
Dekada e fundit është shënuar nga një ngjitje e shiitëve në Lindjen e Mesme. Përmes plumbave dhe kutisë së votave, partitë Shiite janë ngjitur në pushtet nga Bagdadi në Bejrut – duke zgjeruar, kësisoj, shtrirjen e Iranit në zemër të botës arabe. Pushtetarët sunitë kanë parë me shumë shqetësim “hënën e re Shiite” që shtrihet nga Irani e gjer në Liban.
Por ndërsa revolta popullore – dhe tashmë ushtarake – në Siri fuqizohet, ngjitjes së shiitëve po i vjen fundi. Çdo ditë që kalon, qëndrimi në pushtet i presidentit Bashar el-Asad duket të jetë dobësuar. Kombet e Bashkuara vlerësuan më 1 nëntor, se Siria kishte hyrë në gjendjen e luftës civile dhe ekonomia e vendit parashikohet të rrudhet me një normë katastrofike prej 12 deri 20 përqind këtë vit. Tashmë, fuqitë sunite rajonale shpresojnë të shfrytëzojnë trazirën për të nisur një kundërsulm që mund të kthente mbrapsht terrenin e humbur.
Fuqizimi i shiitëve në Lindjen e Mesme nisi me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003, që prodhoi ndikimin saktësisht të parashikuar të forcimit të Iranit – jo vetëm të teokracisë sunduese të këtillojtë, por edhe të hegjemonisë së tij mbi shiitët “Dymbëdhjetësh” anembanë botës arabe. Në Irak, me më shumë rëndësi, shiitët i kanë kaluar prej kohësh në numër sunitët, por ishin mënjanuar dhe persekutuar nga Perandoria Osmane dhe më pas nga regjimet pasuese arabe, deri në periudhën fillimisht shekullare të Sadam Huseinit, i cili u shndërrua në një kampion sunit pas fillimit të luftës ndaj Iranit në vitin 1980. Sot, përkundrazi, sistemi demokratik i imponuar nga ShBA-të garanton virtualisht një qeveri të mbizotëruar nga shiitët, me një simpati natyrore për vëllezërit e tyre shiitë të Iranit.
Në Liban, gjithaq, shiitët prej kohësh janë më të shumtë se të krishterët apo sunitët, por ata ishin krejtësisht më të dobët politikisht – në të vërtetë, për pjesën më të madhe të historisë së Libanit, ata ishin më shumë të injoruar sesa të kundërshtuar. Sot, përkundrazi, lëvizja empatike shiite Hezbollah – që me modesti e quan veten “Partia e Zotit” – është partia më e fuqishme në qeverinë aktuale libanezë, ndërsa milicia e tyre e armatosur është më e fuqishme se ushtria kombëtare.
Atëherë, vjen rasti krejt i veçantë i Sirisë, kur shumica sunite është nënshtruar nga një regjim sipërfaqësisht shekullar i drejtuar nga muslimanë tërësisht heretikë, të përkrahur kryesisht nga minoritete jomyslimane, të krishtera apo duruzë.
Kontrolli i familjes sunduese Asad ka qenë gjithnjë një ndihmë strategjike për Iranin për shkak të gatishmërisë së saj për të vepruar si shiitë të vërtetë – duke lidhur në këtë mënyrë Iranin, Irakun dhe Libanin e Jugut në një “gjyswmhënë shiite” të pakëputur, me fjalet e Mbretit Abdullah II të Jordanisë. Kjo është jashtëzakonisht ironike, pasi Presidenti Bashar el-Asad dhe rrethi i tij i mbështetësve që kontrollojnë forcat e sigurisë janë nusejri, të riquajtur alevi ("ndjekës të Aliut") vetëm në vitet 1920 për të pretenduar më lehtë një identitet mysliman si shiitë (“krahu” i Aliut), por doktrinat e të cilëve aq jo-islame do t’i ballafaqonin ato me dënimin me vdekje në Iran – pyesni një antar të komunitetit pas-islam Bahai.
Për Arabinë Saudite ultra-sunite, si dhe për fqinjët e saj më të vegjël – Kuvajti, Bahrejni, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – përparimi i shiitëve ka qenë tërësisht i papranueshëm. Dallimet fetare janë shtrirë jashtëzakonisht në vitet e fundit. Ritet shiite, veçanërisht në Iran, janë përqëndruar gjithnjë e më shumë në Dymbëdhjetë Imamët e fshehur, lutja e përgjëruar për kthimin apokaliptik të të cilëve e lë Muhamedin mënjanë. Njësoj, pelegrinazhet shiitë në varret e Hasanit dhe Husejnit në Irak – që për sunitët rigorozë janë akte idhujtarie – pandashëm konkurrojnë pelegrinazhin në Mekë.
Më pak e rëndësishme doktrinalisht, por ndofta më e rëndësishme në realitet, ka qenë paraqitja e praktikave dhe ritualeve që janë të dyshimta, madje edhe të neveritshme për Sunitët. Këtu përfshihen “martesa e përkohshme” e dyshimtë, e shpikur nga klerikët e Iranit, që e përdorin gjerësisht në vend të prostitucionit; lutja rrotulluese ritmike e shiitëve që duket jo-islamike dhe me të drejtë kërcënuese për sunitët; dhe ritualet më ekstreme të Ashurasë. Ato nuk janë aspak të reja, por vetëm sot shumë sunitë përballen me spektaklin e procesioneve të vetë-fshikullimit, derdhjes së gjakut në rrugë dhe atë të nënave shiite që me krenari u presin ballin foshnjeve të tyre me brisk për t’i gjakosur ato në kujtim të therorisë së Hasanit dhe Husejnit.
Megjithatë, është potenciali i gjysëmhënës për t’u zgjeruar drejt jugut që e ka shndërruar atë në një kërcënim strategjik për Arabinë Sauditë dhe fqinjët sunitë. Shiitët i kalojnë në numër sunitët jo vetëm në Bahrejn dhe Kuvajt, por edhe - çka është më e rëndësishme – në provincën lindore naftënxjerrëse të Arabisë Saudite, prejnga vjen edhe paraja. Protesta të reja kanë shpërthyer në rajon gjatë javëve të fundit, duke shkaktuar vdekjen e disa protestuesve.
Nga pikëpamja saudite, dëmi i shkaktuar nga Shtetet e Bashkuara në 2003 me shkatërrimin e fuqisë ushtarake të Sadamit u bashkërendua me dështimin për të mbrojtur qeverinë e Presidentit të rrëzuar Hosni Mubarak në Kajro. Regjimi egjiptian kishte merita të tjera për familjen Al Saud, përfshirë edhe normën e respektueshme të rritjes ekonomike, që tani është një kujtim i largët. Vlera e tij kryesore në sytë e sauditëve, sidoqoftë, ishte kundërvënia sistematike e Mubarakut ndaj Iranit dhe aleatëve të tij, qoftë edhe shiitëve si të tillë. Shtetarët post-Mubarak të Egjiptit vështirë se mund të përqafojnë as Iranin, as doktrinën e tij – vendi është qëndrueshmërisht sunit – por nuk ka asnjë garanci që ata do të maten me politikën shumë aktive të Mubarakut ndaj Iranit, që forcohej nga bashkëpunimi pragmatik me Izraelin. Në të vërtetë, akti i parë i regjimit të ndërmjetëm post-Mubarak ishte thirrja për të rivënë marrëdhëniet diplomatike me Iranin – edhe pse deri sot nuk ka ndodhur akoma.
Por pasi e kishte dëmtuar rëndë frontin sunit duke rrëzuar nga pushteti Mubarakun, “Pranvera Arabe” tashmë është duke e ndihmuar ndjeshëm duke dobësuar regjimin e Asadit në Siri. Sunduesit e Katarit dhe të Arabisë Saudite janë të patrazuar nga kundërshtitë e dukshme në politikën e tyre kundrejt revoltave arabe të këtij viti. Ata janë duke e mbrojtur familjen mbretërore të Bahrejnit nga popullata shiite shumicë, ndërsa kritikojnë me zë të lartë dhe i vënë sanksione regjimit të Asadit për shtypjen e shumicës sunite të popullsisë. Ata po kërkojnë me ngulm qeveri demokratike në Siri, ndërsa nuk pranojnë asgjë të ngjashme në vendet e tyre.
Televizioni Al Xhazira i Katarit, që nga fillimi, ka qëndruar në anën e armiqve sunitë të Asadit. Por politika e Katarit ka ndjekur udhëheqjen më të matur saudite. Monarkët sauditë dhe kataras kërkuan veprim nga Liga Arabe vetëm pas muajsh të tërë shtypjeje të përgjakshme në Siri – kur fatura e vdekjeve tejkaloi 3500 njerëz – madje edhe atëherë, vonuan veprimet e tyre në dritën e “premtimit” të Asadit për të ndalur përdorimin e forcës ndaj popullit të tij.
S’do mend kjo ishte një grackë. Asadit i ishin lënë vetëm dy zgjedhje: të ndalte përdorimin e forcë, të humbte kontrollin dhe në rastin më të mirë të largohej nga vendi; ose të shtypte opozitën me forcë vdekjeprurëse, duke humbur mbështetjen e Ligës Arabe dhe duke provokuar sanksione gjithnjë e më të ashpra. Opsioni i dytë ishte më i preferuar për Asadin, ndërsa sunduesit sauditë dhe kataras reaguan menjëherë duke kërkuar sanksione arabe dhe ndërkombëtare dhe, me gjasë, duke financuar rezistencën siriane që duket të jetë pothuaj tërësisht sunite.
Është e qartë se monarkitë absolute të Gjirit Persik nuk janë në një përpjekje për hir të një demokracie të ardhshme në Siri. Për Arabinë Saudite dhe aleatët e saj të Gjirit, qëllimi i rrëzimit të Asadit është të thyejnë “gjysëmhënën shiite”: duke e kthyer Damaskun nën sundimin sunit, prishjen e aleancës së tij me Iranin dhe shkëputjen e Hezbollahut nga baza e tij logjistike në Siri, duke ndihmuar kësisoj sunitët e Libanit të rifitojnë pushtetin bashkë me aleatët e tyre të krishterë. Një qëllim i mëtejshëm është të sigurojnë mbështetje për sunitët pakicë të Irakut përgjatë kufirit. Një qëllim më madhor për t’u arritur është t’i mohojnë Iranit aleatin e vetëm arab duke reduktuar shkallën e pranimit të Teheranit në popullatën arabe kudo.
Arritja e këtyre qëllimeve mund të përputhet me një “lëvizje fitimtare të kalorësit”, duke rikthyer ngjitjen sunite, pas tërheqjes së viteve të fundit. Ndërsa Asadi nuk ka guximin e babait të tij – që shtypi kundërshtarët e tij sunite me masakra – është mjaft e lehtë të parashikosh fitimtarët. Demokracia mund të mos jetë fitimtarja, por sunitet doemos do të jenë./Foreign Policy/
Përktheu nga gjuha angleze: Vehap S. Kola