Kontributi i Hafiz Ali Korçës në reformimin e medreseve dhe arsimit islam

HAFIZ ALI KORCA (5 prill 1873 - 31 dhjetor 1956)

Në të kaluarën këto medrese krahas arsimimit fetar zhvillonin edhe mësimdhënie të lëndëve shkencore. Kjo bënte që shumë nxënës të zgjuar të zgjidhnin këto shkolla dhe krahas hoxhallarëve të dilnin edhe shkencëtar të mirëfilltë. Ndërsa tani me heqjen e këtyre lëndëve nga programi mësimor bëri që të binte interesimi për këto medrese. Si rezultat shumë nxënës të zgjuar zgjidhnin shkollat moderne ku mungonte arsimimi fetar. Ky fenomen bëri që të bjerë suksesi i këtyre shkollave duke mos kryer e funksionit që kishin përsipër.

Rritur dhe arsimuar në këto kushte, Hafiz Ali Korca i kishte konstatuar këto probleme që lart përmendëm dhe ishte menduar të gjejë një zgjidhje të këtij problemi. Njëra ndër pikat e dobëta që H.Ali Korca ngulmonte më shumë ishte mësimdhënia dhe metodat e mësimit të gjuhës arabe. Kjo gjuhë për shekuj kishte qenë gjuha e qytetërimit dhe urë lidhja midis popujve myslimanë. Kështu që çelësi për të arritur thesaret klasike të qytetërimit Islam ishte gjuha arabe. Mırëpo medresetë të cilat kishin për detyrë të mësonin këto gjuhë studentëve të rinj, nuk po e kryenin si duhet funksionin. Sipas H.Ali Korçës arsyeja kryesore ishte metoda e gabuar e mësimdhënies së gjuhës arabe. Megjithëqë kohëzgjatjen prej dhjetë vjetësh, përsëri nxënësit që maturoheshin nga këto medrese nuk arrinin të përvetësonin gjuhën arabe. Kjo gjë reflektonte edhe në shkencat e tjera Islame, sepse librat klasikë ishin në këtë gjuhë. Kështu që myslimanët në asnjë fushë nuk po përparonin.

Në kohën kur myslimanët ishin triumfues në fushën politike dhe ekonomike, ishin për arsye se kishin medresetë më të përparuara të kohës. Këto medrese krahas shkencave fetare, zhvillonin edhe mësimin e lëndëve shkencore dhe shoqërore. Shembull kemi historinë kur në kohën e Abbasive në Bagdat ndodheshin medresetë Nizamijje dhe në Endulus (Spanjë) me anë të këtyre medreseve myslimanët edukuan edhe shumë të krishtere dhe çifutë. Ndërsa në këtë kohë me degjenerimin dhe rënien e këtyre medreseve nuk po binte vetëm perandoria e myslimanëve, por edhe qytetërimi Islam bashkë me fenë. Siç thekson edhe vetë H.Ali Korca feja mbahet vetëm me dituri. Ndërsa pa dituri nuk mund të bëhet asgjë edhe Zoti diturinë e quan ngjallje dhe injorancën vdekje. Për arsye të paditurisë dhe injorancës shumë vende dhe mbretëri myslimane kanë rënë nën zgjedhën e jomyslimanëve. Dituria sjell zotësi ndërsa injoranca sjell robëri. Po të mos ishte kështu si do të ishte e mundur që myslimanët kur ishin të paktë në numër por duke pasur diturinë sunduan botën dhe tani e anasjelltas. Vendet kolonizatorë megjithëse të paktë në numër arrijnë të mbajnë shumë koloni ku midis tyre ka edhe vende myslimane.

Siç e theksuam, këtë çështje Hafiz Ali Korca e quan çështje ontologjike për myslimanët, si në botë ashtu edhe në Shqipëri. Në qoftë se duam të jetojmë si myslimanë dhe të mbajmë fenë e Hz. Muhammedit (a.s) medoemos duhet të ripërtërijmë dhe reformojmë arsimin në medresetë ekzistuese. Kështu që të mundim të nxjerrim dijetarë si Fahruddin Razi, Ibn Sina, Sujuti, Gelenbeviu, Molla Fenari, Hoxha Tahsini etj. Në të kundërt feja në Shqipëri nuk do të mbahet dhe së shpejti neve do të na thotë (Elveda) “Lamtumirë”.

Këto pikëpamje dhe mendime H.Ali Korça i pati shprehur në kongresin e Dibrës, kur midis 5 pikave që i kishte propozuar komisionit, pika e parë dhe e dytë ishte për mësimdhënien e gjuhës shqipe nëpër shkolla dhe përmirësimin e programit mësimor nëpër medresetë e vendit. Këto pika komisioni i pati pranuar me kënaqësi. Më pas H.Ali Korça kishte dhënë edhe shumë artikuj nëpër gazetat turke që dilnin në Stamboll atë kohë lidhur me përmirësimin e programit mësimor në të gjithë perandorinë, mirëpo fatkeqësisht askush nuk ja vuri veshin. Në këtë periudhë perandoria po përjetonte momente të vështira të shoqëruara me dekadenca dhe humbje territoriale, kështu që nuk ishin në gjendje të mendonin shumë lidhur me këtë problem, edhe pse ishte problem ontologjik për ta.

Disa vite më pas kur në Shqipëri ndodhej princ Vidi, H. Ali Korça u emërua si drejtor i Drejtorisë Arsimore për disa rrethe, u mundua të hapë një medrese me pikëpamje dhe program të tillë mirëpo konservatorët fetarë e penguan sepse nuk përputhej me metodën e tyre mësimore. Gjatë Luftës së Parë Botërore kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Austro-Hungaria, H.Ali Korça emërohet Anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit dhe i Besueshmi i Fetvave nga përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, August Krali. Këtë detyrë ai e zhvillonte në Shkodër dhe përveç kësaj kishte edhe detyrën e anëtarit të Komisionit të Gjuhës bashkë me Ndre Mjedën dhe disa figura të tjera. Këto mendime H. Ali Korça ia shpalos popullit tëe Shkodrës dhe gjen mbështetje. Për këtë blihet toka dhe mblidhen 1000 korona nga 2000 që ishin planifikuar. Mirëpo nga disfata e Austro-Hungarisë dhe koha e luftës koronat e mbledhura u dogjën në bankë.

Pas luftës administrata u zhvendos në Tiranë dhe H.Ali Korça vazhdoj ta mbajë detyrën e Anëtarit të Këshillit të Lartë të Sheriatit. Gjatë një asambleje që organizohet, H. Ali Korça përsëri parashtron nevojën dhe domosdoshmërinë për hapjen e një medreseje. Fatmirësisht kësaj radhe ai gjen përkrahjen e disa shokëve anëtar të Këshillit si Qamil Bala, Shejh Karbunara dhe Salih Vuçiterni. Në këtë mënyrë merret vendimi për hapjen e Medresesë së Tiranës, ku Qamil Bala emërohet drejtor dhe H. Ali Korça ngarkohet me detyrën e mësimit të gjuhës arabe. Kështu H. Ali Korça për mësimin e gjuhës arabe sjell disa libra nga Berlini të shkruara me metodën Berliç dhe me ndihmën e disa librave të tjerë si “Mufassal” të Zemahsherihut, “Shafije” dhe “Kafije” të Ibn Haxhibit, përgatit librin “Çelësi i Librit Shqip-Arebisht”. Metoda Berliç ishte njëe metodë që bazohej vetëm në praktikën e gjuhës dhe e mbushur me shembuj nga gjuha e përditshme si dhe pjesë leximi. Në këtë metode Gramatika nuk kishte vend. Ndërsa në librin që përgatiti H.Ali Korça megjithëse pjesën më të madhe e zë praktika ai ka vënë edhe gramatikën por jo me doza të larta si në metodën e vjetër. Metoda e vjetër si primare kishte gramatikën, ndërsa shembujt praktikë ishin në doza të pakëta. H. Ali Korça metodën e tij e formoi midis këtyre dy metodave.

Në hyrje të librit “Çelësi i Librit Shqip-Arebisht” H.Ali Korça, krahas këshillave për mësimdhënien nga mësuesi i lëndës, flet dhe për metodën e tij  të mësimit të gjuhës arabe. Duke krahasuar metodën e vjetër të mësimdhënies së gjuhës arabe me metodën e re ai nxjerr në pah anët pozitive dhe avantazhet e kësaj metode. Shkurtimisht ai shprehet se metoda e vjetër ngaqë ishte bazuar më shumë mbi mësimin e gramatikës sesa gjuhës, kjo gjë shkaktonte uljen e rendimentit të mësimit si dhe interesit të nxënësve. Kështu që edhe pas një kohe relativisht të gjatë prej 10 vjetësh mësim, nxënësit e maturuar ende nuk arrinin të mësonin gjuhën në një nivel të mjaftueshëm. Ndërsa me metodën e re nxënësit mund të arrinin të mësonin gjuhën arabe brenda 2 vjetësh dhe me një rendiment të shkëlqyer.

H.Ali Korca metodën e tij të mësimit të gjuhës arabe e quan “Metoda Qiellore” ose “Metoda e Natyrës Foshnjore”. E para bazohet në ayetin Kur’anor “Dhe Zoti ia mësoi Ademit të gjithë emrat”(Kur’an 2:31). Domethënë mësimi i gjuhës fillon nga emrat dhe jo nga gramatika siç bëntë sistemi i vjetër. Ndërsa e dyta bazohet në mësimin e gjuhës të cilat nënat ja mësojnë fëmijëve të vegjël kur ata pyesin “Çfarë është kjo?”. Pra, fëmijët e vegjël mësimin e gjuhës nuk e fillojnë nga gramatika por praktika dhe mësimi i fjalëve. Siç e thekson dhe vetë H.Ali Korca, gjuha pjell gramatikën, dhe jo gramatika gjuhën.

H. Ali Korça do ta vërtetoje me sukses, se kjo metode ishte me e përshtatshme per  mësimin e gjuhës arabe. Nxënësit e tij brenda 2 vjetësh do te mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë me lehtësi gjuhën arabe. H. Ali Korça krahas gjuhës arabe i jep te lexojnë edhe Isaguxhine (liber llogjike, Mantık) si dhe Tefsirin e Xhuzit Amme të autorëve Xhemaleddin Afgani dhe Muhammed Abduh. Disa nga këta nxënës do të shkojnë dhe jashtë shtetit për studimet e larta në Egjipt.

Në këtë mënyrë H. Ali Korça i kthehet konservatorëve  të cilët ngulmonin në metodën e tyre të vjetër se metoda e tyre nuk ishte e zbritur nga qielli dhe duke parë rezultatet e kësaj metode të re duhet ta pranonin atë. Përndryshe feja neë Shqipëri do të dobësohej dhe nuk do të dilnin kuadro të rinj hoxhallarësh për të mësuar fenë. H. Ali Korca thekson se “më parë në vendin tonë ka pasur më shumë se 200 hoxhallarë ndërsa tani kanë ngelur vetëm 20 të tillë (bëhet fjalë për vitet 30-40). Nëse nuk mendohet për të ardhmen dhe punohet për nxjerrjen e kuadrove të rinj dhe modernizimin e medreseve atëherë feja nuk e ka të gjatë jetën në Shqipëri. Së shpejti ajo do të na thotë Lamtumirë”.

H. Ali Korca gjithashtu mundohet që kjo medrese të njihet në nivelin e një shkolle të mesme, mirëpo shteti i atëhershëm nuk ja vuri veshin. Nga ana tjetër nga reformat e bëra në kuadrot fetare nuk gjeti mbështetje dhe kështu H. Ali Korça nuk arriti të realizoje planet dhe ëndrrat e tij për këtë vend. Në vend të kësaj ëndrre realizohet makthi komunist për të cilin H.Ali Korça kishte shkruar më parë në librin “Bolshevizma a Çkatërrimi i Njerëzimit”. Ai bile e quan të panevojshme të shkruaj ëndrrën e 8-të krahas “Shtat ëndërrat e Shqipërisë” sepse të gjithë e dimë.

Si përfundim mund të themi që H. Ali Korça nuk u kuptua si duhet nga bashkëkohësit si dhe nuk ju vu veshi për arsye të ndryshme. Megjithëse përpjekjet e shumta të H. Ali Korçës për të mbajtur të gjalle fenë në Shqipëri, në librat dhe veprat e tij nuk gjeti mbështetjen e duhur dhe si rezultat jeta fetare në Shqipëri dalëngadalë do të humbte mbështetjen e saj intelektuale. Kështu që komunizmi do ta kishte me të lehtë të vazhdonte procesin e tij antifetar në vend. Këtë do ta kurorëzonte me ndalimin e fesë si dhe mbylljen dhe prishjen e shumë xhamive dhe kishave.

(Shënim: Megjithëse nuk janë përdorur dipnota për ata që janë të interesuar të dinë burimin dhe literaturën e shfrytëzuar mund të shikojnë në librat: Ismail Ahmeti, Hafiz Ali Korça – Jeta dhe Vepra; H. Ali Korça, Shtat ëndrrat e Shqipërisë, Çelësi i Librit Shqip-Arebisht dhe Rubaijjati a Katroret e Umer Khajjamit të gjitha në kompletin e veprave të H. Ali Korçës botuar nga shtëpia botuese Logos-A, Shkup-2006) 

 

Revista Drita Islame, Tirane

Teolog, Mësues në Medresenë “H. Ali Korça”, Kavajë

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme