Posa gdhiu dita, filluam ta urrejmë ngrysjen, ngase sikur mos të ishim ngrysur atë natë, sigurisht që gjatë tërë ditës do ta ndienim vetën shumë të lodhur dhe lajmet e asaj dite, pavarësisht peshës së tyre, do t’i merrnim me gjakftohtësi, duke u parapërgatitur kështu për një lajm që në dëgjim a shikim të parë do të reagonim ashpër, mbase mund që edhe ta pështynim prezentuesin e atyre lajmeve. Askush nuk ishte parapërgatitur për një lajm kaq të beftë, fillmisht duke krijuar në kokën e gjithësecilit një mjegull, ngaqë femrën për të cilën bëhej fjalë nuk e kishim dëgjuar asnjëherë, si dhe ajo fare nuk ishte përfolur për fronin e të parit të shtetit. Pasthirrmat tona sikur rrezet përcëlluese që shkrinë borën, njëjtë u tretën në lumin që mbarte me vete edhe produktin e nevojtoreve. Me shpejtësinë e rrymës të cilën e prodhonte KEK-u, kuptohet jashtë orarit të reduktimeve, gjithandej u përhapë lajmi se emri kryetar i gjinisë mashkullore është shndërruar në emër të gjinisë femërore, gjë që edhe femrat u habitën për këtë të papritur dhe të gjendur përballë kësaj hutie, nënvetëdija e tyre filloi të rrëfejë për patriarkalizmin që ishte dendur i pranishëm në shoqërinë tonë. Mbase u habitën edhe shoqëritë e shteteve fqinjë, të cilët femrës shumë më parë i kishin dhënë përparësi në shoqëri, porse t’ia jepnin në dorë edhe timonin e shtetit, as që e kishin menduar ndonjëherë.
Ajo quhej Atifete Jahjaga, emër dhe mbiemër ky që i mori shumëkujt kohë për ta mësuar përmendësh, ngase nuk përkonte me gjuhën tonë dhe ishte i ndërlikueshëm për një shqipfolës. Akoma pa mësuar diçka për jetën dhe veprimtarinë e saj, përshtypja e secilit në Kosovë dhe jashtë saj, ishte se kryetarja qenka pjesëtare e fesë Islame, duke pandehur kështu vetëm në emrin e saj. Pastaj filloi të zgjohet kureshtja e qytetarëve për zonjën që do ta udhëhiqte Kosovën në ecejakën e saj shumë të vështirë. Dëgjuam seç flet një shqipe jo aq të mirë, përmbi së cilës qëndronte gjuha angleze, mbase mëtohet që përmes kësaj çështjeje të kuptohet ajo që nuk thuhej publikisht, pra përgatitja e saj nëpër qendra ndërkombëtare, përgatitje që në vete ngërthente edhe hipotekat që i rëndonin supet e gjithë shqiptarëve, ku papandehur mund të gravitonin interese të atyre që gatuanin me kësi lloj brumesh. Madje edhe prononcimi përpara gazetarëve i ambasodorit Kristofer Dell, se SHBA-të kanë punuar shumë vjet me Jahjagën dhe se ajo ka fituar admirimin dhe respektin e çdonjërit me të cilin ka punuar, dëshmoi se ka një mbështetje të fortë ndërkombëtare. Le të ketë këso mbështetjesh, nuk jemi kundër kësaj, mbase mbështetja është në thelbin e të qenit kryesor i ndonjë sendi apo kauze me peshë të rëndë. Megjithatë, mbështetja në mur të huaj dhe injorim të skajshëm kundrejt atyre që përfaqëson, s’do mend se krijon dyshim të frikshëm në misionin e saj, ngase shoqërisë shqiptare nuk i duhet një njeri që ka vetëm murin e fortë (që për interesa të tij mund të ta thyej edhe kokën), porse të atillë që kur e do nevoja i flijon edhe interesat e mbështetësve për hir të popullin të saj, porse për fatin e keq të saj, të përfaqësuarit po i përkisnin një besimit që Jahjagës do t’ia kujtonte turpin e emrit që mbarte, duke u munduar që përmes veprimeve përpara të tjertëve të dëshmon se ajo nuk ka qenë e vetëdijshme kur prindërit e kanë pagëzuar me këtë emër .
Atifete Jahjaga për ta ushqyer edhe më tej dyshimin se do të punonte dhe brengosej për gjithë qytetarët e Kosovës, ishte edhe emërimi për këshilltar të saj kryesor Ilir Dedën – bashkë ideolog i saj, këshilltar ky që në debatin me Ivica Daçiqin e pranoi se serbët i kishin çliruar shqiptarët prej osmanëve. Rrëshqitja e grimit prej emrit të saj, në vazhdimësi përforcoi bindjen e qytetarëve se Jahjaga për hir të ruajtjes së murit do të bënte çmos. Në tetor të këtij viti, ajo mori pjesë në manifestimin “Takimet e Gjeçovit”, ku pasi përshëndeti priftërinj zyrtarë të Kishës katolike me një deklamim që gufonte prej gjoksit të saj dhe të pranishmit tjerë, ajo me raketa tokë-ajër, sulmoi sistemin juridik Islam – Sheriatin, duke e personifikuar këtë baltosje me këto fjalë: “Me Kanunin e Maleve të njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit, pasardhësit të Skënderbeut në rezistencën kombëtare kundër pushtimit otoman, rregullohet jeta e njerëzve dhe kjo e pamundësonte zbatimin e Sheriatit në këto troje dhe te populli ynë. Në trojet shqiptare nuk mund të paramendohej që autoritetet osmane t’ia këpusnin dikujt dorën, të akuzuar për vjedhje ose që dikujt t’i jepeshi pesëdhjetë kamxhik publikisht trupit. Pra ky Kanun ruajti nderin dhe dinjitetin e njeriut dhe dinjitetin kombëtar gjatë më shumë se pesëqind vjetëve”. Akoma nuk i kishte rënë tërësisht grimi që duhej të shfaqte origjinalitetin e saj.
Kryetari i SHBA-ve, Barak Obama me rastin e festës së Kurban Bajramit, ia urojë përzemërsisht zonjës kryetare dhe gjithë qytetarëve të besimit Islam këtë festë. Kjo uratë na urdhëroi që për disa çështje patjetër duhet kredhur në analiza. Teli i gjithë kësaj gagaritje kishte të bënte me kujdesin që ne duhej të bënim sa i përket të gjykuarit e personave përmes emrave, ngaqë edhe uruesi edhe e uruara kishin emra që në jetën reale nuk përkonin me burimin natyral të atyre emrave. Nuk vonoi aspak, ku në emër të shekullarizmit, kryetarja e Kosovës e la me sy të zgurdulluar kah dera myftiun e Kosovës, ku edhe pse me 6 nëntor të këtij viti, Bashkësia Islame e Kosovës e priti përgjatë tërë ditës atë, ajo refuzoi bindshëm vizitën në këtë institucion të lartë Islam në Kosovë.
Edhe një grimcë grim i kishte mbetur! Atë e hoqi fytyrësh në mesnatën e së shtunës për Krishtlindje, në katedralën e papërfunduar, ku përfundimisht më patëm rastin ta shohim Atifeten në fytyrën e saj të vërtetë, për të cilën sinqerisht e falënderojmë, ngase nuk na lodhi shumë në zbulimin e identitetit të vërtetë të saj.