Nocioni “terrorizmi islam” në kontekst të gabuar

Identifikimi i problemit

 

Kohëve të fundit, politikanë të matur, pastaj edhe intelektualë të baraspeshuar (si Edward Said, Noam Çomski, Xhon Espozito e të tjerë) kanë vërejtur se përdorimi i gabuar dhe i tepruar i konstruktit të gatuar politik “terrorizmi islam” nuk i ndihmon paqes dhe mirëkuptimit në botë dhe as raporteve rajonale e individuale në rrafshin e politikës, koekzistencës etj. Këtë e ka vërejtur edhe kryetari aktual amerikan, Barak Obama, i cili për t’i riparuar raportet ndërmjet ShBA-ve dhe Botës islame, kohëve të fundit sugjeroi/urdhëroi revidimin e strategjisë për sigurinë nacionale. Ky revidim nënkupton heqjen e të gjitha shprehjeve pezhorative lidhur me Islamin si fe dhe myslimanët. Këtë lajm e kanë transmetuar thuajse të gjitha agjencitë botërore.[1]

Ndonëse kjo u sugjerua/urdhërua në ShBA, për fat të keq, kjo ende nuk po ndodh në Evropë dhe sidomos në trojet shqiptare, në shtypin shqiptar, në politikën shqiptare, atë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe vendeve përreth. Për më tepër, edhe pse si vende nuk kemi qenë të atakuar me asnjë “rrezik islam", siç ishte Nju Jorku, Londra, Madridi etj., ndoshta nga naiviteti, e më shumë nga servilizmi, politika jonë dhe shtypi jonë shpesh janë tejet rigoroz, tendencioz dhe abuzues në terminologji. Për më tepër që kjo politikë më shumë prodhon probleme se sa që i zgjidh ato. Kjo politikë militante e agresive është e ish-presidentit amerikan Xh. Bushit, aspak bindëse as për opinionin e brendshëm, në pajtim me konceptin neokonservator të botës, në të cilën dominon konflikti mes të mirës dhe të keqes, e në të cilën ShBA dhe rendi i saj, mënyra e jetës dhe e veprimit të saj ofrohen si modelet e vetme të drejta në globin tonë.

 

 

Obama drejt relativizimit të gjuhës së ashpër

 

T’i kthehemi sërish vendimit të Obamës që ta zbusë retorikën agresive kundrejt Islamit dhe myslimanëve. Vendimi i tij u prit mirë si në qarqet politike e intelektuale ashtu edhe ato popullore në ShBA por edhe te një numër i madh i vendeve në botë. Madje, në disa qarqe ky vendim u prit me entuziazëm, me shpresë që përveç shmangies së retorikës militante të kalohet në hapa edhe më konkretë, duke e liruar Islamin dhe myslimanët nga stigma e terrorizmit, militantizmit, alkaidizmit dhe nga ndërprerja e dhunës kundër myslimanëve në emër të luftës kundër terrorizimit etj. Ky vendim njëherit u pa edhe si tentim afrimi ndaj vendeve myslimane por edhe vetë myslimanëve kudo që ndodhen.

Duhet sqaruar se vendimi i Obamës nuk ishte urdhër politik, por udhëzues se si do të duhej operuar me terminologjinë dhe me veprimet kundrejt aleatëve të saj por edhe kundërshtarëve të saj, brenda dhe jashtë vendit. Hapat e ri të administratës së Obamës janë të bazuar në instruksionet të cilat më 2008 i ka hartuar Qendra Amerikane kundër Terrorizmit (US National Counter-Terorism Centre). Në dokumentin të cilin e ka hartuar[2]  sugjerohet që El-Kaida tash e tutje të mos quhet islame apo organizatë islame, sepse një përdorim i tillë atyre u jep legjitimitet në veprim. Për ta është me rëndësi çfarë dëgjon dëgjuesi.

 

A e bartë Islami barrën e “ekstremistëve myslimanë”?!

Bota muslimane, të gjitha shtresat, politike, intelektuale dhe popullore, dëshiron t’i thotë dhe po i thotë botës në tërësi se ajo që bëhet nga ndonjë mysliman ose grup myslimanësh nuk është vepër e të gjithë muslimanëve, e lere më vepër e Islamit. Këta dëshirojnë t’i thonë Perëndimit se ajo që në mediumet elektronike dhe të shkruara me çdo kusht dëshirohet t’i vishet Islamit nuk është e drejtë për ta, madje është ofendim dhe me këtë veprim të tyre po i bëjnë shërbim të keq vetvetes dhe grupeve radikale. Si duket këtë ka filluar ta kuptojë Washingtoni dhe t’i bashkëngjitet intelektualëve dhe ekspertëve të shumtë që ia patën tërhequr vërejtjen krahut neokonservativist se identifikimi i disa ekstremistëve me Islamin shkon në favor të ekstremistëve dhe i identifikon ekstremistët me popullin dhe i bënë si përfaqësues të popullit. Në anën tjetër ky edhe është interesi i grupeve ekstremiste, të cilët duke luajtur me letrën e ndjenjave fetare, fitojnë simpatinë e të gjithë myslimanëve të botës, që nuk do të ishte në interes të asnjërës palë, pos në interes të ekstremizmit dhe të ekstremistëve.[3]

 

Ndërmjet të keqes dhe të mirës

 

Në vend të emërtimit të këtyre organizatave terroriste si islame apo myslimane, strategjia e Obamës propozon që këto grupeve të përshkruhen si terroriste, të dhunshme, militante, ekstremiste, totalitare e të ngjashme të cilat e çarmatosin në opinionin publik dhe ia heqim legjitimitetin si mbrojtës të Islamit dhe myslimanëve.

Po ashtu, është propozuar që të hiqen edhe fjala xhihad dhe xhihadist e muxhahid, të cilët në shtypin tonë zakonisht përkthehen si xhihad = luftë e shenjtë, xhihadist ose muxhahid = luftëtar i luftës së shenjtë. Kjo bëhet sepse, në literaturën burimore islame shprehja xhihad do të thotë angazhim, përpjekje për të mirë dhe neutralizim të të keqes dhe vetëm në instancën e fundit kjo shprehje ka kuptimin edhe të luftës. Edhe me këtë veprim, mospërdorimi i kësaj shprehjeje do t’i legjitimonte grupet e ndryshme, kurse Islami dhe myslimanët nuk do të ofendoheshin për veprimet e individëve.

Madje propozohet që të kihet kujdes edhe te shprehja islamizëm dhe islamistike gjatë përshkrimit të organizatave terroriste. Në vend të kësaj me shprehjen islamizëm dhe islamistike do të emërtohen organizatat të cilat e përkrahin islamin politik por jo edhe terrorizimin.[4]

Mendoj se përdorimi i pavend i shprehjeve me konotacion negativ, që i vishen Islamit dhe myslimanëve, më tepër është prodhim i plejadës së “ekspertëve” të komponuar rishtazi për çështjen islame dhe myslimane, të cilët në vrap për pozicione të paguara mirë në agjensione sigurie, në mediume të shkruara dhe elektronike dhe institute shkencore, në ShBA, Evropë dhe në rajonin tonë. Për fat të keq, synimi i njerëzve “ekspertë” të tillë nuk është kontribut për zgjidhjen e probleme, por që problemet që mbahen në top-listë dhe për vete të sigurohen dobi karriere, dobi materiale etj. Shpesh herë këto teza të shtrembëruara janë shndërruar në vendime politike që edhe më tepër e kanë radikalizuar palën tjetër. Vendime të tilla i kemi disa, si mbulesa e femrës muslimane, arrestimi i individëve duke përfshirë të gjithë myslimanët etj.

 

Përgatiti: N. Ibrahimi



[1] Sipas: Muhamed Jusić, Pojam „islamski terorizam“ je netačan i kontraproduktivan, në: http://www.preporod.com/muhamed-jusiainmenu-89/1710-pojam-islamski-terorizam-je-netaan-i-kontraproduktivan.html.

[2] Fjalët që veprojnë dhe fjalët që nuk veprojnë: Udhëzuesi për komunikim antiterrorist = Words that Work and Words that Don’t: A Guide for Counter-Terrorism Communication.

[3] Sipas: Muhamed Jusić, po aty.  

[4] Sipas: Muhamed Jusić, po aty.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme