Nga ezani muhamedije drejt Alkatrazit kosovar

Më gjashtë prill 1994 fillon një kaptinë e re në jetën time prej të burgosuri. Në mëngjes, rreth orës tetë të paradites, gardiani i Burgut të Prizrenit, me gjysmë zëri, me ndjenjë keqardhjeje, më njoftoi që të bëhesha gati për transferim në Dubravë. Ky ishte fundi i përkohshëm i dëgjimit të ezanit muhamedije nga minaretë dhe rrugëtimi drejt Dubravës, Alkatrazit të Kosovës. Nuk u befasova, sepse një lajm të tillë e prisja. Ishte e qartë se me dënim aq të lartë nuk mund të qëndrohej në Burgun e Prizrenit. Por nuk do të ishte as e shëndetshme të mbetesha aty, sepse qëndrimi prej 16 muaj e gjysmë në izolim, me vizita familjarësh 5-10 minutash nëpërmjet hekurave në mes, pa dritë dielli, ishte i dëmshëm, madje torturues.

Për Dubravën pata dëgjuar thashetheme. Ishte burgu më modern në Serbi, kishte roje të jashtëzakonshme, me kamera, me rend shtëpiak të hekurt etj. Por pata dëgjuar kalimthi se ai burg kishte edhe ca përparësi: dalja në ajër të pastër zgjaste më shumë krahasuar me paraburgimin, kishte mundësi për sport, argëtim, vizita me familjarët ishte më e pranueshme. Por, megjithatë, Dubravën e përcillte njëfarë misteri. Sepse pak kush e kishte parë nga brenda. Zyrtarisht quhej Shtëpi Ndëshkuese-Korrektuese, por të gjithë e thërrisnin dhe e njihnin si Dubravë. Afërsisht ishte rreth 100 kilometra larg Prizrenit, pa lidhje komunikimi publik të drejtpërdrejtë. Udhëtimi kërkonte disa hipje-zbritje nëpër autobusë apo me mjet privat.

 

 

Karantina në Burgun e Dubravës

 

Arritëm para Burgut të Dubravës. Nga automjeti ‘bunker’ i burgut, të përcjellë prej gardianëve, zbritëm disa të gjykuar. Pas disa formaliteteve të pranim-dorëzimit në hyrje, na futën brenda. Ishte hapësirë e madhe brenda mureve rrethuese mbi pesë metra të larta. Na dërguan në depo për të dorëzuar teshat private dhe për të na ngarkuar me uniformën e burgut dhe sendet për fjetje: batanije, çarçafë, jastëkë. Na vendosën në pavijonin, i cili zyrtarisht quhej Pavijoni për Pranim, por nga të burgosurit quhej karantinë. Dhe njëmend ngjante në karantinë. Në dhomë nuk kishte karrige, nuk kishte as të drejtë për ulje në krevat. Po ashtu, qetësia duhej të mbahej në maksimum. Nuk kishte as radio a televizor, as ndonjë gazetë për t’u informuar a për ta thyer monotoninë. Dallonin nga dhomat e paraburgimit në Prizren, sepse dritaret ishin më të ulura dhe mund të shikohej qielli jashtë, i burgosuri mund ta dallonte dritën dhe terrin, lindjen dhe perëndimin e diellit me sy. Tri shujta ushqimi bëheshin në mensën e burgut jashtë dhome. Kishte dy shëtitje prej rreth 60 minutash. Hyrje-daljet dhe lëvizjet bëheshin në mënyrë të organizuar dhe në prani të dy gardianëve të vëmendshëm.

Nuk vonoi shumë dhe qëndrimi im në karantinë u shoqërua me një provokim të rëndë nga ana e magazinierit civil. Duke m’i dhënë rrobat, më goditi me fjalë:

”Përse je ti këtu? (Ende pa arritur t’i përgjigjesha, ai vazhdoi) Ç’i duhet hoxhës të armatoset dhe të luftojë ... ti ke zanat human, më të mirë, përse hoxha të marrë armën në dorë”?! Dukej qartë, çështja ime kishte arritur para meje në Dubravë. Ata e dinin kush isha dhe përse isha. Madje, kishin edhe përgjigje dhe leksione për mua.

Iu përgjigja pa vonuar, i vetëdijshëm se mund të ndëshkohesha rëndë nga uniforma blu e burgut:

“Zotëri, kam provuar të merrem vesh me laps e letër, por me bishat e malit nuk pati sukses lapsi e letra, ndaj mora pushkën”.

Gardiani nuk ua vuri mendjen fjalëve, ashtu i zënë me diçka, apo nuk deshi t’i dëgjonte, ndaj atë herë e kalova lehtë. Më thirri tjetri për firmosjen e ca dokumenteve. Mund ta pësoja, por ndjeva një lehtësi që ia thashë atë përgjigje.

 

 

Dhuna për shkak të namazit dhe bartjes së mjekrës

 

Ditët vijuese në Pavijonin e karantinës për mua qenë tejet me rëndësi. Gardiani serb me emrin Ljubisha më kishte vërejtur duke u falur. E hapi derën dhe më nxori jashtë dhomës, në një kthesë në korridor, të cilën ata e quanin zyrë të tyre. Më kërcënoi se nuk guxoja të bëja veprime të tilla, se kjo gjë ishte e ndaluar, se do ta pësoja rëndë nëse vazhdoja. U përpoqa ta bindja se me ligjet serbe feja është e lirë dhe se nuk ka pengesa ligjore, se edhe në Burgun e Prizrenit jam falur pa pengesa të veçanta. Por gardiani ishte këmbëngulës në JO-në e tij: nuk ka fe në burg. Me kokë gjysmë të ulur heshta dhe pas disa qortimeve, më ktheu në dhomën time. U tregova shokëve se gardiani më kishte kërcënuar për shkak të faljes së namazit, por u thashë se nuk kisha ndërmend ta ndërprisja. Asnjëri prej tyre nuk më tha të vazhdoja, sepse e dinin që çdo shpërfillje e urdhrit ndëshkohej rëndë. Ashtu edhe ndodhi. Sa fillova të falesha herën tjetër, gardiani ia brofi në derë. Më nxori jashtë që të mos kishte dëshmitarë  dhe nisi të më fyente, e pastaj edhe të më godiste e të më shkulte mjekrën. E mbushte dorën me qime dhe e tërhiqte sikur të isha kukull leshi. Më klithte se do të më vriste, do të më lidhte për krevati këmbë e duar nëse vazhdoja. Pas një kohe më ktheu në dhomë. Isha i dërrmuar nga dhuna fizike dhe për shkak të presionit psikik. Më mbeteshin edhe 5 vjet e tetë muaj burg, nëse lëshoja pe në fillim, shumë më i vështirë do të ishte mesi e fundi. Vendosa mos të bëja mashtrime, do të falesha sheshazi. Të nesërmen sërish më vërejtën dhe sërish dhunë fizike e psikike. Disa shokë dhome nga Vushtrria e Kamenica më lutën që përkohësisht ta braktisja namazin, sepse ata nuk po mund të duronin skena të tilla, gjakosje, sharje, ndërsa nuk mund të më ndihmonin. Më jepnin zemër të duroja pak, sepse në repartet e tjera të Burgut të Dubravës do të ishte më lehtë. Gardiani më porositi që nëse edhe njëherë më zinte duke u lutur, personalisht do të ma mbyllte gojën me ngjitës hermetik ‘aero-selotej’ e fashë. Afër tij qëndronte edhe gardiani tjetër, i gatshëm të ndërhynte. Duke e parë se nuk do të ndalesha, filluan të pohonin se gjoja duke bërë lëvizjet e lutjes, u bëja magji të burgosurve të tjerë dhe se ky veprim ishte i ndaluar. I shpjegova me gjysmë force se lutja e myslimanëve nuk është magji dhe nuk ka të bëjë me të tjerët, por është lutje individuale. Lëvizjet e namazit nuk janë lëvizje sharlatanësh, por lëvizje kanonike për të gjithë myslimanët dhe kjo mund të verifikohej fare lehtë. U shpjegova, por ata vazhduan me keqtrajtime. Ndërresat e tjera të gardianëve nuk ushtronin dhunë fizike. Mirëpo një ditë, po ky gardiani Ljubisha më thirri dhe më tregoi se Ministria e Drejtësisë së Serbisë në Beograd, me kërkesë të drejtorisë së burgut, e kishte lejuar lutjen individuale.

Iu përgjigja gardianit se unë e kisha pasur të lejuar, por ai me dëshirën e vet kishte tentuar të më privonte nga kjo e drejtë. Nuk ua vuri veshin shumë fjalëve të mia, por përsëriti se sot e tutje kisha të drejtë të falesha.

Dhuna e gardianit Ljubisha m’u kujtua kur gjykohej në Hagë Ramush Haradinaj me grupin e tij dhe Fatmir Limaj me grupin e tij. Në rastin e parë Lahi Brahimaj, kurse në rastin e dytë Haradin Balaj u dënuan me burg shumëvjeçar se gjoja kishin keqtrajtuar të burgosurit në burgjet e përkohshme në gjendje të luftës aktive. Kur i dëgjoja fjalët e prokurorit, të dëshmitarëve dhe të gjykatësit, më vinte vrer në kraharor, neveri e vërtetë, sepse edhe po të qëndronin pohimet e tyre kundër shqiptarëve të akuzuar, ajo dhunë e shqiptarëve ishte vetëm një hije e zbehtë e dhunës që ushtronte Serbia nëpër burgjet e veta me shqiptarët.

 

 

 

Vazhdon dhuna për rrojtjen e mjekrës

 

Vetëm pas dhunës dhe zyrtarizimit të namazit në kasaphanën e Dubravës, filluan të deklaroheshin dhe disa shokë të tjerë se edhe ata do të faleshin, por do të prisnin edhe ndonjë ditë, të shihnin ç’do të ndodhte me mua. Përpiqesha t’i kuptoja. Nuk ishte e lehtë, sepse mund të pasonin dhuna fizike edhe më e rëndë, ndëshkimet me qeli, ndërrimi i pavijonit apo transferimi nga një burg në tjetrin.

Mjekrën e kisha lëshuar nga viti 1978-1979, për respekt të Muhamedit a.s.. Edhe në dokumente personale isha i fotografuar me mjekër. Burgu i Prizrenit e respektoi pamjen me atë në fotografi zyrtare. Në Dubravë gjatë ditëve të para nuk u përmend mjekra, meqenëse ashtu isha edhe në dokumente zyrtare. Por gardiani Ljubisha dhe kolegu i tij vendosën të më rruanin me forcë. Kërkova ndihmën e pjesës civile të burgut, por ata heshtën. Me dhunë më detyruan të rruhesha. Nuk kisha mjete rroje, i mora hua dhe mjekra më shumë m’u shkul sesa u rrojt dhe u preva fort. Nuk kishte porosi nga drejtuesit, por këtë e bënte gardiani. Me veprime të tilla ata shfrenin sadizmin e tyre dhe shovinizmin serbo-ortodoks. Kjo përzierje e ndjenjave të zvetënuara vërehej në çdo fjalë të tyre, në çdo akt dhune të tyre. Sipas tyre, gjykatësi kishte qenë dorëlirë.

 

 

Pavijoni “C-2” dhe “C-1”

 

I bëra 31 ditë në pjesën që e quanim karantinë. Drejtoria më kaloi në “Pavijonin C/2 – Mbikëqyrje e veçantë”, tipi më i rëndë i burgut. Zakonisht aty vendoseshin kriminelët e rëndë, por në Burgun e Dubravës ky trajtim u bëhej shumicës së të burgosurve politikë shqiptarë. Pas rreth tre muajsh më zbritën në “Pavijonin C/1 – Mbikëqyrje e veçantë”. Dallimi mes njërit dhe tjetrit ishte i vogël, por “C/1” ishte ‘derë’ kalimtare drejt trajtimeve më të lehta.

Jeta edhe në këtë pavijon ishte e rëndë. Zgjimi nga gjumi ishte në orën pesë ose pesë e gjysmë, sipas stinës. Pasonte shujta e mëngjesit, shëtitja brenda shëtitores një orë dhe qëndrimi në sallë të përbashkët për të gjithë të burgosurit. Pas drekës qëndrimi në sallë vijonte deri më tre. Më pas dilnim për sport e kohë të lirë dy herë në javë nja dy orë, sipas vlerësimit të sigurisë nga ana e gardianëve. Deri në orën 21 qëndrimi në sallë të përbashkët ishte i detyrueshëm. Kishte një televizor për të gjithë. Në sallë mblidheshin edhe mbi 80 veta. Luanin shah, domino, dikush lexonte. Nuk ishin të rralla konfliktet mes veti. Ndrydhja, provokimet, ngushtësia e hapësirës, ngarkesat e streset e ndryshme sillnin pasojat e veta. E drejta për vizitë familjare ishte mujore. Por shpesh familjarët nuk vinin dot për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Atë kohë dinari jugosllav përjetonte një zhvlerësim të jashtëzakonshëm. Brenda 24 orësh, në rast vonese, me një rrogë mujore mund të blije vetëm një paketë cigare.

 

Grupimet politike

Kur më vunë në atë pavijon, aty nuk kishte më shumë se 30 veta. Pas dy-tre muajve erdhi grupi i ashtuquajtur “Ministria e Mbrojtjes” e pastaj edhe Grupi i LPRK-së dhe diç pas tyre edhe ish-policia shqiptare e Kosovës. Në një vend të ngushtë u rrasën shumë koncepte ideore, por edhe shumë njerëz të rastit në afera politike. Dy grupe shquheshin: grupi i LDK-së, shumica e të cilëve ishin njerëz të mirë, por pjesa tjetër ishin njerëz kolltukësh që vështirë të pajtoheshin me gjendjen e re prej të burgosuri. Njëri prej tyre, në besim më ka thënë për veten: “Mirë m’u bë, ngaqë kam bashkëpunuar me njerëz të tillë”. Fjalën e kishte për udhëheqësit e tij. Ishin njerëz të verbër politikisht, apo si i quanim në përditësinë tonë, “aminashë” të politikës rugoviane. Ndër njerëzit pozitivë ishin kolonel Zaimi nga Dardana, Haliti nga Prishtina etj.

Grupi tjetër, ai i LPRK-së (Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës) përbëhej nga të rinj, njerëz jo mjaft të shkolluar, por të disiplinuar dhe më të sinqertë. Vërehej zhgënjimi i tyre në ateizëm, zhgënjimi me sistemin e xhaxhit Enver dhe shenjat e para drejt animit nga qendra apo e djathta. Madje, disa prej tyre kishin edhe simpati ndaj fesë.

Jetën në burg ta vështirëson më shumë i burgosuri sesa vetë burgu, qoftë ky edhe tipi “C” i burgut. Janë rrëqethëse skenat banale mes veti, është trazues fjalori i përdorur nga të burgosur të ndryshëm. Por, të gjitha këto kanë një derë: i përdorin njerëzit e ndrydhur dhe kriminelë të rëndë. I përjetoja me vështirësi provokimet e ‘intelektualëve’. Një ditë, gjatë një bisede të tensionuar mes meje dhe një aktivisti të LDK-së, pas lufte funksionar i LDK-së dhe i qeverisë, vërejtjes sime se Kosova në zhvillimin e saj duhet të orientohej nga Lindja dhe nga Perëndimi, duhet t’i përfillte besimet e popullit të saj, m’u përgjigj: “Nëpërmjet nënës Rusi dhe Serbi, Kosova do ta arrijë pavarësinë.” Më iku truri nga kjo çmenduri e tij, më la durimi. Nuk di si kam vepruar; e mbaj mend se u ngrita në këmbë dhe e kapa karrigen. Më penguan shokët që qëlluan në afërsi. Përfundoi më së miri me ca të shara banale. Si ta kuptoja një Adem nga Ferizaji apo Agim nga Kosova, i cili shpëtimin e Kosovës e shihte me Serbinë dhe nga Serbia? Vallë, a mendon edhe sot ashtu ky person? A ka Kosova edhe shumë të tillë?! Ngadalësia e ecjes së pavarësimit të Kosovës është pasojë edhe e këtyre njerëzve.

 

Listat përçarëse

Gjatë verës së vitit 1994 gazeta ditore ‘Bujku’ në Prishtinë publikoi një tekst, në të cilin ishin përmendur emrat e të burgosurve politikë që vuanin dënimin në Burgun e Dubravës. Në mesin e tyre gjendej edhe emri im. Besoj se lista ishte hartuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, sigurisht me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që vepronte në Kosovë. Por, nuk vonoi shumë dhe në gazetë u shfaqën ndryshime. Më brengosi, madje më shqetësoi kur grupet politike filluan të dërgonin listat e tyre partiake. Në to gjendeshin vetëm emrat e grupit të tyre. Ishte për të ardhur keq, jo pse patën hequr emrin tim, por këta njerëz nuk jepnin siguri se nesër do të qeverisnin drejt e mirë. Ajo që e parandieja atëherë, sot mund të shihet në praktikë. Partia lufton partinë, individi e lufton individin, me motive të ulëta dhe me verbëri politike. Sa gjendje e mjerë kur dikush mohon kontributin apo vdekjen e të tjerëve për atdhe, praninë e ideve ndryshe. Statusin tim të veprimtarit politik ma njohu vetë Serbia, Gjykata Serbe, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, KSBE e pastaj OSBE, por nuk ma njohin fanatikët e verbër. I zhgënjyer nga kjo gjendje, as pas daljes nga burgu nuk kam paraqitur asnjë dokument në shoqatat përkatëse për vuajtjet e mia nga regjimi serb nga viti 1981 e deri në fund të vitit 1999.

 

Roli pozitiv i edukatorit

Edhe një çështje ia vlen ta përmend. Në Burgun e Dubravës, në pavijonin C shkruaja. Këtë nuk e bëja fshehtas, por në prani të të burgosurve. Disa më pyesnin se çka shkruaja gjithnjë, çdo ditë, nga shumë orë. U përgjigjesha gjysmë me shaka e gjysmë me të vërtetë: po i shkruaj dashurisë, po i shkruaj familjes, po shkruaj... por ata i habiste shumësia e shkrimit: rreth 10-13 faqe të fletores A 4 në ditë, për dy ditë - dy ditë e gjysmë shpenzoja një fyshtë lapsi kimik. Kjo nuk kaloi pa u hetuar. Një ditë, zotëri Halil Blakaj, edukator i pavijonit C, nga fshati Vrellë, më pyeti se a shkruaja. I thashë: “Po!” E dija se ishte njoftuar nga spiunët shqiptarë. Më tha se nuk kisha të drejtë të shkruaja. Ia ktheva: “Po pse nuk kam të drejtë? Nuk pengoj askënd, nuk shkruaj diç që mund ta rrezikonte jetën e dikujt në burg apo jashtë burgut. Derisa lejohet loja e shahut, dominoja e lojëra të ngjashme, pse të ndalohet shkrimi”. Ai tha se ndalohej, por vazhdoi: “Ma jep tekstin që ta lexoj dhe ta pyes komandantin e burgut”. Kisha përkthyer librin e Mustafa Mahmudit me titull “Allahu xh. sh.”. Edukatori pas disa ditësh më tha se e kishte lexuar dhe nuk kishte vërejtje, por tha se nuk mund të ma dorëzonte. I shpreha mendimin se nuk ishte në rregull. Dhe kur bëhesha gati të dilja nga dera, ai më tha të ndaloja. Ndalova, kurse ai shtoi: “A ke besim te unë?” Pa e ditur se ç’dëshironte të thoshte, iu përgjigja: “Po, kam besim”. Në fund të fundit nuk kisha ç’të humbisja pos asaj që e humba. Më tha: “Nëse më beson, unë do ta dërgoj këtë dorëshkrim jashtë burgut. Le të vijë familja juaj në fshat që ta marrë. Nuk mund ta dërgoj shpejt jashtë burgut. Kjo varet nga shumë faktorë. Do ta nxjerr jashtë kur ta vlerësoj se është momenti i volitshëm”.

E njoftova familjen me një fjalor të shifruar dhe pas vizitës në Burgun e Dubravës, familja e kishte gjetur fshatin dhe e kishte marrë dorëshkrimin e librit.

Vazhdova të shkruaja. Kjo e befasoi edukatorin. Ai kishte menduar se shkruaja vjersha apo ndonjë tregim. Duhet ta pranoj, kjo e vinte në rrezik atë. Megjithatë, edukatori Blakaj e vazhdoi bashkëpunimin edhe më vonë në pavijonin “B”, jo për ndonjë përfitim apo për ndonjë interes tjetër. Për këtë arsye e çmoj gjestin dhe veprimin e tij. Ndër të gjithë të punësuarit shqiptarë në Burgun e Dubravës, kisha bindjen se zotëri Halil Blakaj ishte më i ndërgjegjshmi, më patrioti.

 

 

Pavijoni “B”

 

Një pasdite gardianët lexuan disa emra, ndër të cilët gjendej edhe emri im. Na urdhëruan që t’i përgatisim plaçkat për t’u transferuar në “Pavijonin B”. Ndonëse në Pavijonin B ishte më mirë, megjithatë ndjeva një shqetësim, një stres. Në këtë pavijon gjendeshin rreth 200 të burgosur nga më të ndryshmit, kriminelë të rëndë, trafikantë droge, dhunues, vrasës, psikopatë. Kishte edhe kundërvajtës të tjerë, të rastit.

Morëm plaçkat tona dhe të përcjellë prej gardianëve, në kolonë për një, arritëm te pavijoni “B”. Na thërrisnin emrat dhe numrin e dhomës ku do të vendoseshim. Më vunë me tetë të burgosur, në katin e dytë. Disa ditë vrava mendjen si të largohesha nga ajo dhomë, meqenëse të burgosurit nuk ishin të mirë. Ia shpreha dëshirën dhe arsyen time edukatorit, zotëri Bedri Kuklecit, dhe pa e zgjatur ai ma plotësoi kërkesën. Në këtë dhomë kishte gjithsej gjashtë persona dhe me sjellje më të mirë

Pavijoni “B” kishte më shumë liri, mund të shkoje në sallën me TV, koha e sportit e argëtimit ishte më e gjatë. Kështu shtohej koha që mund ta kalonim në ajër të pastër, nga ora 15 deri në orën 17.45 minuta. Mirëpo, nëse siguria e burgut rrezikohej, të gjitha këto uleshin në minimum. Kishte edhe shëtitje të paradites prej 60 minutash.

Njerëzit që nuk kanë provuar jetën e burgut, sigurisht do të thoshin përse i jap kaq rëndësi shëtitjes? Nuk e vlerësojmë, kur jemi jashtë, në shtëpi dhe nuk shëtisim apo nuk bëjmë sport. E saktë, njeriu që i ka këto mundësi nuk i shfrytëzon, me arsyetim se nuk ka kohë, se puna është e atillë, se ka lënë takime pune. Por për të burgosurin shëtitja në ajër të pastër, sporti dhe argëtimi është më shumë se një shujtë ushqim. Problemet brenda mureve, tensionimi për shkak të mbylljes, zgjimi, fjetja dhe ushqimi me komandë, sjellja e të burgosurve, komunikimi shumë i dobët me familjet bëhen të padurueshme. Shumica e të burgosurve gjejnë prehje me sedativë. Nuk janë të rrallë ata që arrijnë në prag të çmendurisë. Më e keqja, për të tillët nuk kishte kurrfarë kujdesi, përveç sedativëve.

Filluan të shtohen edhe ata që falen. Dikur isha vetëm, u bëmë gjashtë të burgosur që faleshim. Mbanim pastërtinë në dhomë edhe për të pasur mjedis të përshtatshëm për namaz. Kjo ishte edhe në të mirë të shëndetit tonë. Sa më pak pluhur, aq më tepër shëndet.

Kohën e shëtitjes e shfrytëzoja për ecje. Ndonjëherë edhe me dikë që e pëlqente ecjen e shpejtuar. Herë-herë, kur kishim ndonjë bisedë me dobi, na vinte ndonjë kujtim nga e kaluara apo për ngjarjet aktuale politike, ecnim ngadalë.

Kisha mundësi që të shkruaja, natyrisht, me kujdes të jashtëzakonshëm nga organet e rojes. Gjithnjë duhej fshehur. Përligjesha duke thënë se i shkruaja letra familjes dhe shokëve, se shkruaja sa për ta qetësuar veten, apo mbushja fjalëkryqin për ta kaluar kohën më lehtë.

Sërish duhej gjetur mundësia e nxjerrjes së shkrimeve jashtë burgut. U përpoqa të lidhesha përsëri me edukatorin e pavijonit “C”, zotëri Halil Blakajn. Një ditë, kur po vizitonte edukatorin e pavijonit “B”, zotëri Bedri Kuklecin, i dola para dhe e pyeta nëse mund ta vazhdonim bashkëpunimin. I kërkova mendimin e tij se cila do të ishte mënyra më e mirë e nxjerrjes së dorëshkrimeve jashtë mureve pesë metra e gjysmë të larta. Ai më premtoi se do të ndihmonte, shkrimet mund t’ia kaloja nëpërmjet Bedriut. Kjo lidhje veproi për një kohë të gjatë. Në këtë mënyrë kam dërguar jashtë burgut rreth 4000 faqe. Mbi 1000 faqe ua kam dhënë disa të burgosurve që e përfundonin vuajtjen e burgut: Enverit (ish-inspektor i Sigurimit Shtetëror) nga Veterniku i Prishtinës, Xhimshitit (aktivist ilegal, tash në TMK) nga Tususi i Prizrenit. Mirëpo, dy vepra dhe ca shënime më mbetën në burg, sepse transferimi në Serbi bëri që këto të humbisnin bashkë me mbi 30 vepra të botuara dhe me disa gjësende personale.

Këto shkrime, rreth 5200 faqe, gati të gjitha janë botuar deri tash. Shumicën e ka botuar Shtëpia Botuese Logos-A në Shkup, dhe diç më pak Shtëpia Botuese Dituria Islame e BIK-ut në Prishtinë, Shtëpia Botuese Zëri Islam në Prizren. Pjesa e mbetur pritet të botohet gjatë viteve në vijim.

 

 

Si u gjysmëzyrtarizua agjërimi në Dubravë

 

            Si zyrtarët ashtu edhe të burgosurit kishin dëgjuar për mua shumë gjëra, të vërteta e gjysmë të vërteta, por edhe gënjeshtra. Filluan të më pyesnin se si do t’ia bëja agjërimit, i cili po afrohej. Në historinë dhjetëvjeçare të burgut nuk dihej a kishte agjëruar dikush më herët. Së paku publikisht jo. Një plak nga fshati Strellc më tha se kishte agjëruar fshehtazi, por jo haptazi. Drejtoria nuk e lejonte. Iu përgjigja plakut se pa tjetër do të agjëroja dhe publikisht, por nëse do të kisha përkrahje nga shokët, kjo do të bëhej në grupe dhe në mënyrë publike. Dhjetë-pesëmbëdhjetë veta e shprehën se do të agjëronin, çfarëdo qofshin reagimet e burgut. Kërkova bisedë me edukatorin e burgut të pavijonit, zotëri Bedri Kuklecin dhe kryeshefin e edukimit, zotëri Shyqri Sykën. Më pranuan për të biseduar por assesi nuk pranuan legalizim të agjërimit brenda mureve të burgut. Unë i njoftova se ne, të burgosurit, do të agjëronim, por nëse nuk e legalizonin këtë veprim tonin, puna do të vente deri te ndërhyrja e gardianëve. Zgjimi ynë kohë e pakohë nëpër dhoma e korridore të pavijoneve, ecja në gjysmë të natës, do t’i ngacmonte gardianët, e sidomos disa prej tyre, të cilët prisnin rastin më të vogël për të ushtruar dhunë. Kryeshefi nuk pranoi, por megjithatë premtoi se do ta shqyrtonin këtë çështje në drejtori. E pata fituar betejën për namazin, do ta fitoja edhe betejën për agjërimin, kështu i thashë vetes.

Koha kaloi e përgjigje nuk kishte. Natën e ramazanit iu drejtova gardianëve të ndërrimit. Atyre iu shpjegova rastin dhe këmbënguljen tonë për të agjëruar. Drejtoria nuk kishte vendosur asgjë, ndoshta as që ishte njoftuar... gardianët e thirrën kryeshefin në telefon dhe pas disa hamendjeve, kryeshefi iu sugjeroi gardianëve që ta toleronin ngritjen tonë gjatë natës, ngrënien e syfyrit dhe marrjen e bukës së darkës për syfyr.

U morëm vesh me gardianët që ata ta zgjonin një të burgosur në krahun e pavijonit, kurse ai do t’i zgjonte shokët e tjerë, pa e prishur qetësinë.

Kështu edhe filloi. U zgjuam, hymë në sallën ditore dhe hëngrëm syfyrin e varfër: bukë e ftohtë, ndonjë rriskë djathë ose ndonjë lugë marmelatë. Ndonjëherë gjenim edhe ndonjë gotë qumësht nga dyqani i burgut. Por njerëzit ishin të përkushtuar, me dëshirën për të dëshmuar se ne mundemi edhe më shumë. Numri i agjëruesve të rregullt atë vit arriti rreth 15 veta dhe disa agjërues të kohëpaskohshëm. Vitin vijues u bënë rreth tridhjetë, kurse agjërimi i katërt numëronte rreth 60 veta ndër 350-400 të burgosur. Pas vitit 1994 arritëm edhe disa lehtësi në respektimin e të drejtave fetare. Dreka na ruhej për darkë dhe mund të merrej bashkë me darkën, dyqani furnizohej më mirë, nuk shikoheshim aq me sy të mëngjër. Ndonëse shpesh vetëm me një copë buke të thatë dhe ujë, zotëronte dashuria për besimin e tyre, dashuria për traditën, solidarizimi me ata që janë në gjendje edhe më të vështirë se të burgosurit. Në mesin e agjëruesve erdhën edhe nga ata që deri dje ishin kundërshtarë, individë dhe grupe ateiste-enveriste, pa presion dhe pa mashtrim, përballë gjendjes shumë, shumë të vështirë për të agjëruar. Disa patën filluar edhe të faleshin.

 

 

 

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në vizitë

 

Që nga Burgu i Prizrenit, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (KKN) filloi të bënte vizita te të burgosurit politikë. Unë isha ndër të parët në listën e tyre, sepse grupi im ishte i dyti, pas atij që ishte dënuar në Pejë. Ata nuk flisnin për veprën. U interesonte vetëm trajtimi i të burgosurit, kushtet e jetesës dhe kontakti me familjen. Ata nuk kishin fuqi të bënin ndryshime, por ndoshta kishin mundësi të ofronin të dhëna të caktuara në raste të caktuara.

Te KKN-ja shpesh kam bërë denoncime në adresë të Burgut të Dubravës dhe të zyrtarëve të tij, sidomos në adresë të gardianëve. Përfaqësuesit e KKN-së na gjetën edhe në Zajeçar, kur në veçanti na nevojiteshin për kontakt me familjet. Lajmet kthyese të tyre vonoheshin shumë, por së paku regjistroheshin dhe në rast vrasjeje, zhdukjeje apo diç të ngjashme mund ta tregonin njëfarë të vërtete. KKN-ja ishte organizata e vetme që ka mundur të depërtojë brenda mureve të burgut, në sallën e caktuar paraprakisht nga drejtoria, me leje të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë. Ndonëse nuk kishte përcjellës të drejtorisë, e dinim se biseda jonë përgjohej. Megjithatë, sa herë e kam parë të arsyeshme, kam folur. Vizitat e tyre ishin në tre-katër muaj një herë.

 

 

 

Ofertat joshëse për bashkëpunim nga organet shtetërore dhe policore serbe

 

Mozaiku i qëndrimit tim në burg do të ishte i mangët nëse nuk do t’i shfletoja edhe disa kujtime për një kohë të gjatë të ruajtura si “sekrete”. Duheshin mbajtur sekrete, pas pardes, për hir të ruajtjes së njerëzve dhe familjeve të tyre. Megjithatë, disa gjëra mund të tregohen.

Inspektorët serbë vetëm disa orë pas arrestimit, menjëherë pas një rrebeshi dhune, filluan të më ofronin lehtësi e privilegje në rast bashkëpunimi të frytshëm me ta. Premtuan që çdo informatë do ta shpërblenin me lëshime të caktuara. Madje, për informata kyçe ata ishin në gjendje ta kurdisnin edhe një ikje spektakolare. Mirëpo, sa rritej dhuna, aq më tepër dryni i gojës sime fitonte fortësi çeliku. Ofertat serbe nuk pushuan edhe në fazat e tjera. Gjatë pritjes së shkallës së dytë nga Gjykata Supreme në Beograd, u ofrua edhe një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste të Serbisë dhe në shtetin serb, i nacionalitetit goran, me emrin Rexhep Hoxha. Ai ofroi shkurtim të burgut përgjysmë nëse ne do t’i financonim disa aktivitete të tij materiale në shumën prej rreth 30 mijë markash gjermane. Ia vlen të përmendet edhe përfshirja e Kishës Ortodokse Serbe. Nën presionin e Asamblesë Botërore të Kishave (World Council of Churches) me seli në Gjenevë, ndërmjetësuan te Millosheviqi për lirimin tim. Zyra e kryetarit Millosheviq, në emër të gjoja humanitetit dhe bashkëpunimit, e pranoi ndërmjetësimin por kërkoi nga unë që të shkruaja një kërkesë për falje, drejtpërdrejt kryetarit S. Millosheviq. Nuk kishte kushtëzime të tjera. Në këtë kohë pata kryer vetëm 13 muaj dhe më kishin mbetur edhe 83 muaj. Oferta ishte joshëse, duhet ta pranoj, por e papranueshme, sepse krimineli Millosheviqi kurdoherë kishte të drejtën e abulimit – lirimit tim. Përse duhej kërkesa ime, kur ai mund ta bënte këtë gjest mirëkuptimi e humaniteti edhe pa kërkesën time? Sigurisht, për ta reklamuar shpirtmadhësinë serbe, për ta denigruar personalitetin e hoxhës si një leckë të pavlerë për kusur, për të shitur demokraci se si Serbia e fal një hoxhë edhe pse na qenka kriminel ordiner i rrezikshëm. Të gjitha këto dhe të tjera i peshova mirë nga dita e enjte, kur m’u komunikua kjo ofertë nga persona zyrtarë të shtetit serb, deri ditën e hënë dhe në fund mora vendimin përfundimtar: JO!, nuk e dua lirinë që do të ma kushtëzojë lirinë për gjithë jetën. Nuk e dua lirinë nga krimineli Millosheviq, sepse në këtë vend, në burg, isha për shkak të prirjeve të tij prej krimineli, e jo për shkak të prirjeve të mia prej krimineli. Nëse në tërë këtë lëmsh dikush do të duhej të kërkonte falje, ai ishte vetë Millosheviqi e jo unë dhe asnjë shqiptar. Do ta vuaja dënimin, i bindur se ndihma e Zotit do të më ndihmonte të bëhet si është më mirë. Këto oferta vazhduan edhe më vonë, kësaj here nga avokati serb prof. dr. Jovan Buturoviq, ish-kryetar i Gjykatës Supreme Ushtarake të Jugosllavisë. Ky ekspert juridik serb, kundërshtar ideor i Millosheviqit, kërkoi leje që në emrin tim ta shkruante një kërkesë për falje drejtuar Millosheviqit, por e refuzova menjëherë. Të njëjtën kërkesë ky person me ndikim ia drejtoi edhe familjes sime, gruas, madje edhe pa dijen time, pasi e kisha refuzuar. Përgjigjja e familjes gjithashtu ka qenë e prerë: ‘Ne nënshkruajmë vetëm atë që e nënshkruan Nexhati. Asgjë më shumë’.

Kishte edhe oferta të tjera, më pak apo më shumë joshëse, por të gjitha kishin një prapavijë të errët dhe diskredituese.

 

 

Jehona e burgosjes

 

E kam të vështirë të flas për jehonën e arrestimit, të burgosjes dhe gjykimit tim e të shokëve të mi. Ishte e pamundur ta përcillja këtë temë nga qelitë e ndryshme të burgjeve, po edhe ka humbur një pjesë e dokumentacionit me kalimin e kohës. Shtypi shqiptar në Kosovë e shpërfilli burgosjen e grupit tim, sepse çdo aktivitet me shenjën “islame” nuk pranohej publikisht. Thjesht, e mbuloi më tepër si lajm dite, jave e muaji, por jo si problem që duhej zbërthyer. Më tepër i jepej hapësirë deklaratës së prokurorit, gjyqtarit, sesa zbërthimit të thelbit të problemit. Madje e quanin të dëmshme, sepse grupi përbëhej prej imamëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, besimtarë praktikues. Opinoni intelektual e politik shqiptar së paku publikisht e injoronte çdo gjë islame, madje distancohej prej petkut islam.

Edhe vetë shtypi i Bashkësisë Islame i asaj kohe, ‘Dituria Islame’, nga frika se mos akuzoheshin për përfshirjen në këtë ‘aferë’, mezi e ribotuan një shkrim të javores ‘Zëri’ të asaj kohe që fliste për arrestimin e grupit tim. Mendoj se kjo ishte pak. Nuk mjaftonin deklaratat gojore të shprehura nëpër oda apo tubime të izoluara. Nuk dyshoj në dhembjen e kolegëve, në keqardhjen e tyre që ne, një grup myslimanësh, gjendeshim në burg, por keqardhja është shumë pak për ta përkrahur një grup njerëzish që sakrifikuan veten, familjen dhe një rreth të gjerë njerëzish. Keqardhja nuk mjafton për ta ngadhënjyer një Serbi. Në fund të fundit, keqardhja është shkalla më e ulët e besimit (... dhalike ed’afu’l-iman). Nga disa mijëra faqe shkrime që prisnin dritën e diellit, shtypi i Bashkësisë Islame mezi i botoi dy-tre shkrime të karakterit shkencor e fetar gjatë tërë kohës së vuajtjes së dënimit.

Kthesën në shpërthimin e këtij muri të hekurt të heshtjes, paprimtas e bëri një letër dërguar familjes. Si ndodhi që letra të shkruhej dhe të dërgohej jashtë mureve të burgut? Avokati më bëri një vizitë në burg. Personeli i burgut e kishte njoftuar se klienti i tij, d.m.th. unë, kishte probleme me shëndetin. Ai më pyeti dhe i fola për hipertensionin, aritminë, spondilozën, ishiasin, kurse mjekimi ishte tejet i varfër. E porosita që këtë informacion mos ta bënte publik, madje mos t’i tregonte as familjes sime, së cilës ia kisha fshehur për ta kursyer. Qëllimisht apo jo, e kishte njoftuar familjen që kisha probleme të rënda me shëndetin. Me të dëgjuar, të tronditur, erdhën në vizitë jashtë planit. Arrita disi ta bindja gruan se çështja nuk ishte aq serioze, për ta qetësuar familjen. E pashë se gruaja doli nga salla e vizitës gjysmë e bindur. Vendosa t’u shkruaja një letër edhe për nënën, për rrethin e gjerë familjar, por edhe të mbetej një rrëfim autentik për dhunën serbe të asaj kohe nëpër burgje. E dorëzova në procedurë të rregullt për censurë edukatorit, zotëri Bedri Kuklecit. Ai u prish në fytyrë nga përmbajtja e letrës: “Aman hoxhë, do të më largojnë nga puna nëse drejtoria merr vesh se e kam lëshuar këtë letër të dalë nga burgu. Zhduke letrën”. E tërhoqa letrën dhe e zbuta tonin një çikëz. Sërish ia dorëzova dhe pas leximit sërish edukatori e refuzoi. Pas shumë bisedash, më në fund i thashë: “I nderuar edukator: Nëse drejtoria merr vesh gjë për letrën, ju mos e merrni përgjegjësinë e saj. Ju nuk dini gjë për letrën. Unë do të them se e kam dërguar fshehurazi. Kaq”. Zotëri Bedriu e kaloi letrën. Kishte arritur në shtëpi për tre ditë dhe i kishte tronditur gruan, nënën, familjen, po aq i kishte trazuar edhe miqtë e ndryshëm në Prizren e jashtë. Me kërkesë të zotëri Adnan Ismailit, familja e dërgoi në Shkup nëpërmjet faksit. Letra kishte marrë botën. Ishte përkthyer dhe botuar në revistën Liljan në gjuhën boshnjake, në gjuhën arabe në disa gazeta të Sirisë, Jordanisë dhe Libanit, në gjuhën angleze, pastaj turke; me fjalë të tjera, në dhjetëra gazeta e revista nëpër botë. Në gjuhën shqipe e ka botuar Hëna e Re, Albania në ShBA, e në fund edhe Dituria Islame. Kishte ndikuar që të sensibilizohej opinioni mysliman e paqedashës në botë. Po e riprodhoj letrën.

Kjo letër i sensibilizoi edhe disa qarqe të tjera. U dha forcë, së paku kështu mendoj unë, të dilnin nga izolimi dhe heshtja. Kështu, Sh.B. Logos-A, më 1997 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, organizoi një tubim ku ishte folur për rahmetli Muvehid Hebibin me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij dhe pjesa tjetër i ishte kushtuar jetës dhe veprës sime. Referues kishte qenë Husamedin ef. Abazi, kurse tubimin në emër të familjes e kishte përshëndetur edhe gruaja ime. Në atë tubim, sipas rrëfimit të bashkëshortes, qenë tubuar njerëz të shumtë nga vende të ndryshme nga Maqedonia, e për familjen në atë kohë ishte një përkrahje morale kundrejt vuajtjeve, kërcënimeve dhe shantazheve që u bënte sigurimi shtetëror serb, por ishte përkrahje edhe kundrejt shpifjeve të disa elementëve turbullues brenda organizatës sime dhe brenda profesionit tim.

Me këtë rast ishte bërë edhe promovimi i veprës Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane, Shkup, 1997, 102 faqe. Ky libër për herë të parë, seriozisht, rrëzon tezat e paqëndrueshme të historiografisë shqiptare se të parët tanë qenë katolikë, tezë kjo shumë shpesh e përfolur nga romantikët tanë e deri sot, por tezë që qëndron në këmbë të qelqta, me qëllim të paraqitjes së Islamit si trup i huaj ndër shqiptarët, dhe i imponuar me dhunë.

Sensibilizimin e opinionit e kishte zgjuar edhe emisioni dokumentar që kishte përgatitur dhe realizuar zotëri Gafur Zharku me bashkëpunëtorë për televizionin TV Toska, i cili ishte transmetuar disa herë në televizione lokale në Maqedoni e më gjerë. Sidomos u kishte pëlqyer recitimi i një poezie (pa ndonjë vlerë artistike, por plot sinqeritet dhe emocione) nga djali im, vogëlushi Fatihu, i cili atë kohë nuk ishte më shumë se 5 vjeç.

 

 

Mërgimi

 

E kam babin në mërgim

Kur m’merr malli ia puthi fotografinë

Herë-herë në ëndërr m’paraqitet

Ah, zemra ime shumë mërzitet !

Babi, hajde sa më shpejt

Nëna në dritare të pret

Unë të pres n’fund t’oborrit

Motra t’mbush ujë t’ftohtë prej kronit.

_________________

 

P.S.:

Qëndrimin tim në burg familjarët ua kanë shpjeguar fëmijëve si qëndrim në mërgim, prej nga babi do t’u sjellë shumë dhurata, do t’u ndërtojë shtëpi të bukur, do t’u blejë lodra të bukura etj. etj. Më vonë, kur ata janë bërë diç më të mëdhenj, u kanë dhënë informacionet e plota.

 

 

Për këtë program televiziv dëgjova edhe nga një i burgosur në Dubravë me prejardhje nga Tetova, e të cilin për këtë ngjarje e kishte njoftuar familja e tij, duke i thënë se në burg e ke një hoxhë nga Prizreni. Ky program ishte shfaqur edhe në televizione fqinje të asaj kohe e në Shqipëri.

Veçan do ta theksoj hapësirën që i kishte kushtuar burgosjes sime televizioni prestigjioz nga Turqia Kanali 7, ku për bashkëbisedues në program direkt (canli) ishte miku i vyeshëm nga Shkupi hafiz Adnan ef. Idrizi, i biri i hafizit të famshëm Idris efendiut, hoxhës së njohur nga Shkupi, që ndërroi jetë më 17 nëntor 2005. Nga ajo që kam shikuar pas daljes nga burgu nëpërmjet video-kasetës, zotëri Adnani kishte sqaruar gjerësisht arsyet e burgosjes dhe esencën e letrës, dërguar nga burgu.

 

 

 

Vizita e kolegëve të zyrës së Bashkësisë Islame në Prizren

 

Një ditë, befasisht, gardiani kujdestar më ftoi të përgatitesha për vizitë në drejtori. Mendja më shkoi në dy-tri gjëra: ka ardhur ndonjë avokat, ka ardhur ndonjë vizitë e padëshirueshme e njerëzve të UDBA-s, sepse kurrë s’u kënaqën me atë që nxorën, apo edhe dikush ka mundur të spiunojë dhe drejtoria bën hulumtimet e veta. Sidoqoftë, u bëra gati të ballafaqohesha me të gjitha të papriturat që mund të më godisnin nga jashtë mureve të larta të Alkatrazit të Dubravës. Gardiani më pëshpëriti se për vizitë kisha disa kolegë. Vallë kush ka mundur të vinte? U hap porta kryesore, më kontrolluan në zyrën e hyrje-daljeve dhe i përcjelljë prej gardianit shkova në drejtim të ndërtesës së drejtorisë. Më prisnin kolegët e zyrës së Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren: Haxhi Hasani, kolegu më i vjetër, Miftar Ajdini, kryeimam dhe Ali Vezaj, kryetar i ri në organizatë. Gjatë bisedës ishte i pranishëm edhe Shyqri Syka nga Peja, kryeshef i edukimit në Burg. Biseduam afër gjysmë ore, nuk e di saktë. U tregova se si e kaloja jetën brenda 24 orëve. Edhe ata më njohën me problemet kryesore që e përcillnin organizatën. U ndamë me shpresë se do të vinte dita që të bashkoheshim. U përshëndetëm ngrohtësisht.

Sipas informatave të familjes, kërkesa zyrtare e kolegëve të Bashkësisë Islame për vizitë kishte pritur për përgjigje rreth 7-8 muaj. Thjesht, drejtoria nuk ishte e gatshme të pranonte parinë e fesë islame për vizitë kolegut të tyre. U lejuan edhe me një rast tjetër, por hollësitë e saj i kam harruar.

Kolegët më kishin sjellë edhe ca gjësende. Kryeshefi i lejoi ndonëse tejkalohej sasia prej 8 kilogramëve sa lejoheshin të futen në burg. Gardiani kujdestar filloi t’i shënonte në librin e pavijonit. Pa e përfunduar punën, gardiani ngriti kokën dhe më pyeti kush ishte në vizitë, sepse paskan sjellë përtej kilogramëve të lejuar. I tregova se ishin kolegët e punës. Gardiani menjëherë komentoi: “Aha, po, feja jote thotë që të tjerët të vriten!” Më erdhi rrotull ndërtesa. Si mund të fliste një njeri zyrtar kështu? Iu përgjigja pa vonuar: “Zotëri, feja ime nuk thotë të vriten njerëzit që nuk besojnë si unë, por thotë kështu (duke ia parafrazuar një ajet kur’anor): Nëse sulmohet feja juaj dhe pragu i shtëpisë suaj, ju luftoni ata ...! I shtova edhe këtë: “Unë nuk kam bërë tjetër gjë, pos që jam përpjekur të mbroj fenë time dhe shtëpinë time. Por, i nderuar, do të kisha pasur dëshirë sikur të vinit në dhomën time, që para shokëve të bisedonim për këtë çështje”. Heshti, u gjet i papërgatitur dhe më në fund tha: “Jo jo, tek ashtu fola”.

Kohë më parë në një libër të dr. Rexhep Doçit pata lexuar se disa familje në rrethin e Pejës qenë konvertuar nga shqiptarë në serbë ortodoksë si pasojë e dhunës sistematike ortodokse pas viteve 1912. Një nga ato familje ishte edhe ajo e gardianit në fjalë (që tash ia kam harruar mbiemrin). Mendoj se qëndrimi i gardianit ishte hakmarrje ndaj meje, sepse kolegët e tij serbë e malazez e quanin “shiptare”. Megjithatë,  edhe kjo kaloi pa pasoja më të mëdha.

           

 

Allahu i madhërishëm thotë:

“Luftoni në rrugën e Zotit – kundër atyre që luftojnë kundër jush, por mos tejkaloni kufirin! – Se, Perëndia, nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Vritni ata kudo që t’i gjeni dhe i dëboni prej vendeve ashtu siç ju dëbuan ata juve. Se keqpërdorimi është më i rëndë se vrasja. …! Por, në qoftë se ata heqin dorë (nga të këqijat), atëherë Perëndia me të vërtetë është mëshirues dhe fal. Luftoni ata deri sa të zhduken ngatërresat dhe deri sa të bëhet besimi vetëm për Perëndinë! E në qoftë se ata heqin dorë (prej ngatërresave), atëherë s’ka armiqësi, përveç atyre që kanë tejkaluar kufirin.” (Kur’ani, El-Bekareh, 190-194).

 

           

 

 

Kontakti me Ukshin Hotin

 

“Shumë ...izma më zhgënjyen, shumë shokë më mashtruan, vetëm Islami më ka mbetur pa e njohur. Shpresoj që Islamin ta njoh pas daljes nga burgu!” (Ukshin Hoti)

             

Për Ukshin Hotin pata dëgjuar shumë herët. Sidomos më 1991 kur e burgosën me grupin e tij.  Konceptet e tij ideore nuk më pëlqenin dhe ai në atë kohë mbante poste politike e shoqërore, nuk ishte lehtë t’i afroheshe. Kishte qëndrime shekullariste europerëndimore, me ndikim judeo-kristian. Ky ishte arsimimi i tij si dhe i shumë intelektualëve shqiptarë të asaj kohe. Kontaktin e drejtpërdrejtë me të e pata në Burgun e Dubravës. Ai ishte në pavijonin C, kurse unë në atë B. Nga dritarja ia bëja me dorë. Njëherë, duke dalë nga objekti i Pavijonit C, Ukshini rrëshqiti në shkallë dhe u lëndua. E dërguan te mjeku. Më pas mësova se kishte thyer krahun. Më erdhi keq, sepse në atë kohë, shëndetin e kishte  disi të rënduar. Më dukej i trazuar në shpirt. Deshi fati që në tre raste të kishim vizita nga familjarët së bashku. Rrugës për në pavijonin e vizitave ndërruam disa fjalë për shëndetin por edhe për kohën, për shokët.

Nëpërmjet një shoku nga kuzhina e burgut një ditë më kishte dërguar një letër ku më dëshironte shëndet dhe më thoshte se problemet kryesore i kishte jo me serbët, por me disa shqiptarë nga radhët e partive me të cilat kishte bashkëpunuar. Më kërkonte ndonjë libër për lexim, sidomos të natyrës politike dhe filozofike. I ktheva përgjigje nëpërmjet së njëjtës lidhje dhe i dërgova disa nga librat që më kishin qëlluar dhe që i kisha të lirë.

Pas një kohe sërish më shkroi, më falënderoi për librat e dërguar. Më shprehej për problemet në Pavijonin C. I dërgova edhe disa libra, midis tyre librin Historia e filozofisë islame nga autori M. M. Sharif. I dhashë një afat prej dy javësh për lexim, sepse librat më duhej t’i ktheja në vizitën vijuese. Në letrën e tretë që më dërgoi, u ‘ankua’ për afatin e shkurtër prej dy javësh, sepse veprat kishin vëllim por edhe nivel të lartë dhe kërkonin kohë për t’i lexuar dhe analizuar. Më falënderoi për këtë ndihmë dhe u shpreh afërsisht me këto fjalë: “Shumë ...izma më zhgënjyen, shumë shokë më mashtruan, vetëm Islami më ka mbetur pa e njohur. Shpresoj që Islamin ta njoh pas daljes nga burgu!”

Iu përgjigja në letrën sekrete që nëse do të kemi jetë, do të kemi kontakt dhe rast të bisedojmë dhe ta njohim Islamin në kuadër të vlerave të përgjithshme. U takon juve të përcaktoheni për të ardhmen tuaj. Nuk vonoi shumë, e Ukshini do të shpërngulej nga Burgu i Dubravës. Mësuam më vonë se ishte vendosur në Nish, ku ende kishte edhe disa djelmosha nga rasti i Paraqinit. Punonte në rrobaqepësi. Por pas fillimit të luftës në Kosovë, siç mësuam të gjithë, Ukshinin sërish e sollën në Dubravë. Më 16 maj 1999 i përcjellë prej zyrtarëve serbë kishte dalë nga burgu, por për të mos u kthyer kurrë në shtëpi. Morëm vesh se ai ishte zhdukur, nuk dihej ku e kishin vrarë apo ku ndodhej trupi i tij. Kjo është enigmë edhe sot.

Në letrën e tretë dhe të fundit, shprehte një shkëputje të prerë nga idetë e tij të deriatëhershme. Ai ishte zhgënjyer nga të gjitha ideologjitë, nga të gjitha rrugët e deriatëhershme. Thjesht, ai shpresonte që pas burgu ta njihte Islamin dhe të gjente pushimin shpirtëror në të. Nga ky kënd, nga kjo kohë, e lus Allahun që t’ia falë mëkatet dhe ta vendosë në mesin e njerëzve të merituar, sido që të ketë mbaruar jeta e tij dhe kudo që tash gjendet.

 

  

Ukshin Hoti: 16.05.1999, në Dubravë

(Burimi:http://www.hrw.org/campaigns/kosovo98/photo/underorders/pages/pg245.htm)

 

Nuk di a ishte dhe sa ishte mysliman. Është çështje e brendshme e tij dhe e njerëzve që e njohën nga afër në atë kohë. Unë nuk e pata atë fat. Por, e di që pati shprehur dëshirë ta njihte Islamin. Këtë ma tha personalisht. Më duket se në atë kohë brenda Burgut të Dubravës për Ukshinin unë isha njeriu më i dashur, më besnik. Ndaj edhe ma besoi thellësinë e shpirtit të tij.

 

 

 

Pavijoni A

           

Në “Pavijonin B” qëndrova nga nëntori 1994 deri në dhjetor 1997. Me propozim të edukatorit të pavijonit, zotëri Bedriut, dhe me përkrahje të mjekut të burgut, zotëri Sylës, drejtoria kishte vendosur që të kaloja në “Pavijonin A”, gjysmë i mbyllur. Kohëve të fundit më ishte keqësuar gjendja shëndetësore. Kisha probleme me tensionin e gjakut, me aritminë e pasojat e reumatizmit. Mbi të gjitha kisha shumë stres nga politika e përgjithshme serbe në Kosovë, nga dhuna e përditshme serbe mbi popullatën shqiptare, nga diskriminimi fetar, kombëtar, kulturor dhe gjithçka tjetër jashtë burgut e sidomos brenda burgut. Burgu i Dubravës cilësohej si burgu me disiplinën më rigoroze. Edhe për fajin më të vogël ndëshkimi ishte tejet i rreptë. Pasonin edhe masat e tjera ndëshkuese.

Mjeku kishte propozuar që të ndërroja vend, aty ku i burgosuri kishte të drejtë të kalonte një kohë më të gjatë në qiell të hapur, në ajër të freskët. Vizitat familjare ishin më të shpeshta nëse familjarët kishin mundësi të vinin.

Mirëpo, a ishte ashtu si thuhej? Të burgosurit bënin punë në fushë, pranë ngrohtores së burgut. Kjo më shumë i ngjante punës në kampet e përqendrimit. Pas një sezoni te ngrohtorja punëtori fitonte turbekulozin. Nuk kishte kurrfarë kujdesi, trajtoheshin si robër të mesjetës. U premtohej shkurtim burgu, vizitë në shtëpi në fundjavë për t’ua mbajtur moralin e punës. A ia vlente ky premtim kundrejt turbekulozit dhe shumë sëmundjeve?

Megjithatë, disa nga ne të burgosurit kishim ca lehtësi. Pati ndikim edhe rekomandimi i mjekut që të lirohesha nga punët e rënda fizike për shkak të natyrës së sëmundjes. Kjo periudhë me ca përjashtime zgjati deri në prill të vitit 1998, kur Burgun e Dubravës e pushtuan paramilitarët serbë. Ata zbritën me helikopter brenda mureve të burgut dhe i dhanë ultimatum drejtorit të burgut që pjesën industriale të burgut ta lironte menjëherë, duke përfshirë edhe objektin ku ishim të vendosur ne. Na urdhëruan që për 20 minuta të merrnim plaçkat në shpinë dhe të vendoseshim në hapësirat e shkollës së burgut.

Burgu e kishte një shkollë, e parashikuar për analfabetët, për t’i risocializuar kriminelët me ndonjë zeje pas daljes nga burgu. Mirëpo, ajo kurrë nuk i shërbeu funksionit të vet. U vendosën me shpejtësi dhjetëra krevatë në tre kate në atë hapësirë. Ngulfatje. Duke parë se ky tip gjysmë i mbyllur, më i miri në Burgun e Dubravës, u shndërrua në ferr, iu drejtova edukatorit të burgut që të më kthente në tipin e mbyllur, atje ku isha më herët. Nuk pranoi, por pas shumë insistimeve u bë.

Por, ç’ndodhi në ndërkohë?

Nga ato që pashë më shkonte mendja t’i vërsulesha drejtuesit të paraushtarakëve. Por rezultati dihej: mundime dhe vrasje e sigurt aty për aty. Nga stresi më kaploi angina pectoris, astma e zemrës. Nuk ndodhte herëve të tjera, por për fat të mirë më dërguan te mjeku në Istog, të përcjellë prej dy gardianëve me automatikë dhe të një burgosuri që më bartte në krahë. Mjeku i Qendrës Mjekësore në Istog rekomandoi vizitë te kardiologu në Pejë ose Prishtinë, por kjo as që mund të imagjinohej. “Nuk merret parasysh (ne dolazi u obzir)” - tha gardiani përcjellës. Urdhëroi vozitësin: prapa në Dubravë. Erdha në vete me gjysmë force. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Pas dy orësh, sërish pata goditje dhe e humba vetëdijen. Pas një kohe, nuk di sa, ndoshta gjysmë ore, veten e pashë në një karrocë, me të cilën kuzhina e burgut çonte ushqimin nga një objekt në tjetrin. Po më dërgonin në “Pavijonin B”. Aty më doli kllapia pjesërisht. Më ndihmuan të shkoja në katin e dytë, në dhomën numër 16, ku kisha qëndruar tre vite me radhë. Më vendosën në të njëjtin shtrat ku kisha qenë më parë. Fillova pas disa ditësh, me ndihmën e shokëve, të dilja në shëtitore, po këndellesha, por gjendja politike në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavinë e cunguar nga dita në ditë keqësohej. Makth i vërtetë. Kjo gjendje nuk do të zgjaste: Allahu e duron mosbesimin, por nuk e duron zullumin.

 

 

 

Odisejada e familjes nga Prizreni via Shkup drejt Shkodrës

 

            Gjendja e gjithëmbarshme e tendosur në Ballkan e Kosovë reflektohej edhe brenda mureve të burgut. Gardianët qenë egërsuar. Disiplina në burg qe ashpërsuar. Familjet gjithnjë e më rrallë na vizitonin. Në mars 1998 ishte vizita e fundit. Por familja kishte gjetur telefonin privat të mjekut të burgut, zotëri Sylës, dhe i kishin kërkuar që të kujdesej për shëndetin tim. Një ditë më tepër rastësisht dhe kalimthi, fshehtazi, më tha se familja ime është mirë dhe se ka biseduar me telefon. Po ashtu, mjeku më njoftoi se gruaja bashkë me dy fëmijët shpresonin të shkonin te vëllai i saj në Shkodër e pastaj ndoshta edhe te vëllai tjetër në Zvicër, sepse lufta po intensifikohet kurse siguria ishte gjithnjë e më e dobët. U pajtova me këtë zgjidhje, sepse edhe më parë tërthorazi e patëm parashikuar një mundësi të tillë. Një ditë qershori 1998 gruaja dhe dy fëmijët kishin marrë rrugën e Shkupit. Atje i priti familja e zotëri Adnanit. Pritje e dhembshme. Nuk dihej, a do të mund të ktheheshin më në Prizren, nuk dinin a do të mund të takoheshin më me pjesën tjetër të familjes. Takimi me mua kishte mbetur vetëm një dëshirë e mirë, sendërtimi i së cilës ishte në skaj të së mundshmes.

            Me ndihmën e gjithanshme të familjes Ismaili në Shkup, familja kishte mësyrë rrugën e Shkodrës. Në kufi të Qafëthanës, përtej kufirit, vëllai, zotëri Ajniu, e priste të motrën. Me vete i kishte edhe dy fëmijët, vajzën Elvudinën atë kohë tetë vjeçe dhe djalin Fatihun shtatë vjeç. Pas një udhëtimi të lodhshëm, kishin arritur në Shkodër. Ishin vendosur në banesën e tij. Qëndrimi i tyre në Shkodër kishte zgjatur rreth 3 muaj. Brenda kësaj kohe, me ndihmën e vendorëve shumë mikpritës, kishin arritur të siguronin tri pasaporta shqiptare për të kaluar në Zvicër. Gjetën mikpritje të përzemërt në St. Gallen në Zvicër pas gjithë asaj odisejade. Bujtën në banesën e Hajriut. Pak nga pak gjërat vajtën në vendin e vet. Në vjeshtë fëmijët kishin vijuar mësimet në klasën e dytë. Pas disa muajve komuna i kishte sistemuar në një banesë të veçantë. Me disa ndihma bënin një jetë të thjeshtë, por ishin të sigurt nga dora vrastare serbe. Këtë mozaik njohurish e formova pas bashkimit familjar në vitin 2000.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme