1. ZËVENDËSIMI PËR HAXH [1]

P y e t j e :

Babai im dhe nëna ime më kanë vdekur dhe nuk e kanë kryer haxhin, a lejohet tash që të caktohet dikush tjetër i cili do ta kryente haxhin në vend të tyre, apo nuk lejohet?

 

Dr. Jusuf el-Karadavi:

P ë r g j i g j e :

Adhurimet (ibadetet) në përgjithsi, sidomos adhurimet fizike -trupore, në parim duhet që njeriu t’i kryejë vet, duke u bazuar në ajetin kur’anor ku thuhet: وَأَن لَّيْسَ لِلْإِنسَانِ إِلَّا مَا سَعَى  - “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar.” [2]) Mirëpo, Allahu i Madhërishëm, me bijarinë dhe mëshirën e Tij, ka ligjësuar dhe lejuar në adhurimin e haxhit në mënyrë të veçantë: që besimtari mund të zëvendësojë për nënën apo babain e tij, si përjashtim nga ky parim i fiksuar. Nëse nuk e ka kryer këtë ibadet (haxhin) ai vet ka mundësi që këtë ta bëjnë fëmijët e tij/saj më pas. Ka thënë i Dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të): “Fëmijët e juaj janë nga fitimi i juaj”, fëmija i njeriut është një pjesë e punës së tij, konsiderohet shtrirje e tij pas vdekjes së tij, siç thuhet në hadith autentik: “Kur vdes biri i Ademit (njeriu), i ndërpritet puna e tij përveç në tri raste: lëmosha e vazhdueshme, dituria e dobishme dhe fëmija i mirë i cili lutet për të”. [3] )

Fëmija i mirë është vazhdim i jetës së prindit të tij dhe vazhdim i ekzistencës tij, së këndejmi lejohet që fëmijët të kryejnë haxhin për babain apo për nënën e tyre, e në qoftë se nuk mund ta bëjnë këtë për ndonjë arsye, atëherë mund ta autorizojnë dikë tjetër që haxhin ta kryejë në emër të tyre. Një grua e kishte pyetur Pejgamberin, (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) - për babain e saj, të cilin detyrimi i haxhit e kishte gjetur si plak të vjetër i cili nuk mund ta përballonte hipjen dhe udhëtimin i vetëm, që pastaj kishte vdekur - A ta kryente haxhin për të? (Pejgamberi a.s.) I thotë: “Po, kryeje haxhin për të!”

Dhe një grua tjetër - siç theksohet në hadithin e Ibni Abbasit (Allahu qoftë i kënaqur me të) - e kishte pyetur Pejgamberin, (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të): “A ta kryente haxhin për nënën e saj, e cila ishte zotuar se do ta kryente haxhin, por kishte vdekur?” Ai i thotë: “Kryeje haxhin për të, çfarë mendon, në qoftë se ajo të kishte borxh, a do t’ia kishe paguar?” Ajo tha: “Po!” Ai thotë: “Atëherë, paguaja, se Allahu është më i merituar që t’i përmbushish zotimin.” Sipas një transmetimi tjetër, thuhet: “Borxhi i Allahut është më prioritar për tu paguar.”

Fëmija, sikur që duhet t’ia paguajë prindit të tij borxhin për çështjet financiare, ai po ashtu duhet t’ia paguaj edhe për çështjet shpirtërore, për çështjet e ibadetit. Pra, vajza ose djali ka mundësi që ta kryejë haxhin në emër të prindit të saj/tij. Kjo është më prioritare dhe më e sigurtë, si mirësi prej tij (fëmijës) dhe besnikëri për të (prindin), ose të paktën duhet të caktojë dikë që ta kryejë haxhin për të (prindin), kështu mendojnë disa juristë muslimanë, që haxhin ta kryeje nga vendi i tij, përkatësisht, nga vendi prej ku është dashur ta kryeje haxhin (i ndjeri), p.sh. nëse ka qenë nga Katari, edhe ai që autorizohet duhet të niset nga Katari, jo nga ndonjë vend tjetër, e nëse ka qenë nga Shami, le të niset nga Shami, e kështu me radhë ... Megjithatë, në qoftë se mjetet finansiare të ndjerit nuk mjaftojnë - nëse haxhi kryhet prej mjeteve të tij – atëherë të shkojë prej ku të jetë e mundur të arrihet kjo...

Nëse fëmija personin për kryerjen e haxhit e cakton prej parave të veta, atëherë mund të jetë prej aty prej ku ka mundësi pagese.

Personi që caktohet për të kryer haxhin për tjetrin, është kusht që ta ketë kryer më parë haxhin për veten e tij, si dhe do të ishte më mirë që personi që e kryen haxhin për tjetrin të jetë vetë fëmija i tij ose një i afërm i tij, siç tregohet në hadithe të Pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të).

 

2. HAXHI NGA SHPENZIMET E TJETËRKUJT [4]

P y e t j e :

Janë disa njerëz bamirësa në këtë vend të cilët me shpenzimet e veta dërgojnë në haxh njerëz nga fisnikëria e tyre në shenjë respekti për ata që nuk kanë mundësi për ta kryer detyrën e haxhit. Çfarë është statusi i këtij haxhiu, haxhi i të cilit është kryer me shpenzime të tjetërkujt?

P ë r g j i g j e :

Ky haxhiu, me lejën e Allahut, e ka shpërblimin e haxhit, mirëpo nuk është sikurse personi që haxhin e kryen me mjetet e veta. Shpërblimi i atij që e kryen haxhin me mjetet e veta është më i madh, sepse e ka kryer ibadetin e haxhit me të dyja komponentet e tij fizike (trupore) dhe finansiare, për dallim prej atij që e kryen e mjete të tjetërkujt, sepse ai haxhin e kryen vetëm me komponenten e tij fizike, andaj shpërblimi i këtij është i përbashkët me personin i cili i ka mbuluar shpenzimet e haxhit, sepse edhe ky i fundit shpërblehet nga Allahu i Madhërishëm dhe haxhi i tij është i rregullt dhe i pranuar.

I këshilloj ata që e kanë kryer haxhin të mos u bëjnë konkurencë atyre që nuk e kanë kryer, duke shkuar vullnetar në shpenzime të këtyre personave, kështu që ua zënë vendin atyre që janë më me përparësi për të shkuar në haxh. Madje duhet ta ftoj që në vend të tij të shkoj dikush që nuk e ka kryer farzin (haxhin), e nëse nuk ka të tillë, atëherë nuk ka gajle mund të shkojë në haxh me shpenzimet e tyre, për derisa nuk e kushtëzojnë që personi të jetë prej atyre që nuk e kanë kryer haxhin më parë. Allahu e di më së miri !

 

3. SI BËHET NIJETI I HAXHIT PER TJETËRKEND [5]

P y e t j e :

Si bëhet nijeti i haxhit për tjetërkend; a duhet shprehur nijetin në secilin vend, përkatësisht, për secilën vepër nga veprat e haxhit, do të thotë: me raastin e veshjes së ihramit të thotë: “Po i përgjigjem thirrjes Tënde o Zot në emër të filanit / filanës”, pastaj me rastin e tavafit përseri e shpreh nijetin, apo i mjafton nijeti vetëm me rastin e ihramit?

P ë r g j i g j e :

Mjafton nijeti i parë me rastin e veshjes së ihramit kur të thotë: “Po i përgjigjem thirrjes Tënde o Zot në emër të filanit / filanës” - pastaj të gjitha veprimet e haxhit shkojnë për atë person (për të cilin u bë nijeti), kështu që nuk është e nevojshme të shprehet nijeti në secilin veprim të haxhit veç e veç. Në namaz nijeti kërkohet në momentin e shqiptimit të tekbirit fillestar (Allahu ekber), dhe pastaj nuk është e nevojshme nijeti të shprehet për secilën pjesë të namazit, po kështu ndodh edhe me nijetin e haxhit tek ihrami.

Por disa njerëz mund të pyesin, nëse një person e kryen haxhin për tjetrin, a ka ai shpërblim për vete? Natyrisht, ai nuk ka shpërblim për haxhin, sepse haxhi është për tjetrin, mirëpo njeriu gjatë haxhit kryen edhe veprime të tjera jashtë veprimeve të haxhit, si p.sh. ai falet në Harem (Qabe) dhe ky namaz është për të jo për atë që i kryhet haxhi, lexon Kur'an në Harem, kryen tavaf vullnetar, jo tavafin ifadeh apo gjërat tjera që kërkohen për haxh, këto veprime pra janë për të, pastaj, bën lutje (dua) Allahut, e përmend (dhikr) Allahun e Plotfuqishëm, të gjitha këto janë për këtë njeri, ndërkaq, veprimet e haxhit janë për personin të cilit i dedikohet haxhi.

 

4. A BËN TË KRYHET HAXHI PËR QETËSIM SHPIRTËROR? [6]

P y e t j e :

A ka mundësi që njeriu të shkojë në haxh me qëllim të qetësimit shpirtësor, nëse ka strese psikologjike, apo vuajtje të veçanta (pasiqë më parë ta ketë kryer haxhin farz)?

P ë r g j i g j e :

Nuk ka pengesë që të shkojë një musliman - apo muslimane - për haxh apo umre, për të kërkuar qetësi shpirtërore dhe rahati të zemrës, veçanërisht nëse e godasin vështirësi e dhembje të cilat ia ngushtojnë shpirtin dhe ia rëndojnë shpinën, mirëpo me qëllim (me nijet) që kjo të bëhet për nënshtrim ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Në parim haxhi është migrim për hir të Allahut, ndërsa njeriu i përgjigjet urdhërit të Allahut të Plotfuqishëm dhe thirrjes së Ibrahimit (alejhis-selam): “

وَأَذِّن فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِ‌جَالًا وَعَلَىٰ كُلِّ ضَامِرٍ‌ يَأْتِينَ مِن كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ  .

“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.” (El-Haxhxh, 27)

لِّيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ ...

“(vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre … “(El-Haxhxh, 28)

Dhe këtë e bën në kuadër të ‘dobive’ (të haxhit), sepse dobitë e haxhit nuk janë të kufizuara vetëm si dobi materiale ose komerciale, por këtu hyjnë edhe dobitë shpirtërore (psikologjike); qetësia e shpirtit dhe rahatia e zemrës kur ai e sheh Shtëpinë e shenjtë, kur i sheh muslimanët nga e gjithë bota, kur ai e sheh këtë tubim madhështor, por qëllimi i njeriut këtë duhet të jetë që këtë ta bëjë për ta kënaqur Allahun e Plotfuqishëm, pastaj këto dobi të vijnë si rrjedhojë, sikur dikush që dëshiron të bëjë tregti në haxh, prandaj nuk ka kundërshtim që të dëshirohet edhe qetësia dhe kënaqësia shpirtërore, kjo nuk është e ndaluar, por kjo duhet të jetë në kuadër të nënshtrimit ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe synimit të arritjes së kënaqësisë Tij, ashtu që të realizohet ibadeti për Allahun e Plotfuqishëm. Pra, nënshtrimi ndaj Allahut dhe adhurimi duhet të jenë qëllime të haxhit, kurse qetësia dhe rahatia shpirtërore të jenë fryt i tyre.

Suksesi arrihet vetëm me ndihmën e Allahut !

 

Përkthim nga gjuha arabe:

Miftar Ajdini

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme