
Njeriu është botë në vete, ani se duket shumë i vogël. A nuk është edhe toka për shtatë qiejt shumë e vogël. A nuk janë shtatë palë qiej e shtatë palë tokë sa një unazë në shkretëtirë për Arshin. Ç'mund të jenë të gjitha këto për Allahun?! Pra, a s'është njeriu një botë në vete?!
Të gjitha botët, në to edhe njeriu, të cilat i krijoi Allahu, janë elemente në një substancë, lëngje të ndryshme në një enë. Ndahen nga njëra-tjetra me kufijt e hollë të natyrës së vet. Dy detra që nuk përzihen me njëri-tjetrin. Por sakaq, këto kufij dobësohen dhe përzihen botrat, ngatërrohen elementet, turbullohet kroi nga stuhia…
Kështu njeriu më nuk mbetet të jetë element në vete, nuk arrin ta dëgjojë zërin e ndërgjegjes, pëshpëritjen e së vërtetës. Tani vjen sërish Krijuesi i botëve dhe i ndanë për së dyti duke i kthyer të gjitha në vend të vet. Kështu vazhdon jeta e botrave derisa t'i ndajë Krijuesi që të mos përzihen më.
Pra, Allahu gjithherë e udhëzoi njeriun në të vërtetën, jo në të vërtetën religjioze, siç mund të mendojë dikush, por në të vërtetën absolute, në atë që është e vërtetë dhe e kundërta e saj është e pavërtetë. Në të vërtetën e qenë reale, në atë se një e një bëjnë dy! Jo në atë 'morale', atë të vërtetë që duhet të jetë e vërtetë sipas dikujt. Edhe pse, e vërteta gjithherë është morale, qoftë matematikore, fizike, filozofike, etike, fetare, e pavërteta është amorale!
Që këndej, Islami ishte ky 'intervenim' hyjnor me katarzë shpirtërore për të kthyer çdo gjë në natyrën e vet: Njeriun në njeri, diellin në diell, zjarrin në zjarr, të vërtetën në të vërtetë, të pavërtetën në të pavërtetë, idhullin në idhull, Zotin në Zot! Thënë më shkurt, Islami si fe e vetme e pranuar nga Allahu Fuqiplotë, hapi një epokë më të ndritshme për mbarë njerëzimin. Fillimi i zbritjes së Kur'anit në Meke dhe përfudimi i zbritjes së tij në Medinë, i dhanë sojit njerëzor atë që s'e patën hise ymetet e mëparshme. Ky mision kaq madhështor iu besua pejgamberit të fundit Muhamedit a.s.
Muhammedi a.s. me ardhjen e tij si pejgamber, ishte i ngarkuar mu me këtë detyrë: t'ua mësonte njerëzve të vërtetën. Ai edhe e bëri këtë dhe ia zbardhi njerëzimit rrugën e jetës. La pas vete trashëgimtarë të denjë për të ruajtur kufijt e të vërtetës duke gjykuar gjithherë me dy dritat e saj Kur'anin famëlartë dhe Sunnetin e ndritur.
Sahabët e Muhammedit a.s. e ruajtën të pastër besimin, dhe e mbrojtën atë nga të gjitha ndikimet e jashtme. Që këndej kuptimi i tyre i Kur'anit dhe i Sunnetit, jo vetëm në çështjet e besimit, por në të gjitha lëmitë e mësimit islam, bëhet masa matëse e mendimeve dhe gjykimeve të gjeneratave pas tyre.
Me përfundimin e gjeneratës së sahabëve, po edhe gjatë jetës së sahabëve me ndikim më të vogël, fillojnë ndikimet e huaja në mendimin islam, kështu që paraqiten edhe fraksionet e para, të cilat i kaluan kufijt e vijëzuar nga Kur'ani dhe Sunneti, dhe dolën me mendime të pabazuara, përballë të cilave s'kishte ç'të bënte Islami veçse t'i refuzonte.
Si imam i dalluar i Ehli Sunnetit, bile një që bëhej me gisht nga ai mes të tjerëve, trashëgimtar i mësimit të tabiinëve të mëdhenj, i sahabëve, në rend të parë i Aliut r.a., "qytetit të diturisë" dhe Abdullah ibën Mes'udit r.a., "depos së saj". Imam A'dham Ebu Hanife r.h. me përgatitje të larta dhe njohuri të thella iu përvesh betejës kundër lajthitësve, për të kthyer të vërtetën në kufijt e saj.
Imam Ebu Hanifja e studijoi aq tepër Kelamin sa që në këtë shkencë, siç tregon ai për vetveten, bëhej me gisht nga ai. Ai nuk e mësoi këtë shkencë vetëm që të bëhej ka ai me gisht, larg kësaj ishte imami jonë i madh, por e mësoi për ta mbrojtur besimin e drejtë të sahabëve, Ehli Sunetit dhe Xhematit. Për këtë qëllim ai shkoi 20 herë në Basra, qendër e polemikave në Kelam në atë kohë, për të demantuar mendimet e gabuara e të mbrapshta të fraksioneve të kaderinjve e të tjerëve.
Imam Ebu Hanifja r.a. e bëri të përhershëm angazhimin e vet në mbrojtjen e besimit të drejtë, besimin e Ehli Sunetit me veprat e tij në këtë shkencë: "El-Fikhu'l-Ekber", "El-Fikhu'l-Ebsat", "El-Alim ve'l-Muteal-lim", "Er-Risale" dhe "El-Vasijjetu", të cilat si kandila të së vërtetës, fije të pashkëputura të litarit të sahabëve, ua la trashëgimi ndjekësve të tij, Ehli Sunetit dhe tërë ummetit, që të shërbejnë si dokumente të shkruara të besimit të gjeneratës së selefit të ndershëm. Dokumente të pamohueshme të së vërtetës gjatë gjithë shekujve.
Nxënësit e Imam Ebu Hanifes r.a., të cilëve u kemi borxh të gjithë muslimanët, filluar nga djali i tij Hammadi r.h. dhe Ebu Jusufi r.h. përcollën librat e Imamit gjeneratë pas gjenerate, sa që nuk mbeti ymet islam që nuk përfitoi nga librat e tij.
Tani më në fund, libri më i rëndësishëm i Imamit "El-Fikhu'l-Ekber" pasi e hapi rrugën e vet, përmes dy përkthimeve të mëhershme, drejt ymetit që me shekuj, në ditë të bardha e të zeza, ndoqi këtë imam të madh, vjen i komentuar gjerë e gjatë, me mjeshtri e maturi, nga Orhan Bislimaj, studiues, i cili edhe pse i ri, me një akribi shkencore hapëron sigurt në bjeshkët e larta të shkencës së kelamit, duke u futur kështu në zinxhirin e gjatë të nxënësve të imamit të tij të madh Ebu Hanifes dhe komentatorëve të mëdhenj të veprës së tij Imam Ebu Lejth Samarkandit, Imam Mulla Ali El-Kariut e të tjerëve.
Më në fund, vepra "Akaidi Hanefij", është vepër që ka lindur në kohën e duhur, ashtu siç lindi në kohën e duhur "Fikhu'l-Ekberi" në duart e Imam Ebu Hanifes r.a. Lindi ashtu si në çdo shekull, në duart e atyre që dinë të kujdesen për të dhe ia njohin vlerën. Atë e kultivuan njerëz të mëdhenj, që tani, s'do mend se përgëzon që do të jetë edhe një njeri i madh ndër ne, autori i ri, komentatori i kësaj vepre të vjetër me përvojë shekujsh.
Në këtë rast, nuk fshehi simpatinë që më fali për autorin ky angazhim kaq i gjerë shkencor. Të them të drejtën, duhet që gjenerata e re t'ia ketë zili: "Këtu le të bëjnë garë garuesit!"- (El-Mutaffifin:26). Njëkohësisht desha të zgjoj tani një dëshirë timen të kahmotshme për t'iu kthyer lavdia e dikurshme popullit shqiptar, që gjatë kohë ndejti ulur në fronin e Shejhu'l-Islamit në shtetin më të rëndësishëm muslimanë të tërë mesjetës e të shekujve të fundit - Halifatin Osman.
Më konkretisht, nuk do të ishte keq që ky libër, po edhe të tjerë me vlerë nga dijetarë të hershëm, të përkthehet në gjuhë të huaja, sidomos arabisht, turqisht e boshnjakisht, që kështu të ishte një nismë për ta nxjerrë popullin shqiptar nga shiriti i kuq i popujve 'importues' të dijes, në një popull 'eksportues' të saj. Mendoj se libri është meritor për këtë që them nëse do ta krahasonim me libra që përkthehen në shqip nga gjuhët e përmendura.
Forumi i të Rinjve Muslimanë, e ndien veten të fisnikëruar nga Allahu xh.sh. që e zgjodhi atë për ta botuar për herë të parë në popullin tonë një koment të gjerë të veprës së imamit, dhe është i gëzuar jashtë mase për këtë.
Forumi i të Rinjve Muslimanë ka projekte të gjera në këtë drejtim, ka bërë përpjekje më të hershme në përkthimin e literaturës hanefiste në akaid, fikh, hadith, të cilat disa janë të botuara në revistën "El-Ahnaf" e disa janë ende në dorëshkrim, andaj e gëzon fakti të ketë një "kader" që do ta nderonte ta bëjë nismën në botën e botimeve me kryeveprën e Imamit të vet, "El-Fikhu'l-Ekber".
Në këtë drejtim, i jemi shumë falënderues autorit, i cili na besoi botimin e kësaj vepre të madhe të tij, dhe nuk na mbetet tjetër veçse t'i lutemi Allahut që t'ia zgjasë jetën, t'ia shtojë diturinë, dhe t'i shtojë studijuesit si ky! Amin!