevës ishte e hapur një iptidaije, ndërsa nga vendimi i emërimit si mësues të Behlul Efendiut në vitin 1909, mësojmë se edhe në fshatin Konxhull ishte e hapur një shkollë iptidaije. Dokumentet e para që gjenden në Arkivin Osman të Turqisë në lidhje me çështjet e edukimit në Prizren i takojnë vitit 1883. Ato flasin për shkollat iptidaije që do të ndërtoheshin në fshatrat Lodorofça, Qar dhe Asrije. Një dokument tjetër i përket vitit 1894 dhe është në lidhje me shkollën ortodokse serbe. Në një dokument të vitit 1900, thuhej se për miratimin e diplomave ishte e mjaftueshme që mësuesit dhe mësueset që do emëroheshin në shkollat ortodokse në Prizren dhe Shkup t’i dërgonin diplomat e tyre bashkë me raportin e marrë nga administrata lokale në drejtorinë e edukimit të vilajetit që kështu të kishin lehtësime për aplikimet e metropolitëve në këtë çështje. Fakti se gjendet një dokument që flet për shkatërrimin e shkollës rushtije në Prizren dhe për rindërtimin e saj në vitin 1894, do të thotë se kjo shkollë duhet të ketë qenë hapur para kësaj date. Në vitin 1896 shkolla rushtije ishte në ndërtim e sipër. Po ashtu në të njëjtin vit mbaroi ndërtimi i shkollës. Në shkollën rushtije mësonin 119 nxënës, në katër shkollat iptidaije 278, në 29 shkollat fillore 1093 djem dhe 765 vajza. Ndërsa në Rahofçë, në 3 shkollat e lagjes ishin të regjistruar 50 nxënës myslimanë dhe 15 jomyslimanë. Në vitin 1900 mbaroi ndërtimi i shkollës iptidaije të fshatit Hamidije. Në vitin 1901 në Prizren urdhërohej hapja e Darulmuallim. Në një dokument që i përket vitit 1903 është shtjelluar çështja e emërimit të mësuesit që jepte lëndën e vizatimit në Idadijen e Prizrenit. Në vitin 1905 filloi të bëhej emërimi i të diplomuarve nga Darulmuallim. Në vitin 1908 dërgohet urdhri për rikonstruksionin e shkollës Darulmuallim të Prizrenit ose marrjen me qera të një ndërtese tjetër. Në vitin 1896 në shkollën rushtije të sanxhakut të Pejës mësonin 33 nxënës. Sipas librit të statistikave vjetore, që u botua në 1896, në qendrën e qytetit të Pejës gjendeshin 19 shkolla fillore ku 18 prej tyre ishin për djem dhe 1 për vajza. Në vitin 1898 edhe shkolla Idadije e Pejës numërohet mes institucioneve arsimore. Para se në Gjakovë të hapeshin shkollat moderne, dy medresetë, Medrese-i Xhedid dhe Kebir, ishin aktivite. Viti i hapjes së rushtijes së Gjakovës është 1864. Librat me të cilët bëhej mësim në këtë shkollë, me vite janë dërguar falas nga Stambolli dhe ata që diplomoheshin këtu, e vazhdonin edukimin në idadijen e Shkupit në konvikt pa pagesë. Në vitin 1896 në shkollën rushtije mësonin 120 nxënës, në tetëmbëdhjetë shkollat fillore 1051 djem dhe 358 vajza. Shkolla iptidaije në lagjen Çarshi, në vitin 1904 filloi të mos e përballonte ngarkesën, kështu që prefektura e Kosovës u urdhërua të ndërtojë një shkollë të re ose të marrë me qera një ambient të përshtatshëm për arsimimin e fëmijëve. Shkolla iptidaije në fshatin Punashanko të Gjakovës u ndërtua në vitin 1904.