Shpalljet e para

Kodra Turi Sina

Jo shumë pas kësaj shenje të jashtme të autoritetit dhe misionit të tij, ai filloi të përjetonte shenja të brendshme të fuqishme, krahas atyre për të cilat kishte qenë i ndërgjegjshëm më parë. Kur pyetej rreth tyre, ai fliste për “vizione të vërteta” që i vinin në gjumë dhe thoshte se ishin “si dalja e dritës në agim.”

Rezultati i menjëhershëm i këtyre vizioneve ishte se vetmia iu bë e shtrenjtë dhe ai shkonte për veçime të përshpirtshme në një shpellë të Malit Hira, jo larg rrethinave të Mekës. Këtu nuk kishte asgjë që do t’u ishte dukur veçanërisht e çuditshme Kurejshëve, sepse halveti kishte qenë praktikë tradicionale mes pasardhësve të Ishmaelit, dhe në çdo brez kishte pasur një a dy syresh që tërhiqeshin herë pas here në një vend të vetmuar, që të kishin një interval të pandotur nga bota e njerëzve. Në përputhje me këtë praktikë të moçme, Muhammedi merrte me vete furnizime dhe i kushtonte një numër të caktuar netësh adhurimit të Zotit. Atëherë kthehej te familja e tij dhe rastiste që, pas kthimit, të merrte furnizime të tjera e të shkonte prapë në mal. Gjatë këtyre pak vjetëve i ndodhte shpesh që, pasi linte qytetin dhe i afrohej strehës së tij të oshënarisë, të dëgjonte qartë fjalët “Paqe pastë mbi ty, O i Dërguar i Zotit”,dhe ai kthehej për të parë ndonjë folës, por askush nuk shihej aty pari dhe dukej sikur fjalët vinin nga ndonjë pemë a gur.

Ramazani ishte muaji tradicional i halvetit, dhe një natë, pikërisht aty nga fundi i Ramazanit, në vitin e tij të dyzetë, kur ishte i vetëm në shpellë, atij i erdhi një Engjëll në formën e njeriut. Engjëlli i tha: “Recito!” dhe ai u përgjigj: “Nuk jam recitues”, me ç’rast, siç tregon ai vetë, “Engjëlli më mori e më mbërtheu në rrokjen e tij gjersa arriti cakun e durimit tim. Pastaj më lëshoi dhe tha: ‘Recito!’ ‘Nuk jam recitues’ – i thashë, dhe ai më mori sërish e më mbërtheu në rrokjen e tij dhe përsëri kur kishte arritur cakun e durimit tim, më lëshoi dhe tha: ‘Recito!’ e unë prapë i thashë ‘Nuk jam recitues’. Atëherë, për të tretën herë ai më mbërtheu si më parë, pastaj më lëshoi dhe tha:

Recito në emër të Zotit tënd që krijoi!
E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku.
Recito; dhe Zoti yt është Më i Begati,
Ai që ia mësoi penën,
i mësoi njeriut çfarë nuk dinte.”

Ai i recitoi këto fjalë pas Engjëllit, i cili atëherë e la; dhe ai tregonte më pas se: “Ishte tamam sikur fjalët të më ishin shkruar në zemër.”Por ai druhej se kjo mund të nënkuptonte që ai ishte bërë një poet i frymëzuar nga xhinnët ose njeri i poseduar. Kështu që u largua nga shpella dhe kur kishte zbritur gjysmën e shpatit të malit, dëgjoi një zë mbi të t’i thoshte: “O Muhammed, ti je i Dërguari i Zotit e unë jam Xhibra’ili.” Ai ngriti sytë nga qielli dhe ja ku ishte vizitori i tij, i dallueshëm por tashmë qartësisht një Engjëll, tek mbushte horizontin dhe i thoshte prapë: “O Muhammed, ti je i Dërguari i Zotit e unë jam Xhibra’ili.” Profeti qëndroi duke vështruar ngultasi Engjëllin; pastaj u kthye me shpinë, po ngado që të shikonte, Engjëlli ishte gjithmonë aty, kaluar horizontit, qoftë nëse kthehej nga veriu, nga jugu, nga lindja apo perëndimi. Më në fund Engjëlli u largua dhe Profeti zbriti rrëpirën e shkoi në shtëpi. “Mbulomë! Mbulomë!”– i tha Hatixhes, teksa shtrihej në minderin e tij, me zemrën akoma duke iu dridhur. E alarmuar, porse prapë pa guxuar ta pyeste, ajo i solli shpejt një gunë dhe ia shtroi përsipër. Por kur intensiteti i frikës të tij kishte rënë, ai i tregoi çfarë kishte parë e dëgjuar; dhe pasi i tha fjalë siguruese, ajo shkoi t’i tregonte kushëririt të saj Warakah, i cili tani ishte plakur e verbuar. “I Shenjtë! I Shenjtë!” – tha ai. “Pasha Atë, që ia ka Warakas shpirtin në dorë, Muhammedit i ka ardhur Namusi më i madh, bash ai që i vinte Moisiut. S’ka dyshim se Muhammedi është Profeti i popullit të vet. Thuaji të mos mëdyshet!” Kështu, Hatixhja shkoi në shtëpi dhe ia përsëriti këto fjalë Profetit, i cili tani u kthye mendjeqetë në shpellë, për të përmbushur numrin e ditëve që i kishte kushtuar Zotit për halvetin e tij. Kur ato u plotësuan, ai shkoi drejt e në Qa‘be, sipas zakonit të tij, dhe kreu ritin e rrotullimeve, pas të cilit përshëndeti plakun e verbër Warakah, të cilin e pikasi mes atyre që ishin ulur në Xhami; dhe Warakah i tha: “Tregomë, o bir i tim vëllai, se ç’ke parë e ç’ke dëgjuar.” Profeti i tregoi dhe plaku përsëriti ç’i kishte thënë Hatixhes. Por kësaj here shtoi: “Do të të quajnë gënjeshtar e të keqtrajtuar, do të të dëbojnë dhe luftojnë; dhe në jetofsha ta mbërrij atë ditë, Zoti e di që do ta ndihmoj kauzën e Tij.” Atëherë ai u përkul drejt tij e i puthi ballin, pastaj Profeti u kthye në shtëpi.

Të siguruarit e Hatixhes dhe Warakas e vijoi një sigurim nga Qielli, në formën e një Shpalljeje të dytë. Mënyra e ardhjes së saj nuk është regjistruar, por kur u pyet se si i vinte Shpallja, Profeti përmendi dy mënyra: “Nganjëherë ajo më vjen si tringëllimat e një zileje, dhe kjo është më e vështira për mua; tringëllimat pushojnë kur vetëdijësohem për mesazhin e tyre. Dhe nganjëherë Engjëlli merr formën e njeriut dhe më flet e unë jam i vetëdijshëm për atë që thotë.”

Herën e dytë, shpallja filloi me një gërmë të vetme, rasti më i hershëm ky i atyre gërmave kriptike,me të cilat fillojnë mjaft prej mesazheve kur’anore.Gërmës i vijoi një betim Hyjnor, për penën që ishte përmendur edhe në Shpalljen e parë si mjeti parësor i mësimit të urtisë së Tij nga Zoti për njerëzit. Kur pyetej për këtë penë, Profeti thoshte: “Gjëja e parë që Zoti krijoi ishte pena. Ai krijoi rrasën dhe i tha penës: ‘Shkruaj!’ Pena u përgjigj: ‘Çfarë të shkruaj?’ Ai tha: ‘Shkruaj dijen Time për krijimin Tim deri ditën e ringjalljes.’ Atëherë pena përshkoi atë që ishte urdhëruar.” Betimi për penën vijohet nga një tjetër, për atë që shkruajnë; dhe ndër ato që ata, pra Engjëjt, shkruajnë në Qiell me pena më të vogla, në rrasa më të vogla, është arketipi qiellor i Kur’anit, të cilit Shpalljet e mëpasme i referohen si recitim (kur’ān)në një rrasë të pacenueshme dhe si libri amzë. Dy betimet pasohen nga sigurimi Hyjnor:

Nūn. Pasha penën, dhe atë që shkruajnë, ti s’je kurrfarë i çmenduri, me hirin e Zotit tënd mbi ty, dhe e jotja do jetë një shpërblesë e padyshimtë; se vërtet, madhështore e ke natyrën.

Pas ardhjes së Mesazheve të para, pati një periudhë heshtjeje, gjersa Profeti nisi të druhej se mos kishte nxitur pakënaqësinë e Qiellit, ndonëse Hatixhja i thoshte vazhdimisht se kjo nuk ishte e mundur. Atëherë, heshtja më në fund u thye dhe mbërriti një sigurim tjetër, e bashkë me të i pari urdhër i drejtpërdrejtë i lidhur me misionin e tij:

Pasha ndriçimin e agimit, dhe natën kur është e prehur, Zoti yt s’të ka harruar e as nuk të urren, dhe e mbramja do të jetë për ty më e mirë se e para, dhe Zoti yt do të të japë e japë, e ti do të kënaqesh. A s’të gjeti jetim e të strehoi, të gjeti mënjanë e të udhëzoi, të gjeti nevojtar e të pasuroi? Kështu që jetimin mos e shtyp dhe lypësin mos e përzë, dhe hirin e begatë të Zotit tënd shpall!

 

Perkthyer nga Edin Lohja

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme