Davutogllu në Gjermani foli ashpër

Ministri i Punëve të Jashtme Ahmet Davutogllu, në lidhje me vrasjet e qytetarëve turq në Gjermani që kanë ndodhur viteve të 2000-ta, theks të veçantë i kushtoi rrezikut të nacionalizmit dhe shtoi se moszbardhja e këtyre vrasjeve që kanë ndodhur në dhjetë vitet e fundit edhe atë në një shoqëri kaq të disiplinuar siç është Gjermania, do të thotë se situata vërtetë është e rëndë.

Ministri Davutogllu, sot qëndroi në shtëpinë turke në Berlin ku mbajti fjalim para qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqatave joqeveritare.

Në fillim të fjalimit të tij Ministri Davutogllu qytetarëve ua uroi festën e muajit Muharem ndërsa më pas shprehu pikëpamjet e tij në lidhje me vrasjet raciste. Në lidhje me vrasjet në fjalë pohoi se secili duhet të mendoj nga aspekti i tij dhe shtoi:

"Me të gjithë autoritetet me të cilat kam biseduar ua kam parashtruar pyetjen. Këtu kemi të bëjmë me dy çështje të tmerrshme. Me të vërtetë këto janë dy çështje të cilat duhet t’i ketë në konsideratë Gjermania dhe të gjithë ne. E para, në qoftë se këto organizata raciste terroriste nuk ishin zbuluar edhe atë në mënyrë krejt të rastësishme ose po të ishin zhdukur të gjitha argumentet, kurrë nuk do ta kishim mundur ta zbulojmë natyrën e këtyre vrasjeve.

Kjo është një gjë aq shumë e tmerrshme saqë na shtyn të hulumtojmë se edhe sa vrasje tjera janë bërë në këtë mënyrë. Duhet të hulumtoni, sepse tregimet dhe rastet që i kam dëgjuar ju detyron juve që të bëni hulumtime serioze. Sot këto çështje do t’i diskutoj edhe me zotëri Wulffin dhe zotëri Westerwellen. Në qoftë se nuk zbulohet prapavija e këtyre rasteve, atëherë të gjitha ato fjalë të mira nuk do të kenë asnjë vlerë. Pas fatkeqësisë në Solingen u mbajtën fjalime shumë të bukura. Mirëpo pasi që solidariteti i treguar dhe premtimet e bëra pas fatkeqësisë në Solingen, nuk nxorën në pah një vullnet të fortë dhe vendosmëri të vërtetë, vitet që pasuan këtyre njerëzve përsëri u shkaktuan kësisoj dhimbjesh. Tani nëse duam që këto incidente të mos ndodhin në dhjetë apo 50 vitet në vijim duhet që këto raste të qartësohen deri në fund".

Davutogllu, tha se askush nuk duhet të mendojë se turqit sot do të veprojnë siç bënë në vitet e 60-ta, do i marrin valixhet e do ikin dhe shtoi: "Ata do të qëndrojnë këtu, këto troje do të mësohen me turqit. Nëse të huajt këtu trajtohen si një tumor që sa më parë duhet të mënjanohet, kjo piksëpari do ta shqetësojë Gjermaninë. Do të prishet paqja mes popujve që jetojnë këtu. Nëse një nejri e vret një tjetër kjo është një konflikt personal. Por nëse një strukturë e organizuar një ideologji sidomos një ideologji nacionaliste fillon të vret njerëz, atëherë kjo paraqet rrezik të madh. Por që të jetë më dëshpëruese, kjo strukturë ka arritur të fshihet plot dhjetë vite. Kjo është shumë më dëshpëruese. Po të kishte ndodhur kjo në një shtet tjetër, 10 vite 20 apo ndoshta edhe 30 vite mund të arsyetoheshin, por nëse kjo ndodhë në Gjermani, shtet që ka sistem të fortë, struktura të forta të sigurimit, një vend që ka traditë shtetërore e shoqërore shumë të disiplinuar dhe funksionale, edhe përkrah kësaj kjo çështje arrin të mbetet 10 vite e pazbulur, atëherë piksëpari autoritetet gjermane duhet të jenë ato që duhet ta pyesin veten se si arriti që kjo gjë të mbetet sekret. A thua vallë kjo strukturë mund të mbetet sekret pa pasur mbështetje nga brenda? Andaj hetimet nuk duhet të mjaftohen vetëm me zbardhjen e vrasësve. Që të sigurohet qetësia dhe paqja e vetë Gjermanisë dhe që të kthehet besimi i qytetarëve tanë që jetojnë këtu, duhet që patjetër të zbulohet edhe prapavija e rasteve".

Ajo që habit më shumë është se familjet e viktimave vite me rradhë janë trajtuar si të dyshuar dhe janë nënshtruar disa testimeve të ADN-së. Dhe këtë gjë dje ia bëra me dije edhe mikut tim të dashur Ministrit për punë të brendshme Friedrichut. Nga kjo fitohet kjo përshtypje: Nëse për këto raste assesi nuk është menduar se mund të jenë vrasje me motive raciste, atëherë kjo nxjerr në shesh një mentalitet racist që është shumë më i keq sesa vetë vrasjet. Nga kjo nënkuptojmë edhe se ka autoritetet kësaj çështjeje i janë qasur sikurse Turqit të jenë popull aq barbar saqë një baba mund ta vretë të birin, një grua të shoqin, dikush mund të bashkëpunojmë me mikun kundër një anëtari të familjes, të gjitha këto janë të mundshme, por assesi nuk është e mundshme që në këtë shtet të ketë vrasje me motive racore. Ky botëkuptim ka qenë prezent deri në atë moment kur kapet kjo çetë raciste dhe tërë kjo si rezultat i një rastësie".

Davutogllu, pohoi se do t’i ndjek hetimet në lidhje me këto vrasje dhe pika e parë e rendit të ditës së vizitës së tij në Gjermani do të jetë kjo çështje ndërsa falënderoi autoritetet gjermane për solidaritetin e treguar dhe për fjalët e tyre të mira, sidomos mirënjohje shprehu ndaj kryetarit gjerman Christian Wulff, i cili u takua me familjet e viktimave, gjest ky të cilin Davutogllu e vlerësoi si shumë të moralshëm dhe si një sinjal i mirë.

Davutogllu njëherit shprehu mirënjohje edhe për qëndresën e familjeve të viktimave. "Me të vërtetë i përgëzoj, dhe që të gjithë këtu para jush i shpall për heronj, ata vërtetë janë heronj, jo vetëm ata që kanë vdekur por edhe ato që kanë mbetur pas tyre, në mënyr dinjitoze vazhdojnë ta mbrojnë identitetin e tyre. Edhe atë asnjëri nuk ka dashur ta lërë këtë vend. E gjithë kjo për ta vërtetuar një gjë: Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Pa marr parasysh se kush dhe çfarë do të thotë ne do të vazhdojmë të jetojmë këtu".

Ministri i Punëve të Jashtme Ahmet Davutogllu, në lidhje me vrasjet raciste të kryera ndaj qytetarëve të huaj në Gjermani, tërhoqi vërejtjen se asnjëherë nuk është shprehur për "terorizëm krishter", dhe se assesi nuk do të pajtohej me ata që përdorin fjalët "teror islamistësh" ose "teror islam".

Ministri Davutogllu, në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve të tubuar në shtëpinë turke, shtoi se gjatë takimit të tij me një nga autoritetet gjermane, ndërsa personi në fjalë ishte shprehur se do të luftojë kundër terorit djathtist si dhe atij islamik. "Ndërsa unë i thash, prit pak, pusho një minutë sepse problemi fillon mu këtu. Ka një orë që po bisedoj me ju. Mos vallë për këta terroristë ju thash se janë teroristë të krishterë apo nacionalistë gjerman? Unë këtu në Gjermani, kam ardhur për t’i ngushëlluar të gjithë ato familje dhe në të gjitha rastet vrasësit i kam veçuar si nacionalistë, me qëllim që të mos shkaktoj ndonjë  përshtypje negative ndaj krishterimit. Ju që në çdo rast përdorni termin terori islamik sa herë që i thoni ato fjalë në zemrat e muslimanëve ngulni nga një shigjetë. Kjo është sëmundje e shkaktuar nga 11 shtatori".

Në varrimin e vajzës turke e quajtur Gizem që ishte në mesin e të vrarëve nga një nacionalist djathtist në Norvegji, kam marr pjesë bashkë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Atje nuk kam bërë asnjë dallim mes Gizemit dhe ndonjë qytetari tjetër norvegjez. Këtu jam takuar edhe me familjen e qytetarit grek të vrarë këtu në Gjermani,  andaj mendoj se duhet të shmangen termat siç është "terori islamik". Tani e tutje nuk do të ulem e të bisedoj me askënd që do të përdorë termet terori islamik apo teroristi islamist. Nga kjo i veçoj gjermanët, i veçoj të gjithë miqtë gjerman. Faji i takon atij që e ka kryer vrasjen. Sidomos kur bëhet fjalë për fenë islame, sidomos kur kemi parasysh se fjala islam do të thotë paqe. Atij i thashë, tani ju vendosni veten tuaj në veten time, po të kisha thënë ky është terori i të krishterëve'. Nëse në fjalimin tim do të kisha thënë se duhet të merrni masa kundër terorit të krishterë, çfarë do të mendonit ju? Si do të ishit ndjerë ju, ja pra edhe ne ashtu ndjehemi'. Nuk flasim me ata që termin teror e përdorin bashkë me fjalën islam. Këtë do ta shpreh në takimet e mia në OSBE edhe në vende tjera. Nëse edhe pas tërë këtyre rasteve, asnjë musliman këto vrasje nuk i ka identifikuar me krishterimin kjo është nga kultura jonë, një gjë e tillë është në kundërshtim me principet tona. Mjaft më me këto fjalë".

Davutogllu foli edhe për veprimet që duhet të ndërmiren në të ardhmen ndërsa në lidhje me këtë me autoritet gjermane ka diskutuar për tre çështje mbi të cilat Turqia dhe Gjermania duhet të bashkëpunojnë; nevoja që vrasjet të hetohen deri në fund, të zbulohen të gjitha prapavijat e tyre dhe se ai beson se disiplina gjermane ka kapacitet që këtë gjë ta bëjë.

Davutogllu shtoi se dëshiron ta shoh këtë vendosmëri, dhe do shohim. Duhet të ndërmerren masa që të tejkalohen traumat e përjetuara në veçanti nga familjet e viktimave dhe në përgjithësi nga e tërë shoqëria turke. Autoritetet gjermane duhet ta vërtetojë se qëndron pas këtyre familjeve. Ne do të jemi pas tyre besoj se edhe autoritetet gjermane do ta bëjnë këtë, së paku kështu na kanë premtuar" – tha ai dhe shtoi se nuk do të lejojnë që familjet e viktimave të mbeten pa mbështetje, do të kujdesen që fëmijët e tyre të shkollohen dhe se gjithnjë do të jenë pranë tyre. "Nuk jeni të vetmuar, as që do të mbeteni vetëm. Jo 50 vite, po edhe 50 mijë vite po të kalojnë juve nuk do ju lëmë pa mbështetje. Askush le të mos dyshojë në këtë."

Çështja e dytë për të cilën foli Davutogllu ishte nevoja e marrjes së masave përmes së cilave parashihet që familjet e viktimave t’i tejkalojnë traumat e përjetuara dhe shtoi se sot Turqia ka mundësi ta bëjë këtë ashtu siç ishte në gjendje që brenda një jave nga Libia të evakuojë 25 mijë qytetarë turq, gjë për të cilën ai, kryeministri Rexhep Tajjip Erdogani dhe afro 400 diplomatë kanë punuar ditë e natë pa bërë aspak gjumë.

Ndërsa çështja e tretë për të cilën foli ai ishte strategjia afatgjate. “Kur përjetohen traumat të këtilla njerëzit ndjejnë dhimbje, nëse këto pas 3 vitesh harrohen dhe kjo gjë nuk bëhet pjesë e një strategjie nuk do të ketë sukses" - tha Davutogllu dhe shtoi: "Duhet që rrënjësisht të ndryshojë ky mentalitet i cili mendon se një turk mund të kryejë çdo lloj vrasjeje por një nacionalist gjerman nuk vret askënd".

Davutogllu në vazhdim tha se edhe pse familjarët e viktimave janë njerëz që në mënyrë shumë të suksesshme janë integruar në shoqërinë gjermane, ai gjatë takimeve me ta ka mësuar se ata janë trajtuar sikur të ishin vetë fajtorët e vrasjeve, situatë kjo që është shumë brengosëse. “Integrimi në shoqëri nuk është proces i njëanshëm, për këtë duhet të angazhohet edhe shoqëria që përbën shumicën e një shteti”- tha ai dhe shtoi "Ne mund të pranojmë gjithçka, por e dimë se turqit nuk i kapë një virus. Këtë le ta dijë gjithkush. Turqit nuk i kapë virusi i përbuzjes. Ne mund të jemi edhe në kushte shumë të rënda, por përsëri dimë të qëndrojmë në këmbë dhe me dinjitet. Gjegjësisht ne për çdo ditë do të mundohemi ta vërtetojmë se jemi integruar, por kur njerëzve tanë që janë integruar u ndodhë ndonjë vrasje atëherë ato trajtohen si të huaj. Kjo nuk është në rregull" – shtoi ai.

Davutogllu, tha se me autoritetet gjermane dëshiron të bisedojë edhe për atë se si do të sigurohet integrimi i dyanshëm, pasi që ato i pret një periudhë edhe më e vështirë, në një vend ku ka kriza ekonomike dhe rritje të papunësisë kas rrezik për rritjen e nacionalizmit, ndërsa gabim i madh është që të mendohet se shkaku i krizave janë të huajt porse ato janë rezultat i ose i qeverisjeve të gabuara ose konflikteve të brendshme. Davutogllu, me autoritetet gjermane ka biseduar për atë se çfarë mund të bëjnë për të parandaluar paraqitjen e atmosferës nacionaliste, "Nëse filloni që të huajt të trajtohen si përgjegjës i krizave ekonomike atëherë duhet ta dimë se para nesh janë hove edhe më të mëdha të krizave."

Ai pohoi se kundër këtyre vrasjeve duhet të tregohet vendosmëri aktive gjegjësisht, "Nuk mjafton vetëm të thoni se unë jam shumë tolerant ndaj këtyre njerëzve porse duhet që në mënyrë aktive të ndërmerrni masa kundër kryesve të këtyre vrasjeve. Sepse kemi të bëjmë me një krim ndaj njerëzisë." AA

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme