Mosrespektimi i kritereve dhe rregullave të punimeve shkencore nëpër revistat tona!

Kohëve të fundit por edhe më parë, na erdhi të rastisim shkrime të ndryshme në revista dhe në faqe të ndryshme të internetit që flasin rreth “medhhebeve”, “Medhhebit Hanefi”,  rreth çështjeve të “Akaidit-Besimit”, rreth problemeve që janë krijuar nga zënkat e ndryshme fetare-islame të kohëve të fundit, çofshin të politizuara, dhe të ngjashme. Këtu e atje lexojmë shkrime që edhe mbështeten në burime të ndryshme shkencore, fetare-islame. Ndër ato burime përmenden edhe kryeveprat e Ebu Hanifës, njërit ndër prijësit e filozofisë së tolerancës ndërfetare dhe ndërislame.

Ç'është e vërteta, shkrimi i mirëfilltë shkencor duhet të korrespondoj me rregulla të caktuara të cilat më së miri i shpjegojnë librat që flasin për metodikat e punës shkencore që eventualisht do të botohet në revista të ndryshme, posaçërisht në ato shkencore. Rregullat dhe kriteret e këtyre punimeve kanë një ngjyrë më të theksueshme dhe më precize se sa shkrimet që botohen në revista javore apo të ngjashme. Ndër ato rregulla-kritere më se të nevojshme është citimi i besueshëm i referencave ku bazohet shkruesi. Mosrespektimi i kësaj "konvente akademike" karakterizohet ose si injorancë që do ilaq ose si plagjiaturë që do intervenim të ligjit, e që kjo e dyta, si një ves i keq duhet të dënohet me ligj, dhe nëse një ligj i tillë ende nuk po funksionon, atëherë më së paku këto shkrime dhe vepra, nga lexuesit e përpiktë të shpallën për të “vjedhura”. 

Që të jam kontribuues për shkruesit e mëtutjeshëm, unë, lexuesit këtu dhe shkruesit kudo që janë, do ti bëjë me dije se pesë kryeveprat e Ebu Hanifës janë të përkthyera në gjuhën shqipe nga shkruesi i këtyre rreshtave, në vitin 2000, dhe janë të botuara së bashku me tekstin e tyre në gjuhën arabe. Këto vepra u përkthyen përgjatë një periudhe tejet të rëndë dhe të rëndësishme të kombit tonë, ndërsa zgjedhja e asaj kohe, nuk ishte rastësi. Në fakt, atëherë kur kishte pëlcitur Lufta për Çlirimin e Kosovës, e që, për fat të keq, menjëherë pas saj kishin filluar të vinin njerëz me koncepte dhe botëkuptime nga më të ndryshmet, prej kudo, sidomos nga bota arabe, ata njerëz të papërgatitur, duke mos njohur rrethanat historike të kombit tonë, kur shqiptarët, përveç tjerash, kishin dhënë edhe dijetarë me nam botëror në shkencat islame, ata, sikur me paqëllim kishin filluar të atakonin të kaluarën tonë historike dhe fetare, se kinse këtu nuk paska asgjë të vlefshme islame. Pra, përkthimi i këtyre veprave në atë kohë kur ne i ishim qasur çlirimit të atdheut, kishte një shkas dhe një dëshirë të qëllimshme: Informimi i shqiptarëve mbi atë se Medhhebi Hanefi, i implementuar dhe jetësuar me shekuj në këto treva dhe i ardhur këndej nëpërmes dijetarëve islam osmanlinj, ka brumin dhe mbështetjen shkencore, dhe e dyta, që të bëjë me dije të ardhurit endacak nga vendet e ndryshme se këtu, megjithatë  ka pasur dhe ka njerëz që kanë ditë të kuptojnë fenë islame, e pra, dinë edhe sot. Puna shkencore në ato vite, ishte shumë më e rëndë, më sublime se sa që mund të bëhet sot.

 

Veprat për të cilat po flasim dhe të cilat i kishim përkthyer atëbotë janë:

- el-Alim ve’l-Mutealim

- el-Fikhu’l-Ebsat

- el-Fikhu’l-Ekber

- Risalet Ebi Hanife, dhe

- Wasijetu’l-Imam Ebi Hanife

Më poshtë do të sjelli dy shkëputje nga këto vepra, e para nga Parathënia ndërsa e dyta nga Hyrja e tyre.

 

Nga Parathënia:

... E shkruam këtë parathënie të shkurtër me shpresë që lexuesve shqiptarë do t’u shërbejë si mjet për njohjen dhe kuptimin sa më të lehtë të Ebu Hanifes dhe të shkollës së tij. Siç vërehet edhe nga vet parathënia jonë, temat mbi besimin dhe ibadetet për myslimanin janë tema mjaftë të rëndësishme. Temat në fjalë, në realitet janë pika themelore të botëkuptimit të Ehli-Sunnetit mbi besimin islam.

Këto vepra me një përmbajtje dhe vlerë kaq të madhe dhe kaq të rëndësishme për nga pesha e tyre ishin dhe mbeten të pazëvendësueshme deri në ditët tona. Kur ta kemi parasysh momentin e tanishëm, moment ky të cilin e karakterizojnë në konfuzionet e labirintet e ndryshme, të cilat u krijuan rreth çështjeve të Akaidit, zënkat ideologjike, debatet e panevojshme mbi medhhebet, pakënaqësitë sociale ndër etnike, tronditjet politike të një kohe të pangopur me pasione, themi se këto thesare origjinale shkencore përmbajnë potenciale të mjaftueshme për mënjanimin e të gjitha këtyre faktorëve, të cilët po shkaktojnë ngecjen prapa të shoqërisë njerëzore.

Përkthimin në shqip, të cilin tani e keni në dorë dhe të cilin e kreu me mjaft sukses studenti ynë Mustafa Jetish Bajrami, për nga rëndësia e tij është po aq i madh sa edhe vet shërbimi, të cilin e kryen këto vepra gjatë gjithë historisë.

Jam i bindue se këto vepra do të jenë të bereqetshme edhe për këtë pjesë të Evropës, në të cilën populli shqiptar arriti të triumfojë mbi gjithë atë terror, mbi gjithë atë dhunë të cilën e ushtruan mbi te barbarët e këtij shekulli. Ishin këto beteja rrëqethëse ndër më të ashpëruat, më tronditëset ndoshta të papara gjerë më tani në historinë e njerëzimit. Ishin këto beteja në të cilat populli shqiptar ngadhënjeu bindshëm mbi armikun shekullor të tij.

Paçi Zotin në ndihmë. Atij i besojmë, Atë e adhurojmë dhe vetëm nga Ai kërkojmë ndihmë. Zoti është ndihmëtari më i mirë!

 

Prof. Dr. Ibrahim Emiroglu

Shef i katedrës së Logjikës,

Universiteti Dokuz Eylul,

Izmir, Turqi

 

Nga Hyrja:

Lexuesi, së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe, do të gjejë edhe tekstin në gjuhën arabe. Kjo do të jetë një lehtësim për ata studiues, të cilët do të kenë dëshirë të bëjnë krahasimin e tekstit shqip me atë në gjuhën arabe.

Edhe pse temat e shtjelluara në këto libra nuk  janë të lehta për t’u kuptuar nga lexuesit e rëndomtë, ato janë përthyer me një mjeshtëri të madhe nga përkthyesi i librave, Mustafa Jetish Bajrami dhe i janë përshtatur natyrës së gjuhës shqipe, për çka ai meriton çdo lëvdatë. (Qemajl Morina, Redaktor)

 

Dr. Mustafa Bajrami,

Kryeredaktor i Revistës Shkencore Filozofi-Teologji, AVICENA

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme