“Kurbani” dhe vdekja e artistit

Me një klimë të shëndetshme opozitare dhe me një look  shlodhës, Kryetari i Partisë Socialiste dhe kreu i opozitës së bashkuar, qëndron përballë disa dhjetëra vizitorëve plot kërshëri, të cilët në një radhë buke të viteve ’80, kërkojnë një autograf mbi librat e sapoblerë që kanë si autor pikërisht atë vetë. Pas një kolane editorialesh në shtypin e shkruar, zoti Rama, shfaqet tani pozant nën petkun e një shkrimtari i cili me “Kurbanin” e tij duket se ka ekzekutuar një periudhë të trazuar opozitarizmi i cili së fundmi është shtrirë në dy formate, së pari në letër dhe së dyti në tryeza konsensusi politik.

 

Kursi i ri politik i opozitës, i paralajmëruar që prej fundverës së këtij viti, duket se është shtrirë më shumë tashmë drejt intelektualizmit dhe sharmit letrar sesa drejt revolucionit dhe luftës guerrile. Me librin e tij “Kurbani”, zoti Rama, në mënyrë të ndërgjegjshme i ka prerë damarët e çdo forme kokëfortësie politike dhe përplasjesh të dhunshme në emër të së drejtës e cila luhatej mes personalizimesh dykahëshe. E gjithë kjo periudhë opozitarizmi Made in Rama është luhatur më shumë midis përpjekjesh të kryesocialistit për t’i treguar vetes se fabula me doktorë është thjesht një mirazh në historinë e fundit politike të shqiptarëve.

 

Në një retrospektivë të aktivitetit gjysëmopozitar deri sa ishte kryetar bashkie dhe më pas opozitar full option me humbjen e zgjedhjeve lokale, autori i librit “Kurbani” ka, le të themi, testuar të gjitha formulat alkimiste me efekt shpërthyes duke lënë pa sendërtuar si rrugë  formulën e artit politik të të negociuarit për të arritur tek synimet dhe objektivat legjitime për çdo opozite. Është ndoshta një rast tipik ku arti si botëkuptim dhe si shprehje e njohjes së të bukurës përmes botës shqisore, nuk gjen rrugë për tek arti i komunikimit, negociimit dhe marrëveshjes. Në përgjithësi artisti si lloj në morinë e tipologjive njerëzore është ai më pak i priruri drejt përkuptimshmërisë së të dhunshmes manifestuar në jetën kolektive, sepse ai supozohet të jetë përçuesi dhe materializuesi i asaj që Platoni thoshte, të së bukurës ideale mbishqisore, në formën dhe shprehjen praktike të saj të paketuar të gatshme për t’u përthithur nga shqisat njerëzore. Në këtë retrospektivë të lëvizjeve politike opozitare të zotit Rama, shohim pikërisht këtë kundërshti mes artistit shumëngjyrësh dhe politikanit gri monokromatik i prirur drejt refuzimit dhe qëndrestarisë pa kompromis brënda një romanticizmi pothuaj donkishotesk.

 

Prandaj edhe përpjekja për t’iu kthyer të së bukurës në politikë përmes së bukurës në art, Rama tani mendon ta bëjë këtë aspak me anë të ngjyrave, rrathëve apo edhe të mbathurave të pikturuara në ballkonet e pallateve të Tiranës, por përmes penës dhe formës kaq shumë trendy sot, atë të librit apo memuareve politike. Por kujdes, në momentin që e bukura kërkohet të shprehët përmes gjuhës së politikës atëhere këtu rrezikshmëria për të mos ia arritur qëllimit është tejet e lartë. Kjo bëhet akoma më e vështirë në momentin kur pala tjetër, kundërshtari politik nuk ka vullnetin apo thënë më mirë ka një koncept tjetër për të bukurën në përgjithësi dhe të bukurën politike. Është pikërisht këtu që hyn në lojë artisti i cili me botëkuptimin e tij mund t’i japë politikës një sens, një hapësirë komunikimi.

 

Po të shohim të gjithë këtë periudhë komunikimi opozitar të zotit Rama, por jo vetëm, dhe të sjelljes së tij politike dhe të gjithë detashmentit që e pason, (pavarësisht të djathtës dhe Berishës të cilët janë subjekt i veçantë studimi) karakterizohet nga vdekja e artistit dhe transformimit të tij  në një bishë politke. Në diagramën tatëpjetëse të arritjeve politike, kryesocialisti  e sheh veten të diskriminuar përmes një komploti politik të kundërshtarit duke e pozuar vetën në krahun tjetër të realitetit. Për të tashmë  gjithçka ka ndodhur është një mbivendosje surreale ndaj asaj që ai kishte konceptuar të ndërtonte. Ai duhet ta dijë mirë  se nëse dëshiron të ndërtosh një vepër,  për më tepër kombëtare siç është edhe realiteti i ri poplitik i një vendi, këtë duhet ta bësh duke u nisur nga premisa të qarta gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi. Është njësoj sikur një piktor në kryeveprën e gjithë jetës së tij të përjashtojë elementët kryesore të ngjyresës dhe këndit, dhe në momentin që e bën këtë, ai nuk është më artist dhe vepra e tij nuk është më kryevepër.

 

Kthimi tek arti pas tufanesh e tallazesh ngjethëse politike, është ndoshta edhe një autokritikë e brëndëshme e pa shprehur e Ramës,  apo thënë më mire një kërkim i artistit të vdekur brënda tij.  Sa më shumë që koha elektorale afrohet, aq më shumë prija për t’iu kthyer së “bukurës” politike është e ndjeshme në të gjithë spektrin e politikës sonë. Dikush mundohet ta bëjë këtë përmes artit të të shkruarit, dikush tjetër përmes artit të punëve publike. Të gjithë duan ta sjellin të bukurën politike në optikën e zgjedhësve përmes metodash, mjetesh të cilat kanë pak ose aspak të bëjnë me artin politik. Në këto dy vjet që pritet të vrapojnë vrullshëm drejt nesh,  gjuha dhe metodika e komunikimit politik ka gjasa të jetë e praruar, e këndshme dhe e prirur drejt zgjidhjesh reciproke, për t’u bërë përsëri kurban në ditën e nesërme të zgjedhjeve.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme