Hasan ef. Nahi si myderriz i Medresesë “Mehmet Pasha” në Prizren

Hasan ef. Nahi (1905-1991)

 

Kam kënaqësinë që, para këtij auditori të nderuar, të paraqes disa të dhëna për nxënësin, myezinin dhe më pastaj ligjëruesin e sintaksës arabe në Medresenë e Madhe ose Medresenë “Atik” të Gjakovës, për studentin e “Al-Azharit” të famshëm, për sejjar vaizin, apo misionarin islam botëshëtitës, për myderrizin e medresesë së Ferizajt, për kryemyftiun e Kryemyftinisë së Zonës së Prizrenit, për profesorin shumëvjeçar të medresesë “Alaudin”, për përkthyesin e Kuranit në gjuhën shqipe, për Hasan ef. Islam Nuredinin të birin e Haxhi Jahjait nga Gjakova, i mirënjohur ndër shqiptarët me emrin e tij fetar, prindëror dhe popullor – Hasan ef. Nahi-Xhehenemi, në kohën sa ishte drejtor dhe myderriz në medresenë “Mehmet Pasha” të Prizrenit në periudhën prill 1943-shkurt 1948.

Që në fillim duhet thënë se Hasan ef. Nahi drejtimin e medresesë “Mehmet Pasha” e mori në një kohë jo shumë të përshtatshme për sa u përket rrethanave politike dhe shoqërore nëpër të cilat kalonte Kosova në veçanti dhe trojet shqiptare në përgjithësi, sepse ishin kohë kthesash të mëdha dhe jo shumë të favorshme për popullin shqiptar, ku sa binte një regjim, ngrihej një tjetër, secili më i vështirë dhe më i paparashikueshëm për shqiptarët se tjetri; kurse, në anën tjetër, në kohën kur Hasan ef. Nahi u emërua myderriz i medresesë “Mehmet Pasha”, ky institucion islam dhe kombëtar akoma pa harruar humbjen e pakompensueshme të myderrizit dhe myftiut shumëvjeçar të saj Hfz. Nysret ef. Galibit[1], më 4 prill 1943, kishte humbur edhe myderrizin tjetër, alimin e njohur, hafizin e shquar, kopjuesin e kaligrafistin e shkathtë, mbrojtësin e përkrahësin e kauzës kombëtare, përkrahësin e Ferhat bej Dragës dhe mikun, bashkëpunëtorin e vendësin e Ibrahim Lutfiut, përkrahësin dhe përhapësin e shkrimit shqip; personalitetin me ide përparimtare e patriotike, kundërshtarin e rreptë të politikës antishqiptare serbomadhe, luftëtarin ndër më të shquarit në luftën kundër shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga trojet etnike, Hfz. Abdullah ef. Hizrin-Telakun[2].

Në mënyrë që kjo medrese të mos mbetej pa drejtuesin dhe myderrizin e saj kryesor, pak ditë pas vdekjes së Hfz. Abdullah ef. Telakut, Këshilli i Ylemave i Komunitetit Mysliman Shqiptar me qendër në Tiranë, në vartësi të të cilit ishte Komuniteti i Myslimanëve të Kosovës, me dekretin e nënshkruar nga dibrani Hfz. Sherif Langu, do të gjejë njeriun më adekuat dhe më të merituar për këtë detyrë, kë tjetër, pos Hasan ef. Nahin, dhe kështu do ta emërojë myderriz të kësaj medreseje. Detyra e re për Hasan ef. Nahin, ndonëse kishte një përvojë relativisht të gjatë në mësimdhënie, qoftë në Medresenë e Madhe të Gjakovës, qoftë në Medresenë e Ferizajt, gjithsesi përbënte një sfidë të re dhe një përgjegjësi të madhe.

Emërimi i Hasan ef. Nahit nga institucionet vendimmarrëse të kohës si myderriz i medresesë, e dy muaj më vonë edhe kryemyfti i Kryemyftinisë së Zonës së Prizrenit (qershor 1943) nuk qe një gjë e rastit, por se erdhi si rezultat i verifikimit të kontributit të familjes Nahi dhe të aftësive, punës, aktivitetit, qëndrimit dhe dëshmive të forta që kishte dhënë vetë Hasan ef. Nahi që nga koha kur kishte qenë student në “Al-Azhar“ (1930-1934) të Kajros dhe më vonë gjatë shërbimeve të tij si sejar vaiz nëpër Kosovë, sepse, në këtë kohë, gjithandej në territoret e “Shqipërisë së Madhe”, pra edhe në Prefekturën e Prizrenit, në vendet kyçe të administratës e të institucioneve shtetërore dhe islame emëroheshin vetëm ata shqiptarë, të cilët ishin të aftë, të përshtatshëm dhe patriotë, që kishin dhënë prova të atdhedashurisë në vitet ndërmjet dy luftërave botërore. Për emërimin e Hasan ef. Nahit, përveç tjerash, një ndihmesë kishin dhënë edhe dy shokët e tij nga ditët e shkollës në universitetin “Al-Azhar”, Sadik Bega që drejtonte “Kulturën Islame”, organ i Komunitetit Myslimanë në Tiranë dhe Hfz. Bedri Hamidi që ishte anëtar i këtij Komuniteti. Hasan ef. Nahi për Komunitetin Mysliman Shqiptar ishte i njohur edhe nga fjalimi i tij elokuent dhe i argumentueshëm në gjuhën shqipe që kishte mbajtur me rastin kur një delegacion i këtij Komuniteti në krye me kryetarin dr. Behxhet Shapati kishte vizituar Gjakovën dhe qytetet e tjera të Kosovës më 1941[3].

Kur Hasan ef. Nahi nisi punën në medresenë “Mehmet Pasha”, atë e gjeti në një gjendje të mirë dhe të konsoliduar. Falë ish-myderrizëve të saj, kjo medrese akoma ruante namin dhe ishte në zë në tërë rajonin, kurse për nga numri i studentëve zinte vendin e parë. Myderrizët para Hasan ef. Nahit, si Hfz.Sylejman efendiu, i biri i tij ishte Haxhi Ymer Prizreni, Hfz. Abdylaziz Hifzi efendiu, Abdylhalim efendi Gjergjizi, Memish efendiu, H. Rrystem ef. Shporta, Haxhi Ymer Lufti Paçarizi, Hfz. Nysret ef. Galibi, Abdullah Durmish efendiu, Hfz. Qamil ef. Mehmeti, Hfz. Fejzullah efendiu, Ali Riza efendiu, Haxhi Musa efendiu, Hfz. Abdullah ef. Hizri dhe të tjerë e kishin vënë medresenë në këmbë të shëndosha dhe e kishin trasuar mirë e sigurt rrugën që do ta ndiqnin studentët e kësaj medreseje, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në atë kombëtar. Prandaj, Medreseja “Mehmet Pasha”, në rrethana të robërisë serbomadhe, përveçse si shkollë fetare islame, e kishte luajtur edhe rolin e një klubi kulturor e kombëtar shqiptar, ku u edukuan fetarisht dhe kombëtarisht disa gjenerata, gjithnjë besnikë ndaj frymës që mbollën këta myderrizë.

Ndonëse mësimi në këtë medrese zyrtarisht zhvillohej në gjuhët arabe, turke e persiane, “në mënyrë kaçakçe, i qe dhënë rëndësi e madhe edhe mendimit letrar shqip me alfabet arab, e së këndejmi edhe gjuhës dhe kulturës shqiptare”[4]. Ndërkaq, myderrizi i sapoemëruar i kësaj medreseje Hasan ef. Nahi, në këtë drejtim, kishte vajtur edhe një hap më tutje dhe në planprogramin e medresesë kishte aplikuar edhe lëndën e gjuhës shqipe dhe për mësues të saj kishte angazhuar veteranin e arsimit shqip, Hasan Vokshin[5].

Në anën tjetër, revista “Kultura Islame”, sikurse edhe librat që kishte botuar dhe i botonte Komuniteti Mysliman në Tiranë, që mbanin firmat e penave të njohura si Hfz. Ibrahim Dalliu, Hfz. Ali Korça, Hfz. Abdullah Sëmblaku, Sadik Bega, Sherif Putra, Vexhi Buharaja etj., ishin bërë po thuajse tekste bazë në këtë medrese dhe kishin zënë të përhapeshin dhe të përdoreshin jo vetëm ndër studentët e kësaj medreseje, por edhe ndër ulematë e Kosovës.

Sikurse u tha, në kohën e Hasan ef. Nahit, medreseja “Mehmet Pasha” kishte një numër të studentëve, të cilët ish-myderrizi Hfz. Abdullah ef. Hizri-Telaku i kishte përcjellë deri para diplomimit, por meqë ymri nuk i kishte dhënë mundësi, nuk kishte arritur t’ua jepte ixhazetnamenë. Kështu, Hasan ef. Nahi, pas verifikimit të njohurive të tyre dhe plotësimit të mësimeve të mbetura, disave prej tyre ua kishte dhënë ixhazetnamenë.

Ne kemi gjetur tri ixhazetname të lëshuara nga myderriz Hasan ef. Nahi: ixhazetnamenë e Hafiz Ramiz “Zihni” efendiut i biri Hafiz Fejzullah Mehmetit nga Suhareka, ixhazetnamenë e Hafiz Abdullah “Avni” efendiut i biri i Ramadan Reshidit nga Prizreni dhe ixhazetnamenë e Hafiz Sinan “Shukri” efendiut i biri i Mustafë Selimit nga Prizreni[6]. Të dhënat që ofrojnë këto ixhazetname janë me interes jo vetëm për t’i njohur personat që i kanë marrë këto ixhazetname, por ato ofrojnë të dhëna edhe për myderrizin e tyre dhe myderrizët e myderrizit të tyre dhe për medresenë që kanë mbaruar. Qe të tri këto ixhazetname janë lëshuar në të njëjtën ditë: ditën e hënë 5 rebiul-evvel 1363, që korrespondon me datën 28 shkurt 1944. Kjo e dhënë përforcon faktin se marrja e ixhazetnamesë ishte një ditë e shënuar dhe e veçantë jo vetëm për studentin që arrinte këtë gradë, por edhe për myderrizin dhe institucionin që jepte këtë dëshmi, madje edhe për tërë qytetin e Prizrenit. Prandaj, nuk na çudit fakti se në veprat dorëshkrim të haxhi Ymer Lutfi Paçarizit gjejmë një numër të madh të “Tariheve”-“Kronogrameve”[7] që ky autor ua kishte kushtuar studentëve që merrnin ixhazetnamenë në medresetë e Prizrenit.

Një ditë e shënuar dhe festive për Prizrenin dhe rrethinën e tij ishte edhe dita kur bëhej edhe përurimi i hafëzëve të rinj. Mësimi i Kuranit përmendsh dhe nxjerrja e hafëzëve të rinj në medresenë “Mehmet Pasha” ishte një punë e njohur dhe me traditë të gjatë, madje që nga themelimi i saj në gjysmën e dytë të shek. XVI e deri në kohën kur u mbyll më 1948, kurse numri i hafëzëve që kishin arritur të mësonin Kuranin përmendsh në këtë vatër arsimore islame e kombëtare nuk ka të numëruar. Edhe në kohën kur këtë institucion e drejtonte Hasan ef. Nahi, mësimi i Kuranit përmendsh ishte praktikuar dhe në këtë kohë shumë kandidatë kishin arritur që ta kryenin hifzin, kurse Hasan ef. Nahi, si drejtor dhe myderrizi kryesor që ishte, udhëhiqte edhe Komisionin për vlerësimin e kandidatëve për hafëzë. Deri tani dimë për më shumë se dhjetë kandidatë që kanë kryer hifzin në kohën sa Hasan ef. Nahi ishte myderriz në medresenë “Mehmet Pasha”[8].

Ndonëse Hasan ef. Nahi e drejtoi medresenë “Mehmet Pasha” për një periudhë jo shumë të gjatë (prill 1943-shkurt 1948) ajo arriti që të shënonte suksese të shkëlqyeshme dhe ta vazhdonte traditën e saj shekullore në përhapjen e dijeve dhe në edukimin e brezave të rinj.

Mirëpo, puna dhe aktiviteti i Hasan ef. Nahit, si myderriz dhe kryemyfti i i Zonës së Prizrenit, pastaj korrespodencat dhe kontaktet e tij me krerët fetarë dhe politikë, si me myderrizin famëmadh, profesorin e arabishtes në Medresenë “Gazi Isa Beg” të Shkupit, bashkëpunëtorin e rilindësit dibran Said Najdenit dhe Hasan Prishtinës, kurse më pas edhe i Ferat bej Dragës dhe i Sheh Mehmet Sezait të Prishtinës, veprimtarin e Komitetit të Kosovës para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Rexhep ef. Abdullahu-Remziun, i cili në kohën kur Hasan efendiu ishte kryemyfti i Prizrenit, ishte kryemyfti i Zonës së Prishtinës; pastaj kontaktet me Mulla Idriz Gjilanin, i cili pikërisht para Hasan efendiut më 10 nëntor 1943, sikurse edhe shumë imamë e myezinë të tjerë, e kishte dhënë betimin për myfti të Gjilanit.[9] Kontaktet dhe korrespondencat me ulemanë e Tiranës, pastaj me studentët e medresesë që vinin gjithandej nga Kosova, sikundër edhe suksesi, zelli dhe pikëpamjet e studentëve të kësaj medreseje, nuk ishin parë me sy të mirë nga pushtetarët e rinj, që ishin vënë në shërbim të një regjimi të ri, i cili për fe kishte zgjedhur ideologjinë moniste-ateiste, sistem ky që dalëngadalë po nguliste kthetrat e tij edhe në Kosovë. Kështu, ditët pas vitit 1945 për medresenë “Mehmet Pasha” nuk do të jenë aspak të mira, derisa në prill të vitit 1948, po nga ky sistem, i vihet dryni kësaj vatre arsimore kombëtare e fetare afro katërshekullore, me pretekstin se një medrese e tillë nuk na qenka e nevojshme (!), ngaqë një e ngjashme po ekzistuaka në Sarajevë (!) dhe me arsyetimin banal e qesharak se kjo medrese gjoja nuk po i plotësuaka kushtet higjienike-pedagogjike(!). Mirëpo, arsyet e vërteta të mbylljes së medresesë “Mehmet Pasha”, sikurse do të merren vesh më vonë, nuk ishin këto që u përmenden, por ishte fakti se sistemit të ri komunist-ateist nuk i konvenonte një shkollë në qendër të Kosovës, ku feja islame mësohej dhe komentohej në gjuhën shqipe. Për këtë arsye, edhe lënda e edukimit fetar në shkolla u hoq përfundimisht pikërisht në këtë vit.

Dhe jo vetëm kaq, sepse me mbylljen e medresesë “Mehmet Pasha” u mbyll edhe Biblioteka/Kutubhaneja shumë e pasur e kësaj medreseje, e cila në fondet e saj ruante qindra e mijëra libra shumica në dorëshkrim që kishin qenë në shërbim të studentëve dhe myderrizëve të kësaj medreseje e të popullatës së Prizrenit dhe të cilët libra i kishin lënë vakëf për këtë bibliotekë myderrizët, vakëflënësit, pashallarët, agallarët, studentët, esnafët dhe shumë personalitete të shquara të Prizrenit e me gjerë. Duhet theksuar faktin se nga dita kur u mbyll kjo kutubhane e deri sot, fondi i saj librar dita-ditës pakësohej, kurse veprat në dorëshkrim, sidomos ato më të vjetrat, unikale e më të vlefshme, janë vjedhur dhe kanë shkuar në pakthim. Nga e gjithë kjo bibliotekë, ndër më të pasurat në rajon, sot, gjashtëdhjetedy vjet pas mbylljes së saj, kanë mundur të shpëtojnë vetëm disa sosh. Mbyllja e medresesë “Mehmet Pasha” dhe e Kutubhanes së saj, përveçse i preku rëndë studentët dhe myderrizët e saj shkaktoi një pezmatim të madh edhe tek ulemaja dhe popullata e Kosovës. Një akt i tillë ishte paramenduar dhe ishte llogaritur mirë nga sistemi që po instalohej në këto anë, sepse me mbylljen e këtyre dy institucioneve me traditë, sikur i thuhej komunitetit mysliman në Kosovë dhe traditës së tij në veçanti se për të po vinin ditë jo të mira.

Me një fjalë, mbyllja e medresesë dhe e bibliotekës “Mehmet Pasha” ishte një ogur i zi dhe me pasoja edhe për simotrat e tjera që vepronin në Kosovë, si Medreseja “Pirinazir” e Prishtinës me myderrizin e saj Ahmet ef. Ajetin-Mardoçin dhe Medreseja e Opojës me myderriz Haxhi Rexhep ef. Ismailin dhe shumë xhami monumentale të Prizrenit, të cilat pak vite pas mbylljes së medresesë “Mehmet Pasha” ose do të shkatërroheshin në tërësi (Xhamia “Mustafë Pasha”), ose do të shkatërrohej xhamia e do të ngelte minarja (Xhamia “Arasta” me gjithë Çarshinë), ose xhamitë do të shndërroheshin në depo dhe nuk do ta kryenin funksionin e tyre primar (Xhamia “Sinan Pasha”). Natyrisht, hiq më mirë nuk kaluan edhe disa monumente islame-shqiptare në qytetet e tjera të Kosovës, si f.v. xhamia “Junus efendi”, ose “Xhamia e Llokaçit” në Prishtinë etj.

Mbyllja (për të mos u hapur kurrë deri sot) e medresesë dhe e bibliotekës “Mehmet Pasha” e kishte thyer shpirtërisht dhe e kishte prekur rëndë myderriz Hasan ef. Nahin, i cili sigurisht që do të jetë ndier shumë keq, madje si asnjëherë tjetër në jetën e tij, sepse ishte ai myderrizi i fundit i medresesë së parë në Kosovë, e cila dikur “shquhej dhe ishte e njohur në tërë Rumelinë”[10].

Hasan ef. Nahi kurrë nuk do ta harronte këtë veprim makabër, antikulturor dhe antiislam të sistemit të ri. Prandaj, atë që nuk e bëri me rastin mbylljes së kësaj medreseje e bëri atëherë kur e ngriti fuqishëm zërin dhe doli në mbrojtje të Gjimnazit të Gjakovës, në veçanti dhe shkollës shqipe në përgjithësi, duke mbetur një kundërshtar i papërmirësueshëm i sistemit komunist-ateist dhe një përkrahës i padiskutueshëm i arsimit dhe shkollës shqipe. Për këto arsye, në planet sekrete të UDB-së do të cilësohej si “ideolog shumë i rrezikshëm, i pathyeshëm dhe i papërmirësueshëm, të cilin duhej eliminuar ose duhej shpërngulur nga Kosova”[11].

E kur është fjala te shpërngulja e shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre duhet theksuar faktin se Hasan ef. Nahi dha një kontribut të çmuar në demaskimin e propagandës serbe për shpërnguljen e popullatës shqiptare për në Turqi, duke i shpjeguar popullatës myslimane shqiptare për pasojat, gjynahun dhe hatanë, nëse do të shpërnguleshin dhe të linin shtëpitë, vatrat, trojet, xhamitë dhe varrezat e stërgjyshërve të tyre. Në këtë kohë, Hasan efendiun e gjejmë jashtëzakonisht të angazhuar në organizimin dhe këshillimin e rinisë në frymën islame, duke mbajtur ligjërata dhe vaize me karakter fetar dhe kombëtar në Gjakovë ku ishte imam (1948-1958) dhe gjithandej ngado shkonte.

 
_____________________
[1]Më gjerësisht për Hfz. Nysret ef. Galipi (Doda)shih: Dr. Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë – shek. XVIII-2010, Prishtinë, 2010.

[2]Më gjerësisht për jetën dhe veprën e Hafiz Abdullah Hizrit shih: Resul Rexhepi – Sadik Mehmeti, Myderrizi i Medresesë “Mehmet Pasha” të Prizrenit Hafiz Abdullah ef. Hizri – Telaku (Ld. 15.05.1896 – vd. 04.04.1943), në: “Takvim”-“Kalendar”, 2011, Prishtinë.

[3] Sadik Bega, Reportazh mbi vizitën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Kosovë, në: revistën “Kultura Islame”, nr. 3-4, Tiranë, 1941, f. 79.

[4]Dr. Muhamet Pirraku, Këndoi edhe kur e kishte të ndaluar, në: “Dituria Islame”, nr.24, Prishtinë,1991,f. 21.

[5] Mehmet Halimi, Medreseja e Ferizajt fliste shqip, në: gazeta “BUJKU”, Prishtinë, dt. 15 korrik 1996, f. 6.

[6] Këto ixhazetname janë në pronësi të bibliotekës tonë private.

[7] ‘Umar Lutfī Pāçārīzī, Taëārīh, (dorëshkrim), Arkivi i Kosovës-Prishtinë.

[8]Shih: Dr. Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë – shek. XVIII-2010, Prishtinë, 2010.

[9] Arkivi i Kosovës, Fondi: Kryemyftinia e Zonës së Prishtinës, kutia 23, dok. nr. 96, 1943-1944. Më gjerësisht: Sadik Mehmeti, Kontribut për ndriçimin e figurës fetare të Mulla Idris Gjilanit, në: “Vjetari i Arkivit të Kosovës”, nr.XXXIII-XXXIV, Prishtinë, 2005, f. 319-328.

[10] Hasan Kaleši, Spomenici islamske arhitekture i orijentalni rukopisi, në: “Kosova nekad i danas”, Beograd, 1973, 470-471.

[11] Prof. dr. Hakif Bajrami, Planet sekrete për likuidimin e shqiptarëve nga Kosova 1950-1956, në: “Dituria Islame”, nr. 86, Prishtinë, 1996, f. 26.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme