Nëntëqind (900) vite më parë, përkatësisht në dhjetor të vitit 1111, bota me pikëllim të thellë u nda nga njëri prej mendimtarëve më me influencë: Imam Ebu Hamid Muhammed el- Gazalin. Edhe sot e kësaj dite, e njëjta botë, për një humbje të tillë, ka shumë arsye të ndihej nostalgjike.
El-Gazali ishte me prejardhje persiane dhe u shqua si teolog, filozof, jurist e sufi, gjithashtu i njohur, edhe nga lindje edhe nga perëndimi, si njëri nga muslimanët më me ndikim pas Muhammedit a.s. Veprat e tij përfshijnë të kuptuarit e Islamit nga gjeneratat muslimane, sikur që jepen vlerësime se kanë pasur ndikim të fortë edhe në teologun e njohur evropian, Toma Akuinin. El-Gazali ka një meritë të madhe në afrimin e ortodoksizmit dhe sufizmit, si dhe në kryesimin e teologjisë islame në betejën epike kundër neo-platonizmit.
Megjithatë, ajo që sot për ne paraqitet si shumë e rëndësishme është, pikërisht, personaliteti tij. Prijësit e mëdhenj fetarë shoqërinë e ndryshojnë me vetë karakterin dhe personalitetin e tyre, njëjtë sikur edhe me fjalët që i thonë. Jeta e tij ishte një jetë që i solli famë, dyshim, konfuzion, kërkim dhe interspeksion (orvatje për ta njohur vetveten). Udhëtimi i tij është përplot me pyetjet e përjetshme mbi jetën dhe kuptimin e saj, me të cilat ballafaqohemi edhe ne sot.
Që si i ri, gjatë arsimimit, shkëlqeu në të gjitha disiplinat, madje edhe arriti të ligjërojë në akademi. Në moshën tridhjetë e tetë (38) vjeçare mbërriti kulmin e karrierës së tij si një profesor univerzitar në Bagdad, me qindra studentë që i qëndronin përreth këmbëve, sikur që arriti reputacionin e një dijetari fetar, emri i të cilët u dëgjua larg përtej qytetit.
Në këtë periudhë të jetës së tij, kur më veç mendonte se i kishte gjetur të gjitha përgjigjet, ai kishte kuptuar se e tërë ajo që posedonte, në fakt, ishin vetëm pyetjet. Përjetoi një krizë traumatike shpirtërore mbushur me dyshime dhe konfuzione. Vërtetë, a besonte ai në doktrinën ekzistuese? A u muar ai, në të vërtetë, me profesionin e tij apo se u kujdes vetëm për egon e tij? A ishte ai i gatshëm për të bërë udhëtimin e përfundimtar drejt vdekjes?
Më vonë, për këtë krizë ekzistenciale, El-Gazali do të shkruaj veprën “Shpëtimi nga lajthitja”, apo, siç mund të thuhet, biografinë e tij. Shqetësimi i tij i brendshëm kulmoi me daljen dramatike nga klasa ku, përpara studentëve, mbeti si i thyer dhe pa fjalë nga falsiteti i gjendjes së tij. Me shpejtësi doli nga klasa për të nisur një udhëtim drejt njohjes së vetvetes dhe më nuk u kthye përgjatë dhjetë viteve që pasuan. Morri rrugën si akademiku i cili pati përjetuar një thyerje të vërtetë dhe u kthye si njeriu që kishte shijuar frytet e besimit të tij.
Shiti pjesën më të madhe të pronës që kishte, duke i lënë familjes aq sa i mjaftonte dhe u nis rrugës së panjohur. Kështu filloi odiseu i tij shpirtëror. El-Gazali dhe Odise kanë shumë më shumë gjëra të përbashkëta sa që mund dikush të mendojë. Që të dy kishin ndërmarr rrugëtimet e tyre epike, në mënyrë që, më vonë, t’i ktheheshin vendlindjes. Përderisa Odiseu gjurmoi pas Itakut, Gazaliu kërkoi origjinën e tij shpirtërore. Të dyve iu deshën nga dhjetë vite për të gjetur rrugën drejtë cakut, pa e humbur asnjëherë nga shikimi qëllimin e tyre final. Sikur që admirohemi nga mënyrat e shkathëta të Odiseut me të cilat arriti që ta mund Kiklop-in (Cyclop) dhe nga aftësitë e tij për t’iu shmangur këngëve të sirenave, njëjtë duhet të admirohemi edhe me strategjitë e Gazaliut me të cilat zotëroi egon dhe pangopshmërinë për të kërkuar dituri, e cila edhe e nxiti që të udhëtojë.
E dinte fort mirë se vendimi për të jetuar jetën e tij, në radhë të parë, varet nga njohja e alternativave. Fillimisht i studioi mësimet e teologëve, filozofëve dhe të autoriteteve të mëparshëm, për t’iu kthyer më pas sufizmit – mësim ky i cili besimin nuk e shikon vetëm nga aspekti teorik, por edhe nga ai praktik. Kërkimet e tij mbi njohjen nuk ishin vetëm shpirtërore, porse vepra e tij mbi dyzet kapituj “Ringjallja e shkencave fetare”, shpjegon më së miri formën praktike të frenimit të egos dhe të zhvillimit të karakterit të mirë.
Në turrin e zhurmshëm të shek. 21, ndonjëherë, është e pamundur të bësh hapa prapa. Duket se bota që e jetojmë funksionon sikur një makinë e madhe që nxit dhe promovon vetëm egon. Atë e ka përshkuar një lloj kulture lakmuese, për shkak të së cilës jemi duke kërkuar shumë e më shumë, e që, jo patjetër, do të na bënte të lumtur. Në kohën e jostabilitetit ekonomik dhe të tregimeve mbi origjinën e lumturisë, do të ishte e rëndësishme që t’i hidhej një vështrim vizionit të njeriut i cili shkroi “Alkiminë e lumturisë”.
Gazali na drejtohet neve, për shkak se ishte njeri sikur të gjithë ne. Ai qe i hutuar, siç jemi të hutuar të gjithë ne, por ai kurrë nuk i ndërpreu kërkimet e tij. Besimi nuk qe i mundur të përcaktohej në akademi, por në udhëtimet e ndërlikuara plotë soditje dhe meditim. Ai nuk pati frikë të thotë se nuk di, ndonëse kishte një reputacion të lartë. Kjo modesti ishte dhe mbeti, edhe sot e kësaj ditë, një fenomen i rallë si në botën religjioze – ashtu edhe në atë arrogante laike.
Karen Armstrong, ditë më parë, në Univerzitetin e Londrës – dega për studime orientale dhe afrikane (SOAS), ka deklaruar se, edhe përkundër arritjeve tona teknologjike, të kuptuarit e religjionit nga ana jonë është shumë i thjeshtë, mbase primitiv. Jemi të bombarduar nga diskursi politik i cili Zotin dhe religjionin e ka zhvendosur në një paketë, sikur kjo të ishte shumë e letë dhe e shpejt për ta kuptuar.
Burimi:
http://preporod.com/rubrike/islamske-teme/duhovna-obzorja/2360-el-gazali-nakon-900-godina-jo-uvijek-relevantan.html (27/12/2011)
Përkthyes:
Mehas Alija