FEJA APO KOMBI ?!

Shumë njerëz kanë rezerva të pa arsyeshme në çështjen e përkufizimit të fesë dhe të kombit, dy nocione shoqërore, jorrallë të ngatërruar aq tepër, sa ti jepen kuptime kundërshtuese ndërmjet njëratjetrës, duke krijuar kështu një betejë në mes dy gjërave që nuk ndeshen fare. Në shumicën e rasteve, ”kombëtarët” mbajnë pretendimin e gabueshëm të përvetësuar nga ideologjia kolonialiste dhe komuniste, se ‘feja na lë të prapambetur’, kur në fakt, faji nuk është te feja, por te mënyra e aplikimit të saj. Siguria e kombit është në fe, me mundësi të përshtatjes së çdo vendi e kohe, ndërsa siguria e fesë është tek Zoti...

Feja është një program i Krijuesit, që u mëson krijesave bazat e besimit dhe mënyrën e jetësimit të atij besimi, duke rregulluar raportet e njeriut me Krijuesin, me veten, me familjen, me shoqërinë dhe me kombin e tij. Anëtari i Këshillit të Lartë në Universitetin Faith, Z.Mustafa Oscan, shprehet se: “Feja është e drejtuar nga besimi dhe është çështje individuale mes njeriut dhe Zotit”. Në përkufizim, feja është: “Marrëdhënia e qenieve njerëzore me Zotin, zotat apo çfarëdo gjëje tjetër që ata e konsiderojnë të shenjtë e hyjnorë ose në disa raste thjeshtë e mbinatyrshme”. Nga një përkufizim i tillë, feja duhet t’i përgjigjet pyetjeve themelore që kanë të bëjnë thellësisht me gjendjen e njeriut nëpërmjet marrëdhënies me të shenjtën, me të mbinatyrshmen apo nëpërmjet përceptimit të natyrës së vërtetë të realitetit. Në kuptimin e zakonshëm, feja shfaqet përmes besimit, ritualizimit dhe përvojës religjioze, që të gjitha këto përbëjnë ushqimin e tij shpirtëror, duke mbështetë fuqishëm moralitetin dhe drejtësinë sociale.

Në fjalorin e sotëm të gjuhës shqipe, për kombin thuhet se është: “Bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psiqik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës”. Parimi i kombësive është njëmendësi që nuk mund të shkelet e të përbuzet, një përfundim i një të kaluare të gjatë përpjekjesh, teorish e dashurishë, me lavde të përbashkëta, me të kaluar të përbashkët e me të ardhme të përbashkët. Kjo ishte teoria e Ernest Renanit për kombin. Studjuesi zviceran Urs Altermat e ka vlerësuar si: “pika përmbyllëse e një të kaluare të gjatë përpjekjesh, mundimesh e terorish”. Baron me “komb” nënkupton “një grup njerëzish që jetojnë në të njëjtin vend dhe të cilët janë të bashkuar për shkak të organizimeve të përbashkëta politike”. Kombi – thoshte Vangjel Korça – është në njohuri shumë e fortë dhe e ngatrruar, në formulim duket e qartë dhe e kuptimëshme, por po të hyjmë në zanafillen historike të saj, vërejm se ngatrrohet si një lamsh që nuk i gjendet filli...

Është thënë e stërthënë se territori, gjuha, kultura, feja, historia apo raca janë faktorë të mundshëm, por jo të domosdoshëm në krijimin e identitetit kombëtar. Për shkollën e të menduarit nacionalist, nuk është feja ajo që dallon njërën qenie nga tjetra, por këtë dallim e bën vendlindja, atdheu, gjuha dhe raca. Nga ky vështrim, ata që gjenden “mbrenda mureve”, u përkasin atyre, kurse ata që janë jashtë këtyre, janë të huaj. Kritere të së drejtës dhe të së padrejtës, të mirës dhe të keqes, të çdo gjëje si dhe njësia matëse e vlerësimit të individit dhe sjelljes së tij në shoqëri, janë vetëm përshtatshmëria dhe interesat kombëtare.

Çdo njeri që adhuron Krijuesin e Tij, pamvarsisht se cilit drejtim religjioz i takon, ka fe dhe çdo njeri që ka gjuhën, traditën, atdheun ka komb. Feja ndonëse ka vende të shenjta, nuk shenjtëron atdheun ku gjenden këto vende as popujt e ati vendi, çfarëdo kombësie që të kenë. Si pjesë e identitetit të njeriut, feja është shumë më e hershme se kombi, që ka si objekt të saj kultin, adhurimin, Hyjin, botën tjetër, shpëtimin e shpirtit, ndërsa kombi ka atdheun, etninë, gjuhën, historinë, kulturën. Feja nuk është e kufizuar në hapësirë dhe në kohë dhe përmban përgjithësisht botëkuptime të pandryshueshme për botën, jetën dhe njeriun, ndërsa kombi është kufizuar në hapësirë madje edhe në kohë. Përkundër fesë e cila e ka zanafillën me krijimin e parë të njeriut, domethënia e nocionit ’komb’, ekziston pas ‘përmbytjes së madhe’, përkatësisht pas pasardhësve të Nuhut (a.s), por nocion i njohur shumë vonë në histori, pas Revolucionit francez, kur dukshëm u shtuan emocionet për flamurin dhe atdheun; u glorifikuan dhe u adhuruan heronjtë kombëtarë; u komponua himni kombëtarë; u theksua shenjtëria e racës dhe e gjuhës franceze; u krijuan ceremone dhe festivale të mëdha kombëtare, të llojit të riteve religjioze; erdhi në shprehje mburrja me historinë franceze dhe besimi në misionin madhështor të kombit francez, dhe të gjitha këto njëra pas tjetrës u shkrinë në kursin e revolucionit. Kështu koncepti i nacionalizmit fitoi popullaritet të vrullshëm dhe i la pas nocionet e lirisë e të demokracisë. Por, në lojën e Fuqive të Mëdha, parimi i kombësive është përdorur si vegël oportunizmi për fitimin e lojës kundrejt njëratjetrës. Thjesht thënë, kombi është një kredo, një shkollë dhe një pseudoreligjion, të cilin Përëndimi e krijoi me qëllim që ta plotësojë vakumin ideologjik.

Mendoj se garancia e jonë kombëtare nuk gjendet te kombet tjera, por në fe, sepse feja na mëson se si ta ruajm kombin. Asnjëherë gjatë historisë nuk ka ngjarë që në emrin e ndonjë feje, të grupohet ndonjë bashkësi e caktuar popullore, që flet një gjuhë të caktuar, në një territor të caktuar. Por ka ngjarë që në emrin e një feje të caktuar, njerëzit të kenë emëruar kombin e tyre, siç është rasi me boshnjakët ose hebrejët. Shumë kombe (etni) mund të kenë një fe, por edhe brenda një kombi mund të ketë pjesëtarë të feve të ndryshme. Hans Küng, President i Fondacionit për etikë globale, shkruante: “Nuk do të ketë paqe ndërmjet kombeve pa pasur paqe ndërmjet religjioneve, as paqe ndërmjet tyre pa dialog dhe as dialog pa e hulumtuar themelimin e religjioneve”.

Të jeshë i pastër dhe i vërtetë në besim, fetar i drejtë, do të thotë të mbashë në vete të gjitha virtytet njerëzore, nga të cilat kanë dobi të gjithë, edhe kombi. Kjo nuk mund të thuhet për kombin, ngase pjestari i një kombi është i ndershmi dhe i pandershmi, intelektuali dhe injoranti, hajni dhe mirëbërësi. Aty edhe pjestari më i ndershëm i tij, mund të jetë i pandershëm ndaj pjestarit më të ndershëm të një përkatësie tjetër kombëtare. Brënda vetes përmban çdo gjë, të mirët edhe të këqinjët, patriotët e vërtetë bashkë me tradhtarët e faqezinjtë. Eshtë shqiptar ai që lufton e flijohet për çlirimin kombëtarë, por edhe ai që përpiqet e saboton popullin e vet për në robëri. Një thënie apo një vepër, edhe pse e shkruar me shkronja e fjalë shqipe, duhet të vlerësohet nga përmbajtja e saj, sepse fjalia, edhe shqip e shkruar, mund të shprehë një të pavërtetë e mund të lëndojë një shpirtë. Cili është ai që do të ndiente kënaqësi poqëse do të fyhej qoftë edhe shqip?

Të thuhet që “feja e shqiptarit është shqiptaria”, është narrative, sepse ‘Shqiptaria’ apo ‘shqiptarizmi’ nuk është fe dhe askush nuk ka pretenduar të jetë e tillë. Thënia e shtrembëruar e Vaso Pashë Shkodranit: “mos shikoni kisha as xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk është thënie objektive, por kishte për qëllim, që të mos bëhen fetë shkak për përçarjen e kombit shqiptar. Shqiptaria është një tërësi kombëtare, të cilës i takojmë ne si komb, por si etni nuk paraqet ndonjë vizion fetar. Shqiptarët duhet ta kultivojnë fenë dhe kombin në mënyrë paralele. Vetë Vaso Pasha e dinte se shqiptaria, nuk e ngop ndjenjën fetare as të atyre që kanë fe dhe ideologji njerëzore. Njëjtë edhe Fishta kishte këtë qëllim kur thërriste: “Ca thonë kam fe, ca thonë kam dinë, njani thotë jam turk, e tjetri latin, do thonë jam grekë, shkaj ca të tjerë,por jena vllazën more të mjerë…”

Sot, për kombin flet shtresa ‘politike’ dhe ‘intelektule’, flasin ‘kombëtarët’, që me mish e me shpirtë veprojnë në ndërrimin e mentalitetit shqiptar, që të tjetërsojnë fetarisht kombin. Ata nuk janë kombëtar, janë armiqt e atdheut e të kombit, që brënda celulës kombëtare e në emrin e “kombëtarizimit”, veprojnë për të na nxjerrë para botës të ndarë e të përçarë, jo si një komb që meriton jetën e vet më vete, por si disa fise, që nuk kanë pasur kurrë bashkim njëri me tjetrin, duke mbjedhur trazira në mesin e vetë shqiptarëve. Për të tillët, Salih Gjuk Dugagjini më 1911 këndonte: “Çili kriht e bana hije,memrrmi zojt ushqej me dije,sod shumë korba thonë jem shqype, si duron e kryet s’jau shtype".

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme